• |
ide | kryesore

BE nuk do kthimin e borxhit, por dështimin e Ciprasit

Arkiva, Ide
shametiii.jpg



Për shkak të cektësisë dhe paaftësisë së medias sonë për ta pasqyruar situatën me hollësi, midis shumë diskutantëve në Shqipëri kriza greke po reduktohet në thjesht dilemën: A duhet apo jo Greqia t’ia kthejë borxhet Europës?
Mjerisht ose fatlumturisht, çështja nuk është më fare ekonomike tashmë. Qysh prej disa javësh, kur në pushtet kanë ardhur komunistët e Syriza-s, çështja është bërë politike. Syriza kurrë nuk ka thënë se Greqia s’do të shlyejë borxhet. Gjatë gjithë kësaj kohe, Greqia ka qenë duke shlyer borxhe.
Ajo që ka thënë Syriza ka qenë kërkesa për rinegociimin e borxhit. Që do të thotë: institucionet kredidhënëse duhet të mbajnë edhe ato përgjegjësi që i dhanë borxhe një vendi duke e njohur fare mirë pamundësinë e këtij vendi për t’i shlyer ato sipas afateve të përcaktuara.
Ti je një fajdexhi dhe një ditë ti i mbush mendjen një mbledhësi kanoçesh të të marrë ty hua 100 milionë lekë e të të kthejë 150 milionë pas tri ditësh. Çfarë ndodh n.q.s. ai nuk t’i kthen? I kujt është faji, i lypësit apo yti që nga etja për fitim e hodhe dikë në aventurë e i dhe aq para sa ai nuk ka mundësi të t’i kthejë? Ky debat është bërë edhe më herët mes Greqisë dhe BE-së, kur në pushtet ishte Pasok-u.
Çfarë është e re tashmë me komunistët e Ciprasit është se qeveria greke po ekspozon fytyrën e shëmtuar të asaj çka shfaqet në qoftë se lihet pa frerë kapitalizmi – ky sistem pa sensorë që e bazon ekzistencën e vet te gjunjëzimi i njeriut apo grupit të njerëzve, përmes borxheve, kredive, huave që atyre mund të mos u jenë dashur realisht, por që gjenerojnë fitim për bankat dhe shëndet për sistemin e tyre të qarkullimit të parasë.
Vendet kreditore pas dhënies së borxheve – shpesh të panevojshme – tashmë po i bëjnë presion Greqisë që kjo të ndërhyjë në sistemin e saj të ekonomisë. Por kjo ndërhyrje duhet bërë në mënyrë që të mos preken të pasurit, por vetëm të varfrit – rezervuari i përhershëm që furnizon bankat me klientë kredish, pra me fitime. Që të mos vihet në pikëpyetje hendeku social midis popullit të thjeshtë dhe kastës që ka përfituar nga këto borxhe dhe nga korrupsioni. Që të mos preken lingotat e arta të miliarderëve, por thërrimet e mëditjes popullore e kjo të kryhet përmes rritjes së taksave për ta, uljes së pensioneve, pagave, shkurtimet e vendeve të tyre të punës etj.
Ka qindra mënyra sesi mund të ekonomizohet një vend në krizë, por për rojtarët e kapitalizmit FMN, BB, Banka Europiane etj., vetëm kjo është mënyra sesi duhet të sigurohen paratë me të cilat Greqia duhet të shlyejë borxhet dhe sidomos, interesat e këtyre borxheve. Pra tani lufta nuk është që Greqia të kthejë borxhet, por që Greqia t’i kthejë ato sipas mënyrës të cilën e dikton me arrogancë BE-ja.
Ciprasi u kërkoi institucioneve financiare kohë, me arsyetimin e ligjshëm se borxhi që është marrë në një ditë halli për Greqinë nuk mund të kthehet pa kaluar akoma kjo ditë halli. BE-ja nuk pranoi, por kërkoi sa më shpejt nga Greqia që të paraqesë mënyrën sesi ajo mendonte të vilte paratë e këstit tjetër. Çfarë masash shtrënguese do të merrte Greqia, sa vetë do të hidhte në rrugë, sa pensionistë do të ngordhte urie etj., çdo gjë e detajuar.
Ciprasi propozoi një rrugë të ndryshme nga ajo e shkarkimit të peshës së borxheve te populli: ai propozoi taksimin e të pasurve me arsyetimin se kur dikush të merr borxh, ti si borxhdhënës vërtet ke të drejtë të kërkosh borxhin, por nuk ke të drejtë të vendosësh se cilit nga anëtarëve të familjes borxhlie do i shkurtohet rriska e bukës për të kursyer për borxhin. Kjo është çështje e familjes, e cila është e vetmja që e di se cilin nga anëtaret e saj e ka më të dobët dhe cilin më të fortë. Gjithsesi, BE-ja prapë nuk pranoi.
Tani është e qartë se BE-ja nuk ka fare dëshirë t’i kthehen këstet e mbetura të borxhit grek. BE-ja do thjesht diskreditimin apo dështimin e qeverisë Cipras, vetëm e vetëm sepse ajo është komuniste. Oligarkia bankare kërkon vetëm të krijojë iluzionin (dhe te shumë naivë po ia arrin) se “kamunizma” s’ka të ardhme, se ajo do të shtypet dhe ndëshkohet pa mëshirë, se do të mbytet që në djep, se Ciprasi do të bëhet shembull për cilindo që guxon ta ndjekë, e kështu me radhë. Në qoftë se bashkë me qeverinë e Syriza-s do të flaket në humnerë edhe një popull i tërë, kjo për bankierët dhe politikën europiane që u shërben atyre, s’ka pikë rëndësie.
Ja se pse ajo që po ndodh në Greqi nuk është thjesht një fiasko e grekëve të poshtër përballë gjermanëve “kampionë bote”. Në Greqi po mbrohet sot aspirata e miliona njerëzve për një botë më të drejtë përballë tiranisë dhe arrogancës financiare – e një bote më të barabartë dhe më njerëzore. Është e turpshme që ata të cilët e konsiderojnë veten të majtë apo njerëz të thjeshtë, punëmarrës (punëtorë në një farë mënyrë), të mos ndiejnë sot simpati dhe të mos solidarizohen me popullin grek.
Greqia është sot teatri i përleshjeve mes së mirës dhe së keqes, flamuri i kuq i rezistencës sonë. Ajo është vija e frontit për ata që duan fundin e këtij sistemi ku pakica lundron në para dhe shumica shkelet me këmbë. Gjithçka tjetër është propagandë manipuluese dhe lavazh trunor. /top channel/