• |
ide | kryesore

“Rilindja” e pesimizmit pa kthim

Arkiva, Ide
Andi-Bejtja.jpg



Shqipëria dhe shqiptarët ndodhen në dekadën e dytë të shekullit të 21-të në trajektoren me pjerrësinë më të madhe të pesimizmit që kanë qenë ndonjëherë në historinë e tyre. Dhe pesimizmi i një populli, pavarësisht se bazohet në të vërteta objektive apo subjektive kolektive, është helmi më i rrezikshëm për shëndetin e një shteti dhe të një kombi. Pa hyrë në shkaqet dhe analizën e këtij pesimizmi, të gjithë e prekin dhe e ndiejnë këtë pesimizëm. Pesimizmi duket së pari tek ikjet masive, që në shifra janë gati një e treta më shumë se ikjet e kosovarëve që kanë shumë pak vite shtet, duket tek ulja e konsumit, tek rritja e prostitucionit në të gjitha format, edhe tek ai me lek në dorë edhe tek ai me rrogë, tek vetëvrasjet për shkak të paaftësisë së pagimit të faturave të energjisë elektrike, etj. etj. Çfarëdo mesazhi optimist të mundohet të shpërndajë qeveria aktuale, kemi ardhur në një moment kur asnjë propagandë boshe dhe asnjë palmë e bukur mbjellë buzë rrugës, madje asnjë fitore e kombëtares së futbollit, nuk i kthen më shqiptarët mbrapsht nga rruga e mërgimit. Kur e pyet atë që bashkoi Ilir Metën me Edi Ramën në Lalëz, Leonard Kokën, njeriun akoma më optimist të së majtës, se cili është suksesi më i madh i qeverisë Rama, të përgjigjet pa u menduar gjatë: ulja e numrit të divorceve. Sepse, sipas Narit, beqaret që u dha poste Rama u martuan, kurse të martuarat që morën poste nuk u ndanë.  Shqipëria ka hyrë në fazën e një depresioni të rëndë ekonomik, në të cilin edhe përpjekjet më të sinqerta, madje edhe më racionale  për vendosjen e shtetit ligjor, shkojnë në kah të kundërt të xhepit të çdo shqiptari, të cilët parësore në radhë të parë sot, ndoshta edhe si vite më parë, kanë, shkurt dhe shqip, bukën e gojës. Për të ilustruar këtë, mjafton të kujtojmë që prishja e të ashtuquajturit pallat i Lulëzim Bashës në Vlorë, me leje, (edhe pse shumëkush ishte i bindur që leja mund të ishte dhëne në mënyrë të parregullt) do t’i kushtojë si dëmshpërblim xhepit të shqiptarëve më shumë se 5 milionë dollarë. Dhe për të vendosur drejtësi urbane dhe sociale, çdo qeverie nuk do t’i mjaftonte as buxheti i Kinës dhe i Amerikës, ndaj dhe në këtë aspekt pesimizmi nuk ka si të mos rritet, përderisa çdo aksion i tillë ka vetëm një fat, të përfundojë si aksion selektiv. Pesimizmi, për fat të keq, ka trajektore dhe më të pjerrët se viti 1992, kur shqiptarët shikonin si shpresë, Greqinë apo Italinë dhe Europën në përgjithësi. Për paradoks, po të kishim një termometër të pesimizmit, do të shikonim se pesimizmi është edhe më i madh se në vitin 1997, kur shumica e shqiptarëve humbën kursimet në firmat piramidale dhe kur shteti u shkri i gjithi, bashkë me ushtri dhe polici. Dhe atëherë kishte një shpresë dhe zëra se një ditë do të bëhet, tani thjesht të gjithë e kanë kuptuar se në këtë Europë dhe me këtë paaftësi gati- gati stafetë qeveritare shqiptare, thjesht dhe vetëm do të zvarritemi. Dhe të jesh i ndërgjegjshëm se fati yt është vetëm zvarritja, është më keq sesa të rrëzojnë ose të qëllojnë.
Pse erdhëm në këtë pikë?
Për hir të së vërtetës ky pesimizëm që po përjetojmë sot mund të ketë ngjyrim shqiptar, por është më shumë një lloj gripi europian. Europa ka vite që po e përjeton këtë pesimizëm që erdhi për shkak të “kapitalizmit të pakontrolluar” që nisi në SHBA dhe përfundoi në kontinentin tonë, me deformime më të mëdha se tek vendi i origjinës. Sot, kapitalizmi si sistem ka minuse në shtim, po hë për hë nuk kemi shpikur akoma një sistem më të mirë dhe, për më tepër, duket se kapitalizmi ka një veti: i riparon dëmet më shpejt aty ku ka vatrën e infeksionit, sesa aty ku shpërndahet. Ndaj shuplaka e këtij lloj kapitalizmi u ndie më shumë në kontinentin europian, sesa në atë amerikan. Shumica e vendeve europiane kanë një nivel rekord papunësie dhe numri i grekëve që nisen për në Australi apo i italianëve drejt Amerikës është aq i madh, saqë, jam i sigurt, po të uleshin e t’i lexonin me kujdes, do t’i bënin të lumtur Kryeministrin shqiptar Rama dhe atë të Kosovës Mustafa. E, ndërkohë që në Europë kishte hyrë fort kjo epidemi pesimizmi, për shkak të goditjeve të forta që kishte marrë ekonomia europiane, ne bërtitëm fort: “shpëtuam, ne nuk u prekëm”, “ekonomia jonë është imune ndaj ekonomisë europiane”, duke harruar se në shumë aspekte ekonomia jonë nuk është pjesë e shumë hallkave globale, ndaj, si e mira dhe keqja, të vinë me vonesë. Dikush atëbotë më tha, “off the record”, se qeveria demokratike ishte shumë e kujdesshme që të mos injektonte pesimizmin europian në opinionin publik shqiptar. Por, personalisht mendoj se pavarësisht disa reformave fiskale për t’u lavdëruar dhe një performance shumë më të mirë ekonomike si qeveri sesa kjo aktualja, ishte qeveria e mëparshme, pikërisht për shkak të kësaj rrahjeje gjoksi për të mbjellë optimizëm, që i la trashëgim qeverisë së sotme të kundërtën, një sasi pesimizmi, të cilën kjo qeveri, jo vetëm nuk diti ta menaxhojë, por e 100-fishoi me premtimet groteske dhe me përballimin vizual e prej fasade që u bën problemeve ekonomike.
Qeveria e Rilindjes, me ato premtime që bëri dhe me ato masa ekonomike që ndërmori, ishte modeli më i keq ekonomik që mund t’i vinte Shqipërisë në këtë kohë krize europiane. Për fat të keq, është një qeveri, Kryeministri i së cilës, pasi del në intervistë, nuk pyet si t’u dukën ato që thashë, po si t’u duk dhoma ku fola. Ndaj, nuk është për t’u çuditur që në vizitën në Gjermani, ngjitur me një kamp azilantësh të mbushur dhe me shqiptarë, nuk i bëri syri tërr të hapi një ekspozitë pikture të vetën. Duke dashur t’i lërë qeverisë së shkuar kështjella më të mëdha pesimizmi se ç’ kishte në të vërtetë, dhe duke manipuluar me shifrat, harroi që nesër do të përballej vetë me këtë realitet. Për shembull, foli gjatë fushatës elektorale për 1 milionë të papunë dhe sado të punësojë tani, nuk ua rrit dot optimizmin shqiptarëve. Se tani, për shembull, i kanë mbetur dhe 930 mijë të papunësuar, bazuar në shifrat e INSTAT-it të tij. Tha se njerëzit nuk do të  paguajnë më për ilaçe në spitale, ndaj kuptohet që një i sëmurë që ka bërë të njëjtën gjë dhe katër vjet më parë, behët më shumë pesimist tani se atëherë, pavarësisht se, si tani dhe atëherë, ka bërë të njëjtën gjë. Po pesimizmi që ka mbjell Rilindja nuk është vetëm psikologjik, do kishte qenë mirë të kishte qenë i tillë. Në një kohë specifike krize ekonomike, për të merituar etiketën rilindës, Kryeministri Rama e filloi me aksione për të sfiduar shtrembërimet e territorit që janë bërë në dekada, duke harruar përditshmërinë, duke harruar se Shqipëria sipas OKB-së është vendi ku më shumë se gjysma e popullsisë jetonte dhe jeton me 2 USD në ditë. Qeveria Rama, siç kam thënë dhe në shkrime të tjera, u bë qeveria prish dhe mbyll, qeveria e fadromave, në një vend ku gjysma e popullsisë nuk mbyll dot ditën dhe ku, siç e sheh dhe vetë, vazhdojnë të shiten akoma cigare të hapura dhe të arnohen çorapet e grave. Duke prishur dhe mbyllur, Rilindja që në fillim iu duk shqiptarëve më shumë si një shuplakë, sesa si një dorë që u shtrihet qytetarëve për hapësira të reja bashkëpunimi, fundja fundit për hapësira të reja punësimi. Dhe të gjitha këto prishje dhe mbyllje ndodhën pa gradacion dhe pa tolerancë midis qytetarit dhe shtetit, edhe pse shteti në shumë raste mund të ketë të drejtë juridikisht. Rama, dhe si kryebashkiak dhe si Kryeministër, ka dëshmuar se është një lider që udhëheq më shumë “me sy” se “me tru”. Në këto kohëra, kur syri duhej të ishte mbrapa koke, qeveria Rama bën gabimet më infantile ekonomike, duke e zëvendësuar “trurin” që ka me dy “sy” të tjerë. Ndaj, nuk ka si të shpjegohet ndryshe fakti që shqiptarët nuk morën rrugët e Europës fill pas liberalizimit të vizave, por pikërisht dy vjet më vonë. Në një kohë kur Shqipëria, ashtu sikurse të gjitha vendet e rajonit, për kushtet në të cilat ndodhen, kanë si shpresë, pothuajse të vetme punësimi, thithjen e investimeve të huaja dhe e bënë të gjithë taksën për investimet e huaja 10 për qind, madje Mali i Zi 9 për qind, Rama shkon e bën 15 për qind, jo vetëm duke ngelur maja më e lartë në rajon dhe duke trembur investitorët aktualë dhe ata që kanë ndërmend të vinë, por duke harruar problemet e mëdha që kemi si vend me çështjet e pronësisë. Meqë ra fjala, ku ishin atëbotë kokat ekonomike të Partisë Socialiste apo kokat e Rilindjes? Për hir të së vërtetës, në këtë rast patëm vetëm një rezistencë të hapur të LSI-së, por që në fund mundi të materializohej vetëm tek fasonët. Dhe pastaj vjen gabimi më i trashë, që shkel çdo parim kreditimi: marrja borxh jashtë për të larë një borxh të brendshëm, pa kaluar nëpërmjet investimeve. Po këtu ku janë kokat ekonomike të Partisë Socialiste apo të Rilindjes? Nuk e dinin që ky veprim jo vetëm do të rriste borxhin, por nuk do të kishte asnjë ndikim pozitiv për ekonominë shqiptare, ashtu  sikurse po e tregojnë këta muaj e këto ditë, përkundrazi. Dhe paralelisht me këto reforma, në thelb të dëmshme ekonomike për kushtet dhe kohën nëpër të cilën po kalojnë rajoni dhe Shqipëria, ndërmerr një aksion drastik antihashash, pa krijuar kushte paraprake, pa pasur asnjë parametër të mirë ekonomik dhe, fundja fundit, pa një negocim paraprak kompensimi, qoftë politik, qoftë ekonomik, me këtë Europë, së cilës po ia bënte këtë nder. Ndërmerr një aksion, me të cilin i heq 4 miliardë euro në vit Shqipërisë, një vendi ku, ia vlen të përsëritet, akoma shiten cigare të hapura, pa pasur asnjë infrastrukturë paraprake optimiste dhe pa asnjë negocim paraprak kompensimi europian, ndërkohë kur për pak desh u bë nga katolik mysliman, thjesht dhe vetëm për t’i marrë Erdoganit 300 milionë euro kredi.
Pesimizmi nuk rritet thjesht dhe vetëm nga paaftësia për të menduar ekonomikisht e këtij Kryeministri dhe ekipi qeveritar. Për më shumë, pesimizmi rritet kur, si Rama, ashtu edhe ministrat e tij, pyetjes se ku janë rezultatet e Rilindjes, i përgjigjen: mos i kërkoni këta dy vjet, prisni, do t’i shikoni në fund të mandatit. A ka njeri nga klasa politike që mendon ekonomikisht për këtë vend, apo të gjithë mendojnë vetëm politikisht, estetikisht apo intelektualisht, fjalë kjo e fundit që kam dekada t’ia gjej kuptimin? Kjo është katastrofike.
Unë e di që kjo situatë, ashtu si në Greqi, është gati dhe në Shqipëri për të pjellë “Syriza”, por tashmë po e shikojnë të gjithë, brenda dhe jashtë Greqisë, se përveç euforisë së një rilindjeje të majtë, “Syriza” është më keq se Rama. “Syriza mund të jetë një model frymëzimi fitoreje, por jo një model afatgjatë administrimi. Përkundrazi, klasa e vjetër poltike greke duket shumë më e përgjegjshme se ky filiz që në Shqipëri kanë zënë radhën ta kopjojnë.
Duke pasur një etje për një mendim të tillë, e shikoj se si më kollaj frymëzohem, për shembull, kur dëgjoj lajmin në TV se ministri Panariti ka vajtur në Lushnjë në një aksion kundra minjve të arave, sesa kur lexoj Blushin që u bën letra të hapura socialistëve dhe, aq më keq, kur shoh Taulant Ballën që i kthen përgjigje atij. Jemi në një situatë emergjence kombëtare dhe kjo situatë kërkon një zgjidhje të zgjuar kombëtare, madje me ekspertizë të kualifikuar ndërkombëtare, ndryshe s’më ngelet veçse të lutem që me Shqipërinë të ndodhë ajo që po ndodh me disa vende afrikane, që menaxhimin e shtetit ua lanë kompanive të mëdha private: do zoti ne na merr o Apple, o Samsung!
/lapsi.al/