• |
ide | kryesore

Gjykata speciale si përdhunim i Kosovës

Arkiva, Ide
Arber-Zaimi-670x400.jpg



Në vitin 2000 në Francë u publikua një film që shkaktoi shumë skandal aty e gjetiu në botë, filmi “Baise-moi” i regjisoreve Virginie Despentes (autore e novelës mbi të cilën ishte bazuar filmi) dhe Coralie Trinh Thi. Në një nga skenat e para të filmit ngjet një përdhunim. Dy vajza të reja, të cilat paraqiten si të varfra, narkomane, e që hera-herës prostituojnë për të mbajtur vetveten gjallë, kapen në një parking nga tre burra, të cilët i përdhunojnë. Njëra nga vajzat reziston sa mundet fizikisht e verbalisht. Ndërsa tjetra – rreth së cilës sillet filmi – qëndron pasive, nuk kundërshton dhe e pret dhunimin thuajse pa lëvizur e pa folur. Pas ndodhisë, shoqja që rezistoi e pyet shoqen që nuk rezistoi për arsyen e pasivitetit të vet. “S’kam ç’bëj unë nuk kam fuqi të ndaloj dot askënd (që të më penetrojë)” – është përgjigjja e papritur e vajzës – që me sinqeritet çarmatosës shpall moskontrollin absolut të trupit të saj. Në një botë “të rrugës”, aty ku qytetërimi dështon të mbërrijë me aparatet e tij të edukimit, mirëqenies e drejtësisë, çka mund të bënte kjo vajzë – përpos të shpallte radikalisht pafuqinë e saj përballë “më të fortit”.

Vajza e cila pranon zhveshjen e vet totale prej sovranitetit hyn në një qerthull të pandërprerë dhune spektakolare, e cila nis duke vrarë të vëllain, e më pas bashkë me një shoqe të sajën marrin një veturë dhe nisen në një udhëtim ku praktikisht secilin problem e zgjidhin përmes vrasjes. Vrasin për të marrë para, kur u duhen, vrasin dikë që i ofendon me fyerje raciste, vrasin kë i kërcënon e kë i pret rrugën – e në fund vdesin.

Secilit konservator kjo mund t’i duket si një narrativë dostojevskiane (si psh. tek “Vëllezërit Karamazov” ku Dmitri i tregon Aljoshës se si e ka pyetur Rakitinin “Çka do të ndodhë me njerëzit nëse nuk ekziston Zoti dhe jeta e përjetshme?”. Përgjigjja e Rakitinit: “Atëherë gjithçka është e lejueshme”). Pra kur vdes “zoti” i të drejtës universale mbi integritetin trupor të personit (individual apo publik), i këtij sovraniteti mbi të cilin ngrihet secili sovranitet tjetër e secila politikë, atëherë gjithçka bëhet e lejueshme.

A nxjerrim dot prej këtij filmi ndonjë analogji me Kosovën? Ndoshta po, Kosova nuk është në gjendje ta ndalojë askënd prej penetrimit jokonsensual të trupit të saj me turlifarë misionesh, gjykatash speciale, korporatash, privatizimesh për dy lekë, mediash të zotëruara nga njerëz me interesa të dyshimta, mafiash, ojq-sh jotransparente që përfaqësojnë interesat e kushedikujt, organizatash terroriste etj. etj. Ndoshta sipas qëndrimit moralist vetë Kosova, si vajzat në film e ka “provokuar” apo “ndjellë” çdo “dhunim” së jashtmi të sovranitetit të saj fillestar, me rrugaçëritë e kurvëritë e veta, korrupsionin, krimin e brendshëm, e elitën e saj politike-ekonomike të udhëhequr nga një logjikë kryekëput instrumentale.

E nëse është kështu, nëse logjika instrumentale e ka vrarë çdo “zot”, apo çdo pretendim universal të së drejtës e të sovranitetit, sado minimalist qoftë ky pretendim – atëherë i bie që, për të vazhduar me Dostojevksin, Kosova s’është veçse një vend Raskolnikov, i banuar nga Raskolnikovë, i qeverisur nga Raskolnikovë. Ç’është Raskolnikovi? Një student i zhgënjyer, i cili pasi sheh që pretendimet universale të qytetërimit, idealet për të cilat ai lexon nëpër libra, shkelen e përbuzen aq shumë në përditshmërinë e tij – vendos që t’i braktisë tërësisht ato, vendos të bëhet tërësisht i pjesshëm, të relativizojë gjithçka, të justifikojë gjithçka, përfshi edhe krimin e tij. Dështimi i arsyes universale i hap përfundimisht rrugën arsyes instrumentale, dhe përfundojmë në një terren ku nuk ka më të mirë e të ligë, të drejtë e të padrejtë, as nuanca në mes tyre, por vetëm moralizime të pasinqerta, pafuqi dhe dhunë.

Vetë pranimi i pafuqisë, mosprotestimi ndaj dhunimit të sovranitetit kushtetues, territorial, demokratik të Kosovës, madje justifikimi me “s’kemi ç’i bëjmë” apo me “e meritojmë”, i hap rrugë perspektivës së Kosovës së Raskolnikovëve, apo të Kosovës që ndjek rrugën e personazhes kryesore të filmit “Baise-moi”. Sipas logjikës së famshme dostojevskiane, apo më pas sartriane, i bie që tashmë asgjë nuk është më e ndaluar, gjithçka është e lejueshme. Por a është vërtet kështu?

A bëhet gjithçka e mundshme për Kosovën pas vdekjes së parimit universal të sovranitetit të shteteve e të barazisë mes tyre? A është gjithçka e mundshme tashmë që në Kosovë është imponuar një drejtësi selektive, ndërkohë që vetë shtetit i mohohet integriteti i trupit të tij, ndërkohë që bëhet përfundimisht i penetrueshëm nga gjithçka e kurdo, ndërkohë vetë shtetit i mohohet habeas corpus-i? Siç shohim në dy shembujt e marrë, filmi “Baise-moi” dhe romani “Krim e ndëshkim”, për personazhet nuk bëhet e mundshme gjithçka, por vetëm një gjë. Në të dyja rastet, frustrimi i krijuar nga shkërdhimi i parimit shpërthen veç në dhunë. Pra, nëse “zoti” s’është, atëherë e vetmja gjë që ndryshon nga më përpara është shpërthimi i dhunës, e justifikuar instrumentalisht ose e pajustifikuar. Duket se kjo “tezë” qëndron edhe në rastin e Kosovës. Sa më shumë që pranohet pafuqia e saj për t’u vetërregulluar sovranisht, sa më shumë pranohet se ajo nuk mund të ndalë askënd që rreket ta penetrojë, aq më shumë shtohen shpërfaqjet e dhunës në Kosovë. Ndoshta ndonjë “analist” që me intuitë mund ta ketë kuptuar këtë lidhje të sovranitetit me të drejtën për t’i thënë jo penetrimit, pikërisht për këtë arsye përpiqet të ngrejë artificialisht idenë se Shqipëria dëshiron të penetrojë Kosovën, dhe ajo afirmon sovranitetin e saj pikërisht duke mos lejuar penetrimin prej Shqipërisë. Por kjo skemë bie, për shkak të indiferencës thuajse absolute të Shqipërisë (e cila gjendet jo larg situatës së Kosovës në këtë drejtim) për një relacion të tillë.

Por Kosova e cënuar, ndryshe nga personazhi i filmit “Baise-moi” e ndryshe madje edhe nga vetë Raskolnikovi, nuk mund t’i ushtrojë dhunë askujt jashtë saj. Kosova nuk ka agjensi të veprimit të jashtëm, nuk ka asnjë peshë ushtarake, ekonomike apo diplomatike që të mund ta shpërthente dhunën jashtë vetes. Kështu që dhuna shpërthen vetëm së brendshmi. Shpërthen në formë objektive, si dhunë e më të fortit ndaj më të dobëtit, si dhunë e më të pasurit ndaj më të varfërit, si dhunë kriminale, si dhunë e të pashpresit. Shpërthen si dhunë ndaj gjinisë e seksualitetit, shpërthen si dhunë ndaj gjuhës a dialektit, si dhunë ndaj ngjyrës së lëkurës. Shpërthen si dhunë ndaj të punësuarit e si dhunë ndaj të papunit. Si mosdurim i tjetrit. Por të mos gënjehemi duke thënë se kjo dhunë rrjedh vetëm nga pushtetarët e familjarët e tyre, që s’e kanë për gjë të rrahin edhe policinë.

Kjo dhunë jo rrallë, e mishëruar në gjuhë, del edhe tek ata që shfaqen si partizanët më të zjarrtë të paqes me çdo kusht, të cilët kryesisht janë gazetarë apo ojq-istë, ose filozofë rrjetesh sociale. S’janë të rralla rastet kur këta pacifistë të paepur ngjisin çdo lloj etikete poshtëruese ndaj cilitdo që nuk e mendon si ata. Të mos e mendosh si ata do të thotë të jesh cak i merituar i dhunës simbolike – të quhesh terrorist, bandit, polpotist e ku di unë. Por nuk është kjo gjuhë ultra-partizane rrjedhojë e ndonjë pozicionimi të fortë politik të atyre që e përdorin, përkundrazi. Nuk janë të rralla rastet kur ata që në mëngjes shajnë dikë (për t’i mbyllur gojën) duke e quajtur komunist, në mbrëmje shkojnë e i referohen, fjala vjen Brecht-it. Hibridizim përmes zbrazjes, asi që do ta kishte zili secili artist performativ postmodern.

Por forma më e ligë në të cilën shfaqet dhuna e brendshme e Kosovës së Raskolnikovëve është dhuna sistemike, dhuna së cilës nuk i dihet autori. Është ai momenti kur – edhe pse formalisht ke të drejtën të jetosh – nuk mundesh sepse nuk ta lejon xhepi. Ai momenti kur – edhe pse mundesh të flasësh – nuk mundesh se nuk ta lejon xhepi. Hannah Arendt thotë diçka për këtë, tek reflektimet e saja për dhunën:

“Disidentët në Lindje lypin lirinë e fjalës e të mendimit, si kusht themelore për aksion politik; protestuesit në Perëndim jetojnë nën kushtet kur këto premisa nuk munden më të krijojnë hapësirë veprimi për një ushtrim domethënës të lirisë. Transferimi i qeverisë në administratë, i republikës në burokraci, si dhe zvogëlimi rrënues i publikes që vjen bashkë me të, ka një histori të gjatë e të komplikuar gjatë gjithë epokës moderne…”

Disidentët e Lindjes, për të cilët flet Arendt, janë disidentët shqiptarë të Rezistencës së pandërprerë Shqiptare në ish-Jugosllavi. E sot, pasi e arritën atë çka kërkuan e sakrifikuan aq gjatë, pavarësinë dhe demokracinë, e shohin se si këto nuk u krijuan hapësirë veprimi për të ushtruar lirinë, përkundrazi ua mbyllën këto hapësira në një proces reaksioni të vazhdueshëm të mishëruar në negociatat e pandërprera që prej 1999 e këtej të cilat shkallë pas shkalle i kanë mësuar Kosovës se nuk mundet t’i rezistojë penetrimit të askujt. Por, sërisht Arendt thotë:

“Ajo çka e bën njeriun qenie politike është fakulteti i tij për të vepruar. I jep atij mundësinë që të bashkohet me të ngjashmit e tij, të veprojë së bashku dhe të mëtojë qëllime e sipërmarrje që nuk do të hynin kurrë në mendjen e tij, aq më pak në dëshirat e zemrës së tij, po të mos e kishte këtë dhunti…”

Filozofja gjermane-hebreje nuk është duke thënë gjë tjetër përveçse duke konfirmuar një parim të lashtë së paku 25 shekuj. Që në kohën e filozofëve të parë në Greqinë e lashtë (pra s’ka nevojë të përdorim klishetë e Mazllovit) bëhej ndarja midis dy formave të jetës: zoe – jeta e thjeshtuar në riprodhim e në funksione biologjike, shqetësim i së cilës është thjesht të ngrënët, të pirët, të riprodhuarit dhe mundësimi i të gjitha këtyre sa më shpesh e sa më gjatë (pra të grumbulluarit); dhe bios – jeta brenda bashkësisë politike, jeta me sovranitet e me fakultete të veprimit. Zoe gëzojnë kafshët dhe njerëzit pa të drejta. Bios, veç qytetarët të cilët në demokraci i karakterizonte angazhimi në secilën vendimmarrje si detyrë e në aristokraci i karakterizonte angazhimi vetëm në rolet e përcaktuara prej hierarkisë sociale të parapërcaktuar. A për skllevërit, gratë e ata të zhveshur prej bios-it, pak ndryshonte nëse kishte demokraci apo aristokraci.

Pak ndryshon edhe për shqiptarët e Kosovës nëse është pavarësi apo vijim nën Serbi, për sa kohë ata janë të zhveshur prej fakultetit të veprimit e të funksionimit si bashkësi politike, e prej sovranitetit politik. Shqiptarët e Kosovës janë të reduktuar në zoe prej këtij mohimi radikal të qenies së tyre politike. Ata nuk mund të thonë “jo”, ashtu siç nuk mund të thotë “jo” personazhja e “Baise-moi”, apo skllavi X i Greqisë së lashtë. Ashtu siç nuk mund të thotë “jo” i zhveshuri prej politikës, i përjashtuari prej saj. Gjallesa që nuk mund të thotë “jo” as për vetveten, pra nuk është sovrane, më shumë ka të përbashkëta me kafshën se sa me njeriun. Dhe vazhdimisht është trajtuar si e tillë.

Situata pra, paraqitet dëshpëruese. Vdekja e “zotit” të sovranitetit nuk i ka lejuar Kosovës gjithçka, por ka lejuar gjithçka me Kosovën dhe në Kosovë. Afirmimi i impotencës universale të jashtme ka shpërthyer dhunën e omnipotencës partikulare të brendshme. Kjo mund ta çojë vëzhguesin në dy pozicione, në atë të skeptikut ose në atë të cinikut. Skeptiku është ai që nuk beson më në asgjë për shkak se trishtohet shumë, ciniku është ai që nuk beson më në asgjë për shkak se nuk i bëhet vonë – për të parafrazuar një shkrimtar amerikan. Ndoshta ka vlerë të bëhet një ndarje mes të dyve e të vlerësohet se skeptikut ndoshta i duhet njohur merita se është përpjekur gjersa është lodhur me dështimet. Ndërsa cinikut kurrë nuk i ka “ngrënë palla” për asgjë, ai kënaqet duke parë se si gjithçka dështon, dhe vazhdimisht lëshon rromuze me pafuqinë e vet të tipit “pse e tjerr kaq gjatë, a thua se të lexon njeri, ky muhabet vendoset tjetërkund”.

Por vëzhguesi i vëmendshëm nuk mundet të bjerë pre e dëshpërimit, edhe pse ky vazhdimisht shfaqet spektakolar. Dorëzimi, heqja dorë prej kërkesës për sovranitet në radhë të parë, të mos harrojmë, favorizon dhunuesin. Dorëzimi nuk është veçse konfirmim i parimit xhunglor “i forti bën të drejtën”.

Ata që besojnë se i forti ka të drejtë nuk mund të zhvillojnë kurrë drejtësi, qytetërim apo kulturë post-mesjetare. Dhe do të shihen gjithnjë me përbuzje prej të tjerëve si servilë, të prapambetur dhe pa dinjitet.

Nuk ka nevojë as për institucione, as për parlament e as për drejtësi, për të konstatuar "të drejtën e më të fortit", dmth. për të thënë shteti X, korporata Y, apo personi Z janë më të mëdhenj, më të pasur, më të fuqishëm se shteti A, korporata B apo personi C – pra këta të fundit të ulin kokën e të pranojnë fatin e tyre. Kjo është logjika që përcillet në filmat ëestern, logjika e xhunglës, jo logjika e qytetërimit.

Në qytetërim e në demokraci drejtësia themelohet si e verbër (pra si jo-selektive dhe jo specifikuese), si një sistem i cili në teori e në praktikë kufizon pikërisht të fuqishmin, shtetin e fuqishëm, korporatën e fuqishme, personin e fuqishëm, pra kufizon fenomenin e "bullyizmit" në të gjitha format e veta.

Sigurisht që në histori të vjetër e të re kjo ka dështuar disa herë. Lëvizja politike që mund t’i përshkruhet neoliberalizmit-postkolonializmit-postmodernizmit vazhdimisht e shpall të pavlefshëm një parim pikërisht për shkak të dështimeve të veta në realitet, e kësisoj kryhen privatizimet, imponohet globalizmi, rrënohet arsimi publik, rrënohen konceptet e vetë politikës etj. Por fakti që secili ligj, rregull a parim ka dështimet e veta nuk do të thotë që duhet fshirë krejt ligji, rregulla a parimi (shembull: edhe ligji kundër pedofilisë vazhdimisht ka dështimet e veta kudo në botë, po nuk çohet njeri të kërkojë heqjen e ligjit).

Neoliberalizmi ka një projekt për rrëzimin e këtij parimi të qytetërimit, për rrëzimin e këtij lloji të drejtësisë që kufizon "të fortët", dhe afirmimin e parimit antidemokratik "i fuqishmi ka të drejtë". Në secilin rast kjo synon të na kthejë në raporte mesjetare, në atë lloj shoqërie kur Galileut ia ulën kokën të fuqishmit e kohës dhe e bënë të pranonte publikisht se toka s'luan (paçka se ndër dhëmbë thonë se tha "eppur si muove").

Por prej historisë na mbetet neve të zgjedhim ç'duam të ndjekim, shembullin e afirmimit të qytetërimit, apo atë të diktatit. Në paçim frikë se mos përfundojmë si Bruno, së paku ndër dhëmbë e me kokën ulur nuk na pengon asgjë të themi të vërtetën tonë, edhe ne si Galileu "eppur si muove".

Le të mos bëhemi pjesë e sklerozës ahistorike dhe le të kujtojmë dy poetë tanët që e refuzuan në kohën e tyre logjikën: "i forti e i madhi ka gjithnjë të drejtë". Mjeda: "Ky shekull or' e ças ndrrohet / Bijn posht të naltit, i vogli çohet…" apo Noli: "Se i vogli shtrin viganin / E i shtypuri tiranin…". Ka dije në këto vargje, dije që edhe në historinë e shkurtër shtetformuese të shqiptarëve mund të konfirmohet bindshëm – vërtet të fortët kanë rënë.

Të mos harrojmë se fenomeni i "intelektualit" që mbron interesat e perandorive nuk është i ri. Plot "intelektualë" të tillë kanë mbrojtur interesat e Perandorisë Otomane si i forti i kohës, të tjerë interesat e Italisë fashiste, të tjerë të Gjermanisë naziste, të tjerë interesat e imperializmit të kuq të Beogradit apo Moskës e kështu me radhë me çdo të fortë që na është bërë "friend with benefits" apo haptazi dhunues. Por Mjeda e Noli, për mendimin tim, kanë ende të drejtë.

Logjika "le të bëhet Specialja, me rëndësi të shkojnë n'burg kryekriminelët e qeverisë" ka dy probleme. Së pari, nuk do shkojnë në burg sepse dinë t'i korruptojnë ndërkombëtarët duke iu dhënë një copë Kosove për të shpëtuar veten, siç provon EULex dhe UNMIK. Së dyti – dhe çfarë është më e rëndësishme, në burg këta do të mund t'i çonte edhe ISIS-i, por ne duhet të këmbëngulim vetëm për drejtësi republikane, që mban përgjegjësi para qytetarëve dhe që është jo-selektive.

VETËVENDOSJE! dhe aktivistët e saj jo vetëm që e kanë kundërshtuar Gjykatën Speciale, por edhe e kanë fituar secilin debat e secilin argument sa i përket asaj, qoftë me shqiptarë e qoftë me ndërkombëtarë. Në fakt, Gjykatën Speciale e kanë kritikuar edhe vetë ofiqarët ndërkombëtarë në Kosovë, edhe pse veç kur kanë dalë prej pushtetit.

Por një elitë politike e korruptuar gjer në imtësi ta shkatërron shtetin, demokracinë e të drejtën, ta sjell Specialen ashtu siç ka për të sjellë vazhdimisht veç krizë, krim e rehabilitim të Serbisë pa de-millosheviçizim. Qysh tani kjo elitë ia ka nisur ta përdorë Gjykatën Speciale për të kërcënuar kundërshtarët, për të hequr vëmendjen nga korrupsioni dhe perversioni i tyre, e sidomos për ta hequr vëmendjen nga dështimet ekonomike e shoqërore. Me Gjykatën Speciale ata e kanë marrë peng diskursin politik edhe për disa vjet, duke qenë se hapi i ardhshëm do të jetë krijimi i Zajednicës, pra bosnjëzimi i Kosovës. Sa më shpejt të kuptohet kjo, aq më mirë, se këta vendin e kanë në institucione riedukimi e jo në pushtet.

Prandaj duhet angazhimi, në të mirë tonën edhe të gjithë qytetërimit, për ta mposhtur cinizmin dhe skepticizmin e atyre që thonë “mirë e keni, por s’keni ç’bëni”. Nuk duhet, pra nuk mundemi të lejojmë rikthimin e paradigmave koloniale, dhe nuk kemi për ta pranuar kurrë që një gjykatë e tillë, e dyta pas Nurembergut, të gjykojë çlirimin e Kosovës. Është detyra jonë të hyjmë në bios, të dalim prej situatës së kafshës, është detyra jonë të jemi të barabartë me të tjerët e të afirmojmë sovranitetin mbi veten tonë – jo një sovranitet absolut i cili do të dështonte dhe do të ngjallte zhgënjime, por një sovranitet relacional, një sovranitet si të vendeve të tjera. Nuk mund të lejojmë që Kosova të trajtohet si një tryezë laboratorike ku eksperimentohen praktikat e dështuara të qendrave globale. Nuk duhet të na dëshpërojnë “skllavopronarët”, as “skllevërit”, sepse i dimë nga rrjedhin pozicionimet e tyre.

Autori eshte aktivist i vetvendosjes. Titulli origjinal:"Sovraniteti, apo “Gjithçka është e lejueshme”