• |
ide | kryesore

Eshtrat e Isa Boletinit në duart e Edi Ramës

Arkiva, Ide
mandi edit.jpg



Pamundësia apo mungesa e guximit të qeverisë së Kosovës për të rivarrosur eshtrat e Isa Boletinit në vendlindjen e tij, në Mitrovicë, është shfrytëzuar nga Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për të organizuar një show patriotik në zemër të fushatës elektorale.
“Pasi i rregulloi të gjitha punët me të gjallët, tani po mendon të sistemojë edhe të vdekurit”, ishte mendimi i parë ironik që të kalonte ndërmend, ndërsa shihje live inskenimin teatral përpara godinës së Kryeministrisë në Tiranë. Me pamje solemne, me familjarët e Boletinit pas shpine, Hashim Thaçin në krahun e majtë dhe Pandeli Majkon, që me prezencën e tij palidhje dhe me vështrimin prej vizionari e shtonte dozën e teatralitetit, kryeministri Edi Rama përpara kamerave shpalli vendimin: “Eshtrat e Isa Boletinit, pas 17 vjetësh të mbetura në një thes, do të prehen në Kaninë të Vlorës, pranë Ismail Qemalit”.
I plotfuqishëm në këtë botën tonë, kryeministri po sistemon tashmë edhe botën tjetër. Ai ka vendosur t’i bëjë bashkë pas 100 vjetësh Isën dhe Ismail beun, duke dashur të tregojë se po realizon një porosi të madhe, një amanet kombëtar, se po rishkruan historinë…Në fakt, në vend të historisë, Edi Rama po rishkruan një variacion mbi skenarin e filmit “Nëntori i Dytë”. Duke e besuar historinë ashtu siç e ka parë në filmat tematikë të socrealizmit, Rama po e çon atë më tej, jo duke vënë në rol Reshat Arbanën, por një thes me eshtra që pret që nga viti 1998 të ketë një varr.
“Data e përcaktuar për të kryer gjithë ritualin kombëtar për të përcjellë eshtrat e heroit tonë është data 10 qershor. Rrugëtimi do të kryhet nëpërmjet gjithë trojeve të Kosovës dhe Shqipërisë, deri kur gjithë ceremonia të përmbyllet në Sheshin Pavarësia dhe Isa Boletini të prehet pranë vëllait, mikut dhe bashkëluftëtarit të tij, Ismail Qemalit”, tha Rama duke lexuar kështu variantin e tij të “Nëntorit të Dytë”. Sepse pa dyshim që, ndërsa flet për Isën dhe Ismail beun, kryeministri shqiptar ka në mendje Reshat Arbanën e Sandër Prosin që përqafohen në Vlorë dhe recitojnë një dialog patriotik. Nuk ka asnjë dëshmi historike që të vërtetojë atë që thotë Rama se ata ishin vëllezër dhe duheshin aq shumë, sa tani më në fund, ai po ua jep mundësinë që edhe të prehen së bashku.
Isa Boletini ishte një nga prijësit e rëndësishëm shqiptarë që luftuan për pavarësi dhe u mblodhën në Vlorë për ta shpallur atë, por ai nuk kishte ndonjë raport special me Ismail bej Vlorën. Figura e Boletinit në ngjarjen historike të shpalljes së Pavarësisë mori një ngarkesë të veçantë për shkak të udhëtimit të tij të vështirë përmes trupave serbe që mbërritën deri në Durrës dhe masakrave që ato kryen duke vrarë, prerë e djegur shtëpitë e shqiptarëve në Kosovë e duke i detyruar ata të largohen. Pjesëmarrja e Isa Boletinit në shpalljen e pavarësisë ishte shenjë e rëndësishme e rezistencës dhe e përpjekjes për të mbrojtur trojet shqiptare nga copëtimi. Dhe si e tillë, kuptimin më të fortë simbolik do ta kishte po të rivarrosej në fshatin e lindjes, në Boletin, në veri të Mitrovicës, aty ku ende dhe sot historia duket sikur ka ngrirë.
Por pse u sajua ceremonia e Vlorës më 10 qershor? Çfarë ndodhi që u anulua një vendim i qeverisë së Kosovës në tetor 2014 për t’i varrosur eshtrat e Isës në fshatin e tij ku ishte bërë gjithçka gati? Nga doli kjo historia e “dy vëllezërve”, që më në fund do preheshin në paqe bashkë, kur nuk dihet nëse ata kanë qenë në paqe sa ishin gjallë? Historia është më e thjeshtë se miti i bashkimit kombëtar nëpërmjet bashkimit të varreve.
Në vitin 1998 një masë eshtrash, nga analiza e të cilave disa vjet më vonë rezultoi se disa prej tyre i përkisnin Isa Boletinit, u tërhoqën nga Mali i Zi (nga Pobrezhje afër Podgoricës, ku thuhej se ishin varrosur më 1916 kur u vra Isë Boletini) dhe u sollën në Mitrovicë nga familjarët. Aty u mbajtën për 14 vjet në një vend sekret deri në 2011, kur mulla Osman Murati ia dorëzoi kryetarit të atëhershëm të Komunës, Avni Kastrati. Me daljen në dritë të eshtrave, nisi dhe odiseja e rivarrimit të tyre. E cila po vazhdon ende. Diskutimet e shumta u duk se përfunduan me vendimin që ato të rivarroseshin në Boletin në një ceremoni zyrtare më 28 nëntor 2014, sipas kërkesës së familjarëve. Ndërkohë eshtrat e pakallura, të mbledhura në një thes, u kthyen në objekt pelegrinazhi, ku nuk munguan edhe selfiet e shpërndara në rrjete sociale. Por ceremonia e nëntorit nuk ishte aq e lehtë. Duke qenë se Boletini gjendet në veri të Mitrovicës, aty ku autoriteti i shtetit të Kosovës nuk ushtrohet i plotë, një ceremoni nderimi me pjesëmarren e trupave të FSK, ashtu siç e kërkonin dhe familjarët, do të konsiderohej si provokim nga serbët e ndërkombëtarët. Qeveria e Kosovës u tërhoq. Ajo negocioi me familjarët për ta bërë të njëjtën ceremoni në Prizren, por ata nuk pranuan pasi vendi nuk kishte lidhje me Isë Boletinin. Atëherë dikujt i ra ndërmend Vlora dhe një rast i tillë nuk mund t’i shpëtonte Edi Ramës. Ai ka marrë menjëherë situatën në dorë, ka inskenuar udhëtimin e famshëm nga Mitrovica në Vlorë, i ka bërë vëllezër Isën dhe Ismail beun, ka vizatuar në mendje trupat e Gardës Kombëtare, himnin, flamurin, gjithçka…Një rast i përsosur për populizëm patriotik në mes të fushatës elektorale. Dhe një mundësi për t’u rishfaqur si baba i kombit që po i kryen amanetet e mëdha.
Dhe kështu, pa ndjerë aspak përgjegjësinë e historisë por vetëm nevojën e momentit, kryeministri shqiptar u bë regjisor i një tjetër “Nëntori të Dytë” që e ndërton mitin pa i përfillur të vërtetat. Të marrësh përsipër një ceremoni kombëtare, siç e quan kryeministri, të inskenosh udhëtimin e eshtrave mbi një kalë ashtu si udhëtimin e Isë Boletinit 100 vjet më parë, të kalosh shtatë male e shtatë fusha, të bësh bashkë dy figura historike që kanë peshuar rëndë secili në vend të vet, është një tentativë naive për ta shfrytëzuar politikisht historinë dhe për t’u bërë pjesë e saj jo me akte, por me gjeste. Dhe mund të ishte edhe e rrezikshme, po t’u referohemi shpërthimeve nacionaliste që kanë provokuar mitet e eshtrave që janë endur nëpër Ballkan. Por këtë herë nuk kemi një mit që ndërtohet mbi eshtra, por eshtra për të cilat kërkohet të ngrihet një mit. Një mit i sajuar, pa lidhje, konjuktural dhe naiv që, duke bërë bashkë varret e dy figurave historike, mëton të japë mesazhin e madh të bashkimit kombëtar. Në fakt ky nuk është ndonjë mesazh i madh, por halli i qeverisë së Kosovës që Edi Rama do ta kthejë në show patriotik.
/mapo/