• |
ide | kryesore

Ngushtohet laku mbi 5 njerëzit me të zezë që liruan Arben Frrokun

Arkiva, Ide
GJYQTAR DRITAN HALLUNAJ 2.jpg



Si rrallë ndonjëherë prokuroria shqiptare përpos procedurave juridike është përfshirë kësaj radhe edhe ne një betejë publike, për procesin e vrasjes së komisar Dritan Lamajt. Pasi pesë gjyqtarë më të shkuar të diskutueshme i rrëzuan provat e saj duke e lënë të lirë Arben Frrokun, prokuroria po u shpërndan mediave kryesore të vendit informacione sepse ky vendim ishte i padrejtë dhe i pabazuar.

Dhe me këtë fushatë, megjithëse nën rrogoz, ka tepër të drejtë. Opinioni shqiptar mbeti i shokuar pak ditë më parë kur pesë gjykatësit (është mirë të përmenden cdo herë emrat e tyre Dritan Hallunaj, Klodian KurushiFran PrendiArdit MustafajLiliana Baku) mori guximin ta linin pa autor vrasjen e dëshmorit të atdheut. Menjëherë, sapo u dha vendimi, Lapsi.al, botoi lajmin me emrat e 5 gjyqtarëve që e kishin firmosur atë. Ishte një surprizë. Për dy ditë me radhë ai qe lajmi më i lexuar. Me siguri njerëzit pyesnin se kush ishin këta njerëz të veshur me të zeza që kishin marrë këtë vendim. Dhe si zakonisht beteja më pas u zhvendos në debatin e përhershëm: a e kishte fajin prokuroria që nuk kishte siguruar dot provat e mjaftueshme, apo gjykata e koruptuar që nuk kishte dashur ti shikonte ato? Dalëngadalë debati u fokusua tek dëshmitari që pretendonte se e kishte parë Arben Frrokun tashmë të liruar tek vendi i ngjarjes. Ai kishte njohur targën e makinës madje edhe vetë Frrokun për një moment. Kështu pretendohej së paku nga prokurorët. Ndërsa gjykata në vendimin e saj e shpallte dëshmitarin të pabesueshëm dhe jepte argumente se ai kishte arritur me vonesë në vendngjarje.

Gjykata mbështetej në dy argumenta së pari se nga kamerat e marra nga një lokal aty pranë nuk dilte që dëshmitari me emër të rremë (për tu ruajtur) Arben Ndoka, të ndodhej aty. Dhe së dyti se ai ka dëshmi kontradiktore për mënyrën se si ua ka treguar këtë histori krerëve të lartë të policisë së asaj kohe.

Në informacionin nën dorë që prokuroria u ka servirur sot medieve keto versione hidhen poshtë. Prokuroria pretendon se “Në momentin e vrasjes, dëshmitari i mbrojtur ka qenë rreth 15 metra larg vendndodhjes së kamerave, por ka qenë ngjitur me vendin e ngjarjes dhe aty ku ka kaluar makina. Kjo është arsyeja se përse kamera nuk e ka fiksuar menjëherë në vendin e ngjarjes (pasi ka qenë në një pozicion të pambuluar nga kamera , rreth 15 metra larg lokalit ku gjendej kamera).

Një pretendim i dytë i prokurorisë është edhe se dëshmitari dhe bashkëshortja e tij kanë qenë aq afër vendit të ngjarjes, saqë makina e vrasësve për pak sa nuk i ka përplasur të dy dhe nga shpejtësia ka goditur një pjesë trotuari, duke e dëmtuar trotuarin. Gjatë hetimit është verifikuar pjesa e trotuarit, e cila ishte e prishur, pikërisht në vendin ku ka deklaruar dëshmitari.

Një fakt i tretë i pakundërshtueshëm se ai ndodhej në vendin e krimit është edhe ai i telefonatës së menjëhershme me gardistin Ylli Memia, të cilit i ka shpjeguar ngjarjen dhe i ka dhënë targën e makinës. Kjo telefonatë është kryer shumë pak minuta pas ngjarjes, gjë e cila provohet nga tabulatet telefonike. Pyetja e pakundërshtueshme që shtrohet është: nëse nuk ishte në vend ngjarje si do e gjente menjëherë targën e makinës?

Po ashtu, dëshmitari, ngjarjen ua ka treguar zyrtarëve të policisë Agron Kuliçi dhe Tonin Voci në takimin e zhvilluar pak orë më vonë në shtëpinë e gardistit Y.Memia. Fakti që janë takuar te shtëpia e gardistit provohet nga deklarimet e bashkëshortes së dëshmitarit, Kuliçit dhe Vocit, por edhe nga tabulatet telefonike, si edhe nga antenat e telefonave, të cilat provojnë faktin se të gjithë këta persona janë takuar te shtëpia e gardistit. Fakti që gjykata ka thënë se dëshmitari ka qenë kontradiktor për vendin e takimit, së pari nuk cënon asnjë nga provat dhe së dyti, mund të ketë qenë tentativë e tij për të shmangur nga pyetja në hetim dhe gjykim të mikut të tij, gardistit Memia. Gjithësesi, provat e administruara, pra deklarimet dhe tabulatet e antentat e telefonisë celulare dëshmojnë faktin se ata janë takuar pak orë pas ngjarjes.

“Nga sa më sipër, ngrihet pikëpyetja mbi vendimin e gjykatës, e cila vë në dyshim vërtetësinë e dëshmitarit, duke u shprehur në vendim se dëshmitari i mbrojtur ka mbërritur më vonë se sa vrasja në vendngjarje” përfundon konkluzionin e tij burimi i paidentifikuar i prokurorisë që ka komunikuar me të gjitha mediat kryesore.

Duke parë këto argumente, dhe betejën publike që institucioni i akuzës ka nisur, duket sikur e drejta është në anë të saj. Provat duket sikur janë se ka qenë pikërisht Arben Frroku, ai që kishte konflikt me policin Lamaj, ai që e dinte se ky i fundit po hetonte të shkuarën e tij të errët, që mund ta ketë ekzekutuar kryekomisarin. Po atëherë pse moren këtë vendim pësë gjyqtarët  (Dritan Hallunaj, Klodian KurushiFran PrendiArdit MustafajLiliana Baku)? U blenë? Patën frikë? U ndikuan nga politika? Ne ende nuk e kemi parë të zbardhur vendimin e tyre dhe arsyetimin e plotë. Por deri më tani duket sikur betejën po e fiton prokuroria që ka vënë gishtin mbi atentatorin e vërtetë. Ajo do të apelojë vendimin. Ajo do të kërkojë gjithashtu, shqyrtimin e kësaj dosjeje nga KLD-ja (ku ironikisht Dritan Hallunaj është anëtar).

Deri më tani duket sikur laku përreth imazhit publik të gjyqtarëve që liruan Arben Frrokun po ngushtohet. Pesë togat e zeza që morën këtë vendim po e humbin betejën me opinionin. Megjithëse janë ende në kohë për të na servirur një arsyetim për të mos i parë thjeshtë si njerëz me njollë të zezë. (lapsi.al)