• |
ide | kryesore

Publikimi si linçim dhe lajthitja mediatike

Arkiva, Ide
bato.jpg



Është e ditur se në Kosovë ka pasur krime. Disa njerëz e kanë tepruar me “heroizëm”, duke shkelur rregullat e luftës. Por nuk ka pasur një koncept për vrasje masive. Për një arsye të thjeshtë: s’kemi patur as mundësi, as fuqi për ta bërë një gjë të tillë. Një pamëshirësi serbe mundur të jetë shoqëruar vetëm me hakmarrjen e pafuqisë së një ushtari. Viktimat e mundshme të luftës janë pjesë e vuajtjes që kanë pësuar shqiptarët dhe pjesë e pafuqisë dhe hidhërimit të luftëtarëve të UÇK-së, që me sytë e tyre kanë parë dhe përjetuar vrasjet dhe djegiet e shumta gjatë ofensivave serbe. Dhe vrasjet e kryera nga ndonjë ushtar i UÇK-së, nga kjo distancë kohore sot, mund të quhen krim. Por, ama, ka patur momente dobësie që etika e lirisë dhe e luftës është abuzuar nga logjika e hakmarrjes.
Mirëpo, ajo që nuk falet është krimi i pasluftës. Nuk dua të shtoj asgjë më shumë nga përshkrimi brutal i një ngjarje (vrasja e një të moshuare serbe menjëherë pasluftës) që Arben Idrizi e kishte në shkrimin e tij. Nga ky rast kuptova që nuk është sasia që e bën krimin më barbar dhe më të keq sesa një vrasje e pashpirt e një plake.  
Kuptohet, kemi heshtur gjatë për individë që kanë qenë kriminelë dhe po vuajmë për vite, sepse nuk i kemi dënuar publikisht dhe ata nuk janë burgosur e gjykuar nga drejtësia. Nuk na ka ndaluar askush që t’i publikonim emrat e tyre. Është gënjeshtër e madhe publike nëse dikush thotë se kanë qenë të ndaluara të publikohen rastet dhe vrasjet.
Pyetja që shtrohet sot është se përse nuk u botuan kriminelët, por u botuan emrat e përveçëm në një kohë kur përfundoi votimi për ndryshime kushtetuese, që çonin në themelim e Gjykatës Speciale? Ndonjëherë më ngulitet në mendje ndonjë padrejtësi që u bëhet emrave të përveçëm. Meqë jam njeri që jeton në një vend demokratik dhe i lirë si të ma dojë qejfi, nisem e bëj gazetarinë që di dhe, kur duhet, ia përplas në fytyrë kujtdo pyetjen që më shqetëson. 
Natyrisht, botimi i emrave nga një koleg, duke u thirrur në një burim anonim ndërkombëtar, ka vënë në lajthitje plot media, edhe Klan Kosovën dhe ekipin e lajmeve, duke i bërë drejtuesit medialë më shumë kureshtarë për një të vërtetë të supozuar sesa profesionistë që gjurmojnë arsyet e daljes publike të kolegut në fjalë me lista konkrete. Kështu si kanë vepruar kolegët e mi në Klan Kosova, kanë shkelur rëndë procedurat dhe etiken profesionale. Ideja për protagonizëm me ngulm, nuk ua bën më të lehtë vërtetimin e supozimeve që mungojnë. 
Nuk u befasova me guximin e kolegut, sa me mungesën e etikes profesionale, sepse, qoftë edhe një emër i apostrofuar për të dalë përpara Gjykatës Speciale, që do të mungojë në momentin kur dorëzohen aktakuzat, do të jetë e rëndë për profesionin e gazetarisë, për faktin se i japim vetes të drejtë të gjykojmë dikë para kohe. Nuk po flasim për një emër të përveçëm. Po flasim për familjet e tyre që vuajnë një të vërtetë të pavërtetë. Një gjykim të pagjykuar dhe një vendim në procedurë të pamarrë ende.
Klan Kosova, mediumi që unë udhëheq, ka bërë një shkelje etike në profesion. Standardet që ne si ekip aplikojmë në gazetari dhe për lajmin në përgjithësi janë thyer me burime anonime. Nuk dua të gjykoj për mediat tjera, sepse ka kohë që disa prej tyre janë frymëzuese të gënjeshtrës dhe gjykimeve personale brenda lajmit. Asnjëherë nuk provojnë të shoqërojnë tekstin me fakte dhe aq më pak të kenë dëshirë për të hulumtuar ngjarjet. 
Ata nuk profetizojnë, vënë bast, pandehin, supozojnë, jo, ata e dinë se kush do të jenë të akuzuarit, ata janë të sigurt se kush do të jenë të dënuarit e Gjykatës Speciale. Analistët, portalet, gazetat e Kosovës dhe ato të Maqedonisë i dinë të gjitha dhe para kohe, ngase ua tregojnë burimet e tyre të shumta ndërkombëtare, të cilat po t’i kalkulojmë, konstatojmë pa hamendje se e gjithë diplomacia perëndimore punuaka si informuese e mediave tona. Pse jo?
Pyetja është: Nga i dinë të akuzuarit “gjenitë” e mediave shqipe, kur ata nuk mundet t’i dijë as vetë Prokurori amerikan Clint Williamson? Si? Nuk mundet t’i dijë jo për arsye se ai nga puna trevjeçare e tij nuk e ka mësuar se cilët emra i ka stërlexuar në raportin e famshëm të Dick Marty-t dhe cilët persona i konsideron si të akuzueshëm, porse edhe Prokurori vetë nuk mund të funksionojë sipas praktikës së vendeve totalitare, atyre ku despoti mjafton ta përpilojë një listë për ta mbyllur sot e përjetë, madje edhe një qytet të tërë, në llogore e burgje e lëre më kur bëhet fjalë vetëm për një grup njerëzish. Williamson nuk mund t’i dijë as vetë, sepse ai detyrën e tij duhet ta ushtrojë brenda një Gjykate, e cila de facto ende duhet të themelohet. 
Pra, ende nuk ekziston Gjykata. 
Kur të themelohet Gjykata, atëherë Williamson, konform procedurave ligjore perëndimore– e jo atyre imagjinare të mendësisë së mediave shqiptare-  do t’i kërkojë atij Tribunali të drejtën për intervistime, ndjekje, ekspertiza, (ri)sigurimin dhe (ri)intervistimin e dëshmitarëve, dëgjime, e kështu me radhë. Pasi Gjykata të konsiderojë se Prokurori ka bërë punën si duhet, pra ka trashur dosjet e tij sipas të gjitha rregullave proceduriale, ia pranon padinë kundër X-it, Y-it e kështu deri tek arrestimet e mundshme dhe leja për hapjen e proceseve gjyqësore. 
Kështu funksionon gjyqësia në perëndim. Kështu do ta bëjë punën edhe Gjykata Speciale, themelimi i së cilës para pak ditëve u aprovua edhe nga Parlamenti i Kosovës. 
Po listat? Ato nuk ekzistojnë. Këtë e kap me tru çdo njeri normal, madje këtë e kuptojnë edhe ata që logjikën e shfrytëzojnë vetëm herë pas here. Atëherë, përse mediat manipulojnë me diçka inekzistente? Për ne që bëjmë media e punojmë në to, edhe kjo ka një përgjigje fare logjike, konkrete: Lexuesit sigurisht tashmë e kanë vërejtur sistemin e disa portaleve, gazetave e agjencive tona, të cilat janë në gjendje t’i japin hapësirë kujtdo, nëse shfaqja e tij ua garanton vërshimin e klikimeve të faqes së tyre virtuale. Pra, disa prej tyre janë në gjendje t’i fotografojnë pa leje edhe kufomat, viktimat e aksidenteve etj, vetëm sa për ta popullarizuar adresën e tyre të internetit. Kjo është arsyeja pse ato mezi presin që dikush të shpikë lista, komplote, ta thotë ndonjë absurditet që të lë pa mend ose ta paralajmërojë vrasjen e dikujt.
Po kjo nuk është morale, do të bërtiste lexuesi normal, ai që shpesh bie pre e kampanjave të mediave të tilla. Natyrisht që nuk është etike kjo sjellje, por kjo mund të evitohet vetëm atëherë kur numri i lexuesve racionalë që refuzojnë kategorikisht adresa të tilla të bëhet aq i madh saqë botuesit dhe sajuesit e tyre të dorëzohen e të ndërgjegjësohen duke hequr dorë përfundimisht nga tallja e opinionit publik- nënçmimi dhe fyerja e lexuesve. E ndalja e fabrikimit të rrenave kolosale si të vërteta të mundshme, nuk do të ndodhë aq shpejt. Lista e të akuzuarve në Gjykatën Speciale nuk ekziston. Ekzistojnë vetëm dëshmitarët dhe mbi 200 intervistime dhe supozime për krime të mundshme. /lapsi.al/