• |
ide | kryesore

Surrealizmi socialist

Arkiva, Ide
Dritan Shano.jpg



Asnjë qeveri e tranzicionit nuk është shkëputur kaq fort, kaq dukshëm  nga realiteti i shqiptarëve dhe kaq tallshëm nga premtimet e veta elektorale sa qeverisja e sotme socialiste. Mitologjia politike që shoqëroi ardhjen e socialistëve në pushtet – vendosja e drejtësisë sociale, mjekësia falas, punësim, disiplinë fiskale, 300.000 vende pune – sot i ngjan mënyrës si tretet i holli i pulës në rërë. Kjo shkëputje ka shumë të ngjarë të vijë për shkak të mashtrimit me ndërgjegje dhe gjakftohtë të të gjithë shqiptarëve nga ana e Ramës dhe ekipit të vet. Mashtrim i përgatitur në tavolinë përgjatë 8 viteve në opozitë të socialistëve, si e vetmja mënyrë që ata të vinin në pushtet. Kjo mund të jetë një kombinim i paaftësisë totale për të qeverisur dhe mashtrimit me gjak të ftohtë, sy për sy, ditë për ditë për gjoja-premtimet dhe gjoja-qeverisjen që po prodhojnë. E përmbledhur në një moment sinqeriteti dhe fryrje nga pushteti i freskët mbi shqiptarët, Kryeministri Rama në muajin shtator 2013 tha: “Prisni, nuk keni parë gjë akoma”.
Pas një viti e gjysmë në qeverisje është e sigurt që kjo mënyrë të qeverisuri është një zgjedhje gjakftohtë. Ajo është thjesht një fushatë marketingu sipërfaqësore, që nuk ka qëllim qeverisjen por mbajtjen e pushtetit. Ndryshe njihet sot në botë me emrin modern “spin”, ndërsa emri i vjetër i saj është propaganda.
Propagandisti apo spin-si i Kryeministrit tenton gradualisht, sistematikisht, përditë, në çdo moment të ditës, t’i largojë shqiptarët nga realiteti duke i shtrembëruar perceptimet e tyre dhe duke e shpërqendruar vëmendjen e tyre nga problemet reale ekonomike, politike dhe qeverisëse që ata kanë, si individë, si familje. Kjo arrihet duke kontrolluar ç’do thonë të gjithë ata që i drejtohen publikut, që nga Kryeministri, ministrat, spikerët e lajmeve, editorialistët, opinionistët që dalin te Fevziu apo te Kol Balla, titujt e gazetave, revistave e me radhë. Fraza më e pëlqyer nga Kryeministri dhe surrogatet e tij për çdo gjë që nuk u ecën është “fajin e ka Saliu”.
Ky është krijimi i surrealizmit të sotëm politik në Shqipëri- surrealizmit socialist. Krijimi i një realiteti vizual si kundërvënie ndaj të vërtetës. Kjo bëhet me përsëritjen e pafundme 24/7 në të gjitha llojet e media e koncepteve që zhvendosin mendjen e shqiptarëve nga realja te surrealja. Nga një shqiptar i papunë në mëngjes, sepse qeveria ka rritur taksat, në mbrëmje pasi ke parë gjithë emisionet televizive dhe edicionet e lajmeve dhe “Opinionin” te Fevziu, papritmas je bërë ekspert për çështje nga me të ndryshmet, e cila asnjëra nuk ka lidhje me hallin tënd. Bie të flesh me këto gjëra në kokë, por të nesërmen gdhihesh prapë i papunë. OOps!
Çfarë ndodhi? Spin-i politik i ditës është njësoj si një filtër në tru apo në sy, i cili i jep një pamje tjetër, surreale, realitetit. Është njësoj sikur të ishe dele, të të vinin syze jeshile që bari i tharë të dukej i njomë. Koha që po jetojmë është një dyzim i qeverisjes midis realitetit të manipulueshëm vizual ose ndryshe propagandës dhe të vërtetave që nuk mbulohen dot prej saj. Është një evoluim i realizmit socialist, është koha e surrealizmit socialist. Nuk është metaforë. Kjo është metodë qeverisëse e zgjedhur me paramendim, që parashikon krijimin e një atmosfere të urrejtjes së një pale ndaj një tjetre, zilie, paranoje dhe sidomos frike të përhershme te njerëzit. Frikë nga tritoli publik dhe ai privat, burgu, tatimet, policia.
Është fakt që pushteti socialist gdhiu me tritol. Në Tiranë dhe ne Vlorë. Për të ngjallur friken te njerëzit. Që unë nuk bëj shaka. Tani është radha ime. Unë të hedh në erë. Unë të fus në burg. Ai vazhdoi më rritje taksash, çmimesh, gjobash policie dhe me prozën që damkoste këdo që shqetësohet nga kjo metodë qeverisjeje si kriminel, shkelës i ligjit apo thjesht përkrahës i krimit, vjedhjes dhe mosrespektimit të ligjit.
Politika e prodhuar nga spin-i i Kryeministrit tenton gjithmonë të krijojë dikotominë e të mirit dhe të keqit, ku i miri është gjithnjë ai, Kryeministri dhe i keqi është ai që i del kundra dhe i pengon rrugën. Tenton të krijojë dikotominë: o me mua, ose kundra meje. Unë jam ligji, kur je kundër meje je kundër ligjit. Tenton të krijojë perceptimin se Kryeministri është ena që mban moralitetin dhe se çdo devijim nga ky moralitet është mëkat. Surrealizmi socialist shenjtëron mbështetësit e tezave të qeverisë dhe anatemon duke i shpallur armiq të progresit, të reformave, të ligjit, të partisë e kështu me radhë të gjithë ata që dalin kundër Kryeministrit, që sikundër shprehet ndër radhë dhe ai vetë, është njëherësh edhe timonieri largpamës dhe i vendosur, por edhe vetëkritiku më i madh në Shqipëri. Si misri që i kryen vetë me vete të dyja funksionet.
Sot kemi nga njëra anë Kryeministrin që në prozën e vet politike pretendon se i është rritur shumë pesha në rajon, se kemi rritje ekonomike, se kemi ulje të krimit, se kemi përmirësim të qeverisjes, se italianët që e kanë të ardhurën për frymë 35,925 dollarë, po bëjnë garë kush të vijë më parë këtu në Shqipëri, ku e ardhura për frymë është 4,659 dollarë. Nga ana tjetër, kemi varfëri deri në vetëvrasje, rritje shtetërore çmimesh. Një të tretës së popullit shqiptar nuk i janë tharë rrobat në trup nga përmbytja, rrëmbime personash, greva studentësh dhe tritol publik dhe privat pa fund. Ajo që e mbështjell të gjithën këtë, është slogani tashmë cinik socialist: Asgjë nuk do ishte bërë pa ndihmën tuaj!
Si funksionon ky surrealizëm socialist si metodë qeverisjeje? Për shembull, për muaj të tërë vloi propaganda elektrike. “Keni edhe pesë ditë afat për të paguar energjinë. Pastaj burg!” “Burg!” “Burg!” “Arrestime dhe burgosje të qytetarëve në të gjithë Shqipërinë”. “Do vendosim matës inteligjentë.” “Shkarkohet zëvendësministrja, sepse nuk kishte paguar faturat e energjisë.” Ky ishte klimaksi i spin-it. Ç’ndodhi? Ndërkohë që shqiptarët ishin si të hutuar nga këto ndodhi të njëpasnjëshme, u rrit çmimi i energjisë që ishte në fakt synimi kryesor i qeverisë. Nga ky moment, pati shqiptarë që i dhanë fund jetës, ose u vdiq fëmija nga i ftohti. Çmimin e rritur e paguan vetëm qytetari, se ndërmarrjeve publike iu falën detyrimet para ca ditësh. Ata që mendojnë të kundërtën për këtë vepër madhore të qeverisë, linçohen si përkrahës së krimit, vjedhjes së energjisë e kështu me radhë. Kështu funksionon surrealizmi socialist.
Mund t’ju kujtoj edhe ndonjë shembull tjetër. Mashtrimin kombëtar me armët kimike. Të folurën shumë të kujdesshme me lekë të rinj kur bëhet fjalë për rritje taksash e çmimesh dhe të folurën me lekë të vjetër kur bëhet fjalë për ndihmën e papunësisë. Diskutimet për varfërinë, për borxhin publik dhe palmat në autostradë. Surreale apo jo? Mashtrues ordiner. Po kaq surreale është dhe rishfaqja e Enver Hoxhës, kthimi në muze i simboleve të diktaturës, si një mënyrë e sofistikuar e socialistëve për ta veneruar atë pafytyrësisht me lekët e shqiptarëve. 
Më tej akoma? Këto ditë kemi dhe atë çka është përkufizuar si “Tomagate”. Realiteti vizual i spin-it qeveritar është dalja e Kryeministrit në edicionet e lajmeve, duke thënë se e liron deputetin Doshi nga përkatësia politike, duke lënë hapur të nënkuptohet se i pëlqen dhe e lidh këtë me artikulimin e bërë tjetërkund, që përshëndet çdo hap të politikes drejt dekriminializimit të Parlamentit, duke treguar në mënyrë indirekte deputetin Doshi si të lidhur me krimin. Ky spin kërkon ta shesë Kryeministrin si luftëtar të dekriminalizimit të Parlamentit, aksion të cilin na imponojnë të tjerë, që si zakonisht na i kanë vënë këmbët në një këpucë. Ndërkohë që e vërteta qëndron në atë se Kryeministri është ai person që në liri të plotë e ka përzgjedhur deputetin Doshi me dorën e vet dy herë si përfaqësues të Partisë Socialiste, në 2009 dhe 2013. Leximi kësodore i kësaj ngjarjeje mediatike më shumë sesa do e bënte Kryeministrin ndonjë kampion të dekriminalizimit të Parlamentit, mund ta bëjë atë thjesht kryetarin e bandës parlamentare që ai vetë ka krijuar.
Kështu zhvillohet më së shumti surrealizmi i sotëm socialist. Por ai gjendet edhe me rrezikshëm tek arbitrariteti dhe arroganca qeverisëse, te ligjet antikushtetuese, te tentativat për t’i kthyer në ligj të zbatueshëm për të gjithë shqiptarët të gjitha synimet për pushtet, përfitime etj., që u shkojnë në mendje qeveritarëve, e që vetëm demokratike nuk janë.
I dyzuar mes nevojës sipërfaqësore për pëlqim nga publiku dhe ndoshta idesë se tashmë ai mund të bëjë ç’i thotë mendja, Kryeministri artikulon një prozë politike që e “spin” atë si shpëtimtarin e Shqipërisë, si simbolin e rigjetjes së rrugës së drejtë, të rilindjes së Shqipërisë, e cila më parë ishte e çorientuar, e vënë poshtë nga krimi dhe kriza ekonomike. Përqafimet fotografike me fëmijë, burra, gra pleq e plaka, ecja në këmbë për të shkuar në zyrë, puthja e ndonjë dore apo mbajtja e qengjit ne gjoks sikur të ishte Jezu Krishti, tentojnë drejt një realiteti vizual që do të stampohet në trutë e shqiptarëve duke i bërë ata të harrojnë skamjen, varfërinë, çmimet, taksat e rritura dhe 300.000 vendet e punës.
Kryeministri Rama beson se do mund të manipulojë përsëri mendjen e shqiptarëve që ata të votojnë përsëri atë, Veliajn, Kokëdhimën, Tahirin. Proza e tij politike tashmë është projektuar në 2017, duke e paraqitur vendin si një kantier të madh ku ka punë për të gjithë shqiptarët dhe italianët bashkë. E vërteta është se vetëm në vitin 2014 vendin e braktisën 40.000 shqiptarë të pashpresë. Shqiptaret nuk besojnë më se Kryeministri ka qenë ndonjëherë i sinqertë. Në vend të kësaj, ai është kthyer në simbolin e mashtrimit. Çfarëdo kombinacioni të vërtetash apo mashtrimesh të përmbajë proza e tij për shpëtimin e Shqipërisë nga kushedi çfarë mynxyre, surrealizmi në qeverisjen socialiste është një arrogancë, arbitraritet dhe paaftësi endemike që, më shumë se t’i qeverisë shqiptarët, tenton t’i frikësojë ata deri në palcë përmes dhunës së shtetit ligjor – por jo atij të së drejtës – për t’i sunduar si një tufë delesh. Ngjarjet qeverisëse që prej shtatorit 2013, me gjithë spin-et e pafundme, kanë bërë që kjo kohë më shumë se një rilindje socialiste të jenë një abort socialist.