• |
ide | kryesore

Pse na zhgënjeu Edi Rama?

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1)_22.jpg



Edi Rama na ka zhgënjyer sot të gjithë ne skeptikëve ndaj tij që dyshonim se ai ishte i paaftë të përballonte shantazhin. Megjithëse u vu përpara një sprove të rëndë, megjithëse u kërcënua me fakte që mund “ta tundnin nga themelet mazhorancën e tij”, ai vendosi të veprojë. Me siguri që ai ka qenë në dijeni të akuzave për kërcënime me vrasje, (njerëzit e tij më të afërt e kanë paralajmëruar) të akuzave për korrupsion dhe të nxjerrjes së fakteve të pathëna për 21 Janarin. Por megjithatë, ai ka marrë guximin t'i japë “Tom Doshit lirinë për t'u shkëputur nga barra e kontratës me PS-në”. Edi Rama ka zhgënjyer gjithashtu edhe një pjesë të madhe të atyre që kishin shndërruar në të mirqenë një bestydni kolektive sipas të cilës ai ishte peng i “të fortëve”. Prej vitesh në mjediset e politikës dhe më gjërë, ekzistonte ideja se ndryshe nga liderët historikë Nano dhe Berisha, që e kishin përdorur rëndom këtë takëm për qëllimet e tyre politike, Edi Rama ishte një shkallë më poshtë, pra se ndryshe nga të parët, ai nuk i kishte përdorur ata, por se më keq akoma, ishte një marionetë e pafuqishme në duart e tyre. Me rastin Doshi, Edi Rama e ka rrëzuar edhe këtë bestytni. Prandaj pasi dolën të shokuar, të heshtur e gojëkycur, shumë socialistë kanë pasur rastin sot të tregoheshin të gëzuar për faktin e thjeshtë se këtë ditë kishin fituar një lider të vendosur dhe të çliruar nga prangat e rënda për të cilat e kishin akuzuar. Koha mund të qe për të thirrur fitore dhe për të festuar një nga ato lëvizje që e përmirësojnë ndjeshëm imazhin publik të një politikani. Dhe kështu do të kish qenë nëse nën trysninë e këtij memecllëku mbytës nuk do të kishte marrë guximin të fliste Ben Blushi. Me pak fjalë, por tejet të goditura deputetit socialist i kujtoi shefit të tij një të vërtetë të dhimbshme. “Kjo është historia e dy miqve të ngushtë, që ende s'dihet se përse janë prishur”, tha me pak fjalë ai. E vetëm me këtë frazë zbërtheu njëherësh dy të vërteta të mëdha. E para është ajo e historisë së shkuar të ngjitjes së Ramës në kreun e PS-së. Eshtë historia e flirtimit të tij me të fortët, me klientelën e ndërtuesve të Tiranës, me njerëzit e dyshimtë që mbante rreth vetes. Ishte pikërisht kjo klientelë që i shërbeu më pas për t'u ngjitur në krye të Partisë Socialiste, për të eleminuar prej saj kundërshtarët e më së fundi për të fituar zgjedhjet. Me kolegun e tyre Doshi, Blushi, Malaj, Islami e Taulant Dedja kanë më shumë se një histori. Toma i shërbeu Ramës jo vetëm në zgjedhje, por dhe për të përdhunuar me hir dhe pahir, zërat e kundërshtarëve brenda llojit. Ndaj ai thërret sot me forcë për një partner “mosmirënjohës dhe bukëshkalë”. Pra e shkuara e Ramës dhe historiku i tij me "shokët e ngushtë” njihet mirë nga të gjithë. Dijeninë për këtë të fshehtë publike e konfirmuan sot edhe deklaratat e ShBA-së dhe BE-së (rubrika lajme/Lapsi.al). E kanë konfirmuar më parë ndërhyrjet e panumërta të diplomatëve të huaj dhe dokumentet e zbardhura të Wikileaks-it (rubrika lajme/Lapsi.al). Por ajo që ende mbetet mister, ashtu sikurse kuptohet edhe nga pjesa e dytë e deklarates konçize të Blushit, janë motivet e divorcit me këtë të shkuar. Deri tani, me përjashtim të disa akuzave ende të pavërtetuara të Doshit, ne nuk e dimë se cilat ishin arsyet e vërteta të çarjes me tyre. E për sa kohë nuk i dimë ato, vetëm mund të hamendësojmë se janë rrjedhojë e një vendimi të Ramës, për t'u shkëputur nga e shkuara e tij. Vetëm kështu ajo që ndodhi këtë të hënë mund të merrte një kuptim. Pra pyetja që shtrohet tani është nëse ajo që ndodhi me Doshin është një linjë e re politike, apo është thjesht një konflikt privat i nisur nga mëritë personale, pazaret e pambyllura dhe haraçet e së shkuarës. Nëse ashtu siç do të dëshëronte shumëkush, do të ishte varianti i parë, ajo do të qe një linjë që duhet të vazhdonte. Ajo as nuk mund të fillojë as nuk mund të mbyllet me Tomë Doshin. Në tryezën e Edi Ramës, nga miqtë e tij ndërkombëtarë, është e shkruar tashmë harta e rrugës që duhet të ndjekë. Njihen emrat, bëmat dhe e shkuara nga e cila ai do duhej të zhvishej. Sepse sakrifikimi i Tomës kërkon të tjerë pas tij. Nëse nuk do të ndodhte kështu, ai do të ishte i kotë dhe i padobishëm. Ai do i krijonte Ramës një armik më shumë, grupit të PS-së thjesht një deputet më pak dhe të gjithë atyre që besuan në këtë ditë, një zhgënjim më tepër. Këtë herë një zhgënjim real, nga ato që Rama di të prodhojë më së miri. (lapsi.al)