• |
ide | kryesore

Romani i fundit / Rënia e pandalshme e Fatos Kongolit*

Arkiva, Ide
elsa.jpg



Për letërsinë e Fatos Kongolit (1944) pranohen si gjë e ditur dy përgjithësime. Njëri që e sheh kujtesën si vlerë morale, si marrëdhënie që proza e tij krijon me të kaluarën e shoqërisë në epokën komuniste. Tjetri që gjen te autori mjeshtrin e intrigës komplekse. Me fjalë të tjera, një shkrimtar që është në gjendje të kridhet me një mori fijesh në kaosin e kujtesës dhe të dalë prej andej me perin në rruazë të subjektit.

Të vërteta që thërrmohen te romani i ri “Gjemia e mbytur” (Toena, 2015).

Si përvojë leximi do ta afronim me lëvizjen e gaforres, me mundësinë për të ecur në të gjitha drejtimet, por me zhvendosje të papërfillshme për ujërat e mendjes dhe të shpirtit.

I strukturuar në 15 kapituj, me personazhe dhe vende veprimi të ndryshueshme që objekti “vila misterioze” me shtrëngim arrin t’i bashkojë, pasi e ka mbajtur në provë durimin e lexuesit.

Një 42-vjeçar, Glauk Fusha, kthehet nga emigracioni në kërkim të familjes, të babait të zhdukur, të së dashurës, në kërkim të gjemisë së tij të mbytur.

“Gjemia e mbytur” është një vilë misterioze në kryeqytet e përdorur akoma nga shërbimet sekrete, siç thotë një ish-mësues matematike.

Ish-mësuesi i matematikës, historinë e Robert Fushës, ish-basketbollist me “17 Nëntorin”, i cili kishte pasur marrëdhënie me vajzën e Dullës dhe vdiq në rrethana misterioze në Spaç, ia beson ish-nxënësit të tij, sot gazetar investigativ.

Gazetari investigativ ka dëgjuar për disa kërcënime me vdekje që kanë marrë kryetarë të partive politike dhe ish-zyrtarë të lartë.

Ish-zyrtari i lartë, Dhimo Shkurra, ish-hetues në degën e punëve të brendshme që ka burgosur, internuar, varur, pushkatuar, torturuar, përdhunuar, vihet në kërkim të kërcënuesit anonim.

Kërcënuesi anonim është Glauk Fusha që vuan nga “trafikimi i identiteteve” shprehur në formën “Ti je unë dhe unë jam ti” ose “Unë nuk jam ti dhe ti nuk je unë”.

Uni i Glaukut ka një vete të dubluar, Diellin, edhe ky me një dozë analizash konstipacioni kur i drejtohet tjetrit: “Unë jam ai që ti s’ke dashur kurrë të jesh ose, e kundërta, ti je ai që unë s’kam dashur kurrë të jem.”

Në këtë kaos stili e linjash paralele, vazhdojmë lexojmë me angazhimin në zgrip, sepse vepron ndërkohë një tjetër faktor, sugjestionimi që kemi pasur nga romanet e mirë të ciklit “Burgjet e Kujtesës”. Zhgënjimi përzier me trishtim (përvojë leximi që përsëritet me romanet e fundit të Kongolit) nxit të pranosh një kuptim të ri: në vitin 2014 Kongoli rropatet të imitojë hijen e më të mirës që ai i ka dhënë prozës shqiptare bashkëkohore.

Te “Gjemia e mbytur” çdo personazh i ngjan dikujt që s’është, çdo vend i ngjan një vendi që s’është, dashuria i ngjan një dashurie që s’është. Protagonisti funksionon sipas të njëjtës skemë (që ndeshim te I humburi, Kufoma, Lëkura e qenit). Një burrë që jeton në të tashmen e shkuar, me të njëjtat veti psikike, me të njëjtën shkallë (të munguar) të ngacmueshmërisë dhe gjallërisë, me përhitjet, plogështinë, përçartjet, kujtesën e dobësuar. Gjendje që Kongoli, në romane të ndryshme (harron (!) ose ngaqë i mungon një redaktor) e përshkruan me të njëjtat përsëritje: “Mua nuk më kujtohet mirë se kur e në ç’rrethana…” apo “Gjithçka qe një shoqërim idesh…”

Kongoli e quan këtë tip personazhi bartës të vuajtjes së padrejtë, pasojë e dhunës shtetërore, e mjeteve të diktaturës. Vuajtje që meriton të përshkruhet me respekt. Edhe atëherë kur flitet për ëndrrat erotike të dashurive të ndërprera në Shqipërinë-Had, që ia vlen t’i veshësh me dritë të ëmbël romantike, kur pihet konjak me gllënjka të mëdha apo të vogla dhe dëgjohet melodia me yjet në një qiell blu.

Glauku nuk mundi të përmbushë amanetin për hakmarrje me të drejtë, për t’iu dhënë xhelatëve dënimin e merituar për qindra mijë jetë të vjedhura. Me këtë ligjërim (gazetash) shkrimtari e nxjerr nga romani personazhin e “Gjemisë…”. 

Kur vjen te skica e së keqes, Kongoli e izolon atë te njerëzit e aparateve të dhunës dhe kontrollit, dhe vetëm tek ajo pjesë që ia autorizon Enver Hoxhës gjithë faturën e ferrit. Skematizëm që shtyhet në limitet ku e mira nga e keqja, personazhet pozitivë nga ata negativë dallohen vetëm së jashtmi: nga jetëgjatësia, lloji i shtëpisë, nga gratë që kanë në krah, nga mënyra si e shikojnë seksin. Dallime që shmangin të natyrshmen dhe pengojnë besueshmërinë te një trillim artistik.  Ose ndoshta po ngremë më shumë pretendime nga ç’mund të japë letërsia e Kongolit. Dyshim që na e shton prezantimi në shtyp i romanit të nesërmen e hedhjes në qarkullim (ku fotoja e Pranvera Hoxhës rri për ilustrim në krah të kopertinës). Krijohet përshtypja se autori e ka shkruar “Gjeminë e mbytur” për disa anekdota në Tiranën e viteve ’70 dhe si përgjigje për diskutimin e vjetër mbi hapjen e dosjeve të bashkëpunëtorëve të regjimit komunist, apo për hapjen e dyerve të “shtëpisë me gjethe”. Në mbyllje të romanit shkruan: “Vila Gjemia e mbytur” t’iu vihet në shërbim historianëve ose njerëzve të letrave për të zbuluar misteret që fshihen aty.”

Shumë e shkartisur e folura jonë mbi kujtesën, deri tani.  

Një letërsi e tërë dokumentare të burgosurish dhe të përndjekurish politik, botime të burimeve arkivore e historike po krijojnë një shtrat ballafaqimi, filtrimi, interpretimi për diskutim cilësor mbi kujtesën. Vendosja e Kongolit sërish dhe kaq cekët me temën e vë atë në pozitën e oportunizmit politik. Do kishim dashur të mos e humbim tek ai shkrimtarin, i cili prozës tonë të varfër me shumëçka të munguar, ia ka sjellë një klimë psikologjike dhe emocionale.

Por shohim që shkrimtari klasik realist i “Burgjeve të Kujtesës” është bërë artificial. Prej një dhjetëvjeçari letërsia e tij njeh vetëm rënie prej atij niveli që arriti me “Lëkurën e qenit” (2004). Nuk llogarisim “Iluzione në sirtar” (2011 – të cilit i referohet titulli i këtij shkrimi), një libër kujtimesh i nxitur nga nevoja për të kuptuar veten në bisedë me vetveten, dhe për t’i shtyrë të tjerët të kuptojnë se ç’forcë kërkon përballja me të kaluarën.

Të shkruash për një publik bashkëkohës të anëve të tua që të kupton më mirë, është një gjë. Tjetër gjë është të shkruash për një publik që, siç do thoshte Gramshi, përputhet me njeriun në përgjithësi, si qenie universale. Te kjo lloj vetëdije qëndron forca aktuale e një vepre që s’ka rëndësi ku dhe kur është shkruar. 

 

*Titulli origjinal i shkruar per Lapsi.al: “Të arsyetosh mërzinë”