• |
ide | kryesore

Konflikti / Kishë apo xhami mbi kalanë e Shkodrës?

Arkiva, Stil
objekti-i-kultit-në-kalanë-rozafa-në-shkodër-300x180.gif



Në zanafillën e vet, objekti i kultit në kalanë e Rozafës në Shkodër  thuhet se ka qenë pagan. Megjithatë, metamorfoza e tij në tre etapa historike mbart ndjeshmëri dhe shkakton fërkime mes komuniteteve fetare në Shkodër.

Objekti i rrënuar, i cili ka statusin e Monumentit të Kulturës njihej në fillim si kisha ortodokse e Shën Stefanit. Me ardhjen e venedikasve, u shndërrua në kishë katolike, ndërsa pushtimi osman e tranformoi në xhaminë e sulltan Mehmet Fatihit.
Prej 10 vitesh, çdo 26 dhjetor, famullia e Shën Shtjefnit organizon aty një meshë lutjesh. Komuniteti Mysliman i Shkodrës e quan këtë një provokim.
“Ky objekt ka shërbyer për një periudhë të shkurtër si kishë dhe për dekada si xhami. Prej 10 vitesh, aty bëhet meshë katolike. Ne nuk do ta kishim bërë asnjëherë këtë,” thotë myftiu i Shkodrës, Muhamed Sytari.
Myftiu Sytari thotë për BIRN se për këtë shkak, marrëdhëniet me Kishën Katolike të Shkodrës janë të ftohta dhe kërkon prej saj që të dëshmojë vullnet të mirë në mbylljen e kësaj çështjeje.
 
Në bashkëjetesën mes komuniteteve fetare, qyteti i Shkodrës zë një vend të veçantë. Qyteti njihet si kryeqendra e katoliçizmit në vend, edhe për shkak se gjatë regjimit komunist, shumë klerikë të Shkodrës u përndoqën dhe persekutuan egër.
Përveç komunitetit katolik, në qytet jetojnë gjithashtu një numër i madh myslimanësh dhe një komunitet më i vogël ortodoks. Shkodra është përpjekur të përçojë vazhdimisht mesazhe harmonie dhe bashkëjetese. Në vitin 1997, drejtuesit e tre komuniteteve fetare dolën në rrugët e qytetit duke artikuluar mesazhe paqeje dhe duke dhënë një shembull unikal për kohën.
Megjithatë, rastet e incidenteve me sfond fetar nuk kanë munguar përgjatë viteve të tranzicionit. Në vitin 1998, është vendosur eksploziv në altarin e kishës ortodokse. Në vitin 2001, në qytet u shpërndanë fletushka kundër islamit nga persona anonimë. Në vitet 2006 dhe 2007, disa kryqe të vendosura në kodrat e Zefjanës dhe Plezhës u hodhën në erë me lëndë plasëse.
Këto incidente nuk morën asnjëherë formën e një konflikti fetar, falë ndërhyrjeve në kohë të drejtuesve të komuniteteve fetare. Megjithatë, konflikti për objektin e kultit në kalanë e Rozafës nuk e ka gjetur ende rrugën e zgjidhjes mes myslimanëve dhe katolikëve të Shkodrës.
Në meshën e 26 dhjetorit 2014 në kalanë e Rozafës, famullitari i Kuklit, Dom Nik Ukgjini ka thënë se “pavarësisht përkatësive fetare, kjo kala duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët”.
“Kemi të bëjmë me një kishë, ku njerëzit mblidhen për t’iu lutur Zotit. Kur i lutesh Zotit, duhet të rrezatosh paqe e mirësi, duhet harmonia dhe bashkëpunimi,” ka thënë Dom Nik Ukgjini.
Por ky mesazh është cilësuar i pamjaftueshëm për të treguar vullnet harmonie nga myslimanët.
“Unë gjykoj se ndalimi i katolikëve për të bërë meshë atje do të ishte më i dobishëm,” thotë ai.
Muhamed Sytari ofron si zgjidhje restaurimin e objektit nga shteti dhe tolerancën mes komuniteteve, për të mos gjeneruar konflikte të mëtejshme.
“Unë kam thënë që nëse është problem të shkruhet xhami, atëherë të mbetet në objekt kulti dhe të shënohen mbi të datat kur ka qenë kishë ortodokse, kishë katolike dhe xhami. Ne e kemi një tolerancë të tillë,”thotë Sytari.
Drejtuesit e kishës Katolike të Shkodrës refuzuan të komentojnë këtë kërkesë apo të prononcohen rreth çështjes.
Ndërsa përfaqësuesi i komunitetit ortodoks në Shkodër, At Nikolla Petani jep argumente të tjera për objektin e kultit brenda kalasë së Rozafës. Ai shpjegon se historianët e dinë mirë që në fillim, objekti ka qenë kishë ortodokse.
”Kemi një objekt kulti me histori të ndryshme. Me i nxi gjërat është kollaj, por ne jemi për të shuar mosmarrëveshjet, ndërsa duhet t’ua lëmë historianëve të shprehen për këtë,” thotë At Nikolla Petani.
Ndryshe nga myslimanët, përfaqësuesi i Kishës Ortodokse nuk sheh ndonjë problem që të tre komunitetet fetare të zhvillojnë rituale në këtë vend, e madje të gjithë bashkë.
“Shpjegimet historike t’ua lëmë në dorë historianëve, ndërsa të gjithë ne, myslimanë e të krishterë të shkojmë tek ky objekt e të bëjmë lutje, në harmoni mes nesh,” thotë At Nikolla