• |
ide | kryesore

Pas vendimit për të braktisur Kukësin/ Safet Gjici, president apo sharlatan

Arkiva, Lajme, Të fundit



Një lajm në dukje sportiv por në vetvete tejet skandaloz, ka kaluar pa shumë bujë dhe me pak komente në faqet e sportit të mediave tona. Sipas tij, presidenti i Kukësit, Safet Gjici, do të largohej nga drejtimi i këtij klubi futbolli, nëse skuadra e tij do të dënohej nga UEFA, për incidentin në stadiumin Qemal Stafa. Në disa intervista vetë Gjici deklaronte se do ta hidhte këtë hap, nëse ekipi i tij merrte dënimin, që pothuajse është i sigurtë pas ndërprerjes së ndeshjes dhe plagosjes së një lojtari të Legias së Varshavës. “Mendoj se nuk ia vlen më. Megjithatë, vendimi im përfundimtar për ta vazhduar investimin tim te Kukësi do ta marr pas dhënies së gjykimit nga ana e UEFA-s” i tha ai gazetës Sport Ekspres. Disa media të tjera theksuan se ai pritet të mërrë Vllazninë (rubrika sport Lapsi.al) dhe historia u mbyll me kaq.

Por përtej këtyre lajmeve qëndron një pyetje: A ka moral e gjithë kjo? A braktiset kështu një qytet dhe një skuadër futbolli? A janë në thelb të një historie sportive, solidariteti, pasioni, gara, përpjekja, apo të jesh president i skuadrës ka të bëjë vetëm me disa llogari meskine? Natyrisht që Kuksi po u dënua, kjo nuk do të jetë për faj të Gjicit, por edhe ai ka përgjegjësi. Sepse përshembull ata tifozë që mbanin në duar banderolat e dhunshme që bënin thirrje për mos dalje gjallë të fund të lojës të sllavëve, ishin po të njëjtët që në ndeshje të tjera mbanin ngritur parrullat që i thurnin hosana presidentit.

Po tani ku vajti ai impenjim për Kukësin? Ku vajti ajo “bujari” vulgare, ku presidenti i shpërndante para ndeshjes së Europaligë, në sy të kamerave, shuka me para që i nxirrtte nga një thes, futbollistëve të tij?  Vendimi për tu larguar me tu shfaqur vështirësia e parë është një vendim i turpshëm. Ai shpreh në fakt mentalitetin e një sërë presidentëve të fortë të futbollit tonë që me skuadrat e tyre nuk janë aspak të lidhur përmes pasionit.

Por rasti Gjici është pak më ndryshe sepse vendime të ngjashme ai nuk i ka për herë të parë. Në qytetit e tij ai njihej si një aktivist dhe financues shumë pranë Partisë Demokratike. Por kur një ditë të bukur pushteti ndryshoi, ai u pa të bëhej prefekt i socialistëve. E madje edhe atëherë ai pati lehtësinë të deklarojë po të njëjtat gjëra që thotë sot për tifozët mosmirnjohës së Kukësit:  “E vërtetë që përkrahja PD-në, por nuk gjeta kurrë mirënjohje nga hallkat politike të kësaj partie. Nuk doja kompensim, por të më vlerësonin për kontributin tim, sado modest të ishte ai”, tha ai në mars të vitit 2014 menjëherë pas emërimit duke shtuar se Edi Rama, “më vlerësoi për çfarë kam arritur në botën e biznesit dhe më shprehu bindjen se të gjithë biznesmenët e ndershëm do të përkraheshin nga ana e tij”. 

A do ti ngjajë këtij tranzicioni edhe kalimi i presidentit Gjici nga Kukësi drejt një skuadre tjetër veriore futbolli? Përgjigjja e kësaj pyetjeje do ti japi përgjigje edhe një dileme tjetër: cfarë është në të vërtetë Safet Gjici, një president futbolli apo thjeshtë një sharlatan?

©Lapsi.al