• |
ide | kryesore

Liri për të votuar të njëjtën kastë?

Arkiva, Ide
ardian-vehbiu.gif



Në çdo vend të botës me demokraci të konsoliduar, një deklaratë si ajo e Presidentit Nishani do të kishte shkaktuar debate të pafund, nga shumë sektorë të jetës sociale. Në Shqipëri pati ndonjë reagim, por jo siç mund të pritej.

Deklarata e Presidentit shqiptar, Bujari Nishani, për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015, ishte përnjëmend shpërthyese, sepse fliste për konceptin e votës në demokraci, por njëkohësisht përmendte fare hapur edhe patologjitë shqiptare.

Në fillim Presidenti shqiptar u kujtoi qytetarëve se “votimi përbën një akt sublim” dhe se “vota është mjeti më i efektshëm, instrumenti më i fuqishëm në dorën e qytetarëve” për të ndërtuar të ardhmen. Më pas nënvizoi idenë e barazisë e të bashkësisë mbi të cilën bazohet vota, duke shtuar se e drejta e votës, që shqiptarët arritën me aq mund e sakrifica, është një liri e paçmuar, që duhet të dimë ta përdorim.

Më tutje, duke kaluar qartazi tek problemi i votës shqiptare, Presidenti Nishani bëri një thirrje të hapur:

Mos e shisni votën! Vota nuk ka çmim. Shitja e votës është turpi dhe tmerri më i papërfytyrueshëm që na njollos të gjithëve njëlloj. Kandidati që jua blen votën, nuk ju respekton, vetëm ju gënjen, vetëm ju përbuz, vetëm ju urren. Fenomeni i shëmtuar dhe i padenjë i shitblerjes së votës ka ndodhur në disa nga zgjedhjet e kaluara. […] Denoncojini përpjekjet për blerjen e votës! Mos u bëni viktima të kësaj dukurie katastrofike, të këtij gabimi fatal, pasojat shkatërrimtare të të cilit vuhen gjatë. […] Mos lejoni, mos rrezikoni, që dita e zgjedhjeve të bëhet ditë pazari votash! Le të jetë dita e votimit siç i ka hije një vendi ku demokracia funksionon: një ditë feste.

Pikat kryesore që Kreu i lartë i shtetit preku në deklaratën e tij janë vota, liria e votës dhe shitblerja e votës në Shqipëri. Tema madhore, që nuk mund të shterohen as me një shkrim, as me disa vëllime.

Reagimi që pati Mero Baze, nëpërmjet editorialit në gazetën “Tema“, mund të rreshtohet në planin e ngushtë politik, sepse këtë lloj leximi i bëri deklaratës presidenciale. Baze, mesazhin e Nishanit e konsideroi “të politizuar e regresiv”, sepse nuk pranon “alternativa të tjera të reagimit të shoqërisë në zgjedhje, siç është abstenimi, votimi i bardhë apo vota për kandidat të pavarur”. Ai dalloi në deklaratën presidenciale tri qëndrime të politizuara: thirrje për të ndëshkuar pushtetin, goditje ndaj refuzimit të sistemit nëpërmjet votës, ndihmë ndaj opozitës. Në thelb, interpretimi i Mero Bazes duket reduktiv, konjuktural e jashtë këndvështrimit që duam të adoptojmë këtu.

Në të vërtetë, problemi i shitblerjes së votës është shumë më kompleks e mund të lexohet nga disa pikëpamje. Së pari, duhet të themi se shitblerja e votës si çështje shkon përtej zgjedhjeve lokale, ndaj nuk duhet ta lidhim vetëm me kontekstin e afërm. Problemi ka të bëjë me konceptin e votës së lirë në demokracinë shqiptare, që prek themelet e kulturës politike të vendit.

Presidenti nuk foli vetëm për një problem themeltar të demokracisë, votën e lirë, por edhe për një vepër penale të parashikuar nga Kodi i Penal, i cili e ka kodifikuar qartë me nenin e mëposhtëm:

Neni 328

Dhënia e shpërblimeve dhe e premtimeve (Ndryshuar me ligjin nr. 23/2012)

Ofrimi ose dhënia e të hollave apo të mirave materiale, bërja e premtimeve për vende pune ose për favorizime të tjera në cilëndo formë, me qëllim që të marrë firmën për paraqitjen e kandidatit, për të votuar në një mënyrë të caktuar apo për të marrë pjesë ose jo në votime, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në dy vjet. Pranimi i të hollave, të mirave materiale, premtimeve dhe favorizimeve të tjera kundrejt kryerjes së veprimeve të mësipërme, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë.

Juridikisht kemi të bëjmë me një denoncim të rëndë. Presidenti mund t’u shtonte shqiptarëve se shitblerja e votës konsiderohet kundërvajtje penale dhe dënohet me burg e gjobë. Megjithatë, kjo nuk do t’i ndryshonte shumë gjërat, përderisa nuk kemi dëgjuar për procese kundër atyre që ofrojnë e marrin parà për votën. Por nuk duhet të harrojmë se çdo akt shitblerjeje, me diferencat e përgjegjësitë e duhura, ka dy subjekte që veprojnë mes tyre.

Por ajo që bën më shumë përshtypje është përsëritja në deklaratë e konceptit të “lirisë së votës”. Për hir të saktësisë, liria e votës ndryshon nga e drejta e votës, sepse mund ta kesh të drejtën, por në praktikë e ke të vështirë ta ushtrosh atë, ose nuk i ke kushtet e duhura për ta ushtruar lirisht. Natyrisht, edhe pse vajtja tek kutia e votimit përbën detyrë qytetare, askush nuk mund të detyrohet me zor që të votojë, pra është e drejta e gjithkujt të mos marrë pjesë në votim, ose të votojë skedë të bardhë, ose të shkarravisë mbi votë. Por mjafton të njohë kuptimin e pasojat e aktit të votimit.

E këtu hyn medoemos koncepti i lirisë së votës, që do të thotë në thelb të jesh i lirë të zgjedhësh. Për këtë mund të shkruhet pafund, por me lirinë e votës duhet të kuptojmë së pari se duhet të jesh në gjendje të zgjedhësh. E kaluara jonë na mëson se zgjedhja varet edhe nga oferta. Kur kandidatura është e vetme nuk mund të flasësh për zgjedhje, por edhe kur kandidaturat prezantohen si me letër kopjative, ose si shprehje e një kaste, nuk është se kemi të bëjmë me zgjedhje në kushte ideale, sepse nuk mund të zgjedhësh mes binjakësh.

Shkrimtari italian Roberto Saviano, i dashur për publikun shqiptar, shënonte vite më parë se dëshpërimi në jug të Italisë arrin deri atje sa njerëzit ta shesin badihava votën e vet, për gati 50 euro. Në të njëjtin shkrim Saviano e lidhte këtë mynxyrë me përçmimin e politikës nga ana e qytetarëve dhe me perceptimin e saj si vijim i aferave private në sferën publike. Me fjalë të tjera, vota shitet edhe kur politika e humb vlerën dhe prestigjin e saj, kur shihet si menaxhim pushteti për fitime personale dhe jo si mjet për të krijuar e realizuar projekte në të mirë të bashkësisë. Detyrimisht të vjen ndër mend edhe realiteti shqiptar.

Por liria e votës është koncept edhe më i gjerë, sepse ka të bëjë me aftësinë e individit për të zgjedhur, çka nuk rregullohet vetëm me ligj ose me ftesa publike; e as me varg procedurash për kutitë e votimit dhe për komisionet zgjedhore. Presidenti shqiptar bën mirë që vë gishtin në plagë, bën mirë që i fton qytetarët ta vlerësojnë lirinë e çmuar të votës, e të mos bien në kurthin e shëmtuar të shitblerjes, por të gjitha këto kanë të bëjnë me idenë e qytetarisë demokratike dhe me kulturën politike, që kërkojnë angazhim e kohë të ndërtohen, nga poshtë por edhe nga lart. Një individ i pavetëdijshëm për rëndësinë e votës, nuk e ushtron lirinë, sepse nuk është qytetar i lirë mendërisht; e ca më keq nëse ai nuk e ushtron lirinë e votës se nuk ka besim tek vlera e saj, ose e shet atë sikur të ishte plaçkë. E politika nuk mund ta ndjejë veten jashtë përgjegjësive.

“Liria e votës”, dy fjalë që nuk duhet të lihen në heshtje… Edhe pas votimeve.

*Marre nga blogu peisazhe te fjales. Titulli origjinal: "Liria ne pazar"