• |
ide | kryesore

Erion, asgjë personale!

Arkiva, Ide
mandi edit.jpg



Në një intervistë të gjatë të mërkurën në Abcnews, Erion Veliaj gjeti rastin të sulmojë, për të disatën herë, median që unë drejtoj dhe mua personalisht. Ai shkoi deri aty sa të atakojë linjën editoriale të një televizioni të pavarur, të lëshojë akuza të pavërteta dhe madje të shantazhojë hapur një pushtet që nuk varet as prej tij dhe as prej qeverisë. Janë pushtete të ndara, bëjnë secili punën e tyre, ku qeveria ka detyrimin e transparencës dhe media rolin e qenit roje në emër të interesit publik.
Për mua nuk janë të rëndësishme akuzat e Erionit. Kam mbi dy dekada në këtë profesion dhe jam përballur me ustallarët shumë më përpara se të dilnin çirakët. Ajo që më shqetëson dhe që do duhej të shqetësonte edhe kolegët e mi, është një atmosferë mbytëse ndaj çdo zëri kritik kundër qeverisë dhe veçanërisht kundër individëve si Erioni, që veç lyerjes së rrotave të shtrembëta të qerres mediatike që bie erë, ka marrë guximin edhe të shantazhojë. Kjo atmosferë po bëhet gjithnjë e më e rëndë.
Si ka mundësi që në më pak se dy vjet pushteti i ri të bëhet kaq kontrollues dhe arrogant? Sa janë sot mediat që publikojnë një lajm ku preken interesa të vërteta të pushtetit? Deri ku shkon kontrolli (i siguruar ose me para ose në forma të tjera) ndaj mediave? A është normale që një njeri i pushtetshëm, në këtë rast Erion Veliaj, të sulmojë dhe akuzojë një media, edhe në rast se ajo e paskësh goditur poshtë brezit siç pretendon ai? A ndodh kjo në një vend normal perëndimor?
Këto pyetje sillen rreth një përgjigjeje të vetme. Duke qenë se janë duke vënë nën kontroll, direkt apo indirekt, pjesën më të madhe të sistemit mediatik, kryeministrin dhe dishepujt e tij i shqetëson dhe i nervozon çdo zë kritik ndaj tyre. Kërkojnë t’i shuajnë ato me çdo mënyrë. Nuk durojnë asgjë që nuk u shkon për shtat. Nuk pranojnë dot që disa të mos ndjekin avazin e tyre, kur shumica ka në gojë fyellin të cilit i bie kryeministri. Por a është normale një arrogancë dhe kontroll i tillë?
Në një vend si Shqipëria ne jemi ndeshur shpesh me fenomene të tilla. Kolegët e mi e mbajnë mend edhe Berishën e parë edhe periudhën e 2001. Edhe dhunën shtetërore edhe shit- blerjen. Puna është se Rama dhe Erioni kanë mbi dhjetë vjet që thonë se janë ndryshe, që janë për një model të ri, që respektojnë lirinë e shtypit, që nuk merren me sulme dhe përbaltje si kundërshtarët e tyre, aq më pak ndaj mediave. Në mos Rama, të paktën Erioni do duhej t’i qëndronte këtij parimi. Vjen nga shoqëria civile, nga protesta qytetare, madje edhe nga ato protesta kundër qeverisë kur cenonte lirinë e shprehjes, thotë se ka studiuar jashtë e për rrjedhojë do duhej të ishte më i hapur mendërisht… Këto mendoja ndërsa ndiqja se si nga ekrani i ‘Abcnews’ merrej me mua personalisht dhe me televizionin që unë drejtoj.
Nëse dikush do të më kishte pyetur pak vite më parë se si do ta parashikoja sjelljen e pushtetit të ri në raport me mediat, për Edi Ramën nuk do të kisha dilemë në përgjigjen se ai do të bënte gjithçka që kishte në dorë dhe në xhep për të kontrolluar mediat. Ndërsa për Erionin do të ngurroja. Jo se ai nuk është një kopje e dalë boje e “kapitenit të tij”, jo se ai nuk ka të njëjtën varësi të sëmurë nga media dhe propaganda e për të marrë dozën e nevojshme është i gatshëm për gjithçka, por ngurroja sepse kishte thënë e bërë aq shumë për të na bindur për të kundërt sa që, të paktën për hir të formës, do të ishte shumë më i kujdesshëm. Do ishte i kujdesshëm edhe për shkak se në mos ai, ata që kanë bërë një copë rrugë bashkë me të, do ta këshillonin që edhe nëse mediat e teprojnë është pushtetari ai që duhet të tolerojë.
Erion Veliaj ka arsyet e tij për të qenë i mërzitur apo i nervozuar, por nuk ka asnjë të drejtë që këtë ta shndërrojë në sulm kundër një pushteti që nuk varet prej tij. Edhe nëse unë do ta kisha kapërcyer kufirin që thotë ai, pra do ta kisha ulur dorën poshtë rripit të mesit, i takonte atij të ishte i duruari. Një ministër, një kandidat për bashkinë e kryeqytetit, një individ me fuqi të madhe politike e mbështetje të hapur financiare, sigurisht është më i ekspozuar se dikush tjetër ndaj shigjetave të medias dhe opinionit publik. Ato mund të jenë të tepruara, ndonjëherë edhe të padrejta, por ky është një çmim që pushteti kudo në vendet normale demokratike, ka pranuar ta paguajë. Nuk mund të përjetosh vetëm favoret e pushtetit, duhet të paguash edhe kosto për këtë.
Por në rastin e Veliajt, unë nuk mendoj se e kam kapërcyer të drejtën time. Edhe në rast se do ta kisha bërë, përsëri nuk është sulmi dhe akuza ndaj meje ajo që publiku pret të dëgjojë nga dikush që do të bëhet i pari i Tiranës. Publiku kërkon transparencë nga ata që zgjedh me votë. Nuk është sulm personal nëse unë kam shkruar për një dasëm që zhvillohet si serial dhe trajtohet nga qeveria si aktivitet kulturor. Në këtë rast nuk është nusja, por “paja” që qeveria i jep dhëndrit ajo që përbën problem. Nëse qeveria prokuron para pa tender apo kompani marketingu vihen nën presion që të përfitojë dikush, nuk është vëllai si individ por “vëllazëria” që e trajton paranë publike si trashëgimi familjare. Këto nuk janë sulme personale.
Erioni mërzitet që i përmenden apartamentet apo prenotimi i një vile dhe thotë që unë kam shtëpi pesë herë më të madhe se e tij. Do ishte normale të ishte kështu, sepse unë punoj në këtë profesion që nga 5 janari 1991 dhe nuk i kam bërë paratë duke shitur fiq, po Erioni me çfarë të ardhurash e bëri pasurinë e tij? Ky është detyrim publik për zyrtarët dhe jo sulm personal, për të treguar burimin e të ardhurave dhe pasurisë, që paratë e taksapaguesve të mos bëhen rrush e kumbulla, pavarësisht se dikur ke shitur fiq. Pra e konsideroj se do të ishte normale që të kem një shtëpi më të madhe se Erioni, por nuk e di a është kështu dhe nëse ai i ka deklaruar edhe shtëpitë që mund të ketë në kodra e rezidenca banimi në Tiranë. Erioni mërzitet që nuk del 24 orë në ekranin e tv, por ky fakt nuk më bën mua siç pretendon ai këshilltar të Halim Kosovës. Për fat të keq të Erionit (ai do kishte dashur të ishte ndryshe) nuk bëj pjesë tek ata që ai i paguan herë me paratë e marketingut të ministrisë, herë me projekte që i menaxhon po vetë dhe herë më lirë, me dreka dhe darka ku shpërndan kasetat e takimeve të tij me popullin.
Përmendja e rasteve më sipër nuk ka lidhje me ndonjë shqetësimin timin personal, por me fenomenin e rrezikshëm të personalizimit të gjithçkaje për të devalorizuar kritikat dhe deformuar të vërtetat. Erioni bën pjesë tek ekipi i ngushtë i “kapitenit” që tentojnë të manipulojnë duke u marrë me personin dhe jo me faktet. Dhe Erioni këtë bëri në intervistën e tij për ‘Abcnews’. Madje këtë herë shkoi edhe më larg duke bërë një deklaratë tërësisht të dënueshme. Ai tha se në Abc nuk paguhen sigurimet shoqërore dhe se ai e dinte këtë fakt për shkak të detyrës që ka patur si ministër. Nëse qenka e vërtetë, përse nuk e ka bërë publike atëherë, e ka ruajtur për shantazh ndaj medias apo si blof të paturp për të sulmuar nën brez? Po vetë Erioni si është me transparencën financiare, që nga donacionet e Mjaftit e deri tek shitja e revistës Mapo tek një biznesmen i njohur ndërtimi…
Është i habitshëm transformimi i një 36-vjeçari, i cili në vend të reformojë politikën e vjetër, bëhet përfaqësuesi më tipik i saj. Dhe madje pjesë e anës më negative, asaj të kontrollit dhe presionit mbi mediat. Për këtë, më shumë se për çdo gjë tjetër pata shqetësimin të shkruaj. Për të tjerat, asgjë personale Erion!
/mapo/