• |
ide | kryesore

Çi duhen lexuesit shqiptar shkrimet e të huajve për Ramën

Arkiva, Ide
Ard_Vehbiu_400x400.jpg



Tony Barber, i Financial Times, ka ngrënë darkë me kryeministrin shqiptar Rama dhe pastaj ka shkruar për këtë. Artikullin If EU shuns Albania radical Islam beckons e kanë përkthyer pastaj dhe botuar menjëherë në një numër mediash shqip online.

Më duhet të ndalem këtu në dy gjëra që mund të duken të ndryshme: çfarë shkruan Barber-i për lexuesin e vet; dhe ç’i duhen shkrimet e Barber-it lexuesit shqiptar. Do të përpiqem të gjej megjithatë një mënyrë për t’i lidhur mes tyre, i bindur se kjo jo vetëm ekziston, por edhe do t’i vlejë tezës që dua të mbroj.

Por le ta nis me shkrimin vetë, që është peshëlehtë, dëfryes dhe i mbushur me gjithfarë klishesh. Lexuesit i thuhet se Ramës po i bien flokët, se ai e flet anglishten me saktësinë e një intelektuali të formuar nën regjimin komunist, se ai është edhe i gjatë dhe muskuloz dhe ka luajtur basketboll dhe se ka qenë, në mos është akoma, piktor.

Të njëjtit lexuesi i përmendet edhe fakti që Shqipëria ka qenë e izoluar nën regjimin e Hoxhës, i përshkruhen bunkerët e ndërtuar “për partizanët, që këta të shtinin mbi pushtuesit mitikë”, i shpjegohet se shqiptarët nuk mund të udhëtonin jashtë vendit dhe se atëherë të futnin në burg po të të kapnin me një libër të Picasso-s.

Edhe sa herë do të thuhen këto, derisa të gjithë t’i zërë gjumi ose të ndërrojnë kanal?

Fakti është që muhabetet që ka bërë Barber-i me Ramën i kemi bërë të gjithë, aq sa e gjithë kjo epope me izolim, bunkerë dhe burgosje për libra me piktura është katandisur tashmë në një lloj zhargoni ritual, sa herë që përpiqemi – të gjithë ne – t’u tregojmë të huajve, dhe pikërisht Perëndimorëve, për veten.

Një ritual dhe litani; aq sa të shërbejë si pasaportë narrative e Shqipërisë, në bursën globale të kulturave dhe të komunikimit masiv.

Asgjë nuk u vlejnë lexuesve shqiptarë gjeste të tilla të gjimnastikës diskursive; por nuk ma merr mendja se u vlejnë as të tjerëve, atyre; sepse çdo i huaj që ka ndonjë farë interesi për Shqipërinë, do të ketë jetë informuar tashmë për autarkinë, paranojën, bunkerët dhe librat e ndaluar, aq sa të ndihet i gatshëm për ta kthyer faqen.

Në fakt, Rama ka gjëra shumë të rëndësishme për t’i thënë Barber-it dhe kujtdo tjetër në Perëndim: teza e tij, për ftohjen e shqiptarëve me Perëndimin dhe rrezikun e Islamit radikal meriton të trajtohet seriozisht; jo thjesht ngaqë është alarmante, por ngaqë tingëllon e besueshme.

Barber-i nuk prononcohet për këtë; atij i intereson më shumë kravata ngjyrë vere të kuqe dhe kostumi blu i errët i kryeministrit piktor-basketbollist me trup muskuloz dhe flokë të rëna.

Publikut shqiptar, nga ana tjetër, ky argument i Ramës i është prezantuar jo rrallë si ndonjë lloj “shantazhi” që ia bën Shqipëria Perëndimit; duke ekzagjeruar një rrezik përndryshe minimal, sepse shqiptarët janë “indiferentë për punë të fesë.”

Sikurse i është prezantuar si provë se Rama ndryshe u flet europianëve dhe ndryshe të vetëve; duke kombinuar, në mënyrë super-pragmatike, filo-europianizmin me nacionalizmin.

Në thelb, edhe publikut shqiptar nuk është se i është bërë ndonjë ftesë, nga ana e analistëve dhe komentatorëve, për të reflektuar për çfarë u thotë kryeministri të huajve, europianëve dhe Perëndimorëve veçanërisht.

A është në gabim Rama, kur përpunon një diskurs specifik për ndërfolës nga Perëndimi? Natyrisht jo: sipas vendit edhe kuvendi, e thotë një fjalë. A është në gabim Rama, kur flet për rrezikun e Islamit radikal në Shqipëri? Sërish jo. Islami radikal është i rrezikshëm jo sepse ka mbështetje në popull, por sepse ithtarët e tij janë tejet të motivuar: dhe një pakicë e motivuar mirë gjithnjë fiton ndaj shumicës indiferente dhe që i ka humbur shpresat.

Modeli alternativ, do të ishte ai i Hoxhës “me forcat e veta”: nuk kemi nevojë për ju, Perëndimorët; do t’ia dalim vetë mbanë. Mirëpo të gjithë e dimë se asnjë politikan që i njeh mirë hallet e shqiptarëve nuk mund ta thotë këtë: do të ishte e papërgjegjshme. Problemi nuk është nëse do të arrijë apo jo Shqipëria të dalë nga llumi toksik ku ka ngecur për shkak të koniunkturës ndërkombëtare dhe zbythjes së BE-së, por edhe e sidomos të gabimeve dhe krimeve të klasës së vet politike (që gjithnjë ka pasur mbështetjen e Perëndimit); problemi është se kush do ta ndihmojë tani Shqipërinë dhe si.

Këto gjëra u duhen thënë me durim të tjerëve – dhe sidomos atyre që përpunojnë strategjitë e zgjerimit të BE-së; edhe pse nuk ka arsye pse të përdoren dhe të keqpërdoren, doemos, për konsum të brendshëm. Qeveria e tanishme nuk arrin dot, edhe sikur të mundej, që t’ua kthejë qytetarëve të vet entuziazmin për Perëndimin dhe besimin tek Europa; por mund të bëjë diçka për t’ia ushqyer Europës besimin te shqiptarët.

Barber-i dhe Financial Times mund të ndihmonin për këtë; me kusht që i pari të tregonte pak më empati për dramën e një vendi të vogël, si Shqipëria, e cila e sheh veten mu sipër vijës ku janë ndeshur mes tyre, për më se dy mijë vjet pllakat e mëdha tektonike të historisë së Europës dhe do të vazhdojnë të ndeshen. Islami radikal dhe veçanërisht islamizmi radikal e ka kuptuar këtë; kryeministri Rama dhe shumë të tjerë në Shqipëri dhe gjetiu e kanë kuptuar gjithashtu; me siguri edhe amerikanët e dinë prej kohësh, ashtu siç mund ta dinë amerikanët. Mbetet për t’u sensibilizuar Europa, ose pikërisht ai faktor që pritet të ndërhyjë, si dora që i zgjatet, nga barka e shpëtimit, atij që ka rënë në det.

Ka një logjikë që i mbijeton klishesë, edhe në bisedën që bën Rama me këta mysafirë që i vijnë nga qendra e Perandorisë; duke u ngacmuar kuriozitetin me histori të konsumuara të diktaturës dhe të bunkerëve, ai ka gjetur një mënyrë për t’u treguar se interesi ynë si shqiptarë për Europën Perëndimore dhe për Perëndimin në përgjithësi nuk ka thjesht natyrë ekonomike-financiare, dhe as kërkon të maskojë natyrën tonë grabitqare; por është edhe një interes shpirtëror që i ka rrënjët shumë më thellë, dhe pikërisht në identitetin tonë kombëtar, në qenien tonë historike, ose të paktën në imazhin që kemi për veten si komb. Dhe kjo më duket me rëndësi kritike, sidomos në kontekstin e imazhit shumë të keq dhe plot karshillëk që ka krijuar në Europë dhe në Perëndim elita politike në Prishtinë (pa folur pastaj për shqiptarët e Maqedonisë).

Publikut në Shqipëri këto gjëra i duhen shpjeguar, qoftë edhe nëpërmjet nxitjes së debatit dhe përfshirjes atje të shoqërisë civile, akademikëve dhe intelektualëve publikë; të cilët deri më sot, për fat të keq, kryesisht i kanë shërbyer përçarjes dhe radikalizimit, duke u munduar jo aq të shkoqitin dhe të përçojnë europianizmin e shqiptarëve sa të paraqiten ata vetë si flamurtarë dhe profetë ekskluzivë të kësaj feje laike. Në vend që të ndihmojnë për ta bërë sa më publik orientimin pro-perëndimor të Shqipërisë, ata e kanë privatizuar.

Nga ana tjetër, zallahia sa e paparë aq edhe e pahijshme që shoqëroi krejt procesin e zgjedhjeve lokale të tanishme e la krejt në hije të vërtetën e hidhur se fatet e demokracisë në Shqipëri dhe të vetë lirive dhe të drejtave qytetare varen në masë të madhe nga marrëdhëniet e shqiptarëve me botën; dhe se këto marrëdhënie duhen konfiguruar strategjikisht, dhe pastaj mirëmbajtur dhe kultivuar me përparësi.

E mbyll shkrimin e vet Barber-i:

Rama tregon një histori me gjyshen e tij, një katolike si ai vetë. “Ajo m’u drejtua: ‘Një ditë do të bëhesh burrë. Dhe burri mund të jetë i vrazhdë. Burri mund të gënjejë. Burri mund të marrë vendime të gabuara. Por ajo që një burrë nuk mund t’ia lejojë vetes, është të jetë i mërzitshëm. “

Edi Rama, ti me siguri që e ndoqe atë këshillë.

Vërtet; por kushedi do të kish bërë mirë ta ndiqte edhe Barber-i vetë, së bashku me Financial Times dhe mediat e tjera Perëndimore, që vijojnë t’i qasen Shqipërisë me një mendjelehtësi prej koketash, në një periudhë kaq dramatike për të gjithë.

*Peizazhe të fjalës