• |
ide | kryesore

Po Meta ç’humbi pas kësaj ?

Arkiva, Ide
Andi_Bushati (1)_22.jpg



Me sa duket, Ilir Meta po shpëton me shpejtësi nga akuza si porositës vrasësish me pagesë. Përpos thënieve të  Tom Doshit, ende nuk ekziston asnjë fakt dhe asnjë provë tjetër që ta fajësojë kreun e Kuvendit. Edhe vetë dëshmia filmike e Banit lë shumë dyshime në vetvete. Është e pamundur që një  killeri, përveç parave, (dhe jo pak, por 500 mijë euro, sipas dëshmisë) t’i jepen njëkohësisht detaje se kush është porositësi, madje më tej akoma, edhe motivi për të cilën ai e kërkon këtë vrasje. Kush i njeh sado pak ligjet e kësaj bote të errët, e di fare mirë që rregulli numër një është mosdekonspirimi i urdhëruesit. Edhe po të pranohet pretendimi se emri i Metës është përdorur si një garanci plus, pra për të treguar se “prapa është shteti”, përsëri rrëfimi çalon. Mirë vrasësi me pagesë duhet ta dinte këtë për të marrë siguri, po përse vallë ai duhet të dinte se edhe ku i paskësh mbetur hatri Metës? Pra, pse duhet të dinte ai se e gjitha kjo po bëhej për një video të dikurshme? Më shumë sesa rrëfimi real i një “vrasësi”, filmi që ne pamë ishte një përpjekje për t’i mbushur mendjen publikut se diçka kishte ndodhur.

Pa përfillur në këtë panoramë të gjitha informacionet “off” të propagandës qeveritare që flasin për përmbysje dëshmish e video të dyfishta, prapë mund të thuhet me siguri se, së paku deri më sot, nuk kemi asnjë fakt të qenësishëm që na lejon të drejtojmë gishtin mbi Ilir Metën në këtë histori.

Pyetja që shtrohet pas këtij konstatimi është: Po atëherë si del Meta pas kësaj afere, i humbur, apo i fituar ? Si regull demontimi i një akuze të madhe e nxjerr gjithnjë përfituese viktimën e planifikuar të saj. Por ky nuk është rasti i Metës, së paku, për dy arsye.  Kreu i LSI rrezikon të dalë i humbur nga kjo histori, së pari për mënyrën se si u soll dhe së dyti për pasojat politike që mund të ketë.

Le ta nisim me të parën. Kjo ngjarje tregoi edhe njëherë mungesën e koherencës, mungesën e parimeve dhe përçmimin që Ilir Meta ka për të vërtetën.

Ndërsa kacafytej në Parlament me Sali Berishën që i kërkonte dorëheqjen, Meta pohoi për herë të parë një histori që s’e kishte thënë kurrë. Ai tha se kur ishte zëvendës i Berishës e kishte dhënë dorëheqjen jo se ndihej fajtor vetë, por sepse bashkë me të në video ishte kapur edhe Shkëlzen Berisha. Pra me fjalë të tjera, nëse Meta nuk largohej, kërcënimi mund të arrinte deri tek kryeministri.

Por a ka bazë një pretendim i tillë? I thënë nga Meta aspak. Sepse nëse ai vetë pretendon se videoja e tij ishte e montuar, pra diçka e shpikur nga hiçi, përse nuk duhej të qe e tillë edhe videoja e mundshme që Dritan Prifti kishte për djalin e Berishës? Ato video o ishin të gjitha të vërteta dhe përbënin problem, ose ishin montime dhe për këtë nuk duhej të friksohej as Meta dhe as Berisha. Është non sens dhe nuk e kap asnjë logjikë atë për të cilën Meta kërkoi të na mbushë mendjen nga salla e Kuvendit. Pra që videoja e tij ka qenë e montuar, por ato për Shkëlzenin paskëshin qenë aq të vërteta sa e trembën Berishën dhe e detyruan të sakrifikonte Metën.

Meqë jemi te videoja e montuar, tejet e pakuptimtë ishte edhe ajo që Meta tha të hënën në mbrëmje në emisionin Opinion për gazetarin Filip Çakuli. Duke u përgjigjur se ai nuk kishte ndër mend të hakmerrej ndaj  autorëve të videopërgjimit, ai tha se një nga miqtë e tij më të mirë të pasdarkave ishte edhe Filipi, megjithëse ishte ai, që e montoi atë video. Unë personalisht, megjithë vendimin e turpshëm të gjykatës, nuk mendoj se ajo video ka qenë e montuar në thelbin e saj. Por kjo ka pak rëndësi.  Rëndësi ka fakti se numri dy i shtetit shqiptar promovon si shembuj miqësie gazetarë që sipas tij (jo sipas shumicës) prodhojnë kronika të montuara që shkatërrojnë karriera politike dhe u shërbejnë qëllimeve krejt të tjera nga misioni i tyre. Këtë vetëm një njeri në hall mund ta pohojë me gojën e tij.

Një episod tjetër i dyfytyrësisë së Metës është edhe riciklimi i akuzave për Bashën. Nuk mundet ai sot, t’i kujtojë shefit të opozitës se ai nuk ka dhënë dorëheqjen dhe i është shmangur gjykimit kur u akuzua nga Prokuroria për 220 milion dollarët e Rrugës së Kombit. Mënyrën se si u soll Basha në këtë rast kanë të drejtë ta gjykojnë të gjithë ata që kanë mbajtur për shtatë vitet e fundit të njejtin qëndrim. Por ta dëgjosh atë nga Meta, që as u kujtua ta përmendte këtë akuzë ndërkohë që e kishte Lulin “mikun e preferuar” brenda Qeverisë, e për më tepër që luftoi me mish e me shpirt për ta zgjedhur në krye të Tiranës, kjo nuk ka asnjë pikë besueshmërie. Ky është thjesht sharlatanizëm politik.

Po ashtu, nuk kanë asnjë pikë besueshmërie përbetimet e Metës se nuk di se ç’gjendet në kundër-videot  e Spartak Brahos, të cilat paraqiten si shantazh sa herë që vetë Meta ndihet i rrezikuar.

Pikërisht këto metoda okulte, (përfshirë edhe rastin si ka komunikuar me të afërmit e deputetit Fufi) të cilat ai i preferon përpara kanaleve shtetërore, si dhe komunikimi publik gjatë kësaj krize, e kanë dëmtuar rëndë imazhin e kryeparlamentarit. Ato e kanë risjellë atë shumë më pranë Ilir Metës real duke e dërrmuar njëherë e mirë rolin e njeriut mbi palët, që përgjërohet për mirëkuptim dhe që u bërtet të gjithëve në fytyrë shprehjen tashmë të  famshme: “me qetësi”.

Por Ilir Meta nuk ka humbur vetëm në imazh. Kriza e fundit rrezikon ta trondisë atë edhe elektoralisht. Duke mbajtur prej një viti e gjysmë një “qëndrim mbi palët”, duke shkuar e duke iu ulur pranë Berishës në Parlament, duke e penguar (nuk dihet se përmes ç‘lidhjeve) Bashën ta godiste fort, ai pretendonte të shkonte në këtë mënyrë drejt zgjedhjeve të qershorit. Kreu LSI-së pretendonte se duke mbajtur gjallë këtë ambiguitet mund t’i përsëriste PD-së të njëjtin rreng që i bëri në 2013-tën: rekrutimin e një pjese të majme nga elektorati i saj, që e çoi LSI-në nga një parti 4%-she në një parti mbi 10%-she.

Por me sa duket, këtë here, PD-ja nuk e ka më iluzionin e ardhjes në pushtet përmes ish aleatit të saj të vjetër. Nëse prej disa kohësh ajo e kishte renditur emrin e tij në dyshen e të keqes, pas denoncimit të Doshit ajo e ka shfrytëzuar këtë ngjarje për ta shpallur Metën armikun e saj politik dhe për t’i hapur luftë frontale. Jo më kot, prej më shumë se një jave, beteja duket sikur nuk është më mes PD-së dhe PS-së por mes opozitës dhe LSI-së.

Pikërisht për këto arsye, hapja e çështjes Doshi nuk ishte e lehtë për Ilir Metën. Megjithëse tani për tani, duket sikur nuk ka prova që mund ta rëndojnë atë si pagator në vrasje, në imazh dhe politikisht, ai do t’i ndjejë pasojat e kësaj ngjarjeje që ende është duke ndodhur.

(lapsi.al)