• |
ide | kryesore

Gabimet e ministrit të Shëndetësisë dhe indiferenca e Kryeministrit

Arkiva, Ide
pajtim lutaj.jpg



Shëndetësia dhe arsimi janë fusha me sensbilitet të lartë shoqëror, prandaj çdo reformë që duhet të behet në këtë sektor duhet të ketë konsensusin e gjithë shoqërisë. Prononcimet e ministrit të Shëndetësisë për testimin e mjekëve kanë hasur një kundërshti të fortë pothuajse në gjithë trupën e punonjësve të shëndetësisë. Në median vizive dhe atë të shkruar, në rrjetet sociale por edhe në politikë, parlament, rrugë… fjalët më të përdorura muajin e fundit kanë qëne "testimi i mjekeve" dhe "check-up i grup moshës 40- 60 vjeç", pra dy aksione apo masa të qeverisë që lidhen çuditërisht me të "shëndoshin" aq sa të jep përshtypjen se ministria e Shëndetësisë ka harruar të sëmurin dhe merret me mjekun.
Në kohën kur një rivlerësim, riklasifikim apo rankim i të gjithë mjekëve që ushtrojnë profesionin në territorin e Shqipërisë është i domosdoshëm, i nevojshëm dhe urgjent, MSH hedh për konsum publik “testimin” një fjalë aspak korrekte politikisht, por edhe e pa bazuar në ligjshmëri. Ky lapsus i MSH por edhe indiferenca e Kryeministrit kanë shkaktuar një çoroditje publike dhe kundërshtohet me të drejtë nga personeli mjekësor, opinioni publik por edhe nga një pjesë e politikës ndërsa nje pjesë e vogël e kanë aprovuar në parim por vetë nuk pranojnë të testohen.
Marr autorësinë t'i quaj lapsuse deklaratat e MSH pasi jam bashkëautor i një nisme të tillë, e theksoj i nismës për rivlerësimin; riklasifikimin, rankimin e mjekëve e cila nuk u pranua nga ministri i Shendetësisë Zoti Ilir Beqja.
Në fillim tetorin e vitit 2013 së bashku me një nga profesorët më të mëdhenj të Francës, Pr Gilles Renard, i kemi paraqitur MSH një raport se si mund të rregullohej shëndetësia e vendit tonë. Duke supozuar se drafti që ne propozuam mund të jetë harruar në ndonjë sirtar të MSH, më poshtë po përshkruaj përse është i domosdoshëm rivlerësimi i mjekëve dhe mënyrën e realizimit të tij:
Rivlerësimi i mjekëve është i domosdoshëm për të vendosur rregull në funksionimin e shëndetësisë shqiptare në mënyrë që publiku të kuptojë “kush bënë çfarë”; është i nevojshëm për të krijuar një hierarki e cila për fat të keq nuk ka ekzistuar kurrë dhe është përdhosur më keq vitet e fundit. Vetëm nje hierarki e dokumentuar nga MSH, e publikuar në regjistrat e UM, e ligjëruar në kodin e shëndetit publik, do të ndihmojë pacientin shqiptar për të zgjidhur hallin e vet në “diktaturën e paaftësisë” që simbol të vetin ka informalitetin, rrumpallën, solloratjet, sekserët…
Domosdoshmërinë e rivlerësimit të mjekëve shqiptarë e dikton situata ku gjendet sistemi ynë shëndetësor; me një larmi formimi, shkollash, dipllomash ku bashkëjetojnë të paimagjinueshmet, dipllomat e periudhës së komunizmit me gjithë dipllomat e tranzicionit cfilitës dhe u është dhënë (nga shteti, jo nga pacienti) e njejta vlerë; dipllomave të Perëndimit me ato të Lindjes, (nënkupto Lindjes së trazuar), i është dhënë e njejta vlerë dipllomes 4 vjeçare në Itali me dipllomën apo kurset 2 vjeçare ne stepat e Rusisë; pa përmendur dipllomat e piramid- universiteteve shqiptare qofshin këto private apo publike që kanë barazvlerësuar fallcon me orgjinalin, notën, titullin, postin e fituar me atë të trafikuar.
Në të njejtën kohë rivlerësimin e kërkon edhe niveli i drejtusëve të ekipeve; emërimi i të cilëve jo gjithmonë korrespondon me kompetencat profesionale dhe shkencore të tyre dhe kjo e bënë të pa mundur progresin, evoluimin.
Nevojën urgjente të rivlerësimit, riklasifikimit, rankimit, matrikullimit të mjekëve shqiptarë e kërkon sistemi shëndetësor i mbulimit universal që Aleanca për Shqipërinë Europiane zgjodhën si prioritet të politikës së tyre 4 vjeçare. E kam mbështetur implementimin e këtij sistemi jo si më i miri, por më i thjeshti për t'u zbatuar por nuk mund të pajtohem me mungesën e vullnetit dhe dëshirës që është treguar këto dy vite si nga MSh por edhe nga Kryeministri për krijimin e infrastrukturës që kerkon sistemi të funksionojë. Duket se MSH e ka harruar këtë detyrim që ka ndaj publikut shqiptar. Dy buxhete ka aprovuar qeveria aktuale por gjithmone shëndetësia ngeli 3% e GDP-së. I kujtoj Kryeministrit se India ditën që vendosi implementimin e mbulimit shëndetësor universal rriti buxhetin e shëndetësisë në masën 15%. Nuk mund të kalohet në këtë sistem pa informatizimin e spitaleve, pa informatizimin e të dhënave të pacientit (kartela elektronike); pa riklasifikimin e matrikullimin e mjekëve; pa krijimin e grup diagnozave (DRG=diagnosis related group) duke perkthyer ICD-10 (International Clasification of Deases), pa informatizimin e çdo akti mjeksor dhe kostifikimin e tyre. Këto duhet të përbënin prioritetet e MSH për të kontrolluar së pari aktivitetin e mjekut dhe pastaj të mendohet të kontrollohet cilësia e shërbimit të ofruar prej tij. Me ritmin që po ecën MSH, me 10 “paketa” diagnoza në 2 vite kur dihet se janë rreth 14000 të tilla, do t'i duhen 100 vjet për t'i mbaruar kur në raportin tonë është përcaktuar që ky proces kërkon dy vite të implementohet.
Për të realizuar rivlerësimin e mjekëve që ushtrojnë aktivitet në territorin e Republikës së Shqipërisë propozuam dy masa që do të drejtoheshin nga Ministria e Shëndetsisë:
E para, ri- rregjistrimin nga Urdhëri i Mjekut të të gjithë mjekëve që ushtrojnë aktivitet në sektorin publik dhe atë privat, duke ju kërkuar një CV të plotë shoqëruar me dokumentat orgjinale që nga fillimi i fakultetit të mjekësisë deri në ditën e sotme. Këto dosje duhet të analizohen nga një komision i pavarur në përbërje të të cilit ka edhe profesorë të huaj. Kjo mund të bëhet lehtë pasi dosja elektronike u transferohet antarëve të komisionit dhe të gjithë mjekët marrin konfirmimin e njohjes së kualifikimit të tyre nga ana e Urdhërit të Mjekut. Lista e mjekëve të rivlerësuar dhe e informatizuar në mënyrë që të update-ohet në çdo kohë duhet të vendoset en-line e konsultueshme nga Ministria e Shëndetsise por edhe nga publiku i cili do të dijë nëse mjeku që ai shkon është i kualifikuar apo jo. Mjekëve të riklasifikuar UM u jep një kartë që do të quhet Karta e Profesioistit të Shëndetit, e cila ashtu si dhe Karta e Shëndetit të çdo pacienti, bëjnë të mundur jo vetëm konsultimin online të Kartelës Elektronike të pacientit por edhe kontrollin e aktivitetit të mjekëve nga ana Autoriteti Kombëtar të Shëndetit. Nga momenti që sistemi informatizohet, bëhet më i lehtë kontrolli i cilësisë së shërbimit që mjeku ofron. Paralelisht me Karten profesionale UM duhet tu jap mjekëve të rivlerësuar edhe një dipllomë e cila duhet të afishohet me detyrim në vendpunën e çdo mjeku. Kjo do të rrisë shumë besimin e publikut tek sistemi i ri shëndetesor.
E dyta, riVlerësimi i kompetencave profesionale të mjekëve të spitaleve universitare duhet bërë nga një Juri ndërkombëtare e cila do të mbështetet në dosjen e krijuar nga UM por edhe do të testojë me gojë çdo mjek universitar për të vlerësuar cilësinë e aktivitetit mjekësor, angazhimin në strukturat publike, me prova të aktivitetit kërkimor- shkencor, botimet, kongreset… dhe do t'u kërkohet të provojnë cilësinë e mësimdhënies duke preçisuar kohën që i kushtohet mësimdhënies deri tek përgatitja e një leksioni. Ky rivlersim do të bëjë të mundur të diferencohen mjekët më të aftë që do të ushtrojnë aktivitetin e mësimdhënies në spitalin universitar por edhe ata që kanë profil për të drejtuar strukturat e një QSU. Ndërsa mjekëve që nuk i plotësojne këto kritere do t'u propozohet një vend pune në spitalet sekondare jo universitare ose do të dalin në profesion të lirë, privat.
Këto duhet të ishin masat e marra nga MSH në 6 muajt e parë të mandatit dhe jo të nxirrte nga mënga testimin që do ngrite mjekët në protesta dhe do e sillte Kryeministrin në QSUT tre herë. Ky i fundit, në vend që të kerkonte një model rivlerësimi, në takimin me shefat (me ata që nuk testohen) la të kuptohej se kanë zgjedhur sistemin amerikan të testimit të mjekëve dhe testimi do të shtyhej për në fund të vitit, gjë që u kuptua si tërheqje por që e kompromenton rëndë programin e tij për shëndetësinë. Në ardhjen e tretë radhazi në QSUT u kuptua se Kryeministri dy herët e mëparshme nuk kishte ardhur as per 8 ambulancat; as per inagurimin e pishinës së neuroplegjikëve por për të shuar “l’ésprit médecin” dhe konfortuar ministrin e tij. Të pretendosh të testosh mjekët tanë si në Amerike është utopi, është sikur të pretendosh të zhvillosh garat e skive ne Shqipëri, sepse nuk kemi as infrastrukturën as llogjistikën e duhur. Bëhet në Amerike testimi por sistemi është tërësisht i informatizuar, pra informatizimi i mjekëve, i diagnozave dhe akteve mjeksore i bëjnë të mundur shtetit jo vetëm të kontrollojë aktivitetin e mjekut por edhe cilësinë e tij. Pra në vendin tonë nuk mund të pretendohet të kontrollohet cilësia pa ditur aktivitetin që bën çdo mjek. Si profesionist e quaj të parakohshëm dhe ju siguroj se testimi nuk do japë asnjë rezultat, pra është të harxhosh kot kohën dhe buxhetin pavarësisht se deri më tani MSH nuk ka dhënê shifra. Prandaj lus zotin që MSH dhe KM fjalën “testim” ta kenë përdorur më shumë nga padija se sa nga vullneti politik për të bërë “show” apo më keq akoma për të intimiduar mjekët dhe infermierët. Ne i sugjerojmë tërheqjen nga nga ky vendim dhe të fillojnë menjëherë rivlerësimin e mjekëve me metodën e propozuar më sipër.
Të vetmen anë pozitive që shoh tek “lapsusi” i MSH është reagimi i mjekëve dhe infermierëve qoftë me protesta, qoftë në rrjetet sociale, të cilat shpresoj të institucionalizohen në sindikata apo përfaqësi të grupeve të interesit në mënyrë që politika shqiptare të heq dorë nga “bashkëbisedimet me gazetarët” dhe të aplikojë diskutimet me sindikatat e grupeve të interesit. Por nëse testimi është një vendim politik që duhet zbatuar, edhe politikës e politikanëve do t'u llogariten konseguencat e këtij vendimi ashtu siç po u shpërblehet politika “laisser- faire” e derimëtanishme në Qëndrën Spitalore Universitare dhe Universitetin Mjeksor të Tiranës. Kjo politikë ka vrarë besimin e mjekëve të rinj, të cilët me çdo kusht kërkojnë të largohen jashtë për një jetë më të mirë, sepse kurba e dëshpërimit ka zëvendësuar atë të shpresës, sepse të komanduarit vetëm bëjnë sikur komandojnë por nuk administrojnë, nuk menaxhojnë, nuk drejtojnë.
Shef i Departamentit ORL- Okulistikë, QSU “Nënë Tereza”