• |
ide | kryesore

Kush ishin agjentët shqiptarë të Perandorisë Osmane

Arkiva, Dossier
malcolm_illo_bette_3337921b.jpg



Një akt heroik i mrekullushëm. Historia e Rilindjes zbulon kufirin e humbur ku Lindja u takua me Perëndimin
Të paktën që nga koha e Grekëve, historia është shkruajtur nga fitimtarët. Por kjo është relative, pasi së fundi, e ashtuquajtura “histori nga poshtë” ka sfiduar historitë e fituesve me histori alternative të “të humburve”, të atyre njerëzve e vendeve që konsiderohen të padenjë për t’u përmendur. Një arkiv i pasur dhe i neglizhuar i atyre që zakonisht humbin në histori ka dalë në dritë.
Çfarë ka ndodhur me ndërmjetësit, diplomatët, spiunët, ushtarët, priftërinjtë dhe përkthyesit, të cilët kanë vepruar si ndërmjetësues në dramat e mëdha historike të periudhave si ajo e Rilindjes? Këta njerëz janë ata që bashkojnë historinë. Përmenden shpesh kalimthi, por pastaj  zhduken, zërat e tyre humbin në dengjet e dendur të dokumenteve konfliktualë të shkruar në dorëshkrime te kalbur e shpesh të koduara me një gjuhë të vështirë për t’u zbërthyer.
Në “Agjentët e Perandorisë”, Noel Malcolm ka nxjerrë në dritë mrekullinë e akteve të trimërisë së historive të shekullit të 16 të fituesve të Europës dhe humbësve me historitë e ndërmjetësve, në formën e kalorësve, piratëve, priftërinjve dhe spiunëve, jo të shkruara nga perspektiva metropolitane e Romës, Seviljes apo Londrës, por nga pikëpamja e Shqipërisë dhe brigjet e Adriatikut, që shtrihet nga Kroacia e ditëve të sotme deri në Greqi.
Shqipëria ndoshta nuk duket si vendi më premtues nga i cili mund të shkruash historinë e Mesdheut, por siç agumenton Malcolm, ky vend është kufiri i harruar ku lindja me perëndimin, myslimanët me kristianët, italianët me turqit u takuan, u përplasën e nganjëherë luftuan, por më shpesh nuk provuan të përshtaten me njëri – tjetrin.
Shqipëria ka qenë zona kufitare poroze ku feja – nga katolicizmi dhe protestantizmi tek islami dhe judaizmi – formuan jetët e njerëve, por nuk i përcaktuan domosdoshmërisht ato, dhe ku prosperiteti e mbijetesa themelore do te thoshte të ndryshosh në mënyrë të përsëritur besimin fetar dhe aleancat politike e tregtare, për të përmbushur nevojat e një bote të sunduar një ditë nga venedikasit dhe ditën tjetër nga osmanllinjtë.
Në këtë gërshetim, Malcolm ndjek jetët e dy familjeve shqiptare, Bruni dhe Bruti.
Historia fillon në qytetin e Ulqinit, që sot gjendet në Mal të Zi, i cili në fillim të shekullit të 16 ishte një nga kufinjtë e fundit të territorit venedikas, që kufizohej me Perandorinë Osmane dhe shtëpi e tregtarit, diplomatit dhe “ndërmjetësit” Antonio Bruti. I lindur në vitin 1518, Antonio u rrit në një botë “të lidhjeve ndërkufitare, ku besimi personal mund të çonte letësisht në armiqësi zyrtare”, duke vepruar si një ndërmjetës mes Venedikut dhe Stambollit në mbikqyrjen e tregëtisë jetike të grurit dhe në manipulimin e një rrjeti kristiano –otoman e të lidhjeve personale dhe aleancave që e bëjnë të pakuptimtë ndarjen mes dy kulturave që tradicionalisht kanë karakterizuar kuptimin tonë mbi Rilindjen.
Në dijeni të njohjeve dhe arritjeve të tij, Antonio, Doxhi i Venedikut dhe Gjenovës e bëri Antonio Brutin kalorës të Udhërit të Shën Markut, në vitin 1559. Por ai nuk ishte anëtari i vetëm i klanit që përparoi në këtë botë fluide.
Gjatë 40 viteve të ardhshëm të afërmit e tij do të lëviznin në të gjithë Italinë, Ballkanin dhe tokat e Perandorisë Osmane, në kërkim të përfitimeve tregtare, zellit fetar dhe ngritje të përgjegjësive politike që do t’i bënte njerëz me ndikim të madh, shpeshherë të paguar me kosto të tmerrshme personale.
Kunati i tij, Giovanni Bruni, ndoqi thirrjen e tij përmes kishës dhe arriti të behej Kryepeshkopi i Tivarit, duke u përballur me problemet e një dioqeze në territoret e pushtuara osmane dhe konkurrencën e rivalëve të besimeve ortodoks grek dhe luterian.
Pozicioni i Giovannit, duke punuar në vijën e frontit kundër ndryshimeve që konsideroheshin si “herezi” për kishën, tërhoqën vëmendjen e Papatit, që në vitin 1562 e thirri atë për të drejtuar Kundër – Reformën e Këshillit të Trentit (1545 – 63) përpjekjen e Kishës Katolike për të vendosur rregull në shtëpinë e saj dhe për t’iu përgjigjur sfidës së Protestantizmit.
Ndërsa Giovanni ndoqi rrugën e tij fetare, vëllai i tij Gasparo rrëmbeu shpatën dhe iu bashkua Kalorësve të Maltës në 1567, pikërisht në kohën kur sulltani i ri osman, Selimi II kërcënoi me një fushatë të madhe detare kundër Maltës dhe intersave spanjolle – venedikase në të gjithë Mesdheun.
Me osmanët në luftë, Ulqini ra në dorën e tyre verën e vitit 1571.
Për shumë anëtarë të familjes pushtimi osman ishte fatkeqëësi. Antonio u vra dhe Giovanni u dërgua si skllav në Turqi, por Gasparo u bë i dyti në komandën e Aleancës Detare Kristiane që u përball me flotën otomane në tetor 1571.
Në një prej momenteve më dramatike të librit, Malcolm rikrijon në mënyrë të gjallë Betejën e Lepantit, në të cilën Giovanni u vra, ndoshta 100 jardë larg vëllait të tij, në bordin e një anije papnore, edhe pse ajo nuk ra në duart e osmanëve, por të disa piratëve spanjollë, të cilët e vranë teksa ai po thirrte: “Jam peshkop, jam i krishterë”.
Ashtu si rënia e Ulqinit, Lepanti pati peshë të rëndë në familjet Bruni e Bruti. Por disa nga nipërit e Gasparos mbijetuan dhe vazhduan traditën e ndërmjetësimit mes Lindjes dhe Perëndimit, duke vepruar si përkthyes për të dy krahët.
Bartolomeo Bruti aplikoi për të punuar për Venedikun dhe Stambollin dhe shumë shpejt u rekrutua nga spanjollët (me pagesë) dhe nga venedikasit si spiun, duke ndërmjetësuar marrëveshje me Vezirin e Madh të Perandorisë Osmane (që për fat do ta kishte të afërm) për të emëruar Vojvodin e ri (sundimtar i perandorit) në Moldavi.
Në vitin 1592, kur Vojvodi i ri u emërua, Bartolomeo i rriti kërkesat, aq sa e vranë dhe e hodhën në Dniester (ndonëse Malcolm ka zbuluar një tjetër dimension të vrasjes së tij, një grindje tërësisht më prozaike për çështje parash).
Xhaxhai i tij Gasparo u shpërblye për trimërinë e treguar në Lepant duke u vënë në krye të një komande në fund të viteve 1570 për të mbrojtur enklavën papale në Avinjon, nga një tjetër armik heretik, kësaj here nga francezët protestantë të Huguenots. Ai dërgoi djalin e tij, Antonion, në një shkollë jezuite në Romë ku studio për drejtësi dhe që prej 1580 ndihmoi kushëririn e tij, Bartolomeun, të administrojë Moldavinë.
Ndikimi i klanit arriti aq larg, deri në veprimtarinë si agjentë të Mbretëreshës Elizabetë I. Në 1596, Edward Barton, ambasadori anglez në Samboll udhëtoi me Sulltan Mehmetin III përmes Hungarisë me përkthyesin e tij: Pasquale Bruti, një nga nipat e Bartolomeos. Fatkeqësisht Pasquale pati të njëjtin fat si xhaxhai i tij, u vra nga autoritetet osmane në Beograd në 1597, i dyshuar si spiun.
Jetët e familjeve Bruni e Bruti dhe historitë që ata zbulojnë janë të shquara, por më shumë për shkak të akteve të jashtëzakonshme prej studiuesi të ndërmarra nga Malcolm për t’i nxjerrë ato në dritë. Malcolm hasi në historinë e familjes Bruni rreth 20 vjet më parë teksa po lexonte një libër italian mbi Perandorinë Osmane të shekullit të 16.  
Kjo çoi në ndjekjen e shkresave në arkiva të shumtë, duke filluar nga Britania e Madhe, Italia, Ballakani dhe përfshiu konsulta me mijëra dorëshkrime dhe tekste në shqip, serbo –kroatisht, maqedonisht, rumanisht apo siç në mënyrë modeste e përshkruan Malcolm “në gjuhë të ndryshme të Europës Lindore”.
Tradicionalisht, historia e shekullit të 16 në Europë dhe Mesdhe është treguar sipas trashëgimisë intelektuale Greko – Romane, që do të thotë se shumë dijetarë që zotëronin greqishten apo latinishten e kuptonin Rilindjen si diçka që fillonte diku në perëndim të Stambollit (apo Kostandinopojës) në shekullin e 15 dhe mbaronte në Tudor të Anglisë në fillim të shekullit të 16.
Vende si territoret e Perandorisë Osmane në Lindje të Europës, përfshirë Shqipërinë, nuk u konsideruan me interes, as nuk patën dijetarë të aftë për të kuptuar minierën e materialeve arkivore që kishin në dispozicion. (Edhe Malcolm kërkon ndjesë se zotëron vetëm njohuri themelore të turqishtes).
Problemi u komplikua nga Lufta e Ftohtë, ku Perdja e Hekurt ra në të gjithë Europën Lindore dhe i pengoi historianët që të rivlerësonin rolin e vendeve të tilla, si Polonia e Hungaria në Rilindjen e shekullit të 16 që nuk kishin asnjë ide të ndarjeve që do të linte mbresë në Europë për kaq shumë shekuj pasues.
Ka dijetarë të paktë me aftësitë gjuhësore dhe vizionin historik të Malcolm, që përbën një prej arsyeve të shumta përse “Agjentët e Perandorisë” është një libër i rëndësishëm.
Ai hap hirozonte të reja kërkimi në brendësi të Rilindjes në Europë, duke e lëvizur qendrën e gravitetit në drejtim të lindjes dhe larg Italisë, pikërisht në momentin kur ngjarjet e fundit në Turqi mund të jenë vendimtare për fazën e ardhshme të historisë së Mesdheut
Por kini kujdes: Njohuritë e jashtëzakonshme të Malcolm do t’ju mbërthejnë dhe përshkrimet e zgjeruara mbi qarkullimin e lajmeve, historia e tregtisë së grurit, pirateria, lufta dhe spiunazhi mund t’ju vënë në provë durimin.
Nuk është libër për ta lexuar në plazh –nëse po i drejtoheni Rivierës shqiptare. Kush e dinte që Shqipëria e shekullit të 16 do të ishte kaq interesante?
The Telegraph – Përgatiti Lapsi.al