• |
ide | kryesore

Studimi/A prodhon interneti më shumë të sëmurë mendorë? Rastet dhe përsetë

Arkiva, Planet
dick.jpg



Përpara se të hidhte filmimin më të shikuar në historinë e internetit, Jason Russell nuk ishte një i apasionuar pas rrjetit. Llogaria e tij në YouTube ishte mbyllur dhe faqet e tij në Twitter dhe Facebook përmbanin disa pak fotografi fëmijësh dhe disa azhornime për kopshtin e shtëpisë. Russell ishte ndër ata të bindurit që interneti nuk është bërë “për të kontrolluar se sa njerëz na pëlqejnë”. Kur zakonet e tij teknologjikë e bënin të ndihej “gjeni, i droguar apo një megalloman”, ai shkëpuste spinën për ditë të tëra. Ishte i bindur që “e rëndësishme është të fikësh kompjuterin dhe të bësh diçka në jetën reale”.

Pastaj, në mars të 2012, Russell u përpoq të fikë gjithçka. Ndodhi pasi bëri të qarkullojë një link në drejtim të Kony 2012, dokumentari i tij mbi zotërinë afrikan të luftës, Joseph Kony. Ideja ishte që të përdorej rrjeti social për ta bërë të njohur për të gjithë Konyn dhe për të ndalur krimet e tij. Dhe funksionoi: filmi përshkoi rrjetin dhe u pa 70 milionë herë brenda një jave. Por ndërkohë, Russellit i ndodhi diçka. Po ata instrumenta dixhitalë që mbështetën projektin e tij i dëmtuan psikikën, duke e ekspozuar para një lumi lëvdatash dhe sharjesh si dhe duke shtypur kështu marrëdhënien e tij të ngrohtë me mjetet e rinj të informacionit.

Katër ditët e para fjeti dy orë duke prodhuar një turbinë tweet- esh disi të çuditshëm. Publikoi një link tek “Unë takova lopën e detit”, një film me metrazh të shkurtër i animuar me një intervistë të John Lennon, duke nxitur ndjekësit e tij që “të fillojnë të ushtrojnë mendjen”. Postoi një fotografi të tatuazhit të tij “Timshel”, një term biblik i zgjedhjes së njeriut mes të mirës dhe të keqes. Në një moment hodhi në internent dhe komentoi një foto të një mesazhi të nënës së tij. Më pas e krahasoi jetën e tij me një tru të marrë nga filmi Inception: “Një ëndërr brenda një ëndrre”.

Ditën e tetë të kësaj vorbulle të çuditshme dërgoi një tweet të fundit, një citim i Martin Luther King: “Nëse nuk mund të fluturosh, vrapo; nëse nuk mund të vraposh, ec; nëse nuk mund të ecësh, zvarritu; por çfarëdolloj gjëje që të bësh, duhet të vazhdosh të shkosh përpara”. Më pas, hyri në botën reale. U zhvesh dhe shkoi në një qoshe rruge shumë të rrahur pak më larg shtëpisë së tij, në San Diego, ku përplasi duart në trotuar duke sharë djallin. Edhe kjo u shndërrua shumë shpejt në një filmim shumë të ndjekur në internet.

Në vijim Russell u diagnostifikua me një “psikozë reaktive”, një shqetësim mendor me kohëzgjatje të shkurtër. Nuk kish fare të bënte me droga apo alkool, ka nënvizuar në një postim në internet e shoqja Danica. Varej ekskluzivisht nga kompjuteri, që vazhdonte ta mbante të lidhur në rrjet edhe kur ai vetë po bëhej copë- copë. “Nuk dinim asgjë”, ka shkruajtur Danica. “Por mjekët thonë se bëhet fjalë për një fenomen të zakonshëm”, duke marrë në konsideratë “kalimin e papritur nga një anonimat relativ në qendër të vëmendjes botërore, me reagime të një entuziasmi të madh, por edhe përbuzjeje”. Pasi Jason doli nga spitali, bashkëshortja vendosi të mbajë “një muaj heshtje” në Twitter.

Pikëpyetjet mbi efektet e mundshëm të internetit mbi mendjen njerëzore janë të vjetra të paktën po aq sa edhe link-et. Por edhe për ata që nuk besojnë tek interneti, ideja që një teknologji e re mund të ndikojë në mënyrën tonë të të menduarit dhe të ndjerit konsiderohet e marrë dhe naive, njësoj si të godasësh me shkop një abazhur, apo të konsiderosh televizionin fajtor për keqedukimin e fëmijëve. Pra, deri pak kohë më parë, interneti konsiderohej thjeshtë një tjetër mjet komunikimi masiv, një sistem transmetimi, dhe jo një makinë diabolike. I bënte njerëzit më të lumtur dhe më produktivë. E ku ishte prova për të kundërtën?

Sot provat po fillojnë të akumulohen. Po dalin studimet e parë seriozë dhe kuadri është shumë më tepër shqetësues nga sa janë të gatshëm të pranojnë utopistët e internetit. Versioni aktual i internetit – i lëvizshëm, social, i përshpejtuar dhe i kudondodhur – mund të na bëjë jo vetëm më budallenj dhe të vetmuar, por edhe më të depresuar dhe në ankth, të prirur për çrregullime obsesivë-kompulsivë e madje edhe psikotikë. Imazhet e mendjes sonë të dixhitalizuar do të arrijnë t’u ngjajnë atyre të toksiko-dipendentëve. Njerëz shumë normalë po shkatërrohen në mënyra të reja.

Shkrirje me makinat

Në verën e vitit 1996 shtatë studiues të rinj të MIT anuluan ndarjen mes njeriut dhe kompjuterit duke jetuar njëkohësisht në botën fizike dhe në atë virtuale. Kishin një tastierë në xhep, një radiotransmetues në çantën e shpinës, si dhe një monitor që e mbanin gjithmonë përpara syve. Vetëquheshin cyborg dhe ishin tipa të çuditshëm. Por siç vëren Sherry Turkle, një psikologe e MIT, “sot jemi të gjithë cyborg-ë”. Kjo jetë ku jemi gjithë kohës të lidhur tashmë na duket normale, por kjo nuk do të thotë që është e shëndetshme apo e qëndrueshme, që nga momenti që teknologjia- për të perifrazuar batutën e vjetër mbi alkoolin- shndërrohet në shkakun dhe në zgjidhjen e të gjithë problemeve të jetës.

Në një hark kohor më të vogël se sa ai i fëmijërisë, jemi shkrirë në një me makinat dhe kemi filluar të fiksojmë ekranin për të paktën tetë orë në ditë: më shumë se sa i dedikojmë çdo aktiviteti tjetër, përfshirë gjumin. Adoleshentët mesatarisht arrijnë të qëndrojnë shtatë orë para një ekrani në një ditë të zakonshme shkolle, madje deri në njëmbëdhjetë orë nëse llogarisim kohën që kalojnë në disa pajisje njëkohësisht. Sot në SHBA smartphone-t janë më të përhapur se sa telefonët e vjetër celularë, dhe më shumë se një e treta e përdoruesve lidhen në internet sapo zgjohen, para se të ngrihen nga krevati.

Ndërkohë, një mesazh me tekst është transformuar në një rrahje qerpikësh: pavarësisht nga mosha, çdo person dërgon dhe merr mesatarisht 400 mesazhe në muaj, katër herë më shumë se sa në vitin 2007. Një adoleshent ka të bëjë me afërsisht 3700 mesazhë në muaj, dyfishi krahasuar me 2007. Dhe më shumë se dy të tretat e këtyre cyborg-ëve normalë, të përditshëm, kanë ndjesinë që telefoni i tyre dridhet edhe atëherë kur kjo nuk ndodh. Studiuesit e quajnë “sindroma e dridhjes fantazmë”.

Në tërësi, ndryshimet dixhitalë të pesë viteve të fundit të ngjajnë me një kalë qe i ka shpëtuar nga duart kalorësit, duke tërhequr zvarrë atë që më parë mbante frerët. Askush nuk uron një të ardhme amishësh. Por studimet zbulojnë se interneti nuk është thjeshtë një tjetër sistem komunikimi. Rrjeti po kërkon një mjedis mendor tërësisht të ri, një gjendje natyre dixhitale në të cilën mendja shndërrohet në një panel kontrolli që funksionon me një ritëm të tmerrshëm, dhe pak prej nesh arrijnë të mbijetojnë të paprekur.

“Eshtë një problem i rëndësishëm dhe i ri, si ndryshimet klimatike”, thotë Susan Greenfield, një docente e farmakologjisë në universitetin e Oxfordit. Greenfield po shkruan një libër për mënyrën se si teknologjia dixhitale na riprogramon, dhe jo për më mirë: “Mund të krijojmë një botë të mrekullueshme për bijtë tanë, por nuk do të ndodhë nëse vazhdojmë të mohojmë faktet dhe adoptojmë këto teknologji pa reflektuar për atë që është duke ndodhur”.

Interneti na bën të çmendur? Zbulimet që vijnë nga më shumë se 15 shtete thonë se po shkojmë në atë drejtim. Peter Whybrow, drejtor i institutit Semel të neuroshkencës dhe sjelljes njerëzore në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, thotë se “kompjuteri është si një formë kokaine elektronike”, në gjendje të hapë cikle maniakalë, që pasohen nga periudha depresioni.

Interneti “na shtyn në sjellje që e dimë se janë negative dhe që na bëjnë të zhytemi në ankth, duke na bërë të reagojmë në mënyra kompulsive”, thotë Nicholas Carr, ne librin “Interneti na bën budallenj?” mbi efektet konjitivë të rrjetit. “Nxit obsesionet, varësinë dhe reagimet nën stres”, shton Larry Rosen, një psikolog kalifornian që studion efektet e internetit prej dekadash. “Favorizon, e madje provokon sëmundjet mendore”.

Frika se interneti dhe teknologjia e lëvizshme krijojnë varësi – që shpesh shoqërohet me çrrregullime obsesivo-kompulsivë si dhe shqetësime si mungesë vëmendje apo hiperaktivitet – qarkullon prej dekadash, por deri pak kohë më parë mbizotëronte opinini i optimistëve, shpesh herë të armatosur edhe me ironi. “Cfarë na pret më tej? Abuzimi i furrës me mikrovalë apo varësia nga gjalpi i kakaos?” ka shkruajtur në vitin 2006 një studiues që merret me vlerësimin e kërkimeve për një prej revistave më të mëdha të psikiatrisë. Manuali diagnostik dhe statistikor i shqetësimeve mendorë nuk ka parashikuar asnjëherë një kategori ndërveprimesh makinë-njeri.

Por sot, opinioni i optimistëve kontestohet. Manuali i vitit 2013 ka përfshirë për herë të parë çrregullimin e varësisë nga interneti, edhe pse ka një shtojcë të rezervuar për argumentat që kërkojnë “studime të mëtejshëm”. Kina, Taivani dhe Korea e Jugut në vitet e fundit kanë pranuar diagnozën, duke filluar ta trajtojnë përdorimin problematik të internetit si një emergjencë të rëndë shëndetësore kombëtare. Në këta vende, ku dhjetëra miliona vetë (dhe deri 30 përqind e adoleshentëve) konsiderohen të varur nga interneti, dhe mbi të gjitha nga lojërat online, nga realiteti virtual dhe rrjetet socialë, kjo çështje po zë gjithmonë e më shumë faqet e para të gazetave. Një çift të rinjsh e injoruan fëmijën e tyre deri sa e lanë të vdesë, ndërkohë që kujdeseshin për një fëmijë virtual në internet. Një djalë kish rrahur për vdekje të ëmën sepse i kishte kërkuar që të fikte kompjuterin (dhe më pas përdori kartën e saj të kreditit për të qëndruar i lidhur në internet edhe për disa orë të tjera). Të paktën dhjetë përdorues të internetit kanë vdekur nga tromboza për arsye se kanë qëndruar të ulur përpara kompjuterit për shumë orë me radhë.

Qeveria koreane financon qendra të asistencës dhe po mendon për një mbyllje të internetit gjatë natës për të rinjtë. Ndërkohë Kina ka lançuar një kryqëzatë të nënave për të nxitur sjellje më të sigurta online. Kjo iniciativë lindi kur u zbulua se disa mjekë përdornin elektroshokun për të trajtuar adoleshentët që kishin varësi nga interneti. “Ka diçka interneti që provokon varësi”, thotë Elias Aboujaoude, një psikiatër i shkollës së mjekësisë në Universitetin e Stanfordit, ku drejton klinikën e çrregullimeve obsesivo-kompulsivë dhe klinikën e shqetësimeve të kontrollit të impulseve. “Kam parë shumë pacientë që më parë nuk kishin patur një histori sjelljesh të rrezikshme apo abuzimesh me substanca që janë bërë të varur për shkak të internetit”.

Studimi i tij i vitit 2006 mbi sjelljet problematike në internet është në bazë të Virtually you, një libër që flet se si aftësia e jashtëzakonshme e tërheqjes së uebit vepron mbi psikikën tonë. Edhe duke studiuar një kampion përdoruesish të moshës së mesme me një linjë telefonike fikse – të intervistuarit kishin moshë mesatare mbi dyzetë vjeç dhe fitonin më shumë se 50 mijë dollarë në vit – Aboujaoude zbuloi se një në tetë prej tyre shfaqnin të paktën një shenjë varësie nga interneti. Sipas studimeve më të fundit, shifrat në Amerikë janë të barabarta me ato mes aziatikëve.

Pastaj është edhe një eksperiment i kryer në vitin 2010 nga universiteti i Maryland. Iu kërkua dyqind studentëve që të shkëputeshin për 24 orë nga interneti dhe nga çfarëdolloj teknologjie e lëvizshme si dhe të rregjistronin ndjesitë e tyre. “Eshtë e qartë se jam i varur dhe varësia është diçka e shpifur”, pranoi një student. “Mjetet e komunikimit janë droga ime”, deklaroi një tjetër. Të paktën dy shkolla nuk arritën madje as të nisin një eksperiment të tillë për shkak të mungesës së vullnetarëve. “Shumë studentë universitarë jo vetëm nuk janë të gatshëm, por janë të paaftë nga pikëpamja funksionale për të hequr dorë nga lidhjet e tyre mediatike me botën”, ka konkluduar universiteti i Marylandit.

Varësia nga Facebooku

Gjithnjë në vitin 2010, dy psikiatër nga Taivani pushtuan vëmendjen e kronikës me idenë e çrregullimeve që sjell varësia nga iPhone. Dokumentuan dy raste: i pari kish të bënte me një student të shtruar në nëj institut për sëmundje mendore për arsye se përdorte iPhone 24 orë në ditë. I dyti kish të bënte me një agjent marketingu 31 vjeçar që përdorte telefonin kur ishte në timon. Të dy rastet do të ishin injoruar me një të qeshur nëse në po të njëjtën kohë nuk do të kish dalë një studim i Stanfordit mbi sjelljet e dyqind personave kundrejt iPhone. Studimi pohonte që një përdorues në dhjetë ndihej “tërësisht i varur” nga celulari. Me përjashtim të 6% të kampionit, të gjithë pranonin një nivel të caktuar detyrimi, ndërkohë që tre përqind e të intervistuarve nuk lejonin askënd që të prekte smartphone-n e tyre.

Në dy vitet e fundit, shqetësimet për një përdorim patologjik të internetit janë rritur më tej. Në muajin prill, në revistën Times të Indisë, disa mjekë folën për prova anektodike të një rritjeje të “varësisë nga Facebook”. Detajet më të fundit mbi obsesionin e amerikanëve për internetin mund të gjenden në librin e ri të Larry Rosen, “iDisorder”, që pavarësisht titullit joshës u botua nga shtëpia më e madhe botuese universitare në botë. Ekipi i tij ka studiuar një kampion prej 750 personash, adoleshentë dhe të rritur përfaqësues të popullsisë së Kalofornisë së Jugut, duke përshkruar në detaje sjelljet e tyre teknologjike, ndjenjat e tyre ndaj këtyre sjelljeve dhe pikaverazhin e tyre në një seri testesh standartë për çrregullimet psikiatrikë. Pjesa më e madhe e të intervistuarve, me përjashtim të atyre mbi të pesëdhjetat, kontrollonte sms-të, postën elektronike apo rrjetin e tyre social “vazhdimisht” apo “çdo çerek ore”. Edhe më shqetësues zbulimi i Rosen, që ata persona që kalonin më shumë kohë në internet shfaqnin një numer më të madh “tiparesh kompulsivë të personalitetit”.

Mund të tingëllojë diçka e kuptueshme: ata që duan të qëndrojnë më shumë kohë në internet ndihen të detyruar ta bëjnë. Por në të vërtetë nuk është kjo që duan vërtetë. Një studim i vitit 2011 pohon se pjesa më e madhe e të rinjve të punësuar nëpër kompani (deri në moshën 45 vjeç) mbajnë me vete telefonin e tyre në dhomën e gjumit, dhe kjo kjo se është zgjedhje e lirë e tyre, nuk është gjë që duan ta bëjnë. Sipas një tjetër studimi të vitit 2011, nuk është një zgjedhje e lirë ajo që shtyn 80 përqind të personave që të marrin me vete kur shkojnë për pushime laptopët e tyre dhe smartphone-t, për të qënë të informuar mbi atë që ndodh kur nuk janë. Nuk është zgjedhje e lirë as ajo që i shtyn mbajtësit e smartphone-ve që të kontrollojnë telefonata dhe mesazhe përpara se të shkojnë në shtrat, në mes të natës dhe sapo zgjohen nga gjumi.

Mund të duket sikur përdorimi i kësaj teknologjie është një zgjedhje e jona, por në të vërtetë jemi të tërhequr prej potencialit të saj për të na kënaqur në një kohë të shkurtër. Cdo zile mund të sinjalizojë një okazion social, seksual apo profesional, dhe kur përgjigjemi marrim një minikënaqësi, një lëshim të shpejtë dopamine. “Këto kënaqësi janë si goditje energjie që rikarikojnë motorrët kompulsivë, të krahasueshëm me elektrizimin e lojtarit të pokerit kur sheh që në tapetin e gjelbërt hidhet një letër e re”, shpjegon për revistën Scientific American një studiuese e mjeteve të komunikimit të MIT, Judith Donath. “Në tërësi është një efekt i fuqishëm, të cilit është e vështirë t’i rezistosh”.

Të atrofizuar

Në vitet e fundit është bërë e mundur të vëzhgohet se si ky përdorim i internetit modifikon trurin. Në vitin 2008 Gary Small, kreu i qendrës kërkimore për kujtesën dhe plakjen në Universitetin e Kalifornisë në Los Angeles, ishte i pari që dokumentoi ndryshimet e trurit pas një përdorimi qoftë edhe të moderuar të internetit. Mori 24 persona, gjysma përdorues ekspertë të internetit dhe gjysma tjetër fillestarë, dhe përdori tek ta rezonancën manjetike. Dallimi ishte mbresëlënës, sepse përdoruesit e internetit shfaqnin një korteks parafrontal ndjeshëm të ndryshuar. Por befasia e vërtetë është ajo që ndodhi më vonë. Small u kërkoi fillestarëve që të kalonin një total prej pesë orësh në internet dhe të ktheheshin pas një jave për një tjetër rezonancë. “Tek këta persona, truri u modifikua menjëherë”.

Truri i personave që kanë varësi nga interneti i ngjan atij të toksiko- dipendentëve dhe të alkoolizuarve. Në një studim të botuar në janar, studiuesit kinezë gjetën “materie të bardhë jonormale”– qeliza nervore të tepërta që i shërbejnë shpejtësisë– në zonat e trurit që janë përgjegjëse për vëmendjen, kontrollin dhe funksione të tjerë ekzekutivë. Një studim paralel ka vërejtur ndryshime të ngjashëm në trurin e personave me varësi nga lojërat elektronike. Dhe të dy studimet janë shfaqur në rrugën e rezultateve të tjerë kinezë që lidhin varësinë nga interneti me “anomali strukturore në materien gri”, më saktë një reduktim me 10 deri 20 përqind në zonën e trurit që është përgjegjëse për fjalën, kujtesën, kontrollin motorrik, emocionet, informacionin ndjesor etj. Më keq akoma, reduktimi nuk ndalet asnjëherë: sa më shumë kohë kalohet në internet, aq më shumë truri shfaq shenja “atrofie”.

Pamjet e rezonancës nuk tregojnë nëse ndodh më parë abuzimi apo ndryshimi cerebral, por shumë mjekë thonë se bëhet fjalë për një konfirmim të vëzhgimeve të tyre. “Ka pak dyshime mbi faktin që po bëhemi më impulsivë”, thotë Aboujaoude i Stanfordit, dhe një prej shkaqeve është përdorimi i teknologjive. Studiuesi kujton rritjen e diagnozave të çrregullimeve obsesivo-kompulsivë dhe shqetësimeve nga mungesa e vëmendjes dhe hiperaktiviteti, që në dekadën e fundit janë rritur me 66%: “Ka një marrëdhënie shkak-pasojë”.

Në fakt, hendeku mes një interneto-dipendenti dhe një njeriu të zakonshëm që shohim në rrugë është pothuajse inekzistent. Në studimet e parë, të kaloje më shumë se 38 orë në internet ishte një tregues i varësisë. Në bazë të atij definicioni sot jemi të gjithë të varur, dhe shumë prej nesh janë që të mërkurën pasdite, apo madje që të martën nëse është një javë plot me angazhime. Tekstet aktualë për varësinë nga interneti janë cilësorë dhe shfaqin një rrjet për fat të keq shumë të madh personash që janë të gatshëm të pranojnë se janë të shqetësuar, janë pak komunikues apo të obsesionuar nga interneti dhe që kanë bërë shumë tentativa për t’u shkëputur. Por nëse është e vërtetë që e gjithë kjo nuk është e shëndetshme, po kaq e vërtetë është që shumë njerëz nuk kanë asnjë qëllim që të “bëhen mirë”.

Ashtu si varësia, edhe lidhja dixhitale me depresionin dhe ankthin një herë e një kohë konsiderohej një tezë qesharake. Një studim i kryer nga Carnegie Mellon University në 1998 nxirrte në pah që përdorimi i internetit për një periudhë dy vjeçare lidhej me humorin melankolik, vetminë dhe humbjen e miqve në botën reale. Por dikush vërejti që personat e intervistuar jetonin të gjithë në Pitsburg. Pastaj, interneti ndoshta nuk të përgatit supën, por ai nënkupton fundin e vetmisë, një fshat global miqsh dhe njerëzish që ende nuk i njeh. Në fakt, kur Carnegie Mellon rikontrolloi studimin mbi banorët e qytetit, disa vite më vonë, ata ishin më të lumtur se kurrë.

Por në 5 vitet e fundit, shumë studime kanë persëritur dhe shumëfishuar rezultatet e parë të Carnegie Mellon duke treguar që nëse një person ka prirjen të kalojë shumë kohë në fshatin global, ai ndihet më keq. Përdorimi i internetit shpesh zë vendin e gjumit, të aktivitetit fizik dhe të kontakteve direktë, dhe kjo gjë mund të ndikojë edhe tek njerëzit më të qetë nga natyra. Dhe impakti dixhital mund të zgjasë jo vetëm një ditë apo një javë, por vite të tërë. Një studim i fundit në Amerikë i bazuar mbi përdorimin që adoleshentët i bënin internetit në vitet nëntëdhjetë ka zbuluar një lidhje mes kohës së kaluar online dhe çrregullimeve te humorit në moshën e rritur. Edhe studiuesit kinezë kanë gjetur një “efekt të drejtpërdrejtë” mes përdorimit intensiv të internetit dhe zhvillimit të një depresioni real, ndërkohë që studiuesit e Case Western Reserve University kanë pikasur një marrëdhënie mes abuzimit me mesazhe, përdorimit të rrjeteve socialë dhe stresit, depresionit dhe mendimeve për vetëvrasje.

Në përgjigje të kësaj pune, një artikull në revistën Pediatrics ka informuar për shfaqjen e një “fenomeni të ri, depresionit nga Facebook”, duke shpjeguar se “intensiteti i botës online mund të çojë në depresion”. Sipas raportit të publikuar nga akademia amerikane e pediatrisë, mjekët duhet të përfshijnë pyetje për përdorimin e teknologjisë dixhitale në kontrollet e përvitshëm mjekësorë.

Rosen, autori i “iDisorder” thekson mbizotërimin e studimeve që tregojnë “një marrëdhënie mes përdorimit të internetit, mesazheve, emailit, chat-it dhe depresionit tek adoleshentët”, ashtu si dhe një “lidhje të fortë mes lojërave elektronike dhe depresionit”. Por problemi duket të jetë cilësor, më shumë se sa sasior: përvojat negative ndërpersonale – shumë të shpeshta në internet – mund të sjellin spirale potenciale dëshpërimi. Për librin “Bashkë por të vetmuar”, psikologia e Mit, Sherry Turkle ka intervistuar më shumë se 450 vetë, pothuajse të gjithë adoleshentë ose 20-30 vjeçarë, duke i pyetur për jetën e tyre online. Dhe ndonëse në të kaluarën ka shkruajtur dy libra në favor të teknologjisë duke dalë madje edhe në kopertinën e revistës “Wired”, sot ajo denoncon një botë me persona të trishtuar dhe të stresuar, të mbyllur në një marrëdhënie utopike me makinat (lexo: kompjuterët) e tyre.

Në dëshmitë që ka mbledhur, njerëzit e intervistuar thonë se telefonët dhe kompjuterët e lëvizsshëm janë “vendi i shpresës”, vendi “prej ku vjen ëmbëlsia” në jetën e tyre. Fëmijët përshkruajnë nëna dhe baballarë pak të disponueshëm, të pranishëm dhe njëkohësisht me mendjen gjetkë. “Nënat sot u japin qumësht bebeve të tyre apo u vënë biberonin ndërkohë që bazhdojnë e shkruajnë mesazhe”, ka thënë Turkle për Shoqatën Psikologjike Amerikane verën që kaloi. “Nëse një nënë nervozohet prej mesazheve telefonikë, fëmija e percepton atë nervozizëm. Dhe do të ketë prirjen që t’ia atribuojë këtë tension marrëdhënies së tij me nënën. Eshtë një fenomen që po ndiqet me vëmendje maksimale”. Dhe ka shtuar: “Teknologjia mund të na bëjë të harrojmë disa gjëra të rëndësishme të jetës”.

Kjo zhdukje e reales është vërejtur sidomos mes nxënësve dhe studentëve që Turkle ka intervistuar. Luftonin me identitete dixhitalë në një fazë të jetës kur identiteti i tyre i vërtetë është ende në formim e sipër. “Ajo që kam mësuar në shkollë të mesme”, i ka thënë Turkles një djalosh me emrin Stan, “është profili, profili, profili: si të krijoj një tjetër vetvete”. Eshtë një kurbë nervozuese mësimi, një jetë e jetuar tërësisht në publik me kamerën e kompjuterit të ndezur, me çdo gabim që rregjistrohet dhe ndahet me të gjithë, që vihet në lojë deri kur mbërrin diçka tjetër, edhe më qesharake.

Vitin që kaloi, MTV kreu një sondazh mbi sjelljen në internet të spektatorëve të vet nga mosha 13 deri në moshën 30 vjeç. Pothuajse të gjithë ndiheshin “të përcaktuar” nga ajo që hidhnin në internet, të mbërthyer “nga detyrimi” për të publikuar gjithmonë diçka dhe absolutisht të paaftë për t’u shkëputur nga frika se mos humbisnin kushedi çfarë. “Kam parë mendjet më të mira të brezit tim të shkatërruara nga marrëzia, të uritura, histerike, lakuriqe”: kështu fillon poezia “Thirrja” e Allen Ginsberg, një absurd që hapet me të rinj që “tërhiqen zvarrë” në agim në kërkim të një doze heroinë. Nuk është e vështirë të imagjinohet skenari korrespondues i kohëve tona.

Vetëm një tjetër dritare

Studimi i fundit mbi internetin dhe depresionin është ndoshta më shqetësues. Me miratimin e të interesuarve, universiteti shtetëror i Missourit ndoqi në kohë reale sjelljet në internet të 216 të rinjve, 30% e të cilëve shfaqnin shenja depresioni. Rezultatet e botuar në maj 2012, zbulojnë se ata me depresion ishin frekuentuesit më fanatikë të internetit, ata që kalonin më shumë orë me emaile, chat, lojëra elektronike dhe programe file sharing. Ishin njekohësisht ata që hapnin, mbyllnin dhe ndërronin dritare interneti më shpesh, duke kërkuar dhe duke mos gjetur atë që shpresonin të gjenin.

Ngjajnë të gjithë me Doug, një student i Midwestern, i cili kishte katër avatarë dhe mbante çdo botë virtuale të hapur në kompjuterin e tij, bashkë me detyrat, emailet dhe lojërat e tij elektronike më të preferuara. Ai i ka thënë Turkles se jeta reale është “vetëm një tjetër dritare” dhe zakonisht “nuk është ajo më e mira”. Si do të përfundojë? Eshtë kjo pyetja që ngjall më shumë frikë.

Në muajt e fundit shkencëtarët kanë filluar të sugjerojnë që bota jonë e dixhitalizuar mund të ushqejë forma të sëmundjeve mendore edhe më ekstreme. Në Stanford, doktor Aboujaoude po studion nëse disa identitete të caktuar dixhitalë mund të konsiderohen një lloj alter egoje patologjike, si ata të dokumentuar në rastet e crregullimeve të personaliteteve të shumëfishtë. Për të verifikuar idenë e tij, Aboujaoude i dha njërit prej pacientëve, Richard, një njeri i sjellshëm me një sjellje të pamëshirshme në lojën e pokerit online, testin zyrtar për çrregullimin e personalitetit të shumëfishtë. Rezultati ishte befasues. Pikaverazhi i tij ishte i barabartë me atë të pacientit tipik.

Vëllezërit Gold-Joel, një psikiatër në universitetin e Nju Jorkut dhe Ian, një filozof dhe psikiatër në universitetin McGill – po përpiqen të kuptojnë se deri në çfarë pike teknologjia mund të shkëpusë lidhjet e njerëzve me realitetin, duke ushqyer haluçinacione, manira dhe një psikozë, siç i ndodhi ndoshta Jason Russellit, regjisorit të Kony 2012. Ideja është që jeta online i ngjan asaj në një metropol të madh, i cili është i qepur e bashkuar nga kavo dhe modemë, por në nivelin mendor jo më pak konkrete – dhe e vështirë – se sa jeta në Nju Jork apo në Hong Kong. “Të dhënat konfirmojnë tezën që kush jeton në një qytet të madh është më i ekspozuar ndaj riskut të psikozës se sa ata që jetojnë në një qytezë apo një provincë”, shpjegojnë Ian-Gold. “Nëse interneti është një lloj qyteti imagjinar, mund të ketë të njëjtin lloj impakti psikologjik”.

Një ekip studiuesish i universitetit të Tel Avivit po ndjek një rrugë të ngjashme. Në fundin e 2011 publikuan ata që i konsiderojnë rastet e parë të dokumentuar të “psikozës së lidhur me internetin”. Karakteristikat e komunikimit online janë në gjendje të gjenerojnë “fenomene të vërtetë psikotikë”, konkluduan autorët. Dhe më pas lëshuan një alarm për komunitetin mediatik: “Rritja e shpejtë e përdorimit të internetit dhe përfshirja e tij e mundshme në psikopatologjinë janë pasoja të reja të kohëve tona”.

Atëherë, çfarë duhet bërë? Disa do të përgjigjeshin që nuk duhet të bëjmë asgjë, pasi edhe studimet më të mirë rrotullohen përreth dilemës së përjetshme se çfarë ndodh më parë, pra kush është shkaku e kush është pasoja. Janë mjetet e komunikimit që dëmtojnë personat normalë me praninë e tyre kudo? Apo janë personat normalë që tërhiqen prej mjeteve?

Në një farë kuptimi, nuk ka rëndësi nëse ethet tona dixhitale provokojnë sëmundje mendore, apo thjeshtë kufizohen që ta inkurajojnë. Ajo që ka rëndësi është që njerëzit vuajnë. Të vënë përpara nga shpejtësia e jetës, shkojmë drejt drogërave të ligjshme, dhe kjo ndihmon për të shpjeguar përse Shtetet e Bashkuara ecin përpara me Xanax-in. Apo i besojmë shpëtimit fals të të ashtuquajturit multitasking, që përthith vëmendjen tonë edhe kur kompjuterin e kemi fikur. Dhe të gjithë ne, që kur ka nisur marrëdhënia me internetin, kemi shfaqur tendencën që ta pranojmë për atë që është, pa menduar shumë se si do të donim që të ishte apo çfarë duam të shmangim. Duhet të reagojmë. Interneti është ende yni dhe mundemi ta rimodelojmë. Në lojë është mendja jonë. 

Tony Dokoupil /New Scientist/