• |
ide | kryesore

Au revoir, mor plak qefli!

Arkiva, Planet
02021242.jpg



Edhe pse Dominique Strauss-Kahn u lirua nga akuza për kodoshllëk, edhe vetë procesi përbën në vetvete një dënim të mjaftueshëm, shkruan Barbara Wesel.

Disa gjëra që nuk mund thjesht t’i trillosh. Për shembull filmin e vitit të kaluar për skandalin në Nju-Jork të Dominique Strauss-Kahn, ku rolin kryesor të përdhunuesit të shthurur e luan Gerard Depardieu, i cili sot i ngjan më shumë një balene që ka ngecur në breg.

Por kjo nuk mjaftonte dhe në bankën e të akuzuarve në Lille pranë ish-shefit të FMN-së qe ulur edhe një tutor prostitutash që në rajonin kufitar franko-belg njihet prej të gjithëve si “Dodo, skumbria”. Ai tha publikisht se bordelin e tij të ardhshëm do ta quajë thjesht “DSK”. Ky shkurtim është përdorur në shtypin francez për vite me radhë për Dominique Strauss-Kahn. Asokohe ai ishte ende një politikan plot aspirata i socialistëve dhe pastaj kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar. Sot karriera e tij politike është shkatërruar, reputacioni i tij ka marrë fund dhe jeta e tij shoqërore është material vetëm për kolonat e thashethemeve në media.

Detaje tejet intime në sytë e publikut

Edhe vetë procesi, në të cilën Strauss-Kahn akuzohet për ndërmjetësim të organizuar prostitucioni, për kodoshllëk, përbën në vetvete një dënim të mjaftueshëm. Gjatë këtij procesi u dëgjuan për ditë me radhë dëshmitare, të cilat folën më tepër se hapur për detajet e marrëdhënieve të tyre seksuale me ish-politikanë – dhe i gjithë kombi mund të merrte pjesë në to. Sipas motos: Çdo gjë që nuk keni dashur ta dini ndonjëherë vërtetë në lidhje me jetën seksuale të Strauss-Kahn dhe nuk keni guxuar kurrë që të pyesni.

Ky proces e ka kthyer Francën në një vend vuajeristësh, u ankua edhe avokati i tij. Dhe jo pa arsye, ai argumentoi se në fund të fundit para trupit gjykues nuk ishte morali i klientit të tij, por akuzat për veprat penale. Kodoshllëku i organizuar është i dënueshëm sipas ligjit francez me burg shumëvjeçar. Por për një gjë të tillë provat ishin të mjaftueshme, dhe kjo u bë qartë shumë shpejt pas fillimit të procesit. Dyshimi i lehtë se kishim të bënim me një proces të motivuar politikisht, mbeti deri në fund të tij. Strauss-Kahn doli, siç edhe pritej, si njeri i lirë nga salla e gjyqit.

Pra, ishte e gjitha vetëm një humbje e madhe kohe dhe parash? Jo, sepse për opinionin publik francez, procesi ishte mjaft i rëndësishëm. Jo për shkak të diskutimit të tepruar të preferencave intime të të akuzuarit, por për shkak se me të, doli në pah vërtet mentaliteti i një specie të veçantë burrash. Burra të fuqishëm në politikën dhe shoqërinë franceze – dhe jo patjetër vetëm atje – që nuk e fshehin aspak qëndrimin e tyre përbuzës ndaj femrave. Në disa nga disa e-mailet e tij Shtraus-Kahn përdorte fjalën “material” dhe e kishte fjalën për gratë.

Maçizmi ende pjesë e jetës së përditshme

Dhe kështu kjo shfaqje shkaktoi në Francë përsëri një debat kombëtar për fatin e prostitutave që shpesh nuk mund t’i zgjedhin as punën dhe as klientët e tyre, dhe që në të ardhmen duhet të mbrohen më mirë nga ligji. Por fjalnën e morën edhe shumë gra që akuzuan maçizmin tradicional në politikën franceze. Gazetaret protestuan për sulme seksuale në profesionin e tyre, sepse shumë njerëz të fuqishëm në vend u hedhin sy lakmues dhe madje edhe sulmet fizike vazhdojnë të jenë ende pjesë e lojës.

Por ajo që mbetet si përshtypje pas këtij procesi është se në rastin e Dominique Strauss-Kahn kemi të bëjmë me një specie që po zhduket. Ai është një dinozaur i maçizmit të Epokës së Gurit, i vrazhdë, egoman und i pacipë. Në fakt një qenie për të ardhur keq. Të tillë njerëzve të rejat e sotme me besim në vetvete u mësojnë një realitet tjetër, kur shkojnë në bankat e universitetit. Në radhët e brezit të ri të meshkujve parimi i sjelljes prej kapadaiu nuk konsiderohet më si pozitiv. Pra Dominique Strauss-Kahnit mund t’i thuash tani me gëzim “Au revoir, mor plak qefli!” Dhe të shpresojmë se në rast se dikur ai do të kapë për fundi ndonjë infermiere në azilin e pleqve, do të marrë menjëherë një shuplakë./