• |
ide | kryesore

Me këmbën e mbrapshtë

Arkiva, Ide
patozi.png



Dje pata fatin e keq të ndjek live në televizor më shumë se gjysmë ore një shfaqje të shpifur të degradimit të institucioneve tona. Shtoi kësaj edhe shformimin që shkakton gjithmonë shtypi si një pasqyrë e deformuar e asaj që ndodh, është pak të thuash se ishte e neveritshme. Dhe kjo nuk ka të bëjë aspak me subjektivizmin e një demokrati, që e ka të vështirë të pranojë legjitimimin e fitores së një socialisti. Por e gjithë ceremonia e konstituimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe mënyra se si ajo u përcoll, e tejkalonte edhe fantazinë e çdo ëndërrimtari ekstrem. Në harkun e pak minutave kam dëgjuar ndoshta 10 herë se kryetari i ri i Bashkisë së Tiranës, Erion Velija, ishte marrë personalisht dy ditë me arredimin e zyrës së tij. Dimë me saktësi ngjyrën e kolltukëve, të perdeve, moketin që është përdorur, abazhurët, ngjyrën e mureve, dhe të tjera hollësi si këto. Problemi është se kjo shtjellë marrëzie që u servir pa mëshirë për më shumë se dy orë nuk është aq vanitet i gazetarëve apo redaktorëve të paformuar, sesa prodhimi i parë për median i zyrës së re të shtypit në Bashkinë e Tiranës. Dhe gjëja e parë që të shkon ndër mend është, jo thjesht se është socialist, por Erion Velija, e ka nisur me këmbën e mbrapshtë detyrën e tij tepër të rëndësishme. E ka filluar me kolltukun e tij, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër. Dhe problemi qëndron se ky është thjesht dhe vetëm gjesti i parë i qytetarit të parë të Tiranës. Të atij që ka premtuar se do të jetë i përkushtuar dhe në shërbim të të tjerëve, madje në shërbim të të gjithëve, pa dallim bindjesh politike, që do të thotë edhe të atyre që nuk e kanë votuar, një prej të cilëve jam edhe unë. Unë nuk dua të paragjykoj askënd, dhe do të uroja sinqerisht që gjërat të ndryshonin rrugës, jo se dua të përmirësohet socialisti Erion Velija, por se jam i bindur që prej sjelljes së tij janë të lidhura dhe të varura interesat e rreth 1 milion banorëve të Bashkisë së madhe të Tiranës. Por me atë që kam parë dje, e kam tmerrësisht të vështirë të besoj në një ndryshim për mirë të kryetarit të ri të Bashkisë së kryeqytetit. Sepse jo vetëm mua, por besoj edhe shumë të tjerëve, dje u është rikthyer menjëherë në kujtesë dasma e tij me disa seri në kalanë e Gjirokastrës dhe gjetkë, e cila nuk mund të konsiderohet më si një fenomen i veçuar apo si një trill i një të riu të dehur nga gëzimi i martesës. Por si një koncept i rrënjosur dhe një prirje e fortë për mondanitet, i cili natyrisht që duhet gëzuar, por dhe u duhet treguar të tjerëve, se ndryshe çfarë kuptimi ka. Të më ndjejnë ata që mund të preken prej kësaj, por unë nuk besoj se ky model politikani mund t’i çojë gjërat përpara në këtë vend. Madje edhe më gjerë se Shqipëria, po të doni. Ka shumë njerëz që, jo pa të drejtë, akuzojnë edhe shtypin për shpëlarjen e trurit që i shkaktojnë publikut, duke shkruar apo transmetuar për orë të tëra pa u lodhur kurrë për modelin e kolltukëve, ngjyrën e kravatës, apo firmën e këmishës së zyrtarëve të lartë të shtetit. Është debat më vete se çfarë vlere ka që të ndiqet për katër orë në TV një ceremoni e mërzitshme protokollare, qoftë kjo edhe konstituimi i Bashkisë më të madhe të vendit. Por, për sa kohë që jepen gjithashtu live edhe plot aktivitete shumë më të parëndësishme se kjo, nuk ia vlen të ndalesh gjatë këtu. Ndaj unë nuk dua të merrem shumë me këtë çështje, jo thjesht se një politikan e ka të ndaluar të fajësojë popullin për mënyrën se si voton dhe shtypin për ato që shkruan dhe transmeton, por se më intereson më shumë ajo që ndodh, sesa pasqyra. Është njësoj si në një aksident, ku ka pasur të vdekur dhe të plagosur rëndë, nuk konsiderohet fare ai që mund të ketë thyer këmbët. Që do të thotë se, sado kot t’ia fusë, shtypi shqiptar nuk është përgjegjësi kryesor për këtë duhmë vaniteti që shpërthen nga institucionet tona, të cilat, sa më shumë kalben, aq më shumë na ushqejnë me “sharmin” e tyre. Dhe si të mos mjaftonte ky shfrim provincial, këshilltarët e opozitës braktisën ceremoninë e betimit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, me pretendimin se aty ndodhej autori kryesor i masakrës territoriale. Dhe fjala ishte për ministrin Çuçi. Të kuptohemi, nuk kam gjë me bojkotin si gjest politik, i cili është një instrument që mund të përdoret nga opozita, sa herë ajo e gjykon të nevojshme. Mund të hajë debat a ishte apo jo dje rasti, por jam gati të pranoj se opozita është në të drejtën e vet që të ikë nga salla e Parlamentit apo e këshillave bashkiakë, edhe pa pasur apo pa paraqitur fare një shkak. Mund të ikje dje nga salla e Këshillit të Tiranës ndoshta edhe për faktin se në kryeqytet, ashtu si kudo në Shqipëri, vota e zgjedhësve është deformuar, pavarësisht në e provon dot ose jo këtë pretendim. Madje edhe mund të mos shkoje fare në mbledhjen e parë të konstituimit, për të mos ia dhënë kënaqësinë Erion Velisë që të vishte me triumfalizëm shiritin e kryetarit, në sytë e këshilltarëve të PD-së. Gjest do të ishte edhe ai. Mund të ishte preludi i një stine të re marrëdhëniesh të vështira me pushtetin, që thuhet se do të nisin në shtator. Dhe je në të drejtën tënde ta bësh. Sepse edhe argumenti nuk mungon. Për sa kohë që maxhoranca bojkoton konstituimin e Bashkisë në Vorë dhe në ndonjë bashki tjetër, megjithëse ka fituar, atij që ka humbur i lejohen të gjitha. Por nuk më shkon fare të mendoj se prania e “bajlozit” Çuçi në atë sallë do të kishte qenë e papranueshme për këshilltarët tanë të respektuar. Sepse të gjithë kanë dëgjuar dhe të gjithë e dinë se autorët e vërtetë të salamandrës territoriale dhe për çdo të keqe që ka ndodhur në Shqipëri në këto dy vjet janë dyshja Rama-Meta. Atëherë nga na doli ky Blendi Çuçi? Unë nuk besoj se ne tregohemi seriozë po ta shpërndajmë ngarkesën e përgjegjësive te çdo zyrtar që na del përpara, të përfshirë në emocionet dhe interesat e momentit. Më kujtohet një batutë e Fatos Nanos në vitin 2002, në kulmin e detantes politike PS-PD, që solli edhe zgjedhjen e Presidentit konsensual Alfred Moisiu. E mori fjalën në Parlament dhe ishte duke akuzuar qeveritë paraardhëse të Partisë Demokratike dhe debati ishte i ashpër. Dhe tha pak a shumë që “qeveria e tij nuk do të përsëriste kurrë bëmat e regjimit të… (hodhi një herë sytë nga Sali Berisha, u kujtua që gjërat kishin ndryshuar, dhe vazhdoi)… Ridvan Bodes”. Mendoj se ne mund t’ia kursenim vetes këtë pjesë të pakëndshme të teatrit të djeshëm në sallën e Këshillit Bashkiak të Tiranës, qoftë edhe për t’ia lënë të gjithë barrën e shfaqjes së shëmtuar Erion Velisë dhe maxhorancës, që nuk qeveris sot vetëm kryeqytetin. Nuk na kushtonte asgjë dhe megjithatë nuk e bëmë. Tani na mbetet të ngushëllohemi se largimi ynë për shkak të pranisë së Bledi Çuçit është gjithsesi shumë larg nisjes së qartë me këmbën e mbrapshtë të Erion Velisë.