• |
ide | kryesore

Ja se ç’ndodh nëse Greqia del nga Euro

Arkiva, Ide
garton ash.jpg



U gjenda në Greqi para dy javësh dhe e pashë në çdo cep: që nga Pnyka vendlindjen e demokracisë, deri në bisedat me elitën greke, biznesmenë, gazetarë dhe akademikë,  shumica e të cilëve ishin kritikë ndaj qeverisë aktuale të SYRIZA-s. Më pas u ktheva në Europën veriore, në Angli, në Belgjikë dhe tani në Poloni. Dhe në veri nuk gjeta vetëm një indiferencë relative (Greqia këtu është më shpesh objekti i shakave se sa i një preokupimi intensiv), por edhe dy iluzione të rrezikshme.

E para, ekziston ende hipoteza e shpërndarë gjerësisht se “dueli” greko-gjerman do të përfundojë njëfarësoj, me një kompromis të pakuptueshëm të çastit të fundit, klasik për Brukselin, 

E dyta dhe shpesh herë e alternuar me pikëpamjen e mësipërme, ekziston mendimi se një Grexit nuk do të ketë pasja të konsiderueshme: Greqia përfaqëson me pak se 2% të GDP-së të Eurozonës dhe tashmë ekzistojnë valvula sigurie që do të evitojnë shtrirjen edhe në vendet e tjera të jugut të Europës. Përse, europianë që punojnë fort, që nga Irlanda deri në Letoni, që u janë nënshtruar dhimbjeve të reformave strukturore dhe shtrëngesës të vazhdojnë të paguajnë për ata që nuk bëjnë të njëjtën gjë? Në fund të fundit, ndoshta një Grexit mund të jetë më i mirë për gjithë ata që implikohen. Pedagogu i Univeristetit Bocconi në Milano, Francesco Giavazzi guxoi madje të shkruante se “do të duhet të shqyrtojmë nëse është kaq e rëndësishme të mbajmë Greqinë nmë Bashkimin Europian”.

Le t’i shohim, pra, këto dy iluzione. Së pari, e gjithë kjo do të mund të ndodhte madje edhe nesër. Depozitat në bankat greke po pakësohen ashtu si uji në një depozitë të çarë: mbi 500 milionë euro u larguan vetëm brenda një dite, të premten 5 qershor, kur vendi nuk pagoi një këst të programuar për FMN-në. Të pasurit i kanë nxjerrë prej kohësh paratë e tyre jashtë kufijve, ndërsa të varfërit i fshehin poshtë dysheqeve. Në panikun e radhës që do të shkaktojë largim depozitash do të përballemi me kufizime në lëvizjen e kapitaleve dhe një qeveri e falimentuar do të emetojë bono “IOU’s” (I Owe You = të kam borxh) për të paguar rroga dhe pensione. Vetëm Zeusi do të mund të parashikonte se çfarë do të pasojë. Ndoshta mund të ekzistojë edhe atëherë një shpresë për shpëtim, me një farë falimentimin të koordinuar brenda Eurozonës, por vetëm një playboy me njohuri në teoritë e lojërave do të mund të bazohej në një gjë të tillë. Grexit do të mund të ndodhte nga një Graccident.

Dhe përse do të kishte rëndësi kjo? Për fillim tregjet do të konsideronin tashmë se pjesëmarrja në Eurozonë nuk është diçka e parevokueshme. Shpërndarja e bondeve shtetërore e shteteve të tjera të dobta të Eurozonës që kanë borxhe nuk do të ishte, ne gjasë, e menjëhershme, por çdo krizë e re në një ekonomi të dobësuar do të mund të nxiste një spekulim agresiv.

Pastaj kemi edhe koston ekonomike dhe rrjedhimisht njerëzore në Greqi. Nuk është nevoja në këto momente të rreshtojmë gjithë gabimet e të kaluarës: janë kaq shumë sa do të mund të mbushnin qelitë e rrëfimit të gjithë kishave të qytetit të mrekullueshëm Vroclav (ku po shkruhen këto rreshta) dhe mund të them se janë shumë kisha që presin të merren me mëkatet e të tjerëve. Gjithashtu, nuk është nevoja të them se Greqia nuk do të duhej të anëtarësohej kurrë në Eurozonë, e cila nga ana e vet, nuk do të duhej as të ishte krijuar me arkitekturë kaq problematike. Më tej gjithashtu, merret me mend se qeveritë klienteliste greke, duke marrë hua para me interesa Gjermanie, e bënë në vitet e para të euros, një sistuatë të keqe, akoma më të keqe, me sinergjinë e oligarkëve. Ilaçi që u përgatit nga Gjermania dhe FMN për t’u kapërcyer kriza, dihej me siguri se do ta përkeqësonte situatën e një pacienti kaq të sëmurë, ndërsa vetë pacienti shtirej se merrte vetëm një pjesë të dozës së barnave, etj. Mirëpo, ky nuk është momenti i grindjeve për të kaluarën.

Hidhini përgjegjësitë ku të doni. Ajo që gjithsesi mbetet është se grekët vuajtën shumë. Faktet e thata flasin për reduktim të shprenzimeve në Greqi në nivelin e një të tretës 7 vitet e fundit, me një ndër dy të rinj grekë që jane të papunë. Një tjetër shifër akoma më e keqe, është ajo e vetëvrasjeve që u shtuan me 35% që nga 2010. Nuk mund të heq nga mendja historinë e Theodoros Giannaros, drejtor i spitalit Elpis në Athinë, të rraskapitur, duke tymosur njerën cigare pas tjetrës dhe të punojë 20 orë në ditë, me fonde dramatikisht të pakësuara. Dhe teksa Dr.Janaros punonte 20 orë në ditë që të shpëtojë jetë njerëzish, mëson se i biri i tij 26 vjeçar i dha fund jetës duke u hedhur në shinat e metrosë.

Nëse Greqia dilte nga Eurozona askush nuk e di me saktësi se çfarë do të ndodhte, mirëpo ekonomisti nobelist Christopher Pissarides beson se rezultati do të mund të ishte ulja më dramatike e nivelit të jetesës në historinë bashkëkohore të ekonomisë. Dhe secili grek do të pyeste atëherë: Përse vuajti gjithë këtë dhimbje? Nisur nga fakti se vendi disponon ende atë sistem politik që u lind në Pnyka (pra demokracinë), kjo magmë zemërimi dhe dëshpërimi do të shprehej në kutinë e votimit. Me përjashtim të një mrekullie, kjo do të shpinte në një qeverisje edhe më ekstreme, më populiste dhe më nacionaliste, qoftë nga e majta, qoftë nga e djathta. Ky zhvillim do të kishte pasoja jashtëzakonisht serioze për gjithë Bashkimin Europian dhe pozitën e Unionit në botë. Pavarësisht se me terma rreptësisht juridikë një dalje nga Eurozona do të duhej të shpinte edhe në dalje nga Bashkimi Europian, në të vërtetë, shtetet anëtare do të përpiqen ta mbajnë Greqinë në radhët e BE,- dhe në rastin më të keq – pjesa praktike e një shkëputjeje do të mbante vite të tëra. Ndërkohë, një qeveri ekstremiste në epokën pas daljes nga euro, do të mund të fillonte me ushtrimin e vetos, bie fjala në vendosjen e sanksioneve të mëtejshme Rusisë për çështjen e Ukrainës. Në të njëjtën kohë, Moska nuk do të jepte para, por do të gëzohej veçanërisht që të luante kartën e solidaritetit politik ndërmjet dy vendeve të lavdishme të ortodoksisë. Dhe, sa u përket mijëra refugjatëve nga Lindja e Mesme dhe Afrika që faktikisht po kalojnë Mesdheun, Athina nuk do të kishte më asnjë stimul që mos t’i lejojë të avancojë direkt në shtetet më të pasura europiane.Pyeta një ish ministër turk se si do të reagonte ndaj gjithë këtyre Turqia. Me dhrahminë e re të zhvleftësuar, më tha, Greqia do të konkurronte Turqinë me çmime më të lira në turizëm; mirëpo, në pikëpamje gjeopolitike, një Grexit do të dobësonte aspiratën turke për integrimin europian. Përkundrazi, Turqia do të synonte të bëhej një fuqi rajonale autonome.

Në të njëjtën kohë, Kina disponon stacionin e konteinerëve në portin e Pireut dhe e shfrytëzon si një pikë të rëndësishme hyrëse në Europë, në kuadër të strategjisë ambicioze “Një zonë, një rrugë (One Belt, One Road) që njihet edhe si “Rruga e re e mëndafshit”. Pekini, me rezervat e fuqishme të valutës që disponon, do të ishte jashtëzakonisht i gëzuar të mbledhë disa nga copat e tjera –dhe kështu të fitojë më tepër influencë brenda në Bashkimin Europian. Djepi i dikurshëm sa i Europës, aq edhe i demokracisë – flota greke që fitoi kundër persëve në betejën e Salaminës u nis nga porti i Pireut- do të shndërrohet në një gjymtyrë të bishtit të dragoit kinez. Dhe herët a vonë, kjo gjymtyrë do të ketë fund të keq. Kështu, edhe sikur të mos keni në zemrën tuaj as edhe një fije simpati për grekët – madje as për Dr. Giannaros dhe birin e tij që i dha fund jetës-, nëse keni mend në kokën tuaj dhe preokupoheni për të ardhmen e Europës, do të duhet ta kuptoni se përse duhet ta shpetojmë Greqinë.



*) Timothy Garton Ash është pedagog i studimeve europiane në Universitetin e Oxford-it/ marre nga gazeta Tribuna