• |
ide | kryesore

Një urim në festën e PS

Arkiva, Ide
Blushi1_0.jpg



Shumë miq më kanë nisur urime për përvjetorin e Partisë Socialiste që është  sot më 12 qershor. Nuk i kam kthyer askujt përgjigje. Kam gjithë ditën që e mendoj në duhet apo jo të kthej përgjigje dhe meqë kam një dilemë, po e ndaj publikisht.
Eshtë apo jo Partia Socialiste një parti?
Unë them se Partia Socialiste ka qenë, por nuk është më një parti.
Partia Socialiste e Shqipërisë u riorganizua para 24 vitesh. Ajo trashëgoi strukturën dhe demografinë elektorale nga Partia e Punës, rishikoi programin, elitën e përfaqësimit si dhe qëndrimin stalinist për pluralizmin, për pronën, për tregun, për taksat dhe mbi të gjitha për Perendimin. Në një kuptim u zbut. Ose u zbut në të gjitha kuptimet. U qetësua dhe vendosi të mos shtetezojë me pronën e askujt, të njohë tregun e lirë dhe të antarësohet në strukturat evropiane duke ruajtur një politikë të kujdesshme me fqinjët. Rrugë tjetër nuk kishte. Shqiptarët e detyruan të zbutej duke i bërë një lëshim të madh që ndoshta ishte shumë dashamirës në krahasim me dëmin që ajo u kishte shkaktuar: e pranuan sërish në tregun e partive politike shqiptare. E lanë të zgjidhej. E bënë të votueshme.
Kur Shqiperia kishte më shumë se kurrë nevojë për demokraci ajo iu përshtat sistemit më mirë se kushdo tjetër dhe megjithëse nuk ishte partia më properëndimore në Shqipëri, ishte partia më demokratike e vendit. Për disa rrethana fatlume që lidhen me rrënimin moral dhe institucional të  vitit 1997, për shkak të deformimit të tregut primitiv shqiptar në treg piramidal, si dhe qëndrimit joperëndimor të Partisë Demokratike ndaj zgjedhjeve, ajo erdhi në pushtet. Një arsye tjetër që e favorizoi ishte konvencionalizmi politik që ka dominuar dhe dominon Shqipërinë prej gati 100 vitesh. Pra vota konvencionale kundër votës cilësore, që në Shqiperi do të thotë se, jugu voton më shumë për socialistët dhe veriu voton më shumë për demokratët, pavaresisht se si sillen ata. Gjithë këto rrethana e sollën në pushtet në vitin 1997.
Pushteti i dha mundësi të ndryshonte në disa raste elitat e veta, t'i rinovonte ato përmes administratës, herë me diplomaci, shumë herë me përplasje dhe shpeshherë me antagonizëm, gjë që çoi në çarjen e saj në vitin 2004, një nga arsyet për të cilën humbi pushtetin. Megjithëse për shkak të kundërshtive joprogramore, luftës së brendshme anarkike dhe ngathtësisë genetike, reformat që bëri ishin anemike, ajo mbeti një parti. Kur them këtë, kam parasysh kuptimin klasik që ka bota për partitë: pra një grup njerëzish që bashkohen rreth një programi dhe respektojnë rregullat që kanë përcaktuar vetë me vullnet të lirë. Partia Socialiste ishte një parti dhe duke respektuar statutin e vet, u përça si një parti që bën dy parti.
Kur e mendoj sot, besoj se ndarja e saj, megjithëse nuk ishte e shëndetshme ishte e pashmangshme. Demokracia fitoi ndonëse Partia Socialiste humbi. Llogaritë për Shqiperinë nuk i bëj dot ende, sepse është shumë shpejt, por si bestyt i demokracisë që jam, besoj se kur fiton demokracia ka fituar edhe vendi. Në çdo rast. Edhe sot.
Në vitin 2013, Partia Socialiste u rikthye në pushtet. Sot më shumë se një parti ajo është një adresë elektorale. Fiton zgjedhjet, siç i ka fituar dhe do t'i fitojë sërish, por jo si një parti. Si një adresë në fletën e votimit. Mes gjithë partive të  tjera të cilat edhe ato nuk bëjnë dallim prej saj,  ajo merr më shumë vota. Por fakti që merr më shumë vota se të  tjerët nuk e bën një parti. Ndoshta ky është një zhvillim i ri i demokracisë sonë krijuese, të  cilin nuk jam i gatshëm ta kuptoj dhe ta pranoj siç duhet. Pragmatistët që mendojnë ndryshe janë shtuar dhe kanë marrë në dorë fuqinë për të mos u numëruar. Ata nuk dihet sa janë megjithëse vendosin. Pra, vendosin se në parti nuk duhen numëruar ata që mendojnë se demokracia vlen, sepse sipas tyre ata që mendojnë se pushteti vlen më shumë se demokracia, janë gjithnjë më shumë. Dhe duhet të mbeten më shumë pa u numëruar.
Unë nuk mendoj kështu. Unë them se demokracia dhe jo pushteti i bën grupet parti, ndërsa ata thonë se pushteti i rrit partitë, nga grupe në turma, ndërsa demokracia që i ben turmat parti, i zvogëlon ato. Pragmatistët thonë se rëndësi kanë zgjedhjet dhe jo demokracia. Unë mendoj se mund t'i kemi të  dyja: edhe zgjedhjet edhe demokracinë. Mendoj se mund të jetoj më mirë në një vend që zbaton ligjin dhe në një parti që zbaton rregullat. Kështu fitorja shijon më shumë dhe nuk kthehet në një tirani pragmatiste.
Nëse Evropa do kishte sot parti që nuk zbatojnë asnjë rregull dhe nuk bëjnë zgjedhje, ndoshta do mendoja më mirë për pragmatistët. Ata mund të ishin evropianë të ditës dhe unë një evropian i rritur me kujtime. Por nuk është kështu. Kjo nuk po ndodh askund. Në këtë kuptim Partia Socialiste e Shqipërisë është sot partia më unike në Evropë. Ajo është e vetmja parti që nuk pranon zgjedhjet e brendëshme. Ky është një zhvillim shqiptar dhe ndoshta një pasurim i traditës evropiane të ndërtimit të partive. Eshtë njëlloj si të mbjellësh një pemë në garazhin e makinës. E ujit me naftë dhe e ajros me kondicionerin e makinës duke iu gëzuar faktit që kjo është e vetmja pemë e botës që jeton në garazh paçka se nuk bën lule. Sepse lulet duan ujë dhe ujin duhet ta marrësh jashtë garazhit.
Thënë këto duhet të përsëris me hidhërim se Partia Socialiste nuk zbaton më asnjë rregull. Atje askush nuk votohet, askush nuk zgjidhet, askush nuk mblidhet, askush nuk zgjedh dhe askush nuk mbledh. Partia Socialiste ka vetëm pushtet. Ajo ka drejtori por nuk ka votim, ka bashki por nuk ka zgjedhje, ka ministri por nuk mbledhje, ka qeveri por nuk ka demokraci.
A u përgjigjet të varfërve? Them se jo. Ata e votojnë për konvencion por në këmbim nuk marrin asnjë koncesion. Partia Socialiste për të  varfërit është një argëtim estetik. E shohin në televizor, si një serial, por nuk kanë të drejtë të ndryshojnë as skenarin dhe as personazhet e saj. Eshtë një serial që prodhon kënaqësi. Çdo pasdite. Eshtë partia e shtëpiakëve që merren me politikë. Asgjë më shumë. Ajo nuk u jep atyre as punë, as shpresë dhe as demokraci.
Nëse je i varfër nuk e përfaqëson dot më Partinë Socialiste. Nuk je dot deputet i saj, as kryetar bashkie, as kryetar i partisë në qytet, as kryetar në fshat dhe po aq të  vështirë e ke të punosh në administratën e saj. Partia Socialiste ka me të varfërit raportin që ka një  serial televiziv. Ajo prodhohet për ta, me kushtin që ata të  mos e ndryshojne atë. Të varfërit janë blerësit, por jo prodhuesit. Ata janë shikuesit, por jo regjisorët e saj. Ata janë luga, por jo ushqimi. Janë mjeti, por jo qëllimi. Jane vota, por jo pushteti. Ata nuk janë shteti, por mileti.
Sa për të pasurit, ata mund të hyjnë, të  dalin dhe të sponsorizojnë lirisht pushimin mes serive. Ata janë sponsor dhe personazhe kryesore të serialit. Nëse je i pasur mund të blesh kohën televizve tek seriali i Partisë Socialiste dhe të bëhesh deputet, kryetar bashkie, drejtor, inspektor, tatimor, ushqimor, pagator, rrogator, kurator dhe natyrisht donator. Të  pasurit janë seriali. Pushteti është ideali. Të varfërit janë materiali.
Ky serial material pa ideal, do të  vazhdojë edhe për shumë kohë. Ndoshta edhe për shumë vjet. Për sa kohë që Partia Socialiste nuk do respektojë asnjë program dhe asnjë statut ajo nuk do jetë më parti por vetëm një adresë elektorale. Një mundësi për të  votuar. Dhe një   shpresë për të duruar atë që duhet uruar.
Dhe nëse unë kam një urim për të  gjithë, urimi është ky: shpresoj që Partia Socialite të bëhet Parti.
Shqipëria do ta detyrojë megjithëse ajo nuk do. Dhe nuk mundet dot.
Sot për sot.
*Ky shkrim është shkruar enkas për Lapsi.al