• |
ide | kryesore

Teatri i Bashkimit i Edi Ramës dhe Isa Mustafës

Arkiva, Ide
migjen kelmendi.jpg



Asgja ekonomike e substanciale nuk doli nga takimi i parë në Prizren i dy qeverive shqiptare. A ka me qenë edhe takimi i sotem vetëm nji teatër politik i Ramës dhe Mustafës?
Mizanskenimi, si në tavolinën rreth së cilës kanë me u ulë anetarët e dy qeverieve, ma shumë e anticipon si teatër sesa parlament. Nevoja e kryeministrit të Shqipnisë, Edi Rama, me u marr me mizanskena e teleisje të hapsinave ku mbahen takimet, u pa edhe kësaj here. Edhe pse, tavolina me flamur Europe, e vendosun mbi tepihun me flamur shqiptar, ma shumë duket si "gjenialitet" i ndonji trupe amatore prej Librazhdi sesa sugjerim i kryeministrit me dell artistik Edi Rama.
Keshtu pa shije, si teatër amator, ishte mizanskenue edhe skena në takimin e parë në Prizren, me folklorizem që ta çonte mallin e estetikës enveriane nga Kinostudio "Shqipëria e Re".
Kjo "tavolinë historike" ma shumë flet për diçka tjetër: "qysh e mendon nji kryeministër prej Shqipnije bashkimin e shqiptarëve".
Aha, kjo s'asht tavolinë e thjeshtë, kjo asht "tavolinë historike". Asht nji "tavolinë me mesazh".
Po cili asht mesazhi që na e çon Edi Rama përmes kësaj tavoline?
Tevona, Edi Rama këtë mesazh na e tha edhe midis Prishtine. Por, njeriu me gjasë ndigjon veç çka ka deshirë me ndigjue.
Ashtu edhe si e tha në Prishtinë- të bashkuem në Europë. 
Pra, cili qenka mesazhi i ripërsëritun i kësaj "tavoline historike" të Edi Ramës?
Se bashkim folklorik nuk ka. Nuk egziston asi ideje në Shqipni. Ajo që sot egziston asht kjo tavolinë e përbashkët, e lulueme me yje prej Europe, e cila ofrohet si nji erzac për Bashkimin e Andrruem.
Dhe nji autobus. Ku herë hypë qeveria prej Shqipnije, e herë kjo prej Kosove. Por asnjiherë dy qeveritë mbrenda nji autobusi!
Tavolina historike dhe autobusi veç me nji qeveri n'to, herë në linjën Tiranë- Prizren, e herë në linjën Prishtinë- Tiranë, kokan mesazhe të kodueme: Se Shqiptarët po u bashkohkan n'Europë!
Atëherë, pse krejt kjo pompë, krejt ky teatër i bashkimit? Pse nuk prezentohen këto takime të dy qeverive të dy shteteve si takime pune? Pse duhet me u vesh me prrallën për bashkimin e tavolinat mos me qenë tavolina, po "tavolina me mesazh"?
Nëse takimi i parë u desht me qenë teatër, pse duhet me vazhdue me teatër, si aludon kjo tavolinë?
Pse mos me folë për substancën e takimit, marrëveshjet e mungueme, 1000 e 100 probleme që janë egzistente në relacionin Prishtinë-Tiranë, jo vetem të autobusave, po të dy shteteve. (Ende s'po mun merremi vesh për patatet, e po bajmë "tavolina me mesazh").
Dhe ka nji dallim substancial në emnimin si takim i dy "qeverive shqiptare". Ky asht takim i dy kryeministrave shqiptarë, që u prijnë dy qeverive të ndryshme. Po flasim për nji qeveri shqiptare dhe nji qeveri qytetare. Për nji shtet kombëtar dhe nji shtet qytetar.
Qe nji arsye e madhe për nji takim të radhës mes dy qeverive të dy shteteve: Inkompatibiliteti i bashkimit të nji shteti qytetar me nji shtet kombëtar?
Apo ndoshta Edi Rama e Isa Mustafa kanë nji përgjigje tjetër në këtë çashtje në formën e naj "tavoline" apo "autobusi"?
/rrokum.tv/