• |
ide | kryesore

Batutat me të cilat Rama fitoi zemrën e Merkelit

-Instant, Arkiva, Kryesore, Lajme, Të fundit



Shumëkush në kabinetin e kryeministrit shqiptar tregon se Edi Rama është një nga liderët ballkanikë që i ka hyrë në zemër kancelares Merkel, por pak kush tregon arsyet e vërteta të këtij “pasioni”.
Po ti hedhësh një sy axhendës zyrtare, kryeministri ynë ka pasur dy takime të rëndësishme me homologen e tij gjermane.
Fillimisht atë të prillit të vitit 2014, kur ai u prit për vizitë zyrtare në Berlin dhe pati një bisedë prej 20 minutash me dyer të mbyllura me Merkelin dhe pastaj atë të fund gushtit të të njëjtit vit, ku ai u rikthye në Berlin në mesin e liderëve të tjerë Ballkanikë.
Pikërisht në këtë kohë u debatua shumë se pse Shqipërisë iu dha një vend i privilegjuar në konferencën midis kancelares Gjermane, ish shefit të komisionit evropian Barroso dhe shteteve të rajonit.
Aty Rama qe i vetmi që doli në konferencë shtypi përkrah dy liderëve europianë. Po pikërisht aty më shumë se kurrë, shpërtheu edhe talenti i tij për të rënë në sy.
Mes një aparatçiku si Vuçiç, një ish mundsi si Gruevski, apo një ish doganieri si Gjukanoviçi, kryeministri shqiptar mundi të bënte diferencën. Jo me projekte dhe vizione për Ballkanin perëndimor. Aspak. As në tryezat e e bisedimeve. Por gjatë darkës zyrtare me humor dhe batuta. Që prej kësaj kohe në klubin e ngushtë të liderëve të rajonit, ai mori edhe epitetin e “shakaxhiut të grupit”.
Kur darka me udhëheqësit ballkanikë po bëhej e mërzitshme ka qenë Merkeli që iu drejtua Edi Ramës: “Hë Edi fillo trego një nga ato historitë e tua”, tregon një burim diplomatik. Dhe natyrisht Rama filloi të tregojë historitë e tij gjatë komunizmit duke përfituar edhe nga fakti se kancelarja gjermane e njeh mirë këtë botë se deri në periudhën e rënies së murit ajo ka jetuar në DDR.
Ashtu sikurse kish bërë edhe më parë me Merkelin, Rama shfrytëzoi me mjeshtëri atë karakteristikë që ia kish përshkruar në mënyrë sintetike ish miku i tij i ndjerë Ardian Klosi në rrethin e tyre të ngushtë: “Ky është ai që di më pak nga ne, por dhe ai që ka aftësinë t’i shfaqë më mirë se kushdo të gjitha ato që ne dimë”.
Edhe mes liderëve ballkanikë Rama nuk nguroi ta përdorë këtë mjeshtëri. Tashmë janë bërë proverbiale në rrethet diplomatike rrëfimet e Ramës basketbollist, kur kapërcente perden e hekurt të komunizmit shqiptar dhe shkonte të luante në perëndim. Janë proverbiale rrëfimet e tij për njeriun e ri shqiptar që shijonte deri në pafundësi mëngjeset e bollshme të hoteleve që servireshin falas, mënyrën se si sportistët shqiptarë u rrëmbenin uniformat sportive homologëve të tyre gjermanë, apo anekdotat e jetuara me shqiptarët, që kur flasin shqip gënjejnë, ndërsa kur e thonë të njëjtën gjë në gjuhë të huaj, kanë prirje të tregojnë të vërtetën.
Eshtë kjo arsyeja që shumëkush e shpjegon afërsinë e kancelares Merkel me Edi Ramën. Madje këshilltarët e saj e kanë falënderuar kryeministrin shqiptar, se shpesh herë i ka shpëtuar darkat e mërzitshme me humorin e tij.
Aq shumë e fitoi këtë famë Edi Rama sa edhe disa ditë më pas mbledhjes së liderëve ballkanikë në gusht të vitit 2014, ai u prit me nje kuriozitet të madh në samitin e NATO-s në Uells. Megjithëse liderët e 28-shes ishin të preokupuar ato ditë me problemet e hapura me Rusinë dhe terrorizmin islamik, në pushime ata mezi prisnin të takoheshin me kryeministrin shqiptar që mergeli ua prezantonte si një risi ekzotike. Jo më kot disa ditë më parë mes udhëheqësve ballkanikë, ai kish marrë nofkën e “shakatorit të grupit”. 
©Lapsi.al