• |
ide | kryesore

Pse Berisha hesht për Llallën?

Arkiva, Ide
IMG_20150512_224333.jpg



Sali Berisha ka thërritur edhe njëherë si një zë i vetmuar në shkretëtirë, për të thyer heshtjen e imponuar nga ish mediat që i lëpinin këpucët, nga institucionet e pavarura të ngritura me bekimin e tij dhe nga pothuajse i gjithë mjedisi politik. Në stilin e njohur të njeriut që nuk ka frikë ti thotë të vërtetat, ai ka denoncuar edhe njëherë për çështjen Becchetti dhe atë të televizionit Agon Channel.

Pjesa më e madhe e denoncimeve që bën Berisha me gjasë duhen marrë seriozisht. Nëse ai thotë se pas mbylljes së këtij televizioni qëndron kryeministri Rama, nëse ai denoncon deklaratat e nxituara të shefit të qeverisë për pastrim parash që më pas dolën bllof, nëse ai flet për gënjeshtra kur u deklarua se hetimi u bë sëbashku me autoritetet italiane, nëse ai hedh hipotezën se në këtë nismë Rama mund të jetë nxitur edhe nga Kokëdhima, ai mund të ketë totalisht të drejtë.

Por këtu puna nuk është tek çështja Becchetti. As tek heshtja e turpshme që po pason linçimin politiko- juridik të këtij investitori kontrovers . As te mbështetja që po i japin kësaj padrejtësie ato media që sipas ish kryeministrit i paguajnë tatimet dhe sigurimet në mënyrë shumë më të dyshimtë se Agon Channel.

Këtu problem qëndron tek sinqeriteti i deklaratave që bën Berisha.

Në pamje të parë duket sikur ai ka marrë edhe njëherë përsipër rolin e atij që do të shpërthejë skandalet me të cilat pjesa tjetër e shoqërisë ka bërë kompromis. Ky kostum i shkon për shtat, i jep statusin e opozitarit të pa epur dhe konsolidon aureolën e tij si njeri që nuk nënshtrohet përpara padrejtësisë.

Por rasti Becchetti dhe disa raste të tjera nuk janë shembujt më të mirë për të farkëtuar këtë imazh për ish kryeministrin. Sepse këtu ai vërtet bërtet për një pjesë të së vërtetës që askush nuk e thotë, por ai hesht me qëllim për gjysmën tjetër të saj.

Dhe nëse fakti që pas goditjes të investitorit italian qëndron Edi Rama është i vërtetë, Berisha nuk i përgjigjet një pyetjeje tjetër: me kë ka bashkëpunuar Rama në këtë mëkat të pushtetit.

Fakti është se Edi Rama ka vënë në lojë prokurorinë për të sendërzuar “hakmarrjen” politike ndaj Becchettit. Dhe për këtë gjë Berisha hesht në mënyrë të turpshme. Duke dashur të rishpërthejë këtë skandal, ai kërkon të fshehë gjithashtu një pjesë të rëndësishme të tij. Sepse për një rend demokratik, po aq sa është  i rëndësishëm  mosnënshtrimi i mediave ndaj pushtetit politik, po aq i rëndësishëm është edhe mosnënshtrimi i organeve të drejtësisë dhe i prokurorisë në këtë rast.

Ndërsa Berisha e le me qëllim në errësirë këtë pjesë të aferës. Ai kërkon ti fokusojë kamerat tek Rama dhe televizionet duke anashkaluar një fenomen po aq të rrezikshëm: mardhënien Kryeministër- Kryeprokuror.

Në fakt tendenca për të mos etiketuar Adriatik Llallën si një bashkëpunëtor të pushtetit të ri, po shndërohet në një paradoks tek ish kryeministri. Përpos rastit Becchetti janë bërë edhe disa kazuse të tjera të cilat ngrenë të njëjtën pyetje: Pse Berisha e ruan Adriatik Llallën?

E bëri një gjë të tillë një vit më parë pas arrestimit të guvernatorit. Po në të njëjtën mënyrë u soll edhe pas hapjes të çështjeve penale për disa ish kryebashkiakë të bezdisshëm për Ramën. Po të njëjtën linjë mbajti edhe në rastin e skandalit Doshi- Meta, madje duke u bërë më katolik se papa dhe duke shkelur për herë të parë  edhe vetë në prokurori. Megjithëse organi akuzës në të gjitha këto raste i ka shërbyer me devotshmëri mazhorancës, ai Sali Berisha, njeriu që akuzon me lehtësi për çdo gjë, e ka mbajtur gojën mbyllur.

Ka disa versione për këtë kompromis që e njollos kostumin prej opozitari të paepur të doktorit. I pari është se Berisha po mbron një njeri të emëruar prej tij në krye të prokurorisë. E dyta është se ai i druhet një beteje të re me një shef të akuzës, pas andrallave që ka pasur me më shumë se gjysmën e kryeprokurorëve të këtij vendi (Maks Haxhia, Arben Rakipi, Dhori Sollaku dhe së fundi Ina Rama).

Por e treta dhe më e besueshmja është një pakt okult mes tij dhe Adriatik Llallës sipas stilit: “Mos më prek, se nuk të prek”. Dhe në fakt Berisha nuk ka guxuar kurrë ta akuzojë Llallën për shërbimet që i ka bërë Ramës, ashtu sikurse kryeprokurori nuk ka ngacmuar asnjë çështje ku preken miqtë, vasalët apo familjarët e Berishës.  

Pikërisht ekzistenca e mundshme  kësaj marëveshjeje në distancë e ka bërë doktorrin të jetë duarlidhur dhe gojëmbyllur ndaj një të vërtete të mAdhe. Pikërisht ajo e bën atë aq sa të lirë për të goditur Ramën në rastin Becchetti, po aq edhe peng për të mos gërvishtur Adriatik Llallën. Por mbi të gjitha ajo vë pikpyetje serioze mbi imazhin e tij si një opozitar që nuk bën kalkulime personale. (lapsi.al)