• |
ide | kryesore

Evropa, kjo kurvë e vjetër*

Arkiva, Ide
2015-05-08-06-04-22-1398395375.jpeg



Letër e hapur drejtuar të Dërguarit Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, me rastin e 9 Majit – Ditës së Europës

I nderuari zotëri Samuel Zhbogar,
Është një rilindas shqiptar që Larousse dhe enciklopeditë tjera e konsideruan “Homeri Shqiptar”. Emri i tij është Gjergj Fishta.
Kohëve të fundit shumë kosovarë e kanë popullarizuar sërish një strofë të tij që thotë: «Uh! Evropë, ti kurva e motit! / Që i re mohit, besës së Zotit! / Po, á ky asht sheji i qytetnisë? (…)». Ky vajtim ripopullarizohet ndër kosovarë sa herë që ata ta ndiejnë veten të nënçmuar, të injoruar, të fyer, të trajtuar diskriminueshëm nga Europa.
Thënë të drejtën, edhe mua, si çdo kosovari tjetër të arsyeshëm, shpeshherë kur jam munduar ta kuptoj sjelljen e BE-së ndaj nesh, më ka ardhur të ulërijë deri përtej ozonit po të njëjtat vargje.
Kësaj radhe mllefi karshi miqve tanë nuk vjen nga ndonjë turmë e dalldisur ideologjike, nuk është dashaligësi qarqesh ksenofobe e as harlisje desiderius – është papërmbajtshëm që mezi presin ta kërcejnë murrin për në tokat e premtuara të luksit. Jo. Mllefi i sotëm është prodhim i luftës së palavdishme të kosovarëve me arrogancën e Brukselit. Kosovarët nuk trajtohen nga BE njëjtë si tjerët përreth; përparimet, përpjekjet e tyre nuk maten me të njëjtën peshore dhe nuk honorohen siç shpërblehen tjerët. Përkundrazi i respektuari Samuel Zhbogar, qasja meskine e BE- së ndaj kosovarëve u le mjaftë hapësirë atyre të dyshojnë në mos i gjithë institucioni – e jo vetëm disa anëtarë e kandidatë të saj –të lëngojë nga disponimi kundër ekzistencës së shtetit të Kosovës.

Pandehje e rëndë kjo, zotëri Zhbogar?

Po e tillë është, por e bazuar në shumë arsye:
Sigurisht ju kujtohen skenat e rikthimit masiv të kosovarëve pas largimit të serbëve. Kundrejt faktit se as që kishin ku ktheheshin ngase jo vetëm shtëpitë, kafshët, punëtoritë, por edhe toka u ishte e djegur, ata me një entuziazëm të paparë marshonin drejt vendit të tyre. Më shumë se sa vetë liria – të cilën, në ato kushte traume as që e konceptonin dot – i mbante në jetë, i motivonte, u jepte shpresë besimi i tyre se Perëndimin kësaj radhe e kishin në anën e tyre. Kjo bindje – se Europa do t’i ketë korrigjuar gabimet e saja historike ndaj tyre – ishte baza e sigurisë që kishin drejt një epoke të re.
Çfarë ndodhi pastaj, zotëri Zhbogar?
U instalua UNMIK–u. Instruktorë nga e gjitha bota erdhën të ndërtojnë institucionet e shtetit të ri. Një pjesë e madhe e emisarëve vinte nga vendet me probleme edhe më të rënda në raport me demokracinë, shtetin dhe ligjësinë sesa ç‘mund t’i kishte vetë Kosova në fillimet e saja. Një pjesë tjetër e tyre nuk kishte lidhje me kulturën dhe rrethanat ku kishin ardhur të ndihmojnë. Nuk ishin të rrallë ata që për interesa të shteteve nga vinin sabotonin ku mundeshin. Vetë UNMIK-u vepronte dhe arsyetonte prezencën e tij mbi dokumente që ende trajtonin vendin se pjesë të Serbisë, gjersa Kosova të ishte shpallur shtet e njohur nga një shumicë vendesh. Për fund, Kosova u shndërrua në një muze projektesh të dështuara dhe zonë ku shtetet eksperimentonin konsistencën e diplomatëve të tyre të karrierës. Institucionet?
Shumëçka u ringrit nga gërmadhat e asaj që kishte mbetur: ligjet, policia, sistemi arsimor, infrastruktura. Sot kur disponojmë me njohuritë rreth asaj faze konstatojmë se rifunksionalizimi i nevojshëm, gjithëpërfshirës dhe progresiv, dështoi pikërisht për shkak të qëndrimit ambivalent të UNMIK-ut ndaj shtetësisë së Kosovës. Politika e pasigurt e UNMIK-ut mundësoi që zona e rajone të Kosovës të futen nën ndikimin e disa warlord-ëve kriminelë shqiptarë e serbë; ajo duke sugjeruar të jetë omnikompetenca e vendimeve absolute politike e jopolitike mbi fatet e Kosovës degjeneroi edhe më shumë vendorët të cilët nuk punonin se besonin të jenë o për dekor, o për të vjedhur kabineteve e zyrave të aparatit qeverisës e burokratik.
UNMIK-u iku, erdhi EULEX. Sidomos në sferën e drejtësisë BE në Kosovë trashëgoi një gjendje katastrofale. Ose më mirë thënë; u ndesh me një shoqëri pa gjyqësi fare. Filluan proceset. U dënuan plot komandantë. U arrestuan një numër i konsiderueshëm njerëzish të fajshëm e të pafajshëm. Pas Hagës, Kosovës viktimë të luftës, për shkak të dështimit të EULEX-it në shumë segmente i bëhet edhe Gjykatë Speciale. Të gjitha i duron Kosova përkundër faktit që imazhi i saj rrjedh gjak gojëve të botës. Mediat denoncojnë me vend e pa vend çdo anomali që konsiderohet të jetë kundërligjore. OJQ-të nuk lënë gjë pa e raportuar që mund të pengonte zhvillimin e demokracisë, shtetit dhe ekonomisë. Shoqëria kosovare gjendet në luftë të egër me korrupsionin si në asnjë vend tjetër përreth dhe përveç ca telefonatave kërcënuese nuk preket asnjë gazetar, aktivist apo grup i shoqërisë civile.
Prapëseprapë dhe përkundër gatishmërisë së qeverisë dhe shoqërisë në koncensione, dialog, kompromise, tolerancë janë kosovarët ata që nuk u jepet liberalizimi i vizave, janë kosovarët ata me të cilët nuk nënshkruhet MSA-ja. Pse kjo zotëri Zhbogar?

Pse edhe BE si UNMIK dëshiron të vejë drejtësi në një vend që natën e njeh, por ditën bëhet sikur nuk e sheh? Që të mos acarohet Serbia? Po edhe sa shekuj duhet të presin shqiptarët derisa të emancipohen serbët duke braktisur ultranacionalizmin e tyre? Keni krahasuar ndonjëherë diskursin e brendshëm në mediat shqiptare me atë serb? Po retorika e politikanëve kosovarë a i përngjanë atyre të Nikoliqit dhe Vuçiqit? Jo. Dhe kjo nuk është farsë. Sepse vitet e fundit, përkundër anomalive të shumta, në Kosovë kanë ndryshuar shumë gjëra që në vendet përreth nuk pritet të ndodhin edhe gjatë kohë. Në Maqedoni që nga dogana e deri në kabinetin e kryeministrit është gjithçka e korruptuar, privatizuar. Incidentet ndëretnike janë përditshmëri, manipulimi i votave ritual normal, mafia ekonomike ndanë selinë me kryeministrinë. Thyesi maratonik i gjitha embargove gjatë luftës dhe marrëveshjeve të sotme në parandalimin e tregtisë së zezë Mali i Zi i përngjanë në principate vëllezërish që kanë pushtuar çdo sferë të shtetit për përfitime private. Për tjerat pak më tej as që duhet të flasim, i keni në BE, brenda dhe ua dini hallet më mirë.
Pse zotëri Zhbogar atëherë Serbisë, Maqedonisë dhe të tjerëve iu liberalizohen vizat e kosovarëve jo, kur pothuajse në shumë aspekte jemi shumë para fqinjëve tanë? Keni frikë se 1.8 milionë banorët e Kosovës do t’ia mësyjnë BE-së? Apo ky është qëllimi i Brukselit? Sigurisht jo, por efekti është i tillë ngase mosliberalizimi i vizave, vonesa e MSA-së, qëndrimi ambivalent i BE-së dhe gjitha refuzimet tjera e zhgënjejnë dhe e depresionojnë studentin, të riun, qytetarin kosovar, të cilit nuk i mbetet gjë të tjetër veçse të ikë nga vendi, nga vetja.

I nderuari zotëri Zhbogar,

Njëra ndër simbolikat më të fuqishme dhe më kuptimplote të qasjes së BE’-së ndaj Kosovës është Pallati i Drejtësisë, i inauguruar në muajin mars në periferi të Prishtinës.

I ndërtuar në një lokacion të papërshtatshëm, objekti që kushtoi 30 milionë euro shpejt u bë i famshëm për defektet elementare teknike, gabimet e mëdha që e pengojnë punën normale, e deri te rrezikimi i jetës së punëtorëve nga disa aksidente.

Nuk besoj se ka simbol më identifikues për qasjen neglizhente të BE-së ndaj Kosovës sesa ndërtesa e Pallatit të Drejtësisë.

BE duhet ta ndërrojë qasjen ndaj Kosovës. Ne nuk kërkojmë privilegje, por trajtim të barabartë me të tjerët. Përndryshe i gjithë ky entuziazëm i shqiptarëve për Europë nuk ka asnjë kuptim.

E dini zotëri Zhbogar çka më përkujton kjo ndihma e Europës ndaj shqiptarëve? Ma sjell parasysh atë rrëfimin e Shekspirit rreth Antonios dhe Shylok-ut tek “Tregtari i Venedikut”. Tregtari Shylok i ndihmon Antonios me para me kusht që në rast moskthimi t’ia presë një copë të madhe mishi nga trupi. Kur Antonios i dështojnë bizneset dhe nuk ka se si ia kthen borxhin, Shyloku i çshpirtëruar i drejtohet me një thikë të madhe dhe do t’ia presë një copë nga fytyra. Në momentin e fundit mbërrin avokati i zgjuar Balthasar dhe … përfundimin e stories sigurisht se e dini edhe vetë.

Zotëri Zhbogar, a jeni i sigurt se e dini për çfarë flisni kur flisni për Kosovën në Bruksel?
Unë gjithnjë e më shumë frikohem se ju nuk e merrni dot me mend se çfarë ndikimi ka inercia juaj poshtëruese për popullin kosovar, i cili lëvizte i lirë në diktaturë, por tash po mbahet i ndryrë në demokraci.
Dhe për fund: unë nuk e di ku do të gjendet një Balthasar për të mos e lejuar rikthimin e inatosur të historisë sonë.

Por, as ju nuk e dini këtë.

*Titulli origjinal: “Udha e humbur Evropiane”