• |
ide | kryesore

Rënia e Ramadit përplas SHBA me Irakun

Arkiva, Planet
ramad.jpg



Kryeministri i Irakut, Haider al-Abadi, është zotuar se qyteti i Ramadit do të mund të merret “brenda ditësh” nga militantët e Shtetit Islamik (IS). Por, ai i ka thënë BBC-së se duhet më shumë mbështetje nga partnerët e koalicionit ndërkombëtar. Forcat irakiane kanë pësuar disa humbje nga Shteti Islamik gjatë vitit të kaluar dhe janë zmbrapsur nga një forcë e vogël militante në Ramadi javën e kaluar. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Ashton Carter, ka thënë se ky shpartallim tregon se trupat irakiane nuk kanë pasur vullnet të luftojnë.

“Ajo që duket se ka ndodhur (në Ramadi) është se forcat irakiane nuk kanë treguar vullnet për të luftuar. Ato nuk kanë qenë të pakta në numër dhe kanë dështuar të luftojnë, janë tërhequr nga vendi. Kjo do të thotë për mua dhe mendoj për shumicën prej nesh se ne kemi problem me vullnetin e irakianëve për të luftuar Shtetin Islamik dhe për të mbrojtur veten. Ne mund t’iu japim atyre trajnime, pajisje, por natyrisht nuk mund t’iu japim vullnetin për të luftuar”, ka thënë Carter për rrjetin televiziv CNN.

Kryeministri irakian ka thënë se është i befasuar me komentet e sekretarit amerikan të Mbrojtjes.

“Carter ka qenë mbështetës i madh i Irakut dhe jam i sigurt se ai është ushqyer me informacione të gabuara”, ka thënë Abadi.

“Forcat tona kanë vullnet për të luftuar, por kur ato përballen me sulme të Shtetit Islamik, me kamionë të mbushur me eksplozivë, efekti i tyre është si i një bombe të vogël bërthamore. Kjo shkakton efekt shumë të keq te forcat tona”, ka shtuar Abadi. Qeveria irakiane ka shpërndarë milici shiite në zonë, në përpjekje për të ndaluar avancimin e militantëve të Shtetit Islamik, dhe Abadi ka thënë se është i bindur se Ramadi do të mund të rikthehet. Të shtunën, milicitë kanë rimarrë qytetin Husaiba, në lindje të Ramadit, dhe luftimet e ashpra në zonë kanë vazhduar edhe të dielën. Por, Abadi ka thënë se Iraku ka nevojë për më shumë mbështetje ndërkombëtare, pasi shumë luftëtarë të Shtetit Islamik janë duke kaluar nga Siria në Irak, me taktika të reja të luftës. Shtetet e Bashkuara kanë investuar në trajnimin dhe armatosjen e forcave irakiane prejse kanë tërhequr trupat luftarake nga ky vend, në fund të vitit 2011. Rënia e Ramadit, kryeqytet i provincës Anbar, i cili ndodhet vetëm 110 kilometra në perëndim të Bagdadit, është parë si poshtërim i madh për qeverinë. Mijëra civilë kanë ikur nga zona. Provinca Anbar përmban rrugët kryesore që lidhin Irakun me Sirinë dhe Jordaninë. Ndërkohë, lideri i Hezbollahut, lëizje shiite në Liban, ka thënë se bota po përballet me një rrezik të paparë nga Shteti Islamik dhe grupet e tjera sunite që luftojnë në Siri. Hassan Nasrallah ka pranuar për herë të parë se Hezbollahu po lufton në gjithë Sirinë, në mbështetje të presidentit Bashar al-Assad. Disa vëzhgues thonë se Shteti Islamik kontrollon 50% të territorit të Sirisë dhe një të tretën e Irakut.