• |
ide | kryesore

Pas marrveshjes/ Të pushosh në Greqi të kushton më shtrenjtë

Arkiva, Planet
23-jpg.jpg



Pas tri javësh mbylljeje të detyruar Greqia hapi përsëri bankat. Por kontrollet e kapitalit vazhdojnë të mbeten megjithatë në fuqi. Në të njëjtën kohë po shfaqen dhe do të ndihen për popullsinë edhe pasojat e para të masave të reja të kursimit, si rritja e ndjeshme e TVSH-së për shumë mallra dhe shërbime të jetës së përditshme.

Bankat presin që ditët e ardhshme do të ketë radhë e gjata, por jo probleme madhore. Shefja e Shoqatës së Bankave, Louka Katseli, u bëri thirrje grekëve që t’i depozitojnë paratë e tyre përsëri në llogaritë e tyre bankare. Kështu mund të forcohet likuiditeti i ekonomisë, tha ajo në kanalin televiziv Skai. Nga frika e një falimentimi shumë grekë i kanë tërhequr paratë e tyre nga bankat dhe preferojnë t’i mbajnë ato në shtëpi, gjë që përbën rrezik për bankat.

Rritje çmimesh dhe shtrenjtime
Jeta e përditshme duket se do të bëhet më e shtrenjtë, për shkak të rritjes së TVSH-së nga 13 në 23 për qind për ushqime të caktuara, për restorantet dhe për transportin publik. Ky ishte një nga kushtet e kreditorëve për hapjen e negociatave për një paketë të tretë ndihmash në miliarda. Për të përgatitur paketën e re të reformave kryeministri Cipras riorganizoi kabinetin e tij, sepse disa ministra refuzuan të votonin në parlament pro marrëveshjes me erogrupin. Miratimi i reformave u arrit vetëm falë mbështetjes së Tsipras nga opozita. Këtë javë në parlament pritet një votim tjetër për paketën e reformave.

Ministri i ri i Punës, George Katrougalos, njoftoi menjëherë pas betimit, të shtunën (18.07) se Greqia do të zhvillojë bisedime të forta për programin e ri të kredive. “Qëllimi ynë nuk është thjesht të pranojmë marrëveshjen, ne jemi të vendosur për të luftuar për kushtet e marrëveshjes. Greqia synon që marrëveshja të ketë sa më shumë elemente sociale. Ministri Katrougalos është përgjegjës për reformën e pensioneve që kërkojnë kreditorët.

Mbështetje e madhe në radhët e popullsisë

Pavarësisht kthesës në qëndrimin ndaj kreditorëve dhe eurogrupit Cipras vazhdon të ketë vlera të larta miratimi në sondazhe. Kështu në zgjedhjet e parakohëshme në shtator ose tetor për të cilat foli ministri i Brendshëm, Nikos Voutsis, ai mund të fitojë sipas sondazheve edhe një shumicë absolute. Në rezultatet e botuara në gazetën me drejtim të majtë “Efimerida ton Syntaknon” partia e tij Syriza kishte shënuar 42.5 për qind të votave, pra rreth gjashtë për qind më shumë se në zgjedhjet e janarit. Në atë kohë Cipras i mungonin dy mandate. Partia më e madhe opozitare Demokracia e Re mund të fitojë për momentin vetëm 21.5 për qind të votave. Përveç kësaj, 70 për qind e të anketuarve u shprehën në favor të programit të ri të ndihmës, nëse Greqia mund të mbetet në këtë mënyrë në eurozonë./DWP