• |
ide | kryesore

Lëreni Greqinë t’i shpëtojë euros

Arkiva, Ide
david-300x199.jpg



Kriza financiare greke është lehtësuar për momentin. Por shumë skeptikë ndajnë shqetësimin e ministrit gjerman të Financave Volfgang Schauble se plani i shpëtimit mund të mos funksionojë, dhe se mënyra e vetme për të rivendosur konkurrueshmërinë dhe rritjen është një dalje e Greqisë nga euro.

Schauble u kritikua si një gjerman i pamëshirshëm sepse këmbënguli edhe pasi paketa e shpëtimit u miratua më 13 korrik, se “zgjidhja më e mirë për Greqinë” mund të ishte një “Grexit”, sikurse njihet ndryshe. Më parë ai kishte propozuar një dalje të përkohshme 5-vjeçare për Greqinë nga momedha e përbashkët. Për këto pikëpamje heretike, ai u vizatua nga një karikaturist si një terrorist i veshur me të zeza dhe me thikën vendosur te fyti i Greqisë.

Por Schauble e shtronte kështu: Cila është më tepër mizore? Zgjatja e anogisë greke me një plan që e mban anëtare të zonës euro por e ngarkon atë me borxhe të pashlyeshme dhe me një pufuqi të përhershme? Apo të ndërmerret kura e dhimbshme por relativisht e shpejtë e rivendosjes së dhramisë dhe zhvlerësimi i saj në një nivel në të cilin Greqia mund të jetë sërish konkurruese dhe e begatë?

Plani i shpëtimit kërkon reforma që do të jenë të vështira, edhe nëse qeveria dhe publiku i mbështesin fuqishëm ato. Por, në fakt, qeveria e Greqisë dhe populli i saj i urrejnë kushtet e vendosura nga marrëveshja. Kjo u bë qartë në referendumin e 5 korrikut ku 61 përqind votuan “jo” për kushte që qenë më të lehta.

Plani mund ta shpëtojë Europën, duke rivendosur paqen franko-gjermane dhe duke sinjalizuar se unioni monetar mbetet i paprekur. Po ai nuk do të shpëtojë Greqinë. Ai do ta lërë ekonominë e saj jokonkurruese në versionin financiar të një zyre kujdesi intensiv, duke mbijetuar me mbështetjen e përjetshme të huave të reja dhe rritjes së taksave.

Qasja më e mirë mund të ishte që të lejohej që Greqia ta linte eurozonën, nëpërmjet asaj që mund të ishte një tranzicion i asistuar. Një zhvlerësim i dhramisë për shembull me 50 përqind të vlerës së euros do ta bënte Greqinë menjëherë konkurruese dhe një magnet investimesh. Por zhvlerësimi nuk mund të zgjasë shumë. Banka Qendrore Europiane mund të planifikojë të ndërhyjë në tregjet monetare për ta mbështetur dhraminë dhe duke parandaluar që ajo të zhvlerësohet me 70 përqind apo më shumë.

Një Grexit i butë mund të përfshinte gjithashtu njëfarë prerjeje – në falje dhe restrukturime borxhesh – e cilaa është thuajse e pamundur nëse Greqia qëndron tek euro. Ky ishte thelbi i Scauble-s më 16 korrik, kur tha për radion gjermane: “Askush nuk e di për momentin se si mund të funksiononte kjo pa një shkurtim të borxhit dhe çdokush e di se një shkurtim i borxhit është i papajtueshëm me të qenin anëtar në bashkimin monetar”. Kjo shprehje e ndershme dhe e kujdesshme nxiti thirrje për dorëheqjen e Scauble-s.

Breza të tëra përvoje iu kanë mësuar ekonomistëve se zhvelrësimi i monedhës, që mendohej si një shokim i rreptë për sistemin, zakonisht prodhon rezultate pozitive dhe shpeshherë madje në mënyrë mjaft të shpejtë. Eksportet bëhen më konkurruese (në rastin e Greqisë, turizmi kthehet në një mundësi të artë). Krijohet një rreth vicioz: të ardhurat rriten, bashkë me to edhe besimi dhe ndoshta rritet edhe kërkesa e brendshme. Vendi dhe disa prej bizneseve të tij mund të falimentojnë nga borxhet e tyre, por shumica e kredidhënësve nuk do të kenë zgjidhje tjetër përveçse t’i rinegociojnë kushtet nëse duan ndonjë shlyerje. Kjo nuk është zgjidhja: zhvlerësimi shpesh shoqërohet nga inflacioni; dhe teksa çmimet rriten dhe monedha bie, kursimet mund të zerohen.

Por zakonisht procesi risjell rritjen. Ndoshta shembulli më i mirë është Argjentina. Sikurse Greqia, Argjentina mendoi se mund ta nxiste ekonominë e saj duke patur një para jofleksibël. Për Argjentinën, paraja qe e atashuar një-për-një me dollarin. Gjërat shkuan mirë deri kur korrupsioni dhe keqmenaxhimi e bënë këtë barazim të paqëndrueshëm.

Momenti i vështirë erdhi më 2001, kur Argjentina falimentoi nga borxhet dhe e la të lirë paranë e saj. Peso e saj ra menjëherë me 75 përqind. Por ripërtëritja nisi më 2003 dhe tani PBB-ja e Argjentinës është dyfishuar në krahasim me vitet e krizës. Një shkurtim i borxhit qe pjesë e shpërthimit të Argjentinës. Qe një proces negocimi tepër i vështirë, por mbajtësit e bonove pranuan një marrëveshje që i shleu vetëm rreth 30 përqind të letrave me vlerë.
Nëse Greqia i kthehet dhramisë mund të ndodhë një process i ngjashëm. Borxhet e vendit të emërtuara në euro pothuajse do të dyfishohen, të matura përkarshi dhramisë. Një peshë e tillë do të jetë e papërballueshme. Kështu që kredidhënësit do të detyrohen të pranojnë atë që është më e mirë se falimentimi i plotë, ta rinegociojnë borxhin në një nivel të menaxhueshëm dhe të krijojnë një Greqi të re konkurruese dhe drejt shpëtimit.
Edhe reformat do të jenë më të lehta në një Greqi të re që ka vendosur të ndjekë kursin e vet. Por sikurse tha Scauble, korrektesa e euros duket se e ndalon një diskutim serioz të këtij opsioni.
David Ignatius/ The Washington Post /Përgatiti Sokol Kondi