• |
ide | kryesore

Dilema për Tiranën/ Për kë duhet të votojmë

Arkiva, Ide
Dritan Shano.jpg



Një pjesë e madhe e Tiranës do përballet me një dilemë të fortë në datën 21 Qershor. Dilema e shumë votuesve në Tiranë është të votojnë për Halim Kosovën apo për Erion Veliajn.
Nuk po flas për të ekzaltuarit. Të çdo krahu politik. Ata nuk e njohin nga bie me shtëpi dilema morale. E kam fjalën për qytetarët normalë, për nënat dhe baballarët, motrat dhe vëllezërit tanë që çdo mëngjes shkojnë në punë, që djersiten për të nxjerrë bukën e gojës dhe për të çuar fëmijët në shkollë. Pasnesër, një pjesë e madhe e këtyre tiranasve, të vjetër e të rinj, do jenë si Hamleti. Ndërgjegjja, morali i secilit prej tyre do vihet në provë. Në një provë të rëndë për kohërat tona kur morali njerëzor dhe thesi me miell janë në garë, dhe jo rrallë fiton thesi me miell. Atyre do t’u duhet të zgjedhin. Të zgjedhin midis atyre vlerave që ata besojnë dhe asaj çka u imponohet.
Për shumë qytetarë të Tiranës nuk ka asnjë dilemë. Hamleti nuk kishte pse ta vizitonte ndërgjegjen e tyre kësaj radhe. PD i ofroi Tiranës Halim Kosovën si kryetarin e ardhshëm të bashkisë. Me zgjuarsi, dhe mbi të gjitha duke i respektuar të gjithë tiranasit, pa përjashtim. Në përputhje me vlerat morale të së djathtës. Me modelin e saj të suksesit. Që propozon Punë dhe Dinjitet.
Për shumë qytetarë të tjerë të Tiranës, Halim Kosova ndoshta është vetëm kundërshtari politik. Por që njësoj si ata ka 35 vjet që punon çdo ditë. Që ka mundur të përfaqësojë një brez që erdhi nga errësira komuniste në demokraci dhe përsëri pati sukses. Në sektorin publik dhe atë privat. Një njeri dhe profesionist i vërtetë. Që gjithçka ka arritur në jetë, e ka bërë vetë. Njeriun që thotë ja ku jam. Që nuk fshihet pas kërrkujt. Qytetarin model. Që është vetë kapiten! Një njeri që të jep garanci, një njeri që çdokush do e cilësonte si mësues, të vlerave, të suksesit, të përvojës. Çdo profesionist në këtë vend që ka përjetuar vështirësitë e tranzicionit, që ka harxhuar mund e djersë për të patur sukses apo për të mbyllur muajin, të gjithë, që nga ata që rrojnë në qytet e deri tek fshatari që punon bahçen e vet, gjen diçka nga vetja e tij tek Halimi. Atë çka prindër, motra dhe vëllezër do të donin si model me të cilin të edukonin fëmijët e tyre. Halim Kosova që nga dita e parë e punës i ka shërbyer jetës dhe prosperitetit njerëzor.
Kandidati i Kryeministrit nuk është asgjë nga këto. Modeli që ai përfaqëson është e kundërta e gjithë këtyre. Ky eshte modeli sesi pozita arrihet pa asnjë mundim tjetër përveçse shërbimit dhe lëpirjes ndaj një personi të vetëm. Ai matet me besimin e patundur të Kryeministrit se ai mund t’u bëjë ç’të dojë socialistëve dhe ata mos bëjnë gëk. Është zgërdhirja e Kryeministrit ndaj tyre dhe ndaj gjithë shqiptarëve. Është afrodiziaku i përdorimit të pushtetit të marrë në 2013-ën. Kandidimi i Erion Veliajt vjen si imponim, si përdhunë. Pa lidhje me asgjë tjetër. Ai matet vetem me dëshirat, morbozitetin dhe vullnetin personal të Kryeministrit.
Kandidimi i tij për Tiranën është kurthi i arbitraritetit, arrogancës, poshtërimit dhe shkeljes me këmbët e pista të pushtetit mbi mendjet dhe shpirtin e qytetarëve të Tiranës. Vetëm pse ata janë të varfër dhe ndjehen të pafuqishëm. Ky është drejtimi i duhur që imponon Kryeministri. Ky është kurthi i madh që ai i ka ngritur Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, kurthi ku pushteti i “shumicës”, do mvishet vetëm tek një njeri. Tek një pronar. Që do të jetë pronari i vetem i votës, shpirtit dhe të ardhmes të çdo shqiptari. Është kurthi i antivlerave ku në 21 qershor pritet të bien kokë e këmbë vlerat qytetare të punës, respektit dhe meritës. Që secili prind i transmeton tek fëmijët e vet. Si edukatë qytetare. Për t’i bërë vend lakeut. Hologramit të Kryeministrit Rama.
Shumë qytetarë të Tiranës të kapur në këtë kurth, tek do shkojnë të votojnë do pyesin veten a ja vlen apo jo të shesin përfundimisht edhe gramin e fundit të dinjitetit. Atë që e kishin fshehur thellë në shpirtin e tyre. Kjo është çështja! Me gjasë ata pyesin se ç’mësim do u vlejë më shumë fëmijëve të tyre? Ndershmëria apo mashtrimi? Respekti për punën apo sahanlëpirja? Merita apo kacavjerrja politike? E drejta apo manipulimi? E vërteta apo propaganda? Zgjedhja e lirë apo bindja e verbër? Tek votojnë, ata si kurrë ndonjëherë do peshojnë dinjitetin dhe respektin për veten, për gjithë ç’kanë bërë në jetë? Çka është më e rëndësishmja, ata mund të humbin respektin dhe besimin e fëmijëve të tyre. Që shohin prindërit e tyre që përthyhen, që tjetër thonë e tjetër bëjnë. Apo këta shumë qytetarë të Tiranës do vendosin të mos bien symbyllur në kurthin e bërë gati për ta?
E di që kjo nuk është e thjeshtë! Shpeshherë, më kollaj thuhet se sa bëhet. Por ata të gjithë janë të ndërgjegjshëm se të votosh për projektin pervers të Kryeministrit Rama është si të vjedhesh fjalët, parimet dhe moralin që u ke mbrujtur fëmijëve në mendje dhe në shpirt. Qysh kur i ke sjellë në jetë. Nga ana tjetër, prindi do bëjë gjithçka, që nga thesi me miell e deri të rrezikojë duke vjedhur për të siguruar fëmijën dhe mirëqënien e familjes së vet. Por të votosh për të nuk është as si të vjedhësh dhe të çosh lekët në shtëpi që të ushqesh familjen. Të votosh për kandidatin e Kryeministrit është njësoj si jo vetëm të vjedhësh lekët e bankës por edhe t’i humbësh ato në bixhoz. Atje ku dihet që askush nuk fiton, përveç pronarit.
E megjithatë, të gjithë hamletët e Tiranës e kanë një zgjidhje. Duhet vetem pak guxim!