• |
ide | kryesore

Diplomacia kontroverse e Erdoganit

Arkiva, Planet
erdo.jpg



Recep Tayyip Erdogan u prit më prill nga homologu i tij iranian Hassan Rohani. Megjithë pikat e mosmarrëveshjeve politike, Erdogan bëri kujdes që të mos i përmendte ato, duke u përqëndruar në kooperimin ekonomik të dy vendeve. Cila është natyra e raporteve ekonomike midis Iranit dhe Turqisë?

Bashkëpunimi ekonomik midis Iranit dhe Turqisë është mjaft konseguent. Në vitin 2012, volumi i shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve përfaqësonte rreth njëzet e dy miliard dollarë. Gjatë dy viteve në vijim, u vu re një rënie mjaft e ndjeshme e këtyre shkëmbimeve, meqënëse volumi i tyre ra në trembëdhjetë miliard në vitin 2013, dhe pesëmbëdhjetë miliard në vitin 2014, sidomos për arsye të sanksioneve ndërkombëtare të imponuara Iranit, ku dhe Turqia u përfshi si një numër partnerësh të tjerë tregtarë të Teheranit. Megjithatë perspektiva që u ripohua gjatë këtij udhëtimi ishte të arrihej një volum shkëmbimesh prej tridhjetë miliard dollarë për vitin 2015. Mendoj se ky objektiv është shumë ambicioz, edhe nëse supozojmë se marrëveshja kuadër e nënshkruar midis grupit P5+1 dhe iranianëve më 2 prill, do të mund të lejojë anullimin progresiv të sanksioneve ndërkombëtare dhe pra në mënyrë indirekte, zgjerimin e tregtisë midis Iranit dhe Turqisë. Duhet kuptuar në fushën e shkëmbimeve tregtare midis dy shteteve, vendin e parë e zënë hidrokarburet. Në mënyrë të pakundërshtueshme, nga ana e Turqisë ka një interes të theksuar mbi këtë çështje, meqënëse ata janë konsumatorë të rëndësishëm të hidrokarbureve dhe se nuk kanë të tilla burime në nivel kombëtar.

Qysh në vitin 1996, është nënshkruar një marrëveshje për gazin midis Iranit dhe Turqisë. Ajo ka të bëjë me lëvrimin vjetor të rreth dhjetë miliard metër kub gaz iranian drejt Turqisë. Kjo vizitë ishte rasti për të dy partnerët, që të trajtonin tetë dosje të tjera ekonomike që përfshijnë perspektivat e krijimit apo thellimit të kooperimit të përbashkët, që përfshin sektorë të ndryshëm si ai i shëndetit, transporteve – sidomos ajror, apo dhe industrinë. Intensiteti i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve është pra i rëndësishëm, por duhet nënvizuar asimetria që ekziston në zemër të këtyre shkëmbimeve, e kujtuar nga presidenti turk gjatë kësaj vizite. Irani eksporton rreth dhjetë miliard dollarë produkte drejt Turqisë, por importon vetëm pesë miliard dollarë produkte turke. Kjo asimetri është e lidhur kryesisht me faturën e gazit dhe Recep Tayyip Erdogan dëshiron që një ribalancim në shkëmbimet tregtare të bëhet në të ardhmen. Megjithë këtë vështirësi për palën turke, rrjedhshmëria dhe e rëndësia e marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve, qëndron, në mënyrë të pakundërshtueshme, sipër mosmarrëveshjeve politike të cilat mundet të ekzistojnë midis tyre.

 

Në vitin 2014, Erdogani nuk kishte hezituar ta cilësonte Iranin “atdhe të dytë”. Në vitin 2002, udhëheqësit e AKP zgjodhën adoptimin e politikës “zero probleme” me fqinjët. Kjo strategji, sot po has në vështirësi. Cilat janë raportet që mban Turqia me fqinjët e saj rajonal?

Ish ministri i punëve të jashtme turk dhe sot kryeministri Ahmet Davutoglu, e përdori shumë këtë formulë të “zero probleme” me fqinjët. Kjo bëri që shumë komentatorë ta përdornin këtë formulë për të ilustruar një situatë mjaft të ndryshme: atë të “zero fqinjë pa probleme”. Duhej pranuar se zbatimi i një politike rajonale të ekuilibruar dhe në vetvehte pak të normalizuar nuk është gjë e lehtë kur ke për fqinj shtetet e Kaukazit, Iranin, Sirinë apo dhe Irakun. Kuptohet mirë që secili nga këta fqinjë, për arsye të ndryshme, gjindet përballë proceseve të destabilizimit. Prandaj është shumë e komplikuar për Turqinë të zbatojë një politikë të jashtme rajonale fluide. Dosja më e rëndësishme në rajon aktualisht është në mënyrë të pakundërshtueshme ajo e Sirisë. Është e qartë se në rastin konkret, politika e Turqisë është kryesisht e gabuar. Autoritetet turke kanë kryer një gabim vlerësimi fillestar dhe qysh në vitin 2011, ata kanë përsëritur pa pushim që Bachar al-Assad kishte jetëgjatësi politike të kufizuar dhe ai do të përfundonte duke u dëbuar nga pushteti.

Por pas katër viteve konflikt, presidenca siriane nuk ka ndryshuar dhe grupet më radikale janë forcuar në krahasim me të gjitha grupet e tjera të opozitës. Ky gabim vlerësimi fillestar ka pasoja të tmerrshme për aq bashkëfajësi të heshtur e cila duket se ka ekzistuar midis palëve të aparatit të shtetit, sidomos shërbimeve informative dhe grupeve radikale si përshembull e Frontit al-Nusra. Megjithatë turqit objektivin e tyre kryesor në Siri kanë dëbimin e Bachar al-Assadit nga pushteti. Ata pohojnë se shteti islamik nuk është, sipas tyre, objektivi i parë për të luftuar, duke argumentuar se vdekja e 200 000 civilëve nga fillimi i këtij konflikti i atribuohet regjimit të Bachar al-Assadit. Logjika e tyre është pra krejtësisht e qartë dhe e njëjtë me atë të francezëve dhe britanikëve.

Por ky gabim vlerësimi fillestar shkaktoi vendime të gabuara. Për rrjedhojë, një pjesë e kredibilitetit rajonal të Turqisë, e cila u amplifikua dhe afirmua gjatë viteve 2000, tani është e hapur për pyetje dhe kritika. Krahas kësaj, ka dy shtete të tjera me të cilët Turqia mban marrëdhënie të vështira. I pari është Izraeli, në raport me çështjen palestineze. Dihet sa të ashpra janë autoritetet turke, me të drejtë për politikën e kolonizimit të bërë nga Beniamin Netanjahu.

Vendi i dytë që mban marrëdhënie konfliktuale me Turqinë është Egjipti, meqënëse Erdogani pa pushim e dënon grushtin e shtetit të komplotuar kundër Vëllezërve Myslimanë nga Marshalli Sissi, presidenti aktual egjiptian. Megjithë këtë Turqia përtej vështirësive të saj për të zbatuar një politikë rajonale të normalizuar, është një vend i rëndësishëm në rajon njëkohësisht për vendin e saj, historinë e saj dhe peshën e saj demografike dhe ekonomike. Pavarësisht nga trazirat dhe vështirësitë rajonale, Turqia është një vend qendror dhe i pashmangshëm në çdo implementim për zgjidhjen e krizave dhe mosmarrëveshjeve që ekzistojnë në Lindjen e Mesme.

 

Situata gjeografike e Turqisë, vendi midis dy rajoneve: Evropës dhe Lindjes së Mesme. A ka bërë Turqia një zgjedhje midis të dyjave?

Jo, nuk ka zgjedhje në këto kushte. Unë mendoj se marrëdhëniet ndërkombëtare nuk janë kurrë një lojë e shumës zero. Kjo nuk është për shkak se Turqia ka ambiciet legjitime të jetë më me ndikim në Lindjen e Mesme, që ajo duhet medoemos të tërhiqet vis-à-vis Evropës – dhe e anasjellta.

Turqia është në mënyrë të përkryer në gjëndje dhe mjaftueshmërisht e pjekur për të pasur njëkohësisht një politikë sulmuese në nivel ekonomik dhe diplomatik në Lindjen e Mesme, në të njëjtën kohë të vazhdojë negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian. Gjithësesi është e qartë se entuziasmi turk, që u manifestua para dhjetë vjetëve në tetor të vitit 2005 gjatë hapjes së negociatave për hyrjen në Bashkimin Evropian ka rënë, përderisa edhe vetë evropianët janë në krizë dhe intensiteti i negociatave është ulur në mënyrë të konsiderueshme. Madje mund të themi se qysh prej katër vitesh, ka de factonjë ngrirje të negociatave. Projekti evropian ndofta duke gjithashtu më pak tërheqës, se sa dhjetë vite më parë për Turqinë.

Në këtë kontekst, unë nuk jam nga ata që ato kanë kthyer faqen evropiane. Unë mendoj që Turqia ka gjithmonë nevojë të mbajë marrëdhënie sa më të mira të mundshme, edhe nëse ato nganjëherë janë konfliktuale, me Bashkimin Evropian. Nëse Ankaraja, në mënyrë krejtësisht hipotetike, do të hynte një ditë në klubin evropian, kjo do të përfaqësonte një rritje të fuqisë, njëkohësisht për Bashkimin Evropian dhe për Turqinë. Në mënyrë të pakundërshtueshme, kjo do t’i jepte të dy aktorëve më shumë peshë në rajon. Çështja qëndron në se Bashkimi Evropian dëshiron të ketë një politikë të jashtme të përbashkët, për të cilën mund të dyshojmë. Sipas mendimit tim, BE-ja nuk ka zgjedhje për t’i imponuar Turqisë. Kjo e fundit mundet në mënyrë të përsosur të jetë e pranishme në të dyja tabelat, ka madje një interes të përbashkët të forcohen më mirë marrëdhëniet turko-evropiane për të qenë, sëbashku, më proaktive në Lindjen e Mesme.

Didier Billion

Studjues, Instituti i Marrëdhënieve Ndërkombëtare Strategjike, Francë

Përshtati Bota.al