• |
ide | kryesore

Nacionalizmi aguridh i Edi Ramës

Arkiva, Ide
kac islami.jpg



Politika e jashtme, me inspirim “osman” për “zero-probleme” me fqinjët, e kopjuar për të treguar se "do të ndjek modelin qeverisës të vllaut” dhe e prezantuar me narcizëm naiv e anadollak nga kompleksi i inferioritetit, u shemb brënda dhjetë ditëve të  majit 2015, duke u kthyer në marrëdhënie sherresh me të gjithë e zhgënjim e shqetësim për partnerët strategjikë. Fizikisht i “siguruar” në bunkerin e Surrelit, ai ndodhej tanimë atje ku pritej prej kohësh, në "strofkën e fundit të maskarenjve", në strofkën e nacionalizmit ekstrem radikal e të rrezikshem, duke kontribuar si asnjëherë tjetër më parë në këto 25 vjet me kaq intensitet e negativitet në përkeqësimin e marrëdhënieve me fqinjët e rajonin. Dhe të gjithë këtë do t'ua shiste shqiptarëve të pashpresë që po linin vendin si patriotizëm i pashëmbullt e i paparë ndojëherë tjetër më parë. 
Kjo që ndodhi s’ishte as e çuditshme dhe as e papritur, kjo lloj sjelljeje karakteriale kishte ndodhur me armët kimike në Tiranë pasi partneti strategjik ishte siguruar ndryshe në Uashington, kishte ndodhur me rastin e shfaqjes teatrale me Vuçiç në Beograd pasi ishte siguruar ndryshe partneri tjetër strategjik në Berlin. E njëjta sjellje me partnerin e ri strategjik turk që pasi doli nga takimi la të kuptohej se kishte marrë garanci për gjithçka kishte kërkuar dhe vetëm dy ditë më pas do të dëgjonte qëndrim ndryshe nga ai i premtuar. Njëlloj me Maqedoninë. Po ashtu me Greqinë. Dhe për të gjitha këto aspak transparencë. Por vetëm mani e madhështisë nga kompleksi i inferioritetit, provokime nga frika e humbjes për shkak të dështimeve. Pasojat s’ka si të jenë ndryshe: shuplakë e fortë për provokatorin dhe zhgënjim për rolin e Shqipërisë…
 
1. Arsyeja është e thjeshtë: Maxhoranca e kriminalizuar ka dështura në qeverisje
Kjo maxhorancë, e cilësuar e interesave të korrupsionit, oligarkisë dhe krimit nga shqiptarët, e për të cilën parlamenti europian ka kërkuar që kuvendi të ndërmarrë procesin e “dekriminalizimit”, jo vetëm po keqqeveris, por ajo nuk përfaqëson as interesat e socialistëve të zhgjënjyer dhe as të shumicës së qytetarëve që për shkak se u ka humbur shpresa po largohen masivisht nga vendi. Legjitimiteti i kësaj maxhorance oligarkike është i dëmtuar rëndë për të mos thënë që ai s’ekziston. Për këtë arsye, drejtuesi i saj ka vendosur të kryejë një fushatë elektorale negative për zgjedhjet vendore të 21 qershorit bazuar në 3 shtylla: kërcënim i votuesve që të mos votojnë kandidatët e opozitës ose të mos marrin pjesë në zgjedhje me tezën e “bllokimit” të fondeve nëse fitojnë kandidatët opozitarë (tezë antikushtetuese, e dënueshme penalisht dhe ideologjikisht e ngjashme me tezën bolshevike “të gjithë pushtetin sovjetëve”); ofendime, sharje dhe shpifje ndaj kandidatëve opozitarë; dhe shpalosje e kartës nacionaliste duke krijuar marrëdhënie të tensionuara me të gjithë fiqnjët dhe zhgënjyer partnerët ndërkombëtarë. Asnjë element pozitiv nuk ka në fushatën e drejtuesit të maxhorancës, as përsa i përket mbajtjes së premtimeve dhe as përsa i përket programit për menaxhimin e bashkive.
 
2. Qëndrimet nacionaliste për të zhvendosur vëmendjen e shqiptarëve e provokuar fqinjët
Përmes kartës nacionaliste synohet largimi i vëmendjes së shqiptarëve nga hallet, shqetësimet dhe problemet e tyre për të cilat qeveria s’ka asnjë përgjigje dhe pamundësisë për t'i mashtruar për herë të dytë; arratisje nga zgjidhja e problemeve me fqinjët ose shmangia nga premtimet e dhëna atyre naivisht. Natyrisht kjo qasje e pazakontë për një vend demokratik shpjegohet edhe me arrogancën, sjelljet autoritare tipike për drejtuesin e një maxhorance “oligarkike e të kriminalizuar” apo komplekset e tij të inferioritetit që shpesh përkthehen në mani të madhështisë.
 
3. Nga politika e zero- problemeve në politikën e sherreve me fqinjët
 
Qëndrimet, sjelljet apo provokimet që kanë çuar në  tensionim/ zhgënjim të marrëdhënieve me vendet fqinje mund të cilësohen pa asnjë mëdyshje: tipike mediokre, të pamatura, të çoroditura dhe të rrezikshme, cinike e perverse. Nga politika e zero- problemeve me fqinjët, një qëndrim narcist, për të përfunduar në politikën e sherreve me fqinjët. Të gjitha këto kanë krijuar shqetësim e zhgënjim jo vetem në kryeqytetet e vëndeve fqinjë por edhe në kryeqytetet e partnerëve strategjikë, deri reagime agresive të padobishme e dëmtuese për imazhin e rolin konstruktiv të Shqipërisë në rajon për të cilin ajo është vlerësuar dhe shperblyer prej 25 vjetësh. Ndoshta tërheqja e vëmëndjes apo shqetësimi i tyre është edhe një nga qëllimet narciste por që rezulton me pasoja shumë të rënda për vendin dhe perspektivën e tij.
 
4. Bashkimi kombëtar brenda ose jashtë BE, tezë aguridhe
Së pari teza për bashkim kombëtar brenda ose jashtë BE është një tezë nacionaliste e denjë për një drejtues aguridh dhe populist naiv. Një tezë që as ai vetë s’e beson. Për më tepër ajo është një tezë kundraproduktive që frenon/ dëmton procesin e njohjes së Kosovës dhe ul shpejtësinë e integrimit të saj në NATO e BE duke krijuar pengesa të reja edhe për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Gjithashtu, nëse kjo tezë është hedhur për të kërcënuar kundërshtarët e pavarësimit të Kosovës apo sfiduar kritikët e maxhorancës së kriminalizuar, mund të thuhet pa hezitim se kjo qasje narciste do të konsiderohej sa mediokre aq edhe naïve, sidomos ndaj partnerëve strategjikë. Dhe së fundmi, ajo mund të konsiderohet e turpshme dhe ordinere, përderisa formuluesi i saj përpiqet ta paraqesë konfidencialisht në qarqe të ngushta si një tezë të konsultuar me partenerët strategjikë! Dhe akoma më e turpshme është se ndërkohë që tërhiqet nga bashkimi kombëtar jashtë BE me justifikimin qesharak se u kemi dhënë fjalën partnerëve ndërkombëtarë, vazhdon të insistojë me kokëfortësi në “budallallëkun” e bashkimit kombëtar brenda BE” që ndoshta edhe s’e kupton.
 
5. Politikë e mësallës me dy faqe me Turqinë
Së dyti, qëndrim me dy faqe e përfundimisht zhgënjyes, i ngjashëm me atë të armëve kimike me SHBA, është aplikuar në takimin me Presidentin e Turqisë. Gjithçka që është biseduar në takimin me partnerin strategjik s’është bërë transparente për publikun, veçanërisht kërkesa për “çështjen Gylen” për të cilën është lënë të kuptohet se është marrë garanci. Trajtimi i kësaj çështjeje po ashtu si ajo e ndërtimit të Parlamentit shqiptar me fonde nga Turqia përbëjnë qëndrime pa vizion e të padenja, sjellje amatore e infantile, kompleks inferioriteti. Sjellje që kanë zhgënjyer partnerin strategjik dhe çuar për rrjedhojë në humbje të besimit dhe dëmtimin e marrëdhënieve me një vend mik. 
 
6. Gafë e rëndë që rrezikon sovranitetin e integritetin e Maqedonisë
Së treti, qëndrimi për veton e Shqipërisë ndaj "anëtarësimit të Maqedonisë në Nato me kushtin e respektimit të marrëveshjes së Ohrit", ndonëse dikujt do t'i tingëllonte si dorë e fortë e një nacionalisti/ narcisti primitiv që punon për të mirën e shqiptarëve të Maqedonisë, përbën një sjellje të pamatur, amatoreske e të rrezikshme për fatet e Maqedonisë, sovranitetin e integritetin e saj me pasoja për rajonin. Një tezë e marrosur që do të vendoste Maqedoninë në të njëjtat pozita si dikur Ukraina apo Gjeorgjia, të cilave u është cënuar sovraniteti e integriteti territorial edhe nga pamundësia për të qënë anëtare të NATO. Po ashtu kjo do të ishte një tezë shumë e rrezikshme provokuese nëse ajo ka synuar të frikësojë partnerët strategjikë me rolin apo veprimet e faktorit shqiptar në Maqedoni në rast të mos zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit.
 
7. Nga zero probleme me Greqinë, në marrëdhënie të tensionuara
Së katërti, mungesa e një vizioni e angazhimi serioz apo vonesat e pajustifikuara për zgjidhjen në kohë e me dinjitet, sipas normave ndërkombëtare të çështjes së kufirit me Greqinë, partnerin strategjik fqinj, anëtar të NATO e BE si dhe qëndrimet amatoreske e të çoroditura, kanë tensionuar në mënyrë marrëdhëniet dypalëshe dhe kanë ulur nivelin e shkëmbimeve me partnerin fqinj strategjik. Ndërkohë që gjatë të gjithë kohës janë mburrur me narcizizëm për zero probleme me fqinjin jugor, ku jeton një numër i konsiderueshëm shqiptaresh, me një komples të thellë inferioriteti s’kanë guximin të veprojnë për gjetjen e zgjidhjes.
 
8. Në vend të një perfundimi
Ndërkohë që premtimet e pambajtuara të 2013 dhe mungesa e rezultateve në periudhën 2013- 2015 po shoqërohen në fushatën elektorale të 2015 me kërcënime ndaj qytetarëve dhe ofendime e sharje ndaj kandidatëve opozitarë, politika e jashtme konstruktive e Shqipërisë në rajon ia ka lënë vendin tezave të rrezikshme nacionaliste që kanë çuar nga zero probleme me fqinjët në sherre me të gjithë dhe tensionim të marrëdhënieve dypalëshe duke shkaktuar shqetësime e zhgënjim të partnerët strategjikë. Një zhvillim i paprecedent në një rrugë të gabuar apo arratisje në drejtim të paditur.