• |
ide | kryesore

Mafia e pastrimit të parave, a po vepron në Tiranë

I pakategorizuar
amiran.jpg



Një rrejt i tërë personazhesh të njohur dhe bizenesesh të rëndësishëm, janë përfshirë vitet e fundit në disa transaksione të dyshimta shit- blerjesh aksionesh në kompani të ndryshme që merren me naftë, lojra fati, financa dhe media. Një skemë e tërë që ngrihet rreth një njeriu të vetëm, hebreut me pasaportë gjeorgjiane: Amiran Dzanashvili. 
 
Ky njeri, i njohur në botë si një milioneri gjerogjiano- izraelit, ka vënë këmbën në Shqipëri për hetrë të parë në vitin 2010, për t'u rikthyer më pas dhjetra herë të tjera, deri në gusht 2014 (pak kohë para se të arrestohej për prostitucion në Bukuresht) ku në harkun kohor të një viti (maj 2013- gusht 2014) ka blerë dhe ka shitur me dhjetra kompani duke lëvizur shuma të mëdha parash. Pikërisht për këto shuma, hetuesit shqiptarë, por edhe ata të shërbimeve të huaja, kanë dyshimin e madh se gjenden përpara një skeme mafioze pastrimi parash. E cila, nëse rezulton vërtet e tillë, mund të trondisë botën e biznesit dhe financave shqiptare.
 
Pikërisht për veprimtarinë e milionerit gjeorgjiano- izraelit Amiran Dzanashvili, prokuroria e Tiranës kë nisur hetimet. AbcNews ka raportuar se ndaj biznesmenit që ka edhe shtetësinë rumune janë regjistruar në Tiranë dy procedime të ndara, ku po hetohet për akuzat e evazionit fiskal, mospagim tatimesh dhe taksash, falsifikim të dokumenteve dhe akuza tjetër ajo e “pastrimit të parave” në bashkëpunim. 
 
Të gjitha këto vepra, sipas prokruorisë, biznesmeni milioner, tashmë pronar në Shqipëri i kazinove, hoteleve luksoze dhe aksioner në disa kompani të naftës, dyshohet se i ka konsumuar këtu nga vitit 2013 e në vazhdim. Kjo eshte koha që mendohet se ai ka filluar të investojë në Shqipëri në disa kompani, fillimisht si aksioner i një përqindje të vogël dhe më pas si blerësi tyre me 100 % të aksioneve, si ortak i vetëm. 
 
Për grupin hetimor, hyrja e tij në tregun e biznesit në Shqipëri dyshohet se ka patur si qëllim pastrimin e parave që kanë burime kriminale nga aktivitetet të ndryshme të paligjshme jashtë territorit shqiptar. Për hetuesit, kjo është edhe një nga pistat hetimore e dy dosjeve për të cilat po hetohet gjeorgjiano- izraelit Amiran Dzanashvili. Ky hetim ka nisur pas arrestimit të biznesmenit në nëntor të vitit të kaluar në Rumani, si pjesë e një rrjeti të fuqishëm të shfrytëzimit dhe trafikut të femrave për prostitucion (foto gjatë arrestimit). Në pranga bashkë me Dzanashvilin kanë rënë edhe 22 persona të tjerë mes tyre biznesmene të kazionove dhe hoteleve luksoze në Rumani, të cilët dyshohen si pjesë e rrjetit të prostitucionit VIP në Bukuresht.
Në Shqipëri, sipas të dhënave që ka mundur të sigurojë AbcNews, Dzanashvili ka ardhur për herë të parë për një vizitë një ditore me avion charter, në 6 dhjetor 2010 dhe është larguar po në atë datë, për t'u rikthyer pas gjashtë muajsh. Më pas vajtje- ardhjet kanë qenë të shpeshta. Kjo kohë i ka mjaftuar mesa duket biznesmenit, të dyshuar për veprimtari kriminale, për të njohur terrenin këtu dhe për të krijuar lidhjet e nevojshme. Rreth dy vjet më vonë, ai nis aktivitetin e tij në Shqipëri. 
 
Formulari që tregon hyrje- daljet e Dzanashvilit në Shqipëri
Investimi i parë i Dzanashvilit në Shqipëri ka qenë ai i datës 20 maj 2013, kur ka blerë fillimisht 20 % të aksioneve të ortakut të deputetit Mark Frroku në kompaninë e basteve sportive, "Xhoi Co 21 sha". Disa muaj më vonë, Dzanashvili ka blerë edhe aksionet e tjera të kësaj kompanie duke u bërë pronar së bashku me një shtetas izraelit, Ofer Nimrodi, i cili po hetohet gjithashtu për pastrim parash. Sipas transaksioneve të kryera, rezulton se Dzanashvili i ka kaluar deputetit Frroku dy transaksione, me rreth 340 mijë euro dhe më pas 1.4 milionë euro. Origjina e kësaj shume, për prokurorët është e dyshimtë. Për këtë fakt kanë nisur hetimet ndaj tij si dhe ndaj deputetit Frroku për mos pagimtaksash dhe evazion fiskal.
Sipas dosjes së siguruar nga AbcNews, mësohet se deputeti Mark Frroku nuk është biznesmeni i vetëm shqiptar që ka bashkëpunar me Amiran Dzanashvilin. Referuar këtyre materialeve, Dzanashvili, përveç blerjes së kompanisë së basteve sportive të deputetit Mark Froku, ka bashkëpunuar edhe me ish deputetin Dritan Prifti me dy kompani, “Premier Service shpk" dhe “DT Premier Partners shpk". Milioneri izraelit i arrestuar në Rumani për prostitucion, rezulton aksioner edhe në disa kompani të tjera të naftës si bashkëpronar apo ortak i vetëm, si kompania “Tea Oil”, “Tea construction& petrol” e shumë të tjera, transaksionet e të cilave po verifikohen.
 
Disa nga kopjet e shit- blerjes së aksioneve të kompanive shqiptare nga Dzanashvili
Sipas hetuesve rezulton se nëpërmjet përfaqësuesit të tij në Shqipëri, Amiran Dzanashvili ka kryer transaksione të mëdha bankare me kompani të tjera të naftës në Shqipëri, si "TPD Trading Petrol& Drilling", "Crude Oil Traders" e disa të tjera. Të gjitha këto transaksione, po verifikohen për të parë origjinën e parave, pasi Drejtoria e Pastrimit të Parave dyshon se shumat që kanë ardhur në Shqipëri apo janë tërhequr nga Amiran Dzanashvili dhe bashkortakët e tij kanë qarkulluar nëpër vende të njohura si parajsa fiskale. 
 
Grupi hetimor, po verifikon gjithashtu kontratat e shit- blerjeve edhe për akuzën e falsifikimit. Pasi referuar sistemit TIMS, rezulton se disa nga kontratat e shit- blerjeve të aksioneve apo kompanive të ndryshme, janë firmosur para noterit në data që nuk rezultojnë se Dzanashvili ka qenë në Shqipëri. Në mesin e këtyre shit- blerjeve janë edhe aksionet e kompnisë së basteve apo edhe në blerjen dhe dhurimin e aksioneve të kompanive të drejtuara nga Dritan Prifti.
AbcNews raportoi se ka në duar të gjithë skemën e transaksioneve të bëra në Shqipëri që kanë si epiqendër biznesmenin e dyshuar për pastrim parash, Amiran Dzanashvili dhe se do t'i publikojë ato në ditët në vijim.
 
Nëse prokuroria shqiptare dhe Drejtoria e Pastrimit të Parave i shkon deri në fund kësaj historie, ajo me siguri mund të trondisë jo pak botën e biznesit, medias dhe politikës. Gjithsesi, një aferë që bie erë ka shpërthyer dhe, herët a vonë, fakte të tjera do të dalin në sipërfaqe. Ato mund t'i japin përgjigje pyetjeve se kush janë lidhjet e pushtetshme të gjeorgjiano- izraelitit në Tiranë, deri në çfarë niveli shkojnë bizneset e përfshira me të, çfarë parash lëvizin në botën e naftës, etj. /lapsi.al/