• |
ide | kryesore

Dhuna policore dhe “burgu” i kryeministrit

Arkiva, Ide
mandi edit.jpg



Disa raste tepër të rënda të dhunës policore, veçanërisht ai në Korçë, kanë hapur edhe njëherë diskutimin mbi raportin mes qytetarit dhe shtetit, përfaqësuesit të ligjit apo atij të rendit. Ky raport ka qenë vazhdimisht problematik, por kohëve të fundit ai po rrezikon të shndërrohet në armiqësor dhe në vend të respektit për ligjin mund të prodhojë një reagim agresiv ndaj tij. Sepse dhuna dhe arroganca policore po perceptohen tashmë jo si aksident, por si pasojë e një mentaliteti qeverisës që e gjeneron atë dhe që në fund çon në armiqësinë e qytetarëve me shtetin e tyre, në zbatimin e ligjit nga frika dhe jo nga ndërgjegjja. Ky lloj “rendi” është provuar që mban aq sa zgjat frika dhe kur ajo bie, njerëzit i kthehen anarkisë dhe shkeljeve si një hakmarrje ndaj shtetit të dhunshëm. Shqipëria është ilustrimi i vazhdueshëm i këtij fenomeni.
Por përse rastet e dhunës nuk janë aksidentale por pasojë e një mentaliteti qeverisës? Rastet e Korçës, Kavajës e Tiranës, nuk janë thjesht shfrim i frustrimeve të një shefi lokal apo shkallim i një bande policësh. Jo vetëm sepse si këto raste ka me qindra që nuk raportohen, pra nuk është një shef apo disa policë, por shumë shefa dhe dhjetëra policë, por edhe sepse në mënyrë indirekte ato frymëzohen nga modeli me të cilin qeveria po tenton të imponojë ligjin dhe rregullin në vend. Një model ku në radhë të parë vjen ndëshkimi dhe pastaj, nëse shteti ka mundësi, vjen edhe shërbimi. Kryeministrit i pëlqen të rrahë gjoksin se pas 25 vitesh rrumpallë, ky do të jetë i pari që do të bëjë shtet, qoftë edhe duke rrezikuar pushtetin e tij. Por kjo propagandë që po shoqërohet me arrestime, dënime e dhunime çon drejt shtetit të frikës dhe jo drejt shtetit të ligjit. Dhe sa më e dhunshme të jetë tentativa për ta imponuar, aq më i fortë do të jetë edhe reagimi për ta sfiduar atë.
Ajo që qeveria Rama po kërkon të bëjë nuk është thjesht zëvendësimi i reformave me masa, siç shkruante pak kohë më parë Ben Blushi. Qeveria Rama ka shpallur fushata ndëshkuese pa u ofruar ndërkohë asnjë mundësi qytetarëve, madje duke i shpërfillur në maksimum të drejtat e tyre njerëzore. Për kryeministrin rëndësi kanë aktet e tij dhe jo subjektet që i pësojnë ato. Policia i mbyti me gjoba drejtuesit e mjeteve, ndërkohë që shteti nuk ofron parkime publike, rrugët janë në gjendje të keqe dhe sjellja e policëve edhe më e keqe. Por kjo është vetëm njëra anë e problemit. Shteti bëhet edhe më i dhunshëm, edhe më arrogant, kur këto gjoba i pret pa e vënë në dijeni fare qytetarin, kur ia merr paratë me forcë në pikat kufitare, kur i heq të drejtën e ankimit dhe për më tepër kur e sorollat për orë e ditë të tëra për të paguar për vetë shtetin. A mund të sjellë kjo gjë respektin e qytetarit ndaj ligjit dhe shtetit? E kështu ndodh me faturat e energjisë, ndërpriten dritat, vendosen gjoba, arrestohen njerëz pa ofruar minimumin e shërbimit. Shifra që nuk përputhen me harxhimin, sahate që nuk punojnë, radhë të gjata për të paguar. Qeveria për këto nuk mban përgjegjësi, as për ikjet e rrymës, as për dëmet që ajo shkakton e as për faturat e kripura aforfe. Pra qytetarët në plan të dytë, masat ndëshkimore të parat. E njëjta gjë me dhunën e INUK, me kërcënimet ndaj bizneseve etj, etj. Qeveria të dënon me burg, por vetë i lan duart nga çdo detyrim.
E kur qytetari trajtohet në këtë mënyrë nga qeveria, kur dhunohet çdo ditë me frikën e burgut e ndëshkimit, kur të drejtat e tij nuk kanë pikë rëndësie, atëherë çfarë mund të pritet nga xhandarët me dhe pa uniformë? Për oficerin e policisë së Korçës, për inspektorin e INUK, për policin e qarkullimit, për atë të rendit e pse jo pastaj për prokurorin, gjykatësin e kështu me radhë, dhuna prevalon mbi të drejtat e njeriut. Kryeministri thotë burg dhe qytetari jo vetëm burgoset, por rrihet në rrugë e në komisariat. Shkon i sakatuar në gjykatë dhe prokurori e gjykatësi thonë edhe ata burg. E ndoshta aty do të mbetej, në burg i gjymtuar, sikur rastësisht një celular t’i ndryshonte fatin duke regjistruar pamjet tmerruese. Dhe sa raste të tilla ka.
Prandaj është e kotë të merremi me xhandarët, ata frymëzimin e marrin nga modeli i shtetit që ka zgjedhur të bëjë Edi Rama. Një shtet që ka si prioritet ndëshkimin dhe jo shërbimin. Një shtet i dhunshëm e arrogant, që nuk kultivon respektin ndaj ligjit, por frikën ndaj policit dhe burgut. Një cikël i përsëritur në historinë tonë, e që shpjegon në njëfarë mënyre, shpërthimet e egra herë pas here të shqiptarëve ndaj shtetit të tyre. 
/Mapo/