• |
ide | kryesore

Edhe unë jam “budalla”, do të votoj Halim Kosovën

Arkiva, Ide
mark marku.jpg



Kam qenë në mëdyshje gjithë këto ditë fushate nëse do të paraqitesha apo jo më 21 qershor në qendrën e votimit. Për kë të votosh? Për kandidatin e PS-së Erion Veliaj, një politikan ngulmues, i zellshëm, madje do të thosha edhe simpatik, po të mos ia kishim dëgjuar aq gjatë fjalimet e tij propagandistike të huazuara prej sekteve fetare? Po ai gjatë gjithë kësaj fushate s’pushon së përsërituri 20 herë në ditë para qytetarëve se sa e do kryetarin e vet Edi Rama, a thua se dashuria e tij për Edin është një argument i mjaftë për ta zgjedhur si kryebashkiak të kryeqytetit! Të votosh doktor Kosovën, një figurë dinjitoze e këtij vendi, që po bën një fushatë befasuese, me një ligjërim krejt të përkundërt nga ligjërimi propagandistik qoftë i kundërshtarëve, qoftë i PD-së partisë që e ka kandiduar, ndoshta kandidati më shpresëdhënës mes figurave që u është propozuar qytetarëve të Tiranës për kryebashkiak, gjatë këtyre njëzet e pesë vjetëve të fundit (bashkë me Edi Ramën)? Po ai është kandidat i PD-së dhe PD ende nuk ka treguar se ka reflektuar si duhet për dështimet e qeverisjes së saj, ende nuk ka paraqitur ndonjë program a ide bindëse për një qeverisje apo politikë ndryshe nga e vetvetes dhe kundërshtarit të tij që e kritikon për ditë.
Të votosh për Bojaxhiun, politikanin “ndryshe” që u është vetëpropozuar qytetarëve të Tiranës? Po ai nuk e ka paraqitur ende një projekt për Tiranën, madje as një listë këshilltarësh, gjë që e bën kandidimin e tij thuajse qesharak, pasi nuk kuptohet si ai do të mund të qeverisë Tiranën në stilin e tij, pa një projekt origjinal dhe me një këshill bashkiak që do të jetë i kontrolluar, pikërisht prej atyre forcave politike që Bojaxhiu synon t’i sfidojë me “pavarësinë” e tij. Tafajn që bën fushatë sikur do të rizgjidhet kryetar i shoqatës “Tirana”, apo Sazan Gurin që prej kohësh bën një betejë të dëshpëruar për gjelbërimin që s’ekziston më?
Por ja që mes këtyre dyshimeve të vjen papritur një mesazh përmes ekranit të televizionit nga Kryeministri Edi Rama dhe mesazhi është ky: kush voton opozitën, është budalla dhe PD po bën një fushatë për të mbledhur budallenj. Gratë e demokratëve të ndahen nga burrat e tyre budallenj, të bëhen të zgjuara, domethënë socialiste. Opozita është destruktive. Nëse votoni kandidatët e djathtë, qytetet dhe fshatrat tuaja nuk do të marrin asnjë investim nga qeveria. Ka dalë një diversant me emrin Dritan Memushi në Tepelenë, që po u kërkon votat. Asnjë votë për atë! Asnjë votë! Dhe, pasi i ka fërkuar krahët Tërmetit  duke e inkurajuar për “fitoren e tij publiçitare”, i sulet Përmetit dhe kandidatit të tij, dhe pas Përmetit qyteteve të tjera për fitoren plebishitare.
Nuk po u besoja syve. Kisha dy-tri ditë i zhytur në leximin e nobelistit francez, Patrick Mondiano (kisha shtënë në dorë tre libra të këtij autori), sapo kisha mbaruar librin e fundit të tij "L’herbe des nuits" dhe dyshova mos kujtesa po më punonte të njëjtat rrengje që u punonte personazheve të Mondianos. Pata frikë mos ende truri im po përjetonte një përzierje realitetesh gjysmë fiktive, gjysmë reale. Ku isha, në romanet e Mondiano-s, në Venezuelën e Chaves-it, tashmë të vdekur, ku opozita shpallet “agjente” e amerikanëve? Në Turqinë e Erdoganit, ku opozita dhe kundërshtarët e këtij të fundit futeshin në burg si “komplotistë” dhe, si të mos mjaftonte grushti dërrmues i shpëtimtarit Erdogan, ai iu drejtua plebishitit për t’ia forcuar me votën e tij goditjen kundër armiqve të tij dhe ku fatmirësisht populli ia ktheu grushtin në fytyrë… Ku jam, në Rusinë e Putinit ku opozitarët “komplotistë” dhe “destruktivë” kanë dy alternativa: ose të luajnë shah në Perëndim (rasti i Kasparovit), ose të vriten në mes të sheshit, siç ndodhi me Boris Nemtsovin kur ia numëruan plumbat pas shpine mu nën muret e Kremlinit “terroristët nga Kaukazi”, që nuk u kapen kurrë?
Kur truri të “nxjerr jashtë realitetit”, është pikërisht realiteti me objektet e tij që të kthen te vetja, pra në realitet. Aparati i televizionit që e kisha blerë një vit më parë i joshur nga një ofertë, kanali televiziv me siglat e tij shqip dhe me të folurën e tij shqip, divanet, librat, apartamenti dhe më në fund shfaqja e fytyrave të njohura më bindën plotësisht se isha në vendin tim “demokratik”, në Tiranë, në rrugën “Him Kolli”, se isha në vitin 2015 dhe se Kryeministri i vendit tim ishte po ai që kishte ardhur dy vite më parë në pushtet me votat e një milion shqiptarëve, që atij më shumë sesa vota përgjegjësie i pëlqen t’i quajë si shuplaka për opozitën. U kujtova se jetoja në një vend ku realiteti dhe fiksioni shkëmbejnë vendet sa herë të duan me njëri- tjetrin edhe në trurin më normal.
Jemi pra, pa asnjë pikë dyshimi, në Shqipëri dhe në pikun e një fushate elektorale, ku në vend që të shpalosen dhe debatohen alternativat më shpresëdhënëse për qeverisjen e qyteteve tona të varfra dhe depresive, po i jepet një goditje dërmuese demokracisë së vendit.
Këtë goditje po e jep vetë Kryeministri Rama, i cili prej një muaji po shpalos anembanë Shqipërisë vizionin e tij të frikshëm për demokracinë shqiptare, si një demokraci e arrogancës së skajshme të pushtetit ndaj qytetarëve të cilët kur nuk e marrin propagandën qeveritare si të vërtetë, quhen budallenj (vetëm Tërmeti i shkretë e ka marrë propagandën si të vërtetë, pasi mendon se edhe fitorja duhet të jetë njëlloj si qeverisja – publiçitare), të cilët kur mendojnë se duhet ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar për një alternativë të ndryshme nga ajo qeverisëse, janë budallenj. Për gratë e tyre ekziston megjithatë një alternativë: të ndahen nga burrat e tyre dhe të bashkohen me kryeburrin apo kryezotin e Shqipërisë, burrin e të gjitha grave: Kryeministrin Edi Rama. Jetojmë një realitet ku opozita shpallet destruktive, e dëmshme dhe ku kandidatët që nuk i marrin leje qeverisë apo partisë për të kandiduar, shpallen diversantë. Jemi, pra, në një vend ku ndarja e pushteteve dhe, më tej, autonomia e pushtetit lokal, as që mund të merret me mend, pasi vetë Kryeministri ka shpallur doktrinën: ose me qeverinë dhe me lekë, ose pa qeverinë dhe pa lekë. Askush në këto takime nuk ia ka bërë disa pyetje të thjeshta zotit Rama: Po, kur qenka kështu, atëherë pse duhet të ekzistojë edhe pushteti qendror, edhe pushtetit vendor? Pse i harxhoni lekët e taksapaguesve kot, me gjithë ata zyrtarë, këshilltarë, taksa vendore? Pse na rropatni trurin me fushata në pisk të vapës kur ne i bëmë zgjedhjet para dy vjetëve dhe fitues ishte Edi Rama? Dhe, për më tepër, pse duhet t’i zgjedhin votuesit kandidatët, kur këtë po e bën shumë mirë Kryeministri duke i vlerësuar anembanë Shqipërisë: kaqol, karagjoz, i lodhur, i trashë, i hollë, i aftë, i paaftë, i rrjedhur, i mirë, i keq, bën, s’bën etj. etj…
Realiteti shqiptar i këtyre zgjedhjeve po na ofron ditë për ditë materializimin e këtij vizioni të rrezikshëm antidemokratik të Kryeministrit të Shqipërisë. Në Durrës, televizioni “armik” “Agon Channel” ka zbuluar se aty ku mungojnë votuesit për kandidatin socialist, ata importohen. Ose, më saktë, Rilindja ka zbuluar një sekret magjik: i mbjell votuesit njësoj si palmat: në apartamente bosh, në rrënoja antike të pabanueshme dhe të pabanuara që prej kohës së romakëve, madje i kishte mbjellë nja tre-katër votues edhe në një lulishte. Në Vorë kandidati “armik” Ismaili mbyllet nga policia në shtëpi dhe nuk lejohet të bëjë fushatë. Lefterija e PD-së, që tashmë ka kaluar me PS-në, e ka lënë Laçin pa konkurrencë. E njëjta gjë po ndodh edhe në Këlcyrë. Administrata i ka shpërngulur punonjësit e vet nga zyrat e shtetit nëpër zyrat elektorale, madje në krye të tyre ka vënë vetë ministrat. Pashë një ditë, në një kronikë televizive, ministrin Beqaj që, bashkë me kandidatin Veliaj, kishin marrë pompat e spërkatjes kundër mizave në Tiranë dhe kjo më ndihmoi të kuptoj një shprehje të mëvonshme të Kryeministrit Rama në një takim elektoral në Tepelenë: “mirë gomari që na ngordhi, po s’na lenë rehat as mizat”. E kuptova, ministrat e zotit Rama kanë filluar t’ia kapin idetë që në kokë zotit Rama. Kësaj i thonë qeverisje efikase. Dhe gjithnjë e më efikase do të ishte sikur të hiqnim dorë përfundimisht prej gjithë atyre telasheve dhe pengesave të panevojshme të sistemit tonë gjysmëdemokratik dhe shtetin e së drejtës ta zëvendësojmë me shtetin e Edi Ramës.
Është pikërisht ky vizion antidemokratik i shpalosur këto ditë që më shkundi nga dyzimi për të votuar apo për të mos votuar më 21 qershor. Vendosa të votoj. Madje, po e deklaroj edhe se për kë: Halim Kosovën. Pse do thoni ju, se është kandidati më i mirë? Edhe pse kam të njëjtin vlerësim pozitiv që kanë shumë njerëz për të në këtë qytet, duke përfshirë këtu edhe Kryeministrin Rama dhe kryeparlamentarin Meta, unë do të votoj jo për këtë arsye. Do të votoj që demokracia shqiptare të mos futet në një aventurë të re antidemokratike. Do të votoj kundër vizionit antidemokratik të Ramës. Do të votoj si reagim ndaj kërcënimeve që ai po na bën, dhe për solidaritet me ata votues antiqeveritarë që ai i fyen duke i quajtur budallenj. Do të bëhem edhe unë “budalla” si ata, dhe me ta do të bashkoj votën, hapur, pa mëdyshje. Më mirë me “budallenj” si ata, se me “të zgjuar” që me votën e tyre e duartrokasin vizionin antidemokratik të shpallur nga Kryeministri Rama dhe e shndërrojnë atë në realitet.
/Panorama/