• |
ide | kryesore

Ilir Meta s’mund të presë me brekë ulur

Arkiva, Ide
bejtja.jpg



Ilir Meta priti më kot, me qetësi dhe dashuri, të shikonte atë që në fakt e dinte më mirë se kushdo tjetër: që Edi Rama nuk është njeri i marrëveshjeve politike, përkundrazi. Këtë e pa në Pogradec, e pa në Mallakastër, e pa në Selenicë etj. Është e qartë që socialistët, në shumë nga këto rrethe ku kandidatët e saj humbën, nuk e kanë votuar LSI-në, në mënyrë të natyrshme a me urdhër, kjo mbetet për t’u parë. Po LSI-ja është aq e bindur se është kjo e dyta, saqë edhe tani që po hidhen këto radhë, njerëzit e saj janë shpërndarë kudo ku numërohen votat, nga frika se mund të ketë dhe deformime të qëllimshme. Në fakt, pavarësisht nga lëvizjet djathtas e majtas në koalicione ndër vite, Ilir Meta e bëri detyrën politike ndaj koalicionit edhe këtë herë. Ditën e zgjedhjeve, si rrallëherë, përveç mesazheve të tjera, në mesditë ai u dërgoi dhe një mesazh publik mbështetësve të tij: – “Votoni Erion Velinë”, – duke fashitur çdo hamendje dhe fjalë që qarkullonte se anëtarët e LSI-së kishin marrë urdhër për të votuar Halim Kosovën. Rezultati i Tiranës e vërteton këtë. Dhe nuk është vetëm rezultati i Tiranës, por dhe i shumë qyteteve të tjera të mëdha, ku Partia Socialiste do ta kishte vështirë të triumfonte në mënyrë bindëse, pa votat e LSI-së.  Por ndryshe nga herët e tjera, ndryshe dhe nga zgjedhjet lokale të vitit 2007, kur u gjend përpara të njëjtës situatë që gjendet tani, Ilir Meta nuk e mbajti përbrenda këtë që i ndodhi. Luan Rama, në konferencën për shtyp foli hapur: “Falënderojmë anëtarët dhe votuesit tanë, të cilët u treguan mjaft korrektë në mbështetjen e të gjithë kandidatëve të koalicionit, duke mos bërë pazare e lojë të dyfishtë, duke treguar se LSI-ja u qëndron marrëveshjeve në mënyrë luajale”. Në fakt, ky është dhe lajmi kryesor i këtyre zgjedhjeve, për të cilat të gjitha palët do të dalin dhe do ta deklarojnë veten fitimtarë. Ky është lajmi kryesor: Ilir Meta i tha publikisht, jo vetëm elektoratit të majtë, por të gjithë publikut, atë që ka vite që mendon për Edi Ramën. Dhe kjo deklaratë publike duket se i jep fund edhe dashurisë së shtirur në bazë, ndërmjet elektoratit socialist dhe atij të LSI-së. Ndaj, këtë herë, buka e thyer vështirë se mund të ngjitet. Do të ishte alogjike, jo vetëm duke njohur karakterin e Ilir Metës e atë të Edi Ramës, por edhe realitetin aktual politik dhe ligjet e pashkruara të politikës, që Ilir Meta, për hir të disa ministrave që mund të ketë në qeveri dhe dy viteve përfitime në qeverisje të përbashkët me Ramën, ta presë 2017-n, jo thjesht me të mbathura ulur, por edhe me krem në dorë, për të ardhur në një pikë që nuk do ta ngrinte më kokën kurrë. 21 qershori i 2015-s ishte epitafi i kësaj marrëveshjeje dhe është e kuptueshme që politikisht Ilir Metës i duhen partnerë të rinj. Edi Rama për të është djegur, pavarësisht se për inerci mund të vazhdojnë dhe disa kohë t’ia japin dorën njëri-tjetrit. Po ku mund t’i gjejë Ilir Meta partnerët e rinj dhe cilit elektorat do të synojë t’i rrëmbejë vota? Djathtas e ka të vështirë, pasi, siç është shprehur edhe vetë, “ka të bëjë më një kryetar që të gënjen dhe për orën”. I vetmi treg për të mbetet e majta. Ndaj në LSI thonë se Ilir Meta këta dy muaj e ka të zënë me dreka: me Fatos Nanon, me Ben Blushin, Skënder Gjinushin, Paskal Milon, Shpëtim Idrizin dhe me Gjergj Bojaxhiun, madje, ka zëra që thonë edhe me Pandeli Majkon apo me Gramoz Rucin.

Titulli origjinal i shkrimit te shkruar per Lapsi.al: 'KRONIKË E NJË INTRIGE TË PARALAJMËRUAR"