• |
ide | kryesore

Shoqëria civile pa “civilët”

Arkiva, Ide
petro1.jpg



Në ditët e ftohta të dimrit, dhjetëra mijëra banorë të kryeqytetit kosovar dhe rrethinës së Prishtinës bëhen dëshmitarë të rritjes së ndotjes së ajrit. Ata që kanë astmën as që guxojnë të dalin jashtë. Nënat nuk varin teshat në terraca se ajri i kontaminuar me grimca pluhuri i nxin ato sa ora. Mungesa sporadike e rrymës, shkaktuar nga avaritë apo mungesa e importit të Kosovës, veç sa përkeqësojnë situatën me ndezjen e mijëra diesel- gjeneratorëve që rrisin përqindjen e CO2 dhe ndotësve të tjerë ajrorë. Shkaktarët kryesorë të ndotjes dihen tani e shumë dekada: janë termocentralet e vjetra kosovare ato që shkaktojnë në masë të madhe ndotjen e ajrit. Termocentrali “Kosova A” përdoret tash e një gjysmë shekulli dhe njihet si një ndër termocentralet më të ndotura në Europës, sipas një hulumtimi ambiental të Bankës Botërore. “Kosova B” është pak më e re, në përdorim mbi 30 vite dhe një çikëz më e pastër, por është e qartë se dy termocentralet bashkë që ndizen me qymyr kosovar, krijojnë një zonë të vërtetë të zezë ambientale në Kosovë.
Kosova prodhon mbi 95% të rrymës nga termocentralet me qymyr, por është importuese e madhe e rrymës ngase infratsruktura gjeneruese e jona nuk po zë hapin me rritjen e konsumit. Kosovarët janë konsumues relativisht modest të rrymës– kryesisht për shkak të mungesës së industrisë masive– duke konsumuar për kokë banori 6 herë më pak se SHBA, ndërsa 30% më pak se mesatarja e Ballkanit. Mungesa e rrymës shpesh citohet të jetë pengesa më e madhe e të bërit biznes nga vetë kompanitë kosovare. Kosova në vitin kur e shpalli pavarësinë, në 2008, ka shpenzuar 5% të tërë buxhetit shtetëror në blerje të energjisë nga tregu rajonal. Situata do të përkeqësohet dramatikisht kur Kosoa ta dekomisionojë TC Kosova e Re, një kusht nga BE në kuadër të obligimeve kosovare pët integrime europiane. Derisa afati që ka dhënë BE më 2017 duket joreal, nuk ka dyshim që gjatë kësaj dekade, “Kosova A” duhet të mbyllet në tërësi për shkak të skadimit të afatit të përdorimit. 
Nuk ka nevojë të numërohen më shumë argumente për ta evidentuar një të vërtetë që e din çdo kosovar: që mungesa e rrymës stabile po na shkakton probleme enorme ekonomike, shëndetësore dhe sociale.
Ç'është e vërteta, janë disa copëza të një puzzle që duket se mund ta përmirësojnë dukshëm situatën energjetike, por edhe atë shëndetësore në vend, nëse ato lidhen mirë në kuadër të një strategjie gjithpërfshirëse. Që nga privatizimi i distributorit që operonte me humbje të mëdha, buxheti i Kosovës ka zvogëluar dukshëm shpenzimet e blerjes së energjisë. Privatizimi ka sjellë edhe rënien e humbjeve komerciale dhe teknike: nga 41% në 28%. Kompania austrike Kellag po ndërton dy hidrocentrale, në Deçan dhe Pejë, që bashkarisht do ta trefishojnë prodhimin e hidro- energjisë duke furnizuar me rrymë nga uji rreth 25,000 ekonomi familjare, nga rreth 7,000 që furnizohen sot me hidrorrymë. Ndryshimi më thelbësor do të jetë edhe ndërtimi i TC Kosova e Re, një projekt i cili është në planifikim e sipër tash e 8 vite por që sivjet përfundoi fazën e tenderimit duke nxjerrë kompaninë amerikane Contour Global si fituese të tenderit për ndërtim dhe menaxhim të termocentralit të ri 600+MW. Ndërtimi i termocentralit të ri është i një rëndësie të padiskutueshme për Kosovën. Kosova sot importon 10 deri 15% të rrymës së nevojshme por me mbylljen e TC të vjetër si dhe me rritjen e projektuar të konsumit, blerja e rrymës do të shkonte në nivele astronomike dhe do të krijonte sfida të pakapërcyeshme zhvillimore, ekonomike por edhe politike. 
Por ja që një pjesë e shoqërisë civile në Kosovë, e financuar dhe mbështetur nga fondacioni i vëllëzërve Rockefeller si dhe organizata ambientaliste amerikane Sierra Club po bëjnë fushatë shumë të shtrenjtë globale kundër termocentralit. Nëse shfletoni 10- 15 artikujt e fundit të portalit e famshëm amerikan Huffington Post, do ta vëreni se tema kryesore është kundërshtimi i TC Kosova e Re. As temat e favorizuara në mediat amerikane, si terrorizmi islamik apo dialogu Kosovë- Serbi nuk kanë më shumë faqe të dedikuara se kjo fushatë e çuditshme e konzorciumit kosovar KOSID kundër TC Kosova e Re. Të mos keqkuptohemi, këto OJQ kosovare të mbështetura nga dy fondacionet multimilionëshe amerikane nuk po propagojnë pezullim ndërtimi apo diversifikim të burimeve energjetike– këta po kërkojnë ndalesë totale të prodhimit të rrymës në Kosovë nga qymyri. Pra, mosndërtim të TC të ri. Kjo fushatë tashmë ka targetuar edhe Presidentin Obama dhe Bankën Botërore me një angazhim të paparë për anulim të financimit për projektin e qymyrit në Kosovë. Nuk është fare larg mendsh se nën presion të këtyre fondacioneve me nam dhe me shumë ndikim në SHBA, Banka Botërore apo Administrata amerikane mundet ta ndërpresë përkrahjen e projektit.
Që të them të vërtetën, po të isha banor i Amerikës apo i Kalifornisë së bukur dhe progresive ku e ka bazën Sierra Club, edhe unë do të isha ambientalist antiqymyr. Qymyri është ndotës i madh, Amerika ka resurse të pafundëta për të investuar në burime të ndryshme të energjisë, prej TC nukleare e deri tek ato solare apo me erë. Ndërsa sa i përket karburanteve që lëshojnë CO2 e që janë më pak ndotëse se qymyri, Amerika ka gaz natyror me bollëk. 
Por nuk jetojmë në Amerikë. Jetojmë në Kosovë që ka qymyr më shumë se cilado pjesë e Europës lindore. Jetojmë në Kosovë e cila ka vetëm dy opsione këtë dekadë dhe dekadën e ardhshme të furnizimit me rrymë: ose do ta prodhojmë vetë energjinë e bazuar në qymyr, ose do ta blejmë nga fqinjët, të cilët poashtu e prodhojnë me qymyr. Qymyrit nuk dot t'i ikim dot.
Prandaj fushata globale dhe financiarisht e begatshme e KOSID nuk ka sens. Asnjë shtet në Ballkan nuk është target i një fushate të tillë intensive për ndalesë të ndërtimit të një TC. Kongresi amerikan nuk bombardohet nga lobistët ambientalistë që kundërshtojnë ndërtimin e TC Kostolac në Serbi me kapital kinez. As nuk kundërshtojnë kinezët tek ndërtojnë termocentral në Bosnje po ashtu me qymyr. 
Nëse jemi plotësisht të vërtetë, e çdo respekt ndaj shumë OJQ-ve kosovare që e kanë bërë demokracinë tonë vibrante dhe qytetare, KOSID është shembull tipik i organizatave civile që nuk janë të bazuara në aktivizmin qytetar apo interesa të identifikueshme qytetare por në agjendën e donatorit të pasur amerikan. Unë e kuptoj se Rockefellers kanë vendosur të luftojnë për agjendën e gjelbërt në SHBA dhe financojnë lobimin kundër investimeve amerikane në qymyr. Por nuk e kuptoj se pse Kosova duhet të vuajë përjetësisht nëse kjo agjendë e donatorëve nuk përputhet edhe me interesat qytetare. Interesat qytetare përfaqësohen jo vetëm nga partitë në pushtet. Edhe nëse e urrejmë dhe kundërshtojmë me hidhërim qeverinë e Kosovës, i tërë spektri opozitar poashtu është pro ndërtimit të kapaciteteve të reja gjeneruese me qymyr. Dallimi i vetëm është se Vetëvendosja dëshiron pronësi publike mbi gjenerimin ndërsa AAK e Haradinajt dëshiron dyfishim të madhësisë së TC Kosova e Re. Edhe një mori OJQ-shë dhe aktivistësh anti-qeveritarë përkrahin ndërtimin. Lumi Abdixhiku që udhëheq Institutin Riinvest kërkon TC të re, Luan Shllaku që udhëheq Fondacionin Soros dhe është ambientalist me diplomë, poashtu kërkon TC si pjesë të diversifikimit energjetik. Agon Maliqi, aktivist dhe bloger përkrah TC-në. Petrit Zogaj që udhëheq organizatën më të zëshme antikorrupsion poashtu dëshiron TC.
Pra, 99.9% e shoqërisë kosovare, qeveri apo opozitë, shoqëri civile apo ekspertë ekonomikë, pajtohen se Kosova ka nevojë për një termocentral të ri. KOSID qëndron i vetmuar por me buxhet të majmë dhe përkrahës të fuqishëm amerikanë. Edhe në vetë konsorciumin KOSID disa nga organizatat tashmë janë tërhequr nga lobimi i zëshëm kundër TC Kosova e Re. Realisht po të ndërpritej përkrahja e fondacionit të vëllëzërve Rockefeller, TC Kosova e Re do të ishte një nga projektet e pakta ekonomike ku ka konsensus mbarë qytetar për ndërtim.
Ja që e kundërta është duke ndodhur– në media botërore ka shumë artikuj që fokusohen në apele për ndalesë të ndërtimit dhe aktivistët e KOSID që numërohen në gishtat e dorës, ama mirë të financuar, deri në fund do të tentojnë ta bllokojnë dhe ndalojnë ndërtimin e TC. Shpresojmë që të mos të kenë sukses dhe shpresojmë që Qeveria ta përmbyllë tenderin e stërvonuar.
 
Autori është zëvendës ministër i jashtëm i Kosovë. Opinionet e shprehura janë personale dhe nuk përfaqësojnë qëndrimin e institucionit. Për më shumë, përcjelleni në Tëitter me nofkën @petrit. Ky shkrim është shkruar posaçërisht për lapsi.al