• |
ide | kryesore

E marta e zezë e arsimit shqiptar

Arkiva, Ide
artan-fuga.jpg



Sot mediokriteti shpallet modeli i progresit. Diplomat boshe si letra me vlerë zënë ligjërisht fronin e dijes. Kurora e dritës i vihet në kokë injorancës. E keqja bëhet pjesë e së drejtës. Paret e thithura nga xhepat e familjeve qytetare e fshatare nuk do të quhen më korrupsion. Mësimi do bëhet nën thundrën e komisarëve dhe pronarëve kurse profesorët nuk do të kenë më asnjë të drejtë. Profesorët do jetojnë duke rrjepur studentët për të nxjerrë rrogat e tyre. Bijtë e të pasurve do të kenë të drejtë të shkollohen, kurse masa e të rinjve do të na hedhi lotin çurk më keq se tani në korridore se nuk ka si të paguajë studimet. Komisari do i thotë studentit ik merr kredi në bankë e m’i jep lekët mua të mbush xhepat. Duhet të kalosh nga dera e bankës për të shkuar në derën e shkollës.
Myteberi i burokracisë, militanti i korruptuar, që ka tmerruar Amerikën dhe Europën bashkë, do të thotë se cila dije bën e kush nuk bën. Me lekët e buxhetit publik, marrë pensionistëve, do ushqehen xhepa pasanikësh që financojnë fushata elektorale dhe media altoparlantë të pushtetit. Servilët do të quhen shkencëtarë. Gradat dhe titujt do të shiten më keq si kulaçe fshati pa maja. Kjo e martë e zezë do të mbahet mend shumë gjatë si ditë apokaliptike.
Disfatë e rëndë. Politika vendosi që universitetet të vendosen nën thundrrën e politikës dhe të parasë.
Trishtim, por të qetë. Kërcënimet dhe shantazhi nga foltorja e Kuvendit ku u sulmua personalisht dhe kolektivisht mendimi ndryshe është një turp që ndodh për herë të parë në këto 25 vite në Shqipëri.
Asgjë nuk lëkund idealet e dijes dhe përparimit, nuk shiten e blihen me lekë sikur kanë tentuar. As me dhunë dhe presione sikurse ka muaj që bien rrebesh.