• |
ide | kryesore

Trendi i ri turizmi malor/ Si ta kalosh ndryshe një fundjavë në Tiranë

Arkiva, Stil
krrabe.jpeg



Në një ditë të nxehtë, një grup prej 14 të rinjsh i reziston tundimit të plazhit për të ndjekur shtigje më emocionuese për fundjavën. Destinacioni është Gryka e Murdharit, një monument natyror një kilometër i gjatë dhe 100 metra i thellë, i shtrirë në kufirin malor mes Tiranës dhe Elbasanit.

Udhëtimi plot ngjitje dhe kacavjerrje në natyrën e egër drejtohet nga Gerhard Duro, një djalosh i ri, i regjur me këtë lloj sporti që në fëmijëri, kur i ati e merrte me vete në ekspeditat e tij të aplinizmit.

“Në vegjëli eksploroja Shqipërinë me babanë, tani kam krijuar grupin tim dhe organizojmë shpesh aktivitete në rrethinat e Tiranës, por edhe në zonat veriore dhe jugore të Shqipërisë,” tregon Gerhardi.

I riu është themelues i Albanian Mountain Team, një grup që organizon ekspedita në ecje, alpinizëm, ski apo eksplorim shpellash me të pasionuarit e natyrës. Eksploruesit e sotëm drejt grykës së Murdharit janë shtatë shokë universiteti dhe pesë aventurierë të tjerë, të mbledhur rastësisht në këtë guidë.

Ina Cenolli, një menaxhere projektesh e diplomuar për financë, e mërzitur me rutinën e plazheve të jugut tregon arsyet që e shtynë drejt kësaj eksperience emocionuese.

“Plazhi është kthyer në një vend aspak modest. Vajzat me taka buzë detit, netët e shtrenjta pa argëtim dhe mungesa e aktivitetit më shtynë që këtë fundjavë ta kaloja duke ecur,” thotë ajo.

Gryka e Murdharit është vetëm njëri prej destinacioneve që Albanian Mountain Team zgjedh për ndjekësit e vet. Alpet shqiptare në një lartësi prej 1500 metrash mbi nivelin e detit përbëjnë atraksionin kryesor për vendasit e të huajt.

Pas 40 minutash udhëtim dhe 30 kilometra larg qendrës së Tiranës, grupi mbërrin në pikën prej nga do të fillojë ngjitja drejt grykës së Murdharit. Një ndalim i shkurtër për të blerë ujë dhe disa furnizime për rrugës kthehet në një çast të përshtatshëm për të ndezur cigaren e fundit, përpara se të fillojë ekspedita.

“Shijojini valët e fundit të celularit”, paralajmëron me të qeshur dikush nga grupi.

Teksa vazhdojmë rrugëtimin për t’iu afruar grykës së Murdharit, terreni bëhet më i thyer, ndërsa shtigjet më të ngushta. Një hap i gabuar në të majtë dhe vështirë të shpëtosh pa një shenjë të mirë.

Megjithatë, ankesat e fillimit  për terrenin e vështirë zëvendësohen me britma gëzimi mes grupit të të rinjve dhe konstatime që vetëm natyra mund t’i ofrojë. Shtrati i tharë i një dege të lumit Erzen bëhet ndalesa e parë, ku një mori bretkosash vrapojnë të trembura nga hapat e aventurierit Sidrit Tamo, një djaloshi kurioz që sigurohet të prekë çdo lloj gjallese që i tërheq vëmendjen.

“Këtu është një terren shumë i vështirë zbritjeje, bëni kujdes!” këshillon Geri, drejtuesi i grupit, i cili tregon se i ka rrahur edhe më parë këto anë.

Ecja në shtigje të parrahura kalon mes rreziqesh, që pasi kapërcehen entuziazmojnë grupin e të rinjve. Kalimi përmes një litari të hollë nga njëra anë e shkëmbit në tjetrën shton megjithatë rrahjet e zemrës.

Kombinimi i natyrës me kënaqësinë është arsyeja që e ka nxitur Ledjo Hoxhën të jetë pjesë e këtij grupi aventuerierësh, shokë dhe shoqe klase nga Universiteti i Tiranës.

“Më pëlqen të marr pjesë në eksplorime të tilla të natyrës. Adrenalina që merr është padyshim një motiv,” tregon ai. “Nuk është se nuk e preferoj plazhin, por dua t’i shijoj të gjitha pikat tërheqëse të Shqipërisë”.

Një i ri hidhet në një pellg të thellë në Murdhar. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Një i ri hidhet në një pellg të thellë në Murdhar. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Një orë e gjysmë larg pikës së nisjes dhe pas një ecjeje të mundimshme ka mbërritur koha për të ngrënë drekë. Një zjarr i ndezur me shkarpat e mbledhura rrugës ndihmon për përgatitjen e ushqimit të shpejtë.

Aroma e sipërfaqes së djegur të salsiçeve dhe panineve të shoqëruara me djathë, domate dhe kastravec mbledh grupin në hijet e gurëve të mëdhenj dhe i afron me njëri-tjetrin.  Birra është ngrohur tanimë, por gjithsesi e bën punën e saj.

Për Henri Priftin, student në Francë këto mund të jenë pushimet e fundit në Shqipëri. Vitin që vjen ai shpreson të fillojë një praktikë, e cila mund t’i sigurojë një vend pune me pagë të kënaqshme.

“Me gjithë dëshirën që kam për të eksploruar Shqipërinë dhe bukuritë e saj, kjo mund të jetë mundësia e fundit që kam për të shijuar vendet që nuk i kam parë,” thotë ai.

Dreka ishte vetëm një stacion i shkurtër në këtë eksplorim të gjallë. Aventura vazhdoi me zhytje në lumë, ecje nëpër shtigje dhe ngjitje-zbritje shkëmbinjsh për të mbërritur në pikën e nisjes.

“Një lodhje të tillë nuk e kisha menduar përpara se të vendosja të vija për këtu,” thotë Migena Lleshi, një nga studentet e vitit të parë të universitetit, e cila mbeti pas grupit për të mbledhur fuqitë.

E lehura e një qeni shtëpie paralajmëron rikthimin në zonë të banuar. Tanimë furgoni i priste të gjithë për një kthim të rehatshëm në shtëpi.

Ora shënonte 19:30, kur furgoni mbërriti në të hyrë të Tiranës. Bateritë e celularëve ishin plot. Megjithatë, grupi ishte i kënaqur nga përvoja e kaluar në grykën e Murdharit, që shpenzoi deri afër nivelit kritik, bateritë e gjithësecilit.

Ivana Dervishi/BIRN

 

Eksploruesit ngjiten në Krrabë në përfundim të udhëtimit. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

Eksploruesit ngjiten në Krrabë në përfundim të udhëtimit. Foto: Ivana Dervishi/BIRN.

9