• |
ide | kryesore

Idiotët e panevoj-shëm të perëndimit

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333.jpg



Duke lundruar në mbrëmje në Facebook, më zuri syri një reagim sa fin aq edhe fshikullues të prof Artan Fugës, të cilit, si një vëzhgues i mprehtë i mediave tona, i kishte bërë përshtypje ribotimi gjithandej i një reportazhi të një gazetareje të BBC. Elizabeth Gowing e kishte botuar vëzhgimin e saj në faqen e internetit të kësaj medieje të madhe botërore.  Në thelb kishte vënë kukullat e pellushit që vendosin në kulm të banesave të tyre të gjithë ndërtimtarët tanë të provincave. Shkurt gazetarja thoshte se se një rrit i tillë bëhet për të lufuar syrin e keq. Por Fuga që e kish lexuar këtë reportazh të rimarrë kudo, si pasojë e mjerimit të lajmeve gjatë vapës, tallet rëndë me këtë reportere angleze (rubrika lajme lapsi.al), por edhe me mediat tona të cilat e botuan pothuajse “en bloc” atë. “Po a nuk ia shpjegoi dot njeri që bëhet fjalë për ritin e sakrificës”?- thërret me cinizëm Fuga.

Në kakt ky vëzhgim në filigran i profesorit është thelbi i një pyetjeje më të madhe që duhet ti bëjmë vetes. Si ka mundësi që çdo artikull, shkrim, apo reportazh i gazetarëve perendimorë të kategorisë së tretë, apo i pizhistëve që vijnë të ushtrojnë dorën, kalon pa asnjë filtër nëpër mediat tona? Si shpjegohet kjo dukuri që po shndërrohet në një fenomen masiv?

Edhe pak ditë më parë, një tjetër studiues i dorës së parë, Ardian Vehbiu bënte të njëjtin vëzhgim?  Duke u nisur nga një portret i Edi Ramës shkruar nga Tony Barber, i Financial Times (rubrika Ide lapsi.al), Vehbiu ngrinte pyetjen: e çI duhen lexuesit shqiptar shkrime të tilla plot gjëra të ditura, klishe të mërzitshme dhe plot pasaktësira?

Ky fenomen ka dy anë të shikimit të tij. Nga njëra anë atë e nxisin vetë politikanët të cilët i përdorin këto artikuj për vetëpromovimin e tyre në sy të publikut shqiptar. Sistemi është i thjeshtë. Me pagesë apo rastësisht, ata fusin në grackën e tyre gazetarë shpesh anonimë e të paformuar (edhe perëndimi ka plot të tillë të cilëve vaniteti i një darke me një anëtar qeverie mund tua shuajë instiktin e profesionit). Qëllimi është i qartë: nëse ngatëroheni në debatin e brendëshëm nga zërat pro dhe kundër, ja se si e vlerëson punën time një zë i pavarur, i cili nuk mund ti përvidhet dot kritereve strikte të mediave të mëdha perendimore.

Mjeshtër i kësaj taktike, i përdorimit të shqiptarëve për të “gënjyer” korespondentët e huaj dhe pastaj për të shfrytëzuar këta të fundit për të ngritur imazhin e tij në sytë e publikut vendas, është treguar Edi Rama. Që në fillim të viteve 2000 ai ka ndërtuar një strukturë të tërë për ti shërbyer kësaj strategjie dhe nuk është se nuk ka pasur sukses. Modeli i tij, ai i gënjimit të gazetarëve të huaj për të mashtruar përmes tyre mediat vendase është shndërruar prej kohësh në një model triumfues.

Por përsëri problemi është më i gjërë sesa kaq. Sepse mania për të gëlltitur pa përtypur çdo gjë që na serviret nga jashtë, i tejkalon subjektet me politikanë. Në mediat tona mund të botohet çdo lloj broçkulle për futbollin, turizmin, gjakmarrjen,trafikun e femrave, vetëm për faktin e thjeshtë se ajo ka dalë në një gazetë perendimore.

Natyrisht përsetë e kësaj anomalie njihen. Ato lidhen në radhë të parë me mungesën e profesionalizmit dhe stafet e reduktuara të mediave tona. Ato lidhen me difektet e një shoqërie të ndarë në mënyrë partizane politikisht, ku mungon mendimi kritik dhe ajo masë mendimtarësh të pavarur që i refuzojnë klishetë e gatshme, me një shoqëri që nuk është e në gjendje ti besojë vetvetes.

Ato lidhen gjithashtu me kompleksin tonë provincial, të trashëguar nga koha e komunizmit (e ndoshta edhe më parë), për të veneruar gjithçka që na serviret nga jashtë. Për të pranuar pa kushte çdo gjë që na shitet nga “një botë më e zhvilluar” sepse ne nuk kemi filtra për ta gjykuar atë.

Dhe kështu biem në grackën e skarcieteve të tilla si ato me të cilat tallet Fuga apo përçmon Vehbiu. Unë vetë jam i bindur se tashmë janë të shumtë shqipëtarët që mendojnë si ata. Se janë një masë e madhe që tallen me cektësinë, ironizojnë me kufizimet kulturore, dhe i përqeshin klishetë e gatshme që na vijnnë nga përtejdetit.  Ata nuk i hanë më këto broçkulla. Ashtu sikurse refuzojnë të hanë ushqimet e konservuara, apo të pijnë Coca- Cola-n që ëndëronin dikur. Eshtë thjeshtë çështje shëndeti fizik dhe mendor. Por fatkeqësisht media jonë nuk është ilaçi më i mirë për ta mbajtur në formë atë.

(lapsi.al)