• |
ide | kryesore

Profil/ Fytyra e vërtetë e “Xhihadistit Xhon”, kasapit të ISIS

Arkiva, Planet
xhoni.JPG



Duke buzëqeshur përpara aparatit fotografik në një shkollë të kishës bashkë me shokët e tij. Nuk ka asgjë që e bashkon një djalë të qeshur të shkollës së mesme me një kasap që pret koka në emër të Allahut dhe që quhet “Xhidaisti Xhon”. Mbërriti në Angli kur ishte vetëm 6 vjeç Mohammed Emwazi lindi në Kuvajt. Dukej se kishte përqafuar jetën e një perëndimori. I pëlqente shumë futbolli. Luante shumë me shokët në rrugët e Londrës ndërsa ishte tifoz i Manchester United. Pas zbulimit të emrit të tij, “Daily Mail” shkoi në lagjen ku ai u rrit dhe pyeti fqinjët. Ata thonë se ishte një djalë mjaft i sjellshëm. E njohin si të vetmin mysliman në klasën e tij.

I ati punonte si shofer taksie. Në fillim dinte vetëm pak fjalë anglisht. Shokët thonë se ishte më shumë i interesuar për futbollin se islamin. Ai shkonte me familjen e tij në xhami. Aty fliste në gjuhën arabe ndërsa në pjesën tjetër të ditës vishej me rroba prej perëndimori. Shokët e tij tregojnë se nuk mund ta besojnë që është pikërisht ai djali i qetë dhe i qeshur që tashmë është bërë një terrorist i tmerrshëm dhe kërkuar në të gjithë botën.

Ata tregojnë një nga librat e tyre të shkollës ku kur ishte 10 vjeç ka shkruar: “Unë do të bëhem një futbollist i madh dhe do të jem golashënuesi më i mirë!”. Ndërsa lojërat më të preferuara në kompiuter kishte ato me aksion si psh: "Duke Nukem: Time To Kill". Libri i tij i preferuar “How To Kill A Monster”. Emwazi ka shënuar se ngjyra e tij e preferuar është bluja, kafsha e preferuar: majmuni, filmi me kartona: “The Simpsons” dhe patatinat ushqimi i preferuar.

Por, ku u godit ky shpirt i pastër fëmije që e bëri kaq “të pashpirt”? Roli i tij si kasapi i ISIS që ka tashmë është shumë larg atij të një fëmije që udhëtoi nga Kuvajti në Angli në vitin 1993 bashkë me prindërit dhe dy motrat që sot janë njëra 25 dhe tjetra 23. Tre fëmijë të tjerë lindën gjatë viteve të qëndrimit në Britani.

Një prej shokëve të tij tregon. “E donim shumë pasi ishte i huaj dhe ishim shumë kuriozë për të. Një herë mban mend kur ishim 8 ose 9 vjeç duhet të flisnim për fenë në klasë. Ai ishte mysliman dhe ne po e ndiqnim me interes. Ai shkroi disa fjalë në arabisht në dërrasë të zezë dhe tregoi se si faleshin muslimanët”– thotë miku i tij për Daily Mail”.  

“Luanim bashkë futboll çdo fundjavë ose pas shkollës. Nisi të mësonte më shumë fjanë në anglisht. Si të gjithë ne, edhe ai donte të bëhej sulmues në futboll. Nuk ishte shumë i mirë në mësime. Ishte i fundit në mësime, por ngaqë ishte shumë sportiv ishte shumë i njohur në shkollë”. Një tjetër dëshmi vjen nga fëmijëria.

“Një ditë e pashë që ai po vraponte në rrugë, ndërsa një tjetër djalë e ndiqte nga pas. Ndoshta kishin bërë sherr. Duke vrapuar, një tjetër djalë i preu rrugën papritur. Ai u rrëzua dhe u vra në kokë. Nuk e pamë për më shumë se 6 javë, pasi u mjekua në spital. Pasi u kthye në klasë nuk ishte më i njëjti. Mendoj se ajo goditje në kokë e kishte ndryshuar!”.

Pasi mbaroi shkollën fillore, në 1999 i riu Mohammed shkoi në shkollën e mesme Quintin Kynaston Community Academy. Aty u bë më besimtar dhe filloi të vishte edhe rroba tradicionale të muslimanëve. Edhe motrat e tij veshën vellon e xhihadit. Një prej motrave të tij, ishte e shkëlqyer në shkollë, made mori pjesë edhe në një film ku luante rolin e një detektiveje që zbulonte një vrasëse seriale. Mësuesit thonë se ai ishte paksa i vështirë për tu shtruar, kërkonte shumë punë, por kjo i ndodh çdo nxënësi adoleshent.

Megjithatë ai fitoi një bursë për të studiuar informatikë në Universitetin e Westminster. Aty filloi të ndryshojë sjellje. Në universitet ra në kontakt me disa ndjekës të Islamit radikal dhe mesa duket ndoqi rrugën e tyre. Nisi të frekuentonte xhami të ndryshme ndërsa shihej shpesh në shoqërinë e Bilal el-Berjawi, që u vra në Somali nga një sulm ajror 3 vjet më parë.

Në gusht 2009, pas diplomimit të tij Emwazi fluturoi në Tanzani në Afrikën Lindore bashkë me disa shokë të tij duke u thënë autoriteteve se po bënte një udhëtim turistik. Udhëtimi i tyre u ndalua dhe ata e ndërruan biletën me një fluturim për në Holandë. Pas këtij udhëtimi ai u pyet nga një agjenti i MI5 i quajtur Nick. Oficeri britanik e kuptoi se ky grup të rinjsh këtkonte të shkonte në Somali, për t’iu bashkuar militantëve të grupit islamik të “Al Shabaab”. Emwazi i mohoi akuzat se kërkonte të bashkohej me rebelët somalezë.

Në një adresë elektronike vetë djaloshi kishte treguar se: “Ai (Nick) dinte gjithçka për mua. Ku jetoja, çfarë bëja, kë takoja”. Dyshohet se “Nick” u përpoq edhe ta korruptojë djaloshin 21 vjeçar, por ai e refuzoi bashkëpunimin.

Emwazi tregon në të njëjtin vend se agjenti sekret i kishte thënë: “Ti do të kesh shumë probleme. Ti do të vihesh nën vëzhgim. Do të të ndjekin. Jeta do të jetë e vështirë për ty”. Kthimi në Britani ishte vërtet i vështirë. Familja e tij ishte e shqetësuar pasi edhe ata ishin “vizituar” nga shërbimet sekrete. I kërkuan që të largoheshin nga vendi për të shpëtuar nga telashet. Vendosën të iknin sërish në Kuvajt ku djali ndoshta do të gjente punë me profesionin e tij.

Në adresën e tij elektronike ai shkroi se agjentët e sigurisë e mbanin nën vëzhgim kështu që kishte vendosur të shkonte në Kuvajt dhe të martohej. Ai tentoi të kthehej në vitin 2010 në Angli por u ndalua në aeroport ku iu kërkua të kthehej mbrapsht në Kuvajt. Ai tregonte se e kishte marrë në pyetje një oficer shumë agresiv që e kishte përplasur pas murit, e kishte kapur nga mjekra dhe e kishte mbytur. Ai bëri një padi ndaj oficerit. Në gjykatë doli edhe një çështje sikur atij i ishin gjetur 5 biçikleta të vjedhura. Ai tashmë nuk mund të kthehej as në Kuvajt. Në portalin Cage shkruante se “tashmë në Londër ndihej si në burg”. Fliste shpesh për atë që ndodhte në Siri dhe sesi Bashar al Assad luftonte me muslimanët. Aplikoi për një punë në Arabinë Saudite, por iu refuzua.

Në vitin 2013 ai ndryshoi emrin duke u vetëquajtur Mohammed al-Ayan. Ai bëri një tjetër tentativë për të udhëtuar për në Kuvajt, por sërish u refuzua. Një javë më pas u zhduk. Familja denoncoi zhdukjen e tij në polici. 4 muaj më pas policia u tha prindërve se kishte informata se ai ndodhej në Siri.

I ati 51 vjeçar u tha se kishte informata se ai ishte në Turqi ku po ndihmonte refugjatët që ikin nga Siria. Dy mjekë britanikë që kishin qenë në Siri dhe e kishin takuat treguan se Mohamed ishte bërë një njeri “nuk kishte asgjë për të humbur” dhe se ishte gjithnjë i gatshëm për luftë. Burime anonime thanë se kishte vendosur të divorcohej pasi roli i ri që kishte marrë kishte të tjera vështirësi. Të njëjta burime thanë se ai fillimisht u regjistrua në krah të xhihadistëve të “al-Nusra” (krah i Al-Kaedës) dhe më pas u bë pjesë e ISIS.

Një tjetër burim anonim tha se e kishte takuar atë në Siri. “E pyeta për Britaninë. U nxi në fytyrë. Unë nuk jam britanik tha. Ai është vetëm një vend ku kam jetuar për disa kohë”./Përktheu lapsi.al/