• |
ide | kryesore

Toma, Edi dhe banaliteti i së keqes

Arkiva, Ide
downloadfile-1.jpeg



Rrëfimi i plotë i Edi Ramës para prokurorëve për të zbardhur historinë e vrasjes së supozuar të Tom Doshit e ka ndryshuar radikalisht optikën për rolin e kryeministrit në këtë ngjarje. Kur Tomagate shpërtheu u krijua një ide fillestare se Rama ishte njeriu që përfitonte nga kjo histori. Me një gur ai dukej sikur kishte vrarë shumë zogj. 
I kishte bërë qejfin partnerëve të tij amerikanë që vazhdojnë ta shohin me dyshim, duke guxuar një përjashtim që ata ia kërkonin prej kohësh. I kishte mbytur të gjithë zërat e kritikëve që e akuzonin se ai qe peng i të fortëve në PS. Kishte njollosur si mosmëkeq Ilir Metën, për të cilin megjithëse nuk kishte asnjë fakt të vërtetuar kompromentues, një pjesë e mirë e opinionit besonte se i kishte përzier duart në këtë histori me vrasës të shpikur dhe realë.
Pra, nga një skandal që duhej ta njolloste në mënyrën më të keqe të mundshme, Edi Rama dukej sikur po përfitonte. 
Por tani, disa muaj më pas, nuk rezulton të jetë kështu.
Botimi nga “Syri” (shiko në fund të shkrimit variantin e plotë) i dëshmisë së kryeministrit përpara prokurorëve tregon shumë më tepër për këtë histori. Vërtet aty Rama del krejtësisht i paimplikuar në këtë ngjarje. Vërtet duket qartë se, ndryshe nga Meta, ai është munduar të ruajë një distancë farmaceutike nga përzjerja me këtë triller vrasësish. Vërtet ai ka pasur nuhatjen për t'i mbajtur larg gjithë potagonistët e saj. Por po ta lexosh me vëmendje dëshminë e tij, shija që të le është tronditëse. Dhe duke menduar se ajo është parapërgatitur fjalë për fjalë dhe gërmë për gërmë nga juristët dhe spindoctors-at e kryeministrit (të ndërgjegjshëm se ajo një ditë do të dilte në publik) ajo rezulton e frikshme.
Jo për ndonjë krim. As për ndonjë konspiracion me eleminime. Por për gjuhën që shfaq, komunikimin që na tregon dhe mendësinë që nxjerr në dritë. 
Duke lexuar atë rrëfim, ku kuptohet se kryeministri ka bërë kujdesin maksimal për të dalë sa më i pastër, vëren një mentalitet tronditës. Në mjediset e qeverisë duket sikur flitet me gjuhën e filmave të Francis Ford Coppola. Ka një episod ku Rama tregon se si Doshi i kërkon që ta përdorin këtë ngjarje. “Ta plasim dhe ta heqim Prokurorin e Përgjithshëm në parlament” i thotë ai. Ka një episod të dytë kur kryeministri rri e dëgjon se si bashkëbiseduesi i tij tregon sekuenca ku vërtet edhe Coppola do të bëhej xheloz. Sipas tyre Doshi i paskësh thënë Ramës për regjistrimin e Durim Bamit. Madje i ka pranuar se këtë regjistrim e ka bërë edhe duke i mbajtur pistoletën në kokë. Por i ka shtuar se ky paskësh qenë një truk për të shpëtuar Bamin nga njerëzit e rrezikshëm, të cilët e kishin paguar.
Po t'u shtojmë këtyre pohimeve haluçinante edhe faktin se Rama e pranon se e ka këshilluar ai ministrin e Brendshëm të takohet me një të kërkuar dhe të dyshuar si vrasës, gjithçka bëhet me surreale. Aty kuptohet një gjë drithëruese. Aty dekodohet mendësia e shtetarëve tanë. Pyetja që lind natyrshëm është: sa nga ne, sa qytetarë shqiptarë ulen në tavolina me njerëz të tillë? Sa prej tyre kanë pjesë të përditshmërisë së tyre këto skena me vrasës të rremë dhe realë, me shantazhe për institucionet? Sa prej tyre kanë këtë familiaritet kaq të madh me botën e krimit që del hapur në rrëfimin e kryeministrit tonë? 
Le ta themi troç: në këtë ngjarje Edi Rama nuk ka bërë ndoshta asgjë jo ligjore dhe të dënueshme penalisht. Deri më tani ai nuk mund të akuzohet për asnjë krim të prekshëm. Por krimi i tij është moral dhe etik. Më shumë se me aktet ai ka të bëjë me mentalitetin e tij. Me lehtësinë e padurueshme për ta pranuar botën e errët të krimit si pjesë të politikës. Për t'u ndjerë familjar me të. Për të bashkëjetuar si me një të keqe që ekziston.
Pikërisht ky është banaliteti i së keqes që duket se ka prekur kryeministrin dhe njerëzit përreth tij. Ndoshta ata nuk janë demiurgët e ndërtimit të një bote kriminale, por ata kanë humbur ndjeshmërinë e luftës ndaj saj. Ata kanë humbur kategorinë e së mirës dhe së keqes, e së ndershmes dhe të pandershmes, duke u shndërruar në llogaritarë të thjeshtë të përfitimeve apo humbjeve politike nga aktet që bëjnë. Ata janë adaptuar dhe jetojnë në paqe me atë që shumica e të qeverisurve prej tyre e refuzojnë me përbuzje. 
Vetëm kështu mund të kuptohet se sa me shpërfillje e rrëfen Edi Rama prezencën e tij në biseda që janë pjesë e një bote të errët. Se sa e natyrshme i duket që është gjendur në këtë vorbull. Se si lejon ai vetes të bëhet dëshmitar në "truqe" për shkarkimin e kryeprokurorit, apo dëshmi të marra nën tytën e pistoletës. Dhe të gjitha këto nuk janë një rastësi e vetme. Ato janë demostrimi i një mendësie. Të një mënyre të menduari që shpjegon edhe shumë raste të tjera.
Pikërisht për këtë qeveritarëve të sotëm nuk u duket skandal se si një deputet mund të ndihmojë një trafikant droge të arratiset dhe policia mos ta ndalojë dot. Pikërisht për këtë ata mund ta falin nga një krim i parë birin e një të zgjedhurës së tyre dhe ky të bëhet më pas marrësi i 4 jetëve të tjera. Pikërisht për këtë ata mund të fshehin një urdhër arresti të ardhur nga Interpoli, vetëm se kjo mund t'u hapë andralla politike. 
Të gjitha këto raste tregojnë në fakt të njëtën gjë. Përkuljen para së keqes. Dorëzimin ndaj saj. Atë banalitet për t’iu nënshtruar asaj, që në llogari të fundit është po aq i dëmshëm sa dhe vetë krimi. Po të njëtën gjë tregoi edhe vetë Rama me dëshminë e tij përpara prokurorëve përmes së cilës kish planifikuar të pastronte duart nga rasti Doshi. Pa sukses.
(lapsi.al)