• |
ide | kryesore

Portret/Mid’hat Frashëri, firmosësi i pavarsisë që u bë kreu i Ballit Kombëtar

Arkiva, Dossier
mithat-fvrasheri22.jpg

Historia e njërit prej njerëzve më të rëndësishëm të historisë sonë. Djalit të Abdyl Frashërit, nipit të Naimit, firmosësit të pavarësisë shqiptare dhe ministrit të Qeverisë së parë të Vlorës. Biografia e panjohur e themeluesit të Ballit Kombëtar, që nga vitet e para të rinisë, deri në fund të jetës së tij.


 


Nga Blendi Fevziu

 

Bardhyl Quku, 65 vjeçar, është ndër të vetmit shqiptarë të Nju Jorkut që kujton ende me mall një kohë të largët. Me një shqipe të përmbajtur, ai tregon për kohën kur babai i tij, Faik Quku, Komandant i Ballit Kombëtar, shëtiste në Kampin e Barletës në Itali me një burrë plak dhe fisnik. Burri që mbante për dore djalin e vogël quhej Mid’hat Frashëri dhe e nderonin të gjithë. Fëmijët ishin ata që e donin më shumë, por edhe ai u kushtonte atyre shumë më tepër kohë. 50 e ca vjet më vonë, i shndërruar në një biznesmen i fuqishëm i Wall Street, Bardhyl Quku ka dëshirë të sqarojë akoma më shumë enigmat e një kohe të shkuar. Kuvendon gjatë me një ish drejtues të rinisë balliste, Luan Gashin; ka blerë një pjesë të teksteve të Historisë së Shqipërisë dhe po përpiqet të kuptojë rolin që ka luajtur plaku i fëmijërisë së tij në historinë shqiptare. Gjysmë shekulli më vonë, ai ka kuptuar se njeriu, të cilit i shtrëngonte dorën duke shëtitur në rrugicat e kampit të Barletës, ka qenë një ndër njerëzit më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë.

Por ai e ka shumë të vështirë të kuptojë përmasat reale të angazhimit të tij. Pothuaj të gjithë tekstet historike të kohës së komunizmit janë të censuruar, ndërsa ato të mëpasme nuk kanë studime serioze. Siç ndodh rëndom në këto raste, fati i keq dhe diktatura e gjatë kanë fshirë nga kujtesa e shkruar shumë nga angazhimet e Mid’hat Frashërit, njërit prej njerëzve më të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë në gjysmën e parë të shekullit të XX-të. Ose akoma më keq, e kanë redaktuar angazhimin e tij vetëm në një pjesë, atë që lidhet me Ballin Kombëtar gjatë luftës dhe aktivitetin në emigracion pas saj. Pa kujtuar se që nga fillimet, në fund të shekullit të XIX dhe deri më 1940, kur ai u angazhua në Ballin Kombëtar, Mid’hat Frashëri kishte lënë në historinë e Shqipërisë gjurmë të pashlyeshme. Të mjaftueshme për ta renditur atë në librin e madh të kujtesës kombëtare.

 

Mid’hat Frashëri, fëmijëri e vështirë

 

Ajo që komunizmi nuk e përmendi kurrë, ose që ju ruajt me mjaft kujdes ishte prejardhja e Mid’hat Frashërit dhe familja e tij. Pak vetë në Shqipëri e dinin se themeluesi dhe ideatori i Ballit Kombëtar ishte djali i Abdyl Frashërit, ideologut të Lidhjes së Prizrenit dhe nipi i Naim e Sami Frashërit, në shtëpinë e të cilëve ishte rritur në Stamboll. Fëmijëria, si edhe gjithë jeta e Mid’hatit kaloi nëpër po ato vështirësi dhe vuajtje që kaloi edhe ndërtimi i Rilindjes Kombëtare dhe më pas i shtetit shqiptar. Mid’hat Frashëri lindi në Janinë, më 25 Mars 1880. Abdyl Frashëri ishte vendosur aty pak vite më parë, si një nëpunës i Perandorisë dhe kishte sjellë me vete gjithë familjen. Por djali i vogël nuk pati mundësi ta njihte të atin që në momentet e para të ndërgjegjësimit të tij. Në ato kohë i ati ishte në krye të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe së bashku me Mehmetali Pashë Vrionin, Iljaz Pashë Dibrën dhe Sulejman Vokshin, po përpiqeshin të kundërshtonin vendimin e Kongresit të Berlinit të ruanin paprekshmërinë territoriale të Shqipërisë. Mid’hati nuk pati mundësi ta shihte të atin as më vonë. Pas dështimit të Lidhjes së Prizrenit, Abdyl Frashëri u arrestua dhe u dënua po në Prizren, ndërkohë që familja u transferua në Stamboll. Ende fëmijë, Mid’hat Frashëri u rrit në familjen e xhaxhait, Naim Frashërit, poetit kombëtar dhe idhullit të të gjithë të rinjve nacionalistë shqiptarë. Më pas, ai ka përshkruar me detaje fëmijërinë e tij pranë të ungjit dhe mjedisin ku po ngjizej ideja e një Shqipërie të pavarur. Fatmirësisht, Mid’hat Frashëri ka lënë shumë shënime, libra, kujtime dhe pjesë letrare, të cilat hedhin dritë mbi angazhimin e tij në lëvizjen nacionaliste. Ishte ende adoleshent, kur filloi letërkëmbimin me disa nga moshatarët e tij që militonin në vende të tjera të Perandorisë, por edhe më gjerë. Më i rëndësishmi ndër ta ishte Ibrahim Temja, një djalë që më pas do të zinte një rol të veçantë në zhvillimet pro pavarësisë. Mid’hati ishte shumë i ri kur i vdiq i ati, patrioti i madh Abdyl Frashëri, dhe nuk kishte mbushur ende 20 vjeç, kur vdiq babai shpirtëror i tij, Naim Frashëri. Në këtë kohë, ai kishte konsoliduar një profil të qartë politik dhe kishte hyrë në lidhje me shumë personazhe, që më pas do të luanin një rol të veçantë, përfshi Ismail Qemalin dhe Faik Konicën. Por angazhimi konkret i tij në lëvizjen kombëtare filloi më 1908, kur ai u bë një ndër ideatorët dhe, më pas, ndër drejtuesit e Kongresit të Manastirit, kongresit që hodhi bazat e alfabetit të gjuhës shqipe dhe që mori vendimin për hapjen e shkollës Normale në Elbasan. Që nga kjo kohë, deri më 1911, ai nuk pushoi së luajturi një rol konkret në zhvillimet poetike në Turqi dhe në kanalizimin e tyre në favor të çështjes shqiptare. Angazhimet e tij krijuan shumë probleme në familjen Frashëri dhe në ato kohë, mund të thuhet se Mid’hat Frashëri nuk kishte më asnjë pasuri mënjanë.

 

Drejt pavarësisë shqiptare

Ai ishte 32 vjeçar, kur vendosi të largohet nga Stambolli dhe të udhëtojë në brendësi të vendlindjes së tij. Në të vërtetë, ky udhëtim i gjatë u bë edhe fati i tij i madh. Uran Butka, i vetmi studiues serioz që ka shkruar një biografi të detajuar të Mid’hat Frashërit, ka dhënë shumë detaje të këtij udhëtimi. Njeriu, që pak muaj më vonë do të firmoste aktin e pavarësisë së Shqipërisë, udhëtoi nga Kosova në Shkup dhe  prej këtej në Elbasan, në prag të luftës Ballkanike. Ai ishte në Elbasan, kur lufta filloi me furi dhe po këtu, mik i Aqif Pashë Elbasanit, ra në kontakt me grupin e patriotëve që po përgatiste pavarësinë. Elbasani qe qyteti i parë që zgjodhi tre delegatë për Kuvendin e Pavarësisë dhe një ndër ta ishte edhe Mid’hat Frashëri. Vite më vonë ai ka përshkruar udhëtimin e tij drejt qytetit të Vlorës, që, pas kontakteve të vazhdueshme, ishte përcaktuar si qyteti ku do të mblidhej kuvendi i pavarësisë. Delegatët e Elbasanit udhëtuan në drejtim të Fierit, kur në Ardenicë ndeshën një karvan të dytë me të njëjtin destinacion. Të hipur në një kalë të vogël, të bardhë, Mid’hati dalloi Ismail Qemalin, njeriu që dy ditë më vonë do të bëhej Kryeministri i parë i Shqipërisë së Pavarur. Duke u endur nëpër balturinat e Myzeqesë, karvani i atyre pak njerëzve që donin të bënin Shqipërinë, mbërriti në Mifol. Eqrem Vlora, një ndër të paktët dëshmitarë që ka përshkruar atë kohë, tregon se si qyteti ishte dehur nga entuziazmi dhe së si Kuvendi i krahinave shqiptare deklaroi menjëherë pavarësinë. Mid’hat Frashëri, 32 vjeçar, u bë jo vetëm firmëtar i pavarësisë shqiptare, por edhe Ministër i Punëve të Përgjithshme në Qeverinë e Ismail Qemalit.

Jeta në Vlorë nuk ishte aspak e lehtë. Uran Butka shkruan se Ministri flinte fillimisht në një dhomë të familjes Vlora, për t’u zhvendosur më pas në shtëpinë e Sharrave. Vendosi aty një tavolinë dhe filloi të ngrinte një strukturë që nuk do të funksiononte kurrë. Shqipëria ishte rrethuar e gjitha dhe territori i Qeverisë së Vlorës përfshinte vetëm qytetin dhe disa fshatra rreth tij. Nuk dihet qartë se cilat qenë problemet dhe kontradiktat e djalit të ri me Kryeministrin plak, por pak muaj më vonë, më 39 mars 1913, Mid’hat Frashëri dha dorëheqjen. Teksti është fare i thatë dhe motivohet vetëm me pamundësinë për të kryer si duhet detyrën e caktuar. Që nga kjo kohë, aktiviteti i Mid’hat Frashërit në Shqipëri është i reduktuar. Në fillim u vendos në Durrës, ku priti me entuziazëm Princ Vidin dhe u vu në shërbim të tij, duke ndihmuar në Ministrinë e Jashtme. Pas fillimit të lëvizjes esadiste dhe ikjes së Princ Vidit, edhe ai vetë u largua nga Shqipëria. Që nga viti 1914 e deri më 1918 u end nëpër Ballkan. Më 1916 mbërriti në Bukuresht, ku krejt papritur, u arrestua dhe më pas u internua në Moldavi. Në këtë qytet rastësisht takoi mikun e tij të vjetër, Ibrahim Temon. Nuk ka të dhëna të qarta për lëvizjet e tij deri më 1918, kur u shfaq në Lozanë, në konferencën që po vendoste krijimin e Jugosllavisë. Kësaj konference ai i dërgoi një promemorie mbi të ardhmen e Ballkanit, e cila, e botuar 81 vjet më pas, ngjan si një dokument i ndonjë prej institucioneve më të rëndësishme të studimeve ndërkombëtare. Në të ai ka bërë deklaratën, e cila do të merrte vlerë të pashembullt në fund të shekullit: Pa zgjidhjen e problemit shqiptar, nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan.

Më 1920, me qëndrim në Paris, ai përshëndet Kongresin e Lushnjës, Qeverinë e Tiranës dhe niset për llogari të saj në SHBA. Mid’hat Frashëri vendos fillimisht kontakte me komunitetin shqiptar në Amerikë dhe më pas udhëton për Paris si kryetar i Delegacionit të Qeverisë së Tiranës në Konferencën e Paqes. Për më shumë se një vit, ai zhvilloi një aktivitet të ethshëm diplomatik, për t’i kursyer Shqipërisë humbjen e dy krahinave të rëndësishme, asaj të Korçës dhe të Gjirokastrës. Duket se këtë punë e kreu në mënyrë të mrekullueshme përderisa, pas kthimit në Shqipëri më 1922, u caktua po nga Qeveria e Tiranës si Ministër Fuqiplotë i saj në Athinë. Në ato pak muaj qëndrimi, ai refuzoi të merrte përsipër drejtimin e Qeverisë pas dorëheqjes së Kryeministrit, Iliaz Vrioni.

Mid’hat Frashëri u vendos në Athinë më 9 janar 1923. Që nga kjo ditë e deri më 16 Dhjetor 1925, kur i paraqiti Presidentit Ahmet Zogu dorëheqjen e tij, Mid’hat Frashëri ka kryer një nga veprimtaritë e tij më të rëndësishme politike. Jo vetëm në vendosjen për herë të parë të marrëdhënieve diplomatike me Athinën, jo vetëm në njohjen e kufijve të Shqipërisë nga Greqia, por, mbi të gjitha, në ndalimin e përzënies së popullsisë myslimane shqiptare nga ky vend dhe vendosjen e saj në Turqi. Aktiviteti i Frashërit në këtë drejtim është i detajuar dhe ai mund të meritojë një shkrim më vete. Ai ja arriti të ndalojë një gjenocid të hapur, duke shfrytëzuar jo vetëm presionin tek qeveria greke, por edhe tek Lidhja e Kombeve dhe institucione të tjera ndërkombëtare me ndikim. Ky akt do të mbetej deri në fund të jetës së tij një ndër angazhimet, për të cilat ai ishte gjithmonë krenar.

 

Libraria dhe Balli Kombëtar

Më 1925, Mid’hat Frashëri iu rikthye edhe një herë pasionit të parë të tij, librave dhe studimeve. Që nga viti 1897, ai kishte filluar ngritjen e një biblioteke personale, e cila më 1925 numëronte më shumë se 40 mijë volume. Kishte shkruar shumë libra dhe kishte bërë disa përkthime dhe studime albanologjike. I trishtuar dhe i zhgënjyer nga zhvillimet politike në vend, ky patriot dhe burrë shteti i vjetër, vendosi të tërhiqet në jetën e tij private. Më 1926 ndërtoi në Tiranë, në atë që më pas mori emrin Rruga Mbretërore (më 1945, rruga e Barrikadave), një librari të thjeshtë dhe e shndërroi atë në qendrën intelektuale të Tiranës. Dëshmitë e kohës shënojnë se libraria e tij u bë jo vetëm institucioni kulturor më i rëndësishëm në Tiranë, por edhe vendi ku mblidhej në mënyrë permanente rinia e kulturuar e kryeqytetit.  Miti i Mid’hat Frashërit, veshur çdo ditë me frak të zi dhe papion, ka munduar për shumë vite kujtimet e asaj kohe. Ahmet  Zogu tentoi disa herë ta joshte për t’u përfshirë në jetën politike, por ai refuzonte me delikatesë. Librarinë e quajti “Lumo Skëndo”, për nder të një vëllait të tij që vuante nga sëmundje mendore.

Gjatë gjithë kësaj kohe, Mid’hat Frashëri nuk i pushoi përpjekjet e tij për të ngritur në Tiranë një Institut Albanologjik. Më 1929, në moshën 49 vjeçare dhe i bindur se tashmë nuk do të martohej më, ai shkroi testamentin e tij. Një testament në të cilin, gjithë fondin e tij të librave dhe gjithë pasurinë që kishte, përfshi edhe mobiliet e shtëpisë, i vinte në dispozicion të ngritjes së këtij instituti. Testamenti i tij pas largimit nga Shqipëria nuk u ekzekutua kurrë, por librat e tij u bënë sidoqoftë pjesë e fondit të Bibliotekës Kombëtare. Pas kërkimeve të Uran Butkës në vitet ’90-të rezultonte se 40 mijë volume të kësaj biblioteke janë nga fondi i Mid’hat Frashërit dhe mbajnë vulën e tij.

Duket se Mid’hat Frashëri kishte vendosur të mos angazhohej më në politikë, por nuk ndodhi kështu. Më 1939, pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, në moshë të shkuar ai rifilloi edhe një herë aktivitetin politik. Aktivitet, fillesat e të cilit datonin në fund të shekullit të XIX-të. Historia e mëpasme e tij, megjithëse e deformuar në vitet e komunizmit, është e njohur. Aq më tepër që, ajo ka marrë më pas vendin e saj real. Në vitin 1941, ai u bë themelues dhe ideator i organizatës së “Ballit Kombëtar” dhe më 1942, publikoi programin e saj, “Dekalogun” e famshëm.

Ithtar i Shqipërisë etnike dhe partizan i demokracive perëndimore, Mid’hat Frashëri tentoi ngritjen e një organizate nacionaliste dhe demokratike. Por kushtet e vështira të vendit, lufta që i bënë komunistët dhe pavendosmëria e një pjese të anëtarëve të partisë së tij sollën dështimin politik të saj. Në shtator 1943, atij i dështoi mundësia më e mirë për të hedhur themelet e një Shqipërie demokratike. Marrëveshja e Mukjes, e nënshkruar fillimisht nga komunistët, u hodh poshtë nga Enver Hoxha pas insistimit jugosllav. Në kujtimet e tij, Petro Marko jep një detaj shumë të thjeshtë, por domethënës të filozofisë së Frashërit. Gjatë një takimi për pajtimin e tij me komunistët, ai vuri një kusht të thjeshtë: “Shko pyeti shokët e tu, janë për bashkimin me Kosovën apo jo? Nëse janë dakord, ne bashkohemi me ta, në të kundërt, nuk ka më rëndësi”. Petro Marko nuk u kthye më.

Dështimi i Mukjes i shoi shanset e Ballit për të fituar më shumë. Pas fillimit të luftës civile forcat e tij humbën dhe në nëntor 1944 drejtuesit e tij, me në krye Mid’hat Frashërin, u larguan nga Shqipëria.

 

Emigrimi

Jeta e mëtejshme e Mid’hat Frashërit nuk numëron shumë vjet. Ai u vendos fillimisht në Itali, në kampin e Barletës, dhe prej këtej, duke lëvizur nga një vend në tjetrin, u përpoq të ndikonte tek aleatët perëndimorë për të financuar një zbarkim kundër komunistëve në Shqipëri. Punoi mjaft për ngritjen e Komitetit që u quajt “Shqipëria e Lirë” dhe gjatë një vizite në Nju Jork, vdiq atje. Ishte data 3 tetor 1949 dhe Mid’hat Frashëri kishte disa muaj që kishte mbushur 69 vjeç. Vdekja u shkaktua nga infarkti dhe brenda pak orësh u transmetua në gjithë botën. Varrimi u bë gjashtë ditë më vonë në Nju Jork, nën tingujt e muzikës së Bethovenit dhe vajit të bashkatdhetarëve. Atyre që e kishin ndjekur në arratinë politike dhe që do ta nderonin çdo përvjetor në varrezat e Long Islan, ku prehet ende. Nën një pllakë të thjeshtë bronxi, mbishkrimi i vetëm i së cilës është: “Mid’hat Abdyl Frashëri, 1880-1949”.

Kthehu