• |
ide | kryesore

A u blenë gjykatësit që lanë Arben Frrokun të “arratiset”?

Arkiva, Ide
frroku-4.jpg



Gjykata e apelit duket sikur ka vënë sot drejtësinë në vend, pasi ka shpallur vendimin me burgim të përjetshëm, për Arben Frrokun vrasësin e komisar Dritan Lamajt. Por ky iluzion i vënies së drejtësisë duket tepër pak, kur na vjen ndërmend vendimi i gjykatësve të shkallës së parë për krimet e rënda, që e la atë të lirë dhe për më tepër i dha mundësinë të “arratiset” jashtë Shqipërisë.  Kjo histori nuk mund të shitet kurrë si e përfunduar pa u kuptuar motivet që i shtynë ata gjyqtarë drejt këtij vendimi. Pa u kuptuar se si e morën atë, nën presionin e parasë, nën atë të politikës apo thjeshtë nga frika e kërcënimit?

Opinioni mbeti i shokuar pak javë më parë kur pesë gjykatës (është mirë të përmenden cdo herë emrat e tyre Dritan Hallunaj, Klodian KurushiFran PrendiArdit MustafajLiliana Baku) morën guximin ta linin pa autor vrasjen e dëshmorit të atdheut.  Menjëherë, sapo u dha ai vendim, Lapsi.al, botoi lajmin me emrat e 5 gjyqtarëve që e kishin firmosur atë. Ishte një surprizë. Për disa ditë me radhë ai qe lajmi më i lexuar. Me siguri njerëzit pyesnin se kush ishin këta njerëz të veshur me të zeza që kishin marrë këtë vendim. Dhe si zakonisht beteja më pas u zhvendos në debatin e përhershëm: a e kishte fajin prokuroria që nuk kishte siguruar dot provat e mjaftueshme, apo gjykata e koruptuar që nuk kishte dashur ti shikonte ato? Dalëngadalë debati u fokusua tek dëshmitari që pretendonte se e kishte parë Arben Frrokun tashmë të liruar tek vendi i ngjarjes. Ai kishte njohur targën e makinës madje edhe vetë Frrokun për një moment. Kështu pretendohej së paku nga prokurorët. Ndërsa gjykata në vendimin e saj e shpallte dëshmitarin të pabesueshëm dhe jepte argumente se ai kishte arritur me vonesë në vendngjarje.

Gjykata mbështetej në dy argumenta së pari se nga kamerat e marra nga një lokal aty pranë nuk dilte që dëshmitari me emër të rremë (për tu ruajtur) Arben Ndoka, të ndodhej aty. Dhe së dyti se ai ka dëshmi kontradiktore për mënyrën se si ua ka treguar këtë histori krerëve të lartë të policisë së asaj kohe.

Rreth këtyre argumentave filloi një debat i vërtetë publik. Komentet në rrjetet sociale për këta gjyqtarë qenë të tmerrshme. Dhe kësaj gati histere kolektive kundër tyre i erdhi në ndihmë edhe prokuroria me një lojë të cilën ajo rrallë e kryen. Ajo filloi të shpërndajë argumenta dhe prova “OFF” për këtë vendim të padrejtë, duke e nxitur edhe më shumë mërinë kolektive.  Le ti kujtojmë edhe njëherë ato. Prokuroria pretendonte se “Në momentin e vrasjes, dëshmitari i mbrojtur ka qenë rreth 15 metra larg vendndodhjes së kamerave, por ka qenë ngjitur me vendin e ngjarjes dhe aty ku ka kaluar makina. Kjo është arsyeja se përse kamera nuk e ka fiksuar menjëherë në vendin e ngjarjes (pasi ka qenë në një pozicion të pambuluar nga kamera,  rreth 15 metra larg lokalit ku gjendej kamera).

Një pretendim i dytë i prokurorisë është edhe se dëshmitari dhe bashkëshortja e tij kanë qenë aq afër vendit të ngjarjes, saqë makina e vrasësve për pak sa nuk i ka përplasur të dy dhe nga shpejtësia ka goditur një pjesë trotuari, duke e dëmtuar trotuarin. Gjatë hetimit është verifikuar pjesa e trotuarit, e cila ishte e prishur, pikërisht në vendin ku ka deklaruar dëshmitari.

Një fakt i tretë i pakundërshtueshëm se ai ndodhej në vendin e krimit është edhe ai i telefonatës së menjëhershme me gardistin Ylli Memia, të cilit i ka shpjeguar ngjarjen dhe i ka dhënë targën e makinës. Kjo telefonatë është kryer shumë pak minuta pas ngjarjes, gjë e cila provohet nga tabulatet telefonike. Pyetja e pakundërshtueshme që shtrohet është: nëse nuk ishte në vend ngjarje si do e gjente menjëherë targën e makinës?

Po ashtu, dëshmitari, ngjarjen ua ka treguar zyrtarëve të policisë Agron Kuliçi dhe Tonin Voci në takimin e zhvilluar pak orë më vonë në shtëpinë e gardistit Y.Memia. Fakti që janë takuar te shtëpia e gardistit provohet nga deklarimet e bashkëshortes së dëshmitarit, Kuliçit dhe Vocit, por edhe nga tabulatet telefonike, si edhe nga antenat e telefonave, të cilat provojnë faktin se të gjithë këta persona janë takuar te shtëpia e gardistit. Fakti që gjykata ka thënë se dëshmitari ka qenë kontradiktor për vendin e takimit, së pari nuk cënon asnjë nga provat dhe së dyti, mund të ketë qenë tentativë e tij për të shmangur nga pyetja në hetim dhe gjykim të mikut të tij, gardistit Memia. Gjithësesi, provat e administruara, pra deklarimet dhe tabulatet e antentat e telefonisë celulare dëshmojnë faktin se ata janë takuar pak orë pas ngjarjes.

Duke iu rikthyer këtyre argumentave të debatuara në publik dhe betejën që u zhvillua rreth tyre, duket sikur vendimi i gjykatës së apelit i kësaj të hëne, i cili dha dënim me burg të përjetshëm për Arben Frrokun, ka qenë një vendim i drejtë. Shkalla e dytë e gjykimit ka bërë që provat të peshojnë nga fajësia e Frrokut, njeriut që kishte konflikt me policin Lamaj, dhe që e dinte se ky i fundit po hetonte të shkuarën e tij të errët.  Pra më në fund duket se është dhënë drejtësi. Por e gjitha kjo nuk fashit dot një të vërtetë tjetër të madhe. Cili është rroli i vërtetë i atyre gjykatësve të shkallës së parë që e shpallën Frrokun të pafajshëm dhe e lanë atë të lirë për tu larguar nga Shqipëria dhe për t’iu shmangur dënimit?

A kanë përgjegjësi sot Dritan Hallunaj, Klodian KurushiFran PrendiArdit Mustafaj, dhe Liliana Baku? A u blenë? A patën frikë? Apo u ndikuan nga politika? Megjithëse duket sikur drejtësia u vu në vend kjo pesshe e veshur me të zezë nuk mund ti shpëtojë lehtë përgjegjësisë. Sidomos pas vendimit të gjykatës së apelit, ata duhet të përgjigjen sot për faktin se Arben Frroku nuk gjendet më parapa hekurave.

(lapsi.al)