• |
ide | kryesore

Edi Rama e preu në besë Ilir Metën

Arkiva, Ide
niko lesi.jpg



Më në fund foli edhe kryeministri dhe kryetari i PS-së, Edi Rama. Foli nën një emocion që nuk është në natyrën e tij. Edi Rama, edhe kur është në  humbje, ka aftësinë e madhe që të duket si fitues. Është oratori e lindur dhe e kultivuar, natyrisht. Sot nuk ishte ai Edi që njohim. Kishte arësye të ishte shumë i gëzuar sepse ka fituar zgjedhjet, ka marrë Tiranën dhe ka rifituar Durrësin. Pa përmendur bashkitë e tjera. Dhe duket se dhe në numërimin e votave për keshillat bashkiakë do të jetë parti e parë në shkallë vendi. Ka fituar në arenën ndërkombëtare siguri e mbështetje se bëri zgjedhje shumë korrekte, bile siç tha edhe vetë “këto ishin zgjedhjet e para në 24 vite, më të mira”. E ashtu janë në të vertetë, më të mirat. Opozita akuzoi se janë të blera, porse fakte  nuk ka. Në numërim mori pjesë opozita dhe nuk u tërhoq. Kështu që këto quhen zgjedhje shumë të mira. Dhe për këtë Rama duhej të shkëlqente në daljen e tij të parë pas zgjedhjeve. Kishte plotë arësye.
Por nuk ishte Edi! Ishte një Ramë tjetër, paksa i kontraktuar dhe i hutuar, ndonëse prapë e mbante veten nën kontroll. Kush e njeh mirë e dallonte se diçka nuk shkonte brenda Edi Ramës.
Ka diçka në të vertetë nga dje pasdite që nuk shkon mirë tek Edi Rama. Nuk është e kollajtë të presësh në besë Ilir Metën. Dhe PS e preu në besë LSI-në e Metës; në Pogradec, në Vorë, në Mallakastër , në Lezhë dhe në tre bashki të tjera, ku PS-ja nuk e votoi kandidatin e LSI-së, ndërkohë që  votuesit dhe simpatizantët e Metës e hodhën votën për kandidatët e PS-së. Ndaj Edi Rama nuk ishte në daljen e sotme me Ilir Metën , e jo vetëm kaq, porse as telefonat nuk i kanë hapur njeri tjetrit. Natyrisht Ilir Meta i ka bërë "block" Rames. Ka një fjalë të urtë popullore se “në më rrejsh (gënjefsh) herën e parë, të vraftë Zoti, në më rrejsh herën e dytë, të rujt Zoti!”. Dhe kjo hera e dytë që Meta e hëngri nga PS, kjo është e pa kapërdishme nga Ilir Meta, siç kemi informacionet. “Tym” nxjerr kalaja e Metës dhe nuk dihet nëse “tymi” do të asfiskojë edhe qeverisjen në ditët në vazhdim apo nga “tym i zi” do të konvertohet në “tym të bardhë”!
Ndaj Edi Rama nuk ishte i lumtur sot. E di mirë kryeministri se çdo të thotë riftohje të marrëdhënieve me Ilir Metën.Nëse ndodh sherri këtë rradhë nuk ka "zjarrfikëse" që shuan zjarrin mes të dyve, sidomos pas një eksperience jo të këndshme të para katër viteve.
Që PS-ja nuk e votoi LSI-në në këto bashki nuk ka asnjë dyshim, por pyetja mbetet: A ishte direktivë e Edi Ramës apo paaftësi e deputetëve të PS-së në këto zona, të cilët nuk patën fuqinë bindëse mbi elektoratin e PS-së që t'i bindnin për të votuar siç e donte koalicioni, pra kandidatin e LSI-kjo mbetet dilema ? Disa deputetë të PS-së në këto bashki humbëse kanë thënë nëpër dhëmbë që " votat për kandidatin jeni të lirë t'i jepni kujt të doni …!".
Kjo është çështja pra,Rama apo PS-ja e tij e dogjën Metën në këto bashki? Dua të besoj se nuk ka komoditetin Edi Rama për duel me Ilir Metën, aq më tepër se siç po duket se LSI po merr vota për këshilltarë në mbarë Republikën, duke qenë parti e dytë në jo pak bashki, bile në bashki të rëndësishme, edhe parti e parë. 
Diçka po ndodh mes Ramës e Metës, por a do të shkojë kriza deri në bashkëqeverisje apo do të përfundojnë prapë në "Gjirin e Lalzit për ngjala" këtë vështirë ta thuash, pasi pas dy vitesh do shkojnë drejt zgjedhjeve parlamentare. 
Por e saktë mbetet se ka dy ditë që telefoni i kryeparlamentarit është "block" për kryeqeveritarin.