• |
ide | kryesore

Reportazh nga Havana / Si e presin kubanezët ndryshimin (10 foto)

Arkiva, Planet
castro obama.jpg



Retorika antiamerikane tek “Granma”, gazeta simbol e regjimit të Fidel Kastros, mbetet e ashpër. Një faqe muri e madhe në Muzeun e Revolucionit në Havanë, është gjithmonë e zënë nga “këndi i idiotëve”: karikatura e Ronald Reaganit i veshur me rroba kauboji, si dhe të dy presidentëve Bush (I Vjetri dhe i Riu, me simbolet e Rajhut të Tretë nazist), të falënderuar me ironi, pasi me marrëzinë e tyre ndihmuan në konsolidimin e revolucionit. Presidenti i katërt është i portretizuar në uniformë të zezë ushtarake e me spaleta të mëdha. Ngjan me Obamën, por në fakt paraqet Fulgencio Batistan, kreun e regjimit të përzënë nga pushtetit, pas revolucionit kastrist të vitit 1959.

Kujtime të kohëve të vjetra. Kubanët vazhdojnë të adhurojnë Che Guevarën, ikonën e një revolucioni, që i dha popullit krenari dhe identitet. Por njeriu i ri i utopisë së Che, nuk lindi kurrë. Eksperimenti kastrist u mbyt në një det varfërie. Faji i embargos amerikane, ka akuzuar për vite me rradhë Fideli. Kështu, pas shenjave të para të zbutjes, në dhjetorin e vitit të shkuar, dhe vazhdimin e negociatave për normalizimin e marrëdhënieve SHBA-Kubë, në mesin e njerëzve ka një pritshmëri të madhe për samitin Pan-Amerikan.

Njerëz që nuk kanë dëshirë të flasin për politikë, tashmë sajojnë zhvillimin e një takimi mes Obamës dhe Raul Kastros, me efekte çudibërëse. Edhe pse të gjithë e dinë se pengesat në rrugën e dialogut janë të mëdha. Presidenti demokrat nuk është në gjendje që të heqë embargon për shkak të pengesës në Kongres, çka për rrjedhojë nuk do të jetë e mjaftueshme për ta parë ekonominë kubane të lulëzojë.

Kubanët janë krenarë, por pragmatikë. Në Santa Klara, qyteti ku Guevara zhvilloi betejën vendimtare të revolucionit, dhe ku ai është varrosur, njerëzit kanë besim tek Obama, ndërsa ka ndonjë që ende ruan ndjenja pakënaqësie ndaj jenkive. Në këtë rast nuk mendon për Che-në, që u ekzekutua në Bolivi para këshilltarëve ushtarakë të SHBA, por ka pakënaqësi ndaj Uashingtonit, pse vazhdon të mbajë të izoluar Venezuelën, madje edhe tani që Hugo Chavez nuk jeton më. Mobilizimi i ditëve të fundit nuk ishte aq shumë kundër embargos, sesa një përpjekje për të bindur Obamën për të revokuar urdhrin-ekzekutiv, me të cilin ai e ka quajtur Venezuelën një kërcënim të jashtëzakonshëm për sigurinë e SHBA-së. Në prag të samitit të Panamasë, katër milionë kubanë, pra më shumë se gjysma e popullsisë së rritur të vendit, nënshkruan një peticion në favor të Venezuelës.

Dhe motivi nuk është i vështirë për t’u kuptuar: rrugët kubane janë gjysmë të shkretuara, jo sepse mungojnë automjetet (makinat e vjetra amerikane dhe kabriole të viteve ’50, që i japin ngjyrën Kubës, tanimë kanë në brendinë e tyre motorë Mercedes të prodhuara në Kore), por për shkak se një mbushje e plotë e makinës me benzinë, kushton sa dy paga që merr një kuban mesatar dhe që nuk punon në turizëm.

Me shpërbërjen e ish-Bashkimit Sovjetik, që kishte ushqyer ekonominë kubane me shumë ndihma, Kastros i mbeti të mbështetej vetëm tek Karakasi. Por tashmë edhe Venezuela, furnizuesi i vetëm që ofronte çmime shumë të ulëta të karburanteve, është në krizë dhe rrezikon të rrëshqasë në kaos.

Kuba nuk ishte paraqitur kurrë në një samit pan-amerikan, me një delegacion aq të shumtë në numër. Veçanërisht artistë, mjekë dhe shkencëtarë. Qëllimi, është ngjallja e simpatisë ndaj një vendi, që nxjerr në pah kulturën e vet, sistemin shkollor dhe shëndetin më të mirë publik në Botën e Tretë. Raúl Kastro kërkon të ndërtojë diçka, mbi  lavdet e Obamës dhe mirënjohjen e tij, që përveç SHBA, Kuba është vendi që ka bërë më shumë për të mposhtur ebolan në Afrikë. Por të hedhësh pas krahëve 55 vite armiqësi të thellë, është një sipërmarrje e vështirë, jo vetëm për Obamën. Edhe Raúl, i cili gjithashtu dëshiron të liberalizojë vendin, ka nevojë për kohë. “Çdo hap që do bëjmë në kërkim të përsosmërisë – thotë gjenerali që zëvendësoi vëllanë e tij Fidel në krye të vendit- duhet të shoqërohet nga një klimë e rendit dhe disiplinës”. / CDS -Bota.al