• |
ide | kryesore

Dritëhijet e Mehdi Frashërit/ Firmëtari i pavarësisë që u bë kolaboracionist

Arkiva, Dossier
IMG_20150302_120157.jpg



Historia e panjohur e njërit prej politikanëve më jetëgjatë të Shqipërisë që shënjoi dy shekuj. Ish-guvernatori i Palestinës dhe nënkomisar i perandorisë turke për Egjiptin. Shtatë herë ministër, kryeministër, diplomat dhe kryetar i regjencës gjatë pushtimit gjerman. Një kundërshtar me armë i italianëve por një bashkëpunues me nazistët. Një figurë e rrallë me një jetë plot zigzake dhe fundi i tij i hidhur.

 

Nga Blendi Fevziu

Pak stacione metroje nga qendra e Romës, pranë një sheshi që njihet si Piramida, në një varrezë të qetë dhe të vjetër, pranë varreve të shumë akatolikëve, ndodhet edhe varri i tij. Pa ndonjë shënim të veçantë, vetëm me datën e lindjes dhe vdekjes, por pa përcaktuar se pikërisht aty, prehet një nga emrat më të rëndësishëm të historisë së Shtetit Shqiptar. Një politikan i vjetër, nga të paktët në këto 102 vite pavarësie që ka pasur gjithë postet e larta që një njeri mund të fitojë ndonjëherë. Shtatë herë ministër, Kryeministër, Kryetar Bashkie, Ambasador, Kryetar i këshillit të lartë dhe Kryetar regjence. Quhet Mehdi Frashëri dhe si shumë personazhe të padëshirueshëm të viteve të komunizmit, vetëm tani vonë po rikthehet në vëmendjen e publikut.

Historia e Mehdi Frashërit, ngjason çuditërisht shumë me historitë e personaliteteve të tjerë të jetës politike apo publike shqiptare në fillim të shekullit të XX. I lindur në Perandorinë Turke, i shkolluar në universitetet e saj dhe me një stazh shumë vjeçar në administratën otomane, ai mbeti befas një ditë i dyzuar midis dy ndjenjash të kundërta: të vijonte të ishte pjesë e Turqisë, tashmë në rrënim, por gjithsesi ende një fuqi botërore; ose të kthehej në vendlindjen e tij, të shpallur tashmë shtet i pavarur, por peng i kaosit dhe befasisë? E kaluara ishte dominante në vendimin e tij. Më pak se 38 vjeç, ai kishte arritur në nivele veçanërisht të larta të karrierës atje. Në nëntor 1912, kur ai duhej të vendoste më në fund, ishte Nënkomisar i Portës së Lartë për Egjiptin, njeriu i tretë më i rëndësishëm në vendin e madh Afrikan. E ardhmja ishte e paqartë dhe e tendosur. Shqipërinë nuk e kishte njohur asnjë fuqi e madhe; familja e tij jetonte prej më shumë se 20 vitesh në Stamboll dhe mbi të gjitha, askush nuk mund ta garantonte se cili do të ishte pozicioni i tij. Kujtimet e tij, mund të ndriçojnë diçka nga vendimi i tij. Deri më sot, askush nuk di ta thotë, por në fillim të vitit 1913, ai u largua nga Egjipti dhe së bashku me gruan dhe tre fëmijët e mitur, udhëtoi drejt atdheut, Shqipërisë. Pa e ditur as vetë, se në 31 vjet, do të shndërrohej në një ndër figurat më të rëndësishme politike në vend dhe se pikërisht në atdhe, do të zinte fill edhe tragjedia e viteve të fundit të jetës së tij, emigrimi. Por, në Janarin e 1913, ai nuk dinte asgjë nga këto. Ishte shqiptar dhe brenda vetes e ndjente se forca që e tërhiqte atje, ishte shumë herë më e fortë se çdo avenir që mund t’i hapte një hapësirë e pafund si Perandoria Otomane.

 

Mehdi Frashëri lindi në fshatin e njohur Frashër të Përmetit, në një familje bejlerësh tashmë jo aq të fuqishëm në 28 shkurt 1874. Komente të tjera e përcaktojnë lindjen e tij në të njëjtën datë të vitit 1872, por kjo ka pak rëndësi. Rëndësi ka fakti që babai i tij, si shumica e prindërve të fshatit, vendosi ta dërgojë djalin për t’u shkolluar në Manastir, në atë kohë një qytet i njohur me popullsi të dendur shqiptare. Mësimet e para, si shumë fëmijë të familjeve të mëdha shqiptare ai i kishte marrë në shtëpinë e tij me mësues të sjellë posaçërisht për të ndjekur edukimin e tij dhe të fëmijëve të tjerë të familjes. Sipas të dhënave gjithnjë kontradiktore të cituara më pas, Mehdi beu i ri kaloi katër vite në gjimnazin e Manastirit dhe u diplomua në vitin 1894. Po atë vit ai udhëtoi për herë të parë drejt Stambollit, ku u regjistrua dhe filloi studimet në një ndër shkollat më të mira të Kryeqytetit, në Fakultetin e Shkencave politike dhe administrimit të Universitetit të Stambollit. Gjatë kohës së studimeve, familja e tij u shpërngul e gjitha në Stamboll. Vite më vonë, kur ai u rikthye në Shqipëri, mbeti krejtësisht i vetëm si pasojë e vendimit të prindërve për të jetuar tashmë familjarisht në kryeqytetin e perandorisë.

Mehdi Frashëri u diplomua në vitin 1898 dhe pas një stazhi të shkurtër në Ministrinë e Brendshme Turke u caktua me detyrë Nënprefekt në Shqipëri, ku edhe u martua me një vajzë nga familja e njohur e Biçakçive, Nairenë. Nuk dihet ekzaktësisht se kur, por më 1905, atyre ju lindi fëmija i parë, një djalë që e quajtën Vehbi. Më pas, patën edhe tre fëmijë të tjerë: Shëhriarin, Madihanë dhe të fundit, më 1913, Ragibin. Në vitet 1900-1910, Mehdi Frashëri lëvizi fillimisht si nënprefekt në Trakë e Maqedoni, ndërsa më pas si Prefekt në Sanxhak e Samsun. Koha e paktë që kaloi si nënprefekt në Shqipëri, duket se la gjurmë të forta tek ai dhe konsolidoi një seri miqësish me familjet e mëdha në vend. Miqësi që më pas do të diktonin jo pak në karrierën e tij të mëpasshme politike.

Më 1910, tashmë 36 vjeçar rikthehet në Stamboll, por qëndron atje shumë pak. Ishte kohë trazirash politike, kur Sulltan Hamidi i II ishte larguar dhe kur Turqit e Rinj, po synonin modernizimin e një sistemi që ishte për t’u bërë nga fillimi. Çuditërisht shqiptarët fuqizohen shumë në ato vite të turbullta dhe një vit më pas, më 1911, Mehdiu emërohet Guvernator i Përgjithshëm i Palestinës. Së bashku me familjen vendoset në Jeruzalem, ku sapo kishin filluar të gëlonin kontradiktat mes arabeve dhe disa kolonëve të rrallë izraelitë të mbështetur nga Britania e Madhe. Fëmijët rriten me një ndjenjë të fortë patriotike dhe të njohur të tyre, kujtojnë se në pallatin e mrekullueshëm të Guvernatorit, aktualisht Bashkia e Jeruzalemit, familja Frashëri mblidhte shpesh zyrtarët shqiptarë të asaj zone dhe recitonin së bashku poezitë e Naimit. Në këtë kohë, ai njihet edhe me një tjetër zyrtar shqiptar, Prefektin e Tripolit, Fejzi Alizotin. Njeriun që do të arrestohej nga italianët pas pushtimit të Libisë, por me të cilin do ta lidhte një karrierë e gjatë politike në Shqipërinë e pavarur.

Nuk dihet se si dhe pse, Mehdi Frashëri qëndroi shumë pak në atë post. Ashtu siç është çudi fakti që ai e la detyrën për të shkuar në një post shumë herë më të rëndësishëm, atë të nënkomisarit për Egjiptin, ose thënë ndryshe, përfaqësuesit të Portës së Lartë në Kairo. Një detyrë që e lakmonin shumë, por që me sa duket ju ngarkua Mehdi Frashërit, për faktin se ai ishte shqiptar, ashtu si dhe dinastia egjiptiane që rridhte nga Mehmet Ali Pasha.

Në atë kohë ishte vetëm 38 vjeç dhe përpara tij hapej një karrierë e mrekullueshme. Nëse gjithçka do të rridhte normalisht, ai mund të emërohej brenda një dhjetëvjeçari Ministër i Perandorisë ose pse jo edhe Vezir i saj. Në ate kohë, ai mbante një post që i korrespondonte titullit Pasha dhe dinte plot tetë gjuhë të huaja. Por, fati e kishte shënjuar në një tjetër drejtim zyrtarin e Perandorisë që po jetonte ditët e fundit të saj. Në nëntor 1912 Shqipëria shpalli pavarësinë dhe Mehdi Frashëri e ndjeu se e ardhmja e tij i përkiste atij vendi pa kufij dhe në kaos, që ishte sidoqoftë atdheu i tij. Në Janar të vitit 1913 jep dorëheqjen nga Posti i Nënkomisarit për Egjiptin, rikthehet në Stamboll ku diskuton gjatë me familjen e tij të vendosur tashmë përfundimisht në Kryeqytetin e perandorisë dhe së bashku me gruan shtatzënë dhe tre fëmijët e vegjël, niset drejt Shqipërisë. Ndërsa anija linte bankinën e portit të Stambollit, ai befas ndjente se po linte pas një periudhë të rëndësishme të jetës së tij. Një periudhë që e kishte bërë të ruante besimin tek vetja dhe të ishte një burrë guximtar. Dy virtyte, që së bashku me karakterin përparimtar dhe liberalizimin e tij të njohur, do të bëheshin shtyllat e karrierës së tij, si një ndër politikanët më të rëndësishëm dhe të historisë së Shqipërisë.

 

Kalimi nga statusi i Guvernatorit të Përgjithshëm të Palestinës apo Nënkomisarit të Egjiptit, në atë të një zyrtari të lartë të Qeverisë së Vlorës, nuk duhet të ketë qenë i lehtë për familjen Frashëri. Nga Pallatet luksoze të botës arabe ajo u vendos fillimisht në një shtëpi në Vlorë e më pas në Durrës, në kushte të vështira. Kushte që bëheshin edhe më problematike nga vitet e vështira të Luftës së Parë Botërore. Ndërkohë, Mehdi Frashëri kishte hyrë në elitën politike të vendit, elitë që ndërthurte brenda saj dy grupime me kontradikta të thella; atë të ish-zyrtarëve të lartë të perandorisë osmane, që qenë kthyer në atdhe pas shpalljes së pavarësisë dhe tjetrin, atë të çifligarëve dhe bejlerëve vendës, që kishin një mbështetje më të fortë dhe qenë padyshim më meskinë, por edhe më realistë. Çuditërisht, Mehdi beu, arriti të siguronte një balancë të mrekullueshme midis të dy grupeve. Me të mbërritur, më 1913 ai u caktua përfaqësues i Qeverisë së Vlorës pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit, një detyrë në statusin e Ministrit, që me sa duket e kreu në mënyrë perfekte. Vizioni që kishte për botën, njohja e mirë e kancelarive të mëdha, zotërimi i gjuhëve të huaja dhe një karrierë e gjatë administrative, e ndihmuan të krijonte pranë fuqive të mëdha një vizion krejt të ndryshëm për vendin e tij.

Në vitin 1914, me mbërritjen e Princ Vidit në Durrës ai u bë Kryetar i Bashkisë së qytetit, duke punuar jo pak për ndërrimin e imazhit të atij që njihej si Kryeqyteti i Shqiptarisë së vogël. Shumë nga projektet e Mehdi Frashërit, u vijuan edhe më vonë, për t’i dhënë Durrësit, imazhin e një qyteti – port të vërtetë.

Çuditërisht, që nga viti 1914 e deri në vitin 1919, kur rishfaqet si Ministër i Brendshëm në Qeverinë e Durrësit, të drejtuar nga Turhan Pasha, për Mehdi Frashërin dihen shumë pak gjëra. Një boshllëk i çuditshëm ndihet në gjithë materialet rreth tij, i ngjashëm me atë të pas vitit 1953 kur përfundimisht vendoset në Romë. Duke shtyrë në pleqëri të vonë, dhjetë vitet e fundit të jetës së tij. Dihet vetëm se në vitin 1916 ai botoi romanin në gjuhën shqipe “Novruzi” që duhet të jetë së bashku me prozën e Ndoc Nikajt “Shkodra e Rrethueme” një nga romanet më të hershëm të letërsisë shqiptare.

Por, më 1919, Mehdi Frashëri fillon realisht një karrierë të dytë në Shqipëri, një karrierë që do të ishte disa herë më e suksesshme se sa ajo e Lindjes së Mesme në kohën e Perandorisë Turke. Qëndron si Ministër i Brendshëm vetëm dy muaj dhe pas kongresit të Lushnjës, njërit prej momenteve më të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, caktohet si delegat i Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Në të vërtetë, posti i Ministrit të Brendshëm do të jetë vetëm njëri prej posteve ministrore që ushtroi gjatë jetës së tij, deri më 1936, përfshi edhe atë kulmor të Kryeministrit. Ai qe disa herë Ministër i Brendshëm, Ministër i Punëve Botore, ministër i Jashtëm, Ministër i Bujqësisë dhe Ministër i Drejtësisë.

Rikthehet në Shqipëri pas një pune brilante në Paris së bashku me delegacionin që i kishte siguruar Shqipërisë kufijtë e vjetër të vitit 1913. Pikërisht në Paris, delegacioni shqiptar kishte kryer një gjest të jashtëzakonshëm civilizimi. Turhan Pasha, një diplomat i vjetër dhe Ministër i Jashtëm i Perandorisë, tashmë Kryeministër i vendit, duke parë paragjykimet e perëndimit ndaj një funksionari të vjetër të perandorisë, ja kishte lënë vendin e kryetarit të delegacionit, një prifti katolik dhe një patrioti të madh, Imzot Bumçit. Ecja përkrah e Imzot Bumçit veshur prift me Turhan Pashën që mbante ende në kokë festen e vjetër turke dhe e Mehdi Beut, të veshur sipas modës më të fundit Europiane, kishte lënë jo pak mbresa tek të mëdhenjtë e Konferencës.

Pas rikthimit në Shqipëri, Mehdi Beu paraqitet në zgjedhjet e para të lira dhe në 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Elbasanit. Post që do ta mbante pa ndërprerje deri në vitin 1939. Në vitet 1921-1923 kryen një seri detyrash si ministër në qeveritë e Iliaz Vrionit dhe Pandeli Evangjelit. Në këtë kohë ai i jep tonin debatit për qytetin që do të bëhej përfundimisht Kryeqyteti i Shqipërisë, duke botuar më 1924 edhe një libër të titulluar: Tirana Kryeqytet. Duke nënvizuar prioritetet e qytetit ndaj konkurrentëve të tjerë: Durrësit, Vlorës apo Shkodrës. Në libër, ndihet për herë të parë vizioni i tij i mrekullueshëm si burrë shteti. Vizioni që ai kishte për zhvillimin e Tiranës, ngjan çuditërisht modern edhe sot.

Më 1923 caktohet si përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, detyre që do ta mbajë deri në vitin 1939. Prezantimi i tij në Gjenevë ka qenë padyshim brilant. Njohës i thellë i historisë dhe mentalitetit të Ballkanit, njeri i mësuar me hapësirat e mëdha të perandorisë turke, por edhe me shpërthimin karakteristik të Shqiptarit, ai u bë një ndër diplomatët më të komentuar, por fatkeqësisht, diplomat i një vendi të vogël. Kjo karrierë e gjatë diplomatike, e futi në mjaft lojëra të diplomacisë botërore. Përfaqësuesi i Gjermanisë në Europën Juglindore, Nojbajeri, duke ju referuar karrierës së tij në Lidhjen e Kombeve do të shprehej në vitin 1943: “Mehdi Beu, ishte nga ata njerëz që kishte vendosur rendin e ri botëror. Unë dukesha shumë i vogël përpara tij”.

Po në atë kohë, në pauzat që ishte jashtë Qeverisë, caktohet kryetar i Komisionit Parlamentar për hartimin e kodeve të Shqipërisë. Harton kodin penal, atë civil, kodin doganor, kodin e tregtisë dhe atë detar, kode, të cilat janë nënvizuar shumë herë si mjaft përparimtare për kohën dhe të orientuara dukshëm nga perëndimi.

Në vitin 1924 ai angazhohet fort në përcaktimin e kufijve përfundimtarë të Shqipërisë, duke ndjekur edhe çështjen shumë të përfolur të Vermoshit dhe Shën Naumit. Në prag të vdekjes, në vitin 1960, duke ju përgjigjur një letre të Ahmet Zogut nga Kana, ai do të shpjegonte edhe një herë ngjarjen aq të komentuar dhe do të argumentonte se pse Shqipëria, ndryshe nga sa u shkrua gjatë viteve të komunizmit, nuk i humbi dy trevat, por vetëm një manastir, atë të Shën Naumit. Ky material u botua fillimisht në shtypin e diasporës dhe pas viteve ’90-të edhe në Tiranë.

Karriera e tij njeh tashmë ngritje të jashtëzakonshme. Jashtë lojërave meskine politike, ai zgjidhet pas deklarimit të Mbretërisë, më 1929, Kryetari i Këshillit të Lartë të Shtetit, një detyrë që do ta mbante deri në vitin 1939.

Në fillim të viteve ’30-të, Mehdi Frashëri ishte padyshim deputeti i vetëm i aftë të fliste për probleme konkrete, që kritikonte, por edhe orientonte zhvillimet e ardhshme. Ai ishte i bindur se Shqipëria duhej të ndiqte një kurs të pandryshuar emancipimi dhe hentëlmenësh dhe besonte shumë tek përvoja britanike. Përfaqësues i nacionalizmit të vjetër shqiptar, veçanërisht popullor, Mehdi Frashëri, dukej një kundërshtar i vendosur i Italisë dhe hentëlmenës të administratës shqiptare. Në ato kohë, ai ishte njeriu i vetëm tek i cili kishte besim si brezi i vjetër tradicionalist, ashtu edhe brezi i ri që synonte një ritëm më të shpejtë dhe radikal zhvillimi. Ndoshta këto qenë arsyet që e detyruan Mbretin Zog, që ta thërriste në tetor të vitit 1935 për të formuar Qeverinë. Kur ai mori përsipër detyrën e Kryeministrit, një seri rrethanash kishin shënjuar tashmë fatin e tij. Në fillim të vitit 1935 ishte shtypur Kryengritja e Fierit, e cila kishte pasur jo pak jehonë në vend. Shumë veta qenë arrestuar pas saj dhe më shumë se 40 vetë u dënuan me vdekje. Shtypi botëror i bëri jehonë kësaj ngjarje, ndërsa Lidhja e Kombeve i kërkoi Shqipërisë që ekzekutimi i të dënuarve të mos zbatohej. Si pasojë e presioneve Zogu vendosi ta kthejë dënimin e tyre kapital në dënim me burg, por autoriteti i tij në vend qe lëkundur rëndë dhe shpresa po vdiste. Nga ana tjetër, marrëdhëniet me Italinë qenë tensionuar ndjeshëm dhe arka e shtetit ishte bosh. Në këto kushte ai bëri një marrëveshje hentëlmenësh me Mehdi Frashërin, duke e emëruar atë Kryeministër dhe duke i lënë dorë të lirë në zgjedhjen e kabinetit. Me praninë e Dhimitër Beratit si Ministër i Ekonomisë, të Fuad Asllanit si Ministër i Jashtëm, Ethem Totos si Ministër i Brendshëm dhe Rrok Gerës si Ministër i Financave, Qeveria Frashëri, u votëbesua më 21 tetor 1935.

Shqipëria ka pasur më shumë se 60 qeveri në 102 vitet e ekzistencës së saj si shtet, por Qeveria Liberale e Mehdi Frashërit, është padyshim nga ato që kanë lënë më shumë gjurmë. Plaku 61 vjeçar kishte krijuar një kabinet ku nuk kishte gjetur vend asnjë emër i përfolur për korrupsion, asnjë përfaqësues i Shqipërisë së vjetër dhe ku gjithë ministrat qenë diplomuar në perëndim dhe njiheshin si progresistë. Programi i saj ishte po kaq ambicioz. Ajo synonte një seri reformash në zhvillimin ekonomik të vendit, në arsim, në politikën e jashtme dhe mbi të gjitha në lirinë e shtypit.

Në vend filloi një fllad liberalizimi që unifikoi shpejt të gjithë faktorët konservatorë të rrezikuar në vend. Qeveria e Mehdi Frashërit punoi në dy drejtime; ajo përgatiti një seri ligjesh për emancipimin e vendit dhe filloi aplikimin e tyre. Ndërsa nga ana tjetër, kornizoi marrëdhëniet italo-shqiptare, i futi ato në një rrugë më të drejtë institucionale dhe në mars 1936, gjatë një vizite madhështore në Romë, Mehdi Beu firmosi një marrëveshje dinjitoze bashkëpunimi me Musolinin.

Por, radikalizmi i qeverisë, ecja e saj tej kufirit të përcaktuar nga mbreti si dhe entuziazmi i popullatës dhe rritja e famës së Mehdi Frashërit, me sa duket shënuan edhe rënien e tij. Ai filloi ta ndjente këtë në vjeshtën e vitit 1936, pas një viti punë. Zogu vetë u investua në këtë drejtim. Duket se marrëdhënia e tyre shumë komplekse po dilte hapur. Si një politikan i mprehtë, Mehdi Frashëri nuk priti shpërthimin. Më 6 nëntor 1936 qeveria e tij dërgoi në parlament një projekt ligj, në të cilin, puna e detyrueshme publike një javore në vit, parashikohej të zëvendësohej me një pagesë të konsiderueshme. Projektligji u rrëzua dhe një ditë më vonë, Mehdi Frashëri i paraqiti Mbretit dorëheqjen e tij. Që nga ky moment e deri në prillin e vitit 1939, marrëdhëniet e tyre qenë thuajse formale.

Ka pak të dhëna për aktivitetin e Mehdi Frashërit në vitet 1936-1939. Ai vijonte të drejtonte këshillin e Lartë të Shtetit dhe po në këtë kohë filloi të shkruante kujtimet. Kujtime që fillonin në vitin 1913 dhe që arritën deri në vitin 1933. Këtu i ndërpreu nga pushtimi i Shqipërisë dhe nuk i vijoi më kurrë.

Karriera e ish-kryeministrit, njeh sidoqoftë edhe një kulm tjetër madhor. Mesditën e 5 Prillit 1939, një adjutant i Mbretit trokiti në derën e shtëpisë së tij, duke i shpjeguar se Mbreti e priste urgjent në Pallat. Ish-Kryeministri, tashmë 65 vjeçar, mbërriti në zyrën e Mbretit nëpër një sistem të përforcuar rojesh. Zogu sqaron më pas në kujtimet e tij se Mehdi Frashëri e dinte shumë mirë se për ç‘arsye ishte thirrur. Si në raste të tjera të ngjashme, Mbreti kishte thirrur për t’u treguar ultimatumin italian dhe për t’u konsultuar, atë dhe Mehmet Konicën, një ish-ministër i jashtëm, plak, por me shumë lidhje në botë. Musolini, i kishte kërkuar atij që brenda datës 6 Prill të lejonte vendosjen e ushtarëve italianë në portet dhe qytetet kryesore të vendit; të pranonte kontrollin italian mbi politikën e jashtme dhe të brendshme dhe të ruante si shkëmbim një lloj autonomie formale. Gjithmonë sipas kujtimeve të tij, Mbreti ishte i shqetësuar. Asnjë dokument deri më sot, nuk ka hedhur dritë mbi bisedën e tyre kokë më kokë, një bisedë që zgjati më shumë se 3 orë. Dihet vetëm se pas saj, Mehdi Frashëri u nis për një takim me Ambasadorin Italian në Tiranë, Françesko Jakomoni, duke tentuar gjetjen e një zgjidhjeje. Komentet e mëpasshme dëshmojnë se Mehdi Frashëri i kishte propozuar Mbretit hartimin dhe dërgimin në Romë të një kundërpropozimi, për të fituar më shumë kohë. Një ditë më parë, Mbreti qe bërë me djalë. Me sa duket misioni dështoi dhe kundërpropozimi nuk u pranua nga Musolini. Më 6 Prill paradite, tre nga komandantët e rëndësishëm të ushtrisë i paraqitën Mbretit dorëheqjen. Me sa duket, italianët kishin punuar individualisht me ta. Pasdite, në një moment shumë të rënduar, Mehdi Beu doli në ballkonin e Pallatit Mbretëror për t’i folur popullit që qe mbledhur atje. Me pak fjalë ai i informoi për propozimin italian, për rreziqet që sillnin ato dhe u shpreh: pranimi i këtyre kërkesave do të thotë mbarim i shtetit shqiptarët të pamvarun, prandaj, kur Mbreti më pyeti me dhanë mendim, unë i këshillova refuzimin kategorik. Fjala e tij u prit me ovacione aprovimi dhe pak minuta më pas, Mehdi Frashëri u kthye brenda. Që nga ai moment, ish-Guvernatori i Përgjithshëm i Palestinës, ish-Nënkomisari i Egjiptit, ish-Kryeministri i Shqipërisë, u bë padyshim personi që drejtonte realisht qëndresën. Tre orë më vonë, ai hartoi dhe i shpërndau shtypit një deklaratë që thoshte: “Mbreti dhe Qeverija Shqiptare nuk do të pranojnë në asnjë mënyrë, me i ba ndonjë fuqije të huej konçesione që mund të vejnë në rrezik pamvarësinë politike ose tanësinë toksore të atdheut”. Mehdi Frashëri ishte i vendosur të qëndronte.

Ka shumë versione për qëndresën e tij më 7 dhe 8 Prill, por të gjitha bashkohen në faktin se ai qe ato 48 orë një hero i vërtetë. Në një version të tijin të historisë së Shqipërisë, Tajar Zavalani, dëshmitar okular, e kujton kështu atë moment: “Në zyrat e Bashkisë ku ishin vendosur studiot e Radio Tiranës, Mehdi Frashëri kishte fillue punën i rrethuem nga intelektualë të rinj që shërbenin vullnetarisht si sekretarë dhe përkthyes. Mehdi Frashëri, Prijësi i improvizuem i popullit Shqiptar e kreu detyrën historike qi i kishte ngarkue vedit më zotësi dhe guxim të pashoq. Mesazhi i tij drejtue Musolinit, për me i hudhë në fytyrë krimin që ishte tue krye, kumboi në radiot e botës”.

Një tjetër studiues i asaj kohe dhe padyshim më seriozi, amerikani Bernd Fisher, duke ju referuar dokumentave të kohës shprehet: “ një shkallë të lartë trimërie tregoi ish-kryeministri Mehdi bej Frashëri, i cili filloi të transmentonte në radio me iniciativën e tij sulme të forta kundër pushtimit të vendit si dhe t’i drejtonte paralajmërime Musolinit. Vetëm pak orë pas largimit të Qeverisë nga Tirana, ai organizoi një numër të rinjsh të armatosur me revole për të ruajtur rendin e qytetit. Kur trupat e pushtimit arritën në portat e Tiranës, ai kërkoi strehim në legatën Turke, duke mos pranuar njëkohësisht të nënshkruajë një deklaratë në mbështetje të Italianëve”.

Gjesti i Mehdi Frashërit ishte padyshim një nga momentet e lavdishme të qëndresës shqiptare. I mbyllur në Ambasadën Turke ai duket se u bë një shqetësim për pushtuesit. I impresionuar nga qëndresa e tij, Ambasadori Gjerman ndërmori një seri negocimesh, duke kërkuar nga italianët që Mehdi Frashëri të mos dënohej në rast se dilte nga streha e tij, me kusht që ky të mos merrej me veprimtari politike. Marrëveshja u arrit pas thuajse 40 ditësh, por nuk u respektua. Mehdi beu doli nga selia e Ambasadës Turke në Tiranë më 30 Maj dhe po atë ditë u izolua dhe të nesërmen u internua në Itali. Në të vërtetë ai u izolua në një hotel luksoz të Romës, së bashku me të bijën, u mbajt me mjaft kujdes, por nuk lejohej të largohej nga qyteti dhe çdo ditë duhej t’i përgjigjej një apeli në kuesturë.

Vitet në Romë nuk duket se kanë lënë ndonjë gjurmë të veçantë në biografinë e tij. Por emri i tij ishte veçanërisht i njohur në vend. Fisheri, përmend edhe një fakt që nuk nënvizohet nga historiografia komuniste. Ai thotë: “burimet britanike pohojnë se liberali i vjetër, Mehdi bej Frashëri, ish Kryeministër dhe një nga shqiptarët më në zë, i internuar në Itali në atë kohë, u zgjodh si kryetar nderi i LNC në Konferencën e Pezës”. Nuk dihet se sa e vërtetë është kjo, por në verën e vitit 1943, kur gjermanët po shihnin gjithnjë e më shumë nga Shqipëria, analizat e tyre nënvizonin faktin se ish-kryeministri plak, ishte padyshim njeriu më popullor në vend. Pikërisht mbi këtë bazë, Nojbajeri, përfaqësuesi i Hitlerit për Europën Juglindore, nisi një demarsh për angazhimin e Mehdi Frashërit në një strukturë që do të ruante neutralitetin, duke pranuar de fakto ushtrinë gjermane në Shqipëri si një ushtri në kalim e sipër. Marrëdhënia e Mehdi Frashërit me Gjermanët dhe përfshirja e tij në atë që u quajt Këshilli i Regjencës është padyshim një histori e gjatë dhe që meriton një analizë apo dosje më vete. Por, në linja të përgjithshme, ky angazhim është analizuar seriozisht po nga Fisheri. Duke ju referuar dokumenteve ai thotë: “Gjermanëve jua kishin lëvdruar shumë rëndësinë e Mehdi Frashërit, ndaj ata u vunë në kërkim të tij. Politikani i nderuar shqiptar u gjet në Itali dhe ai ra dakord, më 16 shtator, të kthehej në Tiranë për të zhvilluar bisedime me Nojbajerin. Mirëpo Frashëri, për hidhërimin e madh të Nojbajerit, nuk ishte kockë e lehtë dhe u tregua negociator i fortë. Gjatë bisedimeve ai këmbënguli dhe arriti të merrte për Shqipërinë sa më shumë pavarësi që qe e mundur, madje shpresonte t’i bindte gjermanët të njihnin asnjanësinë e plotë të Shqipërisë. Më në fund, Nojbajeri pranoi të njihte asnjanësinë relative dhe sovranitetin relativ të Shqipërisë…”.

Regjenca shqiptare, Frasheri i treti djathtas

Në të vërtetë impenjimi thuajse një vjeçar i Mehdi Frashërit si kryetar i këshillit të Regjencës reflekton shumë nga lëvizjet e panjohura nga historiografia e kohës. Marrëdhëniet e tij me gjermanët qenë shpesh të tensionuara, vizioni i tij ishte i ndryshëm dhe prirej nga demokracitë perëndimore si SHBA apo Anglia, ndërkohë që në menaxhimin e situatës ai duhej të përballej jo vetëm me pushtuesit gjermanë, por edhe me shqiptarë radikalë si Xhaferr Deva apo Rexhep Mitrovica. Ai tenton të krijojë një status special për Shqipërinë, por nga ana tjetër, synon të bashkojë gjithë faktorët politikë për të ndaluar instalimin e komunizmit dhe për të krijuar një sistem demokratik pas lufte. Por edhe ai po e kuptonte se ky ishte fundi dhe se tashmë nuk bënte dot më gjë. Në verën e vitit 1944 u largua nga shtëpia ku banonte në Rrugën e Dibrës dhe u vendos në ndërtesën e ish- Legatës Italiane, ku tashmë është Komiteti i të Përndjekurve. Përballë, aty ku sot është filiali i Bibliotekës Kombëtare ishte Regjenca. Momentet e fundit, ai e kishte kuptuar se qe rreshtuar gabim dhe se asnjë prej nacionalistëve të vjetër, nuk kishte më vend në shtetin e ri. Në vjeshtën e vitit 1944, ndërsa partizanët po mbyllnin darën mbi Tiranën, u largua së bashku me familjen drejt Austrisë. Prej këtu, u hodh në Itali. E vetmja që mbeti ishte vajza, Shehriari, burri i së cilës, nuk ishte përzierë kurrë në politikë. Por kjo nuk mjaftoi. Pak kohë më pas, vajza e vetme e mbetur në Shqipëri e ish-Kryeministrit u internua, prej nga u kthye vetëm në vitin 1991.

Udhëtimi i prapëm i ish-Kryeministrit nuk duket shumë për t’u lakmuar. Ashtu si edhe jeta e tij e mëpasme. Jetoi disa kohë në një kamp, më pas në Romë. Disa vite shpërngulet së bashku me personalitete të tjerë të diasporës në Egjipt, pranë oborrit të Mbretit Zog dhe rikthehet përfundimisht në Romë. Vendoset në një apartament pranë stacionit qendror në sheshin “Rexhina Margarita” dhe merret me përkthime. Në këtë kohë fillon edhe punën kolosale për të shkruar një histori të Shqipërisë nga lashtësia deri në ditët tona, një histori në tre vëllime. Por sëmuret, dhe arrin të shkruajë vetëm vëllimin e parë. Vitet e fundit paralizohet dhe jeta i bëhet më e vështirë. Vdiq më 25 maj 1963 në Romë. Varrimi i tij qe madhështor, me praninë e autoriteteve italiane dhe miqve të vjetër. Një flamur shqiptar zbukuronte arkivolin e ish-zyrtarit të lartë të perandorisë osmane, që një ditë e kishte braktisur atë dhe familjen për t’ju kushtuar vendlindjes, vendit, ku shkëlqeu si një ndër politikanët më të rëndësishëm të 50 viteve të para të ekzistencës së saj. Kur vdiq ishte 89 vjeç. Mbi faqen e parë të tekstit të pambaruar të historisë së Shqipërisë kishte lënë këtë shënim, që fare mirë mund të quhet edhe amaneti i tij: “Në paça fatin që të shtypet kjo histori e dalë në dritë, do të jetë një ngushëllim për hidhërimet që ndjeva kohen e mërgimit, larg fëmijës, larg Shqipërisë së dashur për të cilën, gjer grimën e fundit të jetës sime më ka rrahur dhe do të më rrahë zemra. Se unë s’jam gjë tjetër veçse një copë e asaj, prandaj hidhërimet dhe gëzimet e saj janë edhe të miat”.