• |
ide | kryesore

A ka një plan Rama për të përdorur Ilir Metën?

Arkiva, Ide
shullo.jpg



Kryeministri Edi Rama u detyrua të ndërpresë lodrimin e Zahos së vogël në ujërat e Jonit dhe ta paraqesë si një lodër vere krizën e tij me partnerin e koalicionit Ilir Meta. Në një intervistë për të përditshmen Dita, lexohej qartë mundimi i kryeministrit për t’i dhënë lehtësinë e stinës një çështjeje që po i rëndon prej disa kohësh. Me batuta të lodhura dhe krahasime fëminore filmash, Rama tha se nuk ka çarje brenda mazhorancës. Në fakt, me të njëjtën përpjekje të mundimshme edhe mediat pro unionit Rama- Meta, po shmangin të flasin për krizën e dukshme PS- LSI dhe, ashtu si dikur mediat pro unionit Berisha- Meta, i fryjnë çdo reje të zezë mbi qiellin e qeverisë.

Në pamje të parë, duke patur parasysh edhe përvojat e mëparshme të allnim- pajtimeve Rama- Meta, mbështetësit e unionit kanë të drejtë të besojnë se edhe ky ankth gushti do të kalojë. Gjithnjë kur ka patur hatërmbetje për pazare, një pazar i ri është shpikur për të mbajtur në këmbë tregun e përbashkët. Pse këtë herë duhet të jetë ndryshe? Ja do kalojë edhe ky i nxehtë dhe ata të Dy do të pajtohen dhe ata që vinë pas tyre do të qetësohen.

Sigurisht mund të ndodhë kështu, çdo pazar ka një çmim dhe kur je në pushtet ia vlen çdo çmim. Por ajo që duket se ndryshon këtë herë, ka të bëjë me faktin se kriza mes dy drejtuesve të koalicionit të majtë, nuk mban erën e ndonjë pazari të prishur.  Më shumë se një krisje interesash, ajo është pasojë e një lëshimi të avashtë që Edi Rama po i bën Ilir Metës. Gjithnjë e më shumë ky i fundit po e sheh veten në një paradoks, sa më shumë peshë elektorale fiton aq më pak ndikon në vendimarrjet e Edi Ramës. Madje jo vetëm kaq, por indikacione të shumta tregojnë se kryeministri po adapton një qëndrim të ri, veçanërisht në raport me ndërkombëtarët, se ai vetë ka vullnetin e duhur politik për të bërë reforma e për të luftuar krimin e korrupsionin, por i ka duart e lidhura nga aleati më i vogël.

Një refren i tillë këndohej nën zë edhe nga mbështetësit radikalë të Berishës gjatë mandatit të tij të dytë, të cilët çdo dështim të qeverisë ia faturonin ministrave të pangopur të LSI. Por ndërsa vetë Berisha, asnjëherë, madje edhe kur Ilir Meta u largua, nuk e përdori një justifikim të tillë, kryeministri Rama ka nisur që tani njëfarë distancimi të kujdesshëm nga aleati i tij. Ilir Meta nuk ka nevojë që këtë fakt t’ia raportojë dikush.

Të shumtë janë ata që, duke e njohur Ramën, mendojnë se kryeminstri po e ruan Metën si aset të çmueshëm justifikues të dështimeve apo gafave të tij. Nuk është çudi që zërat që flasin për një qëndrim distanues të Ramës ndaj Metës përpara ndërkombëtarëve, të mos jenë pa bazë. Për më tepër që kreu i Kuvendit nuk ishte në axhendën e takimeve të kancelares Merkel, të ndihmës sekretares Nuland apo të dërguarve të kancelarit austriak.  Në ndonjë çështje delikate si dekriminalizimi, ku Rama i zhgënjeu rëndë e madje i vuri në lojë partnerët ndërkombëtarë, thuhet se përdorimi i LSI si faktor pengues ka nisur të aplikohet, duke aluduar që nga ndërhyrjet në gjykatë për çështjen e disa deputetëve e deri tek emërimet në administratë. Të ngecur keq në rezultatet e dobëta të qeverisjes, njerëz pranë kryeministrit servirin me zë të ulët si përgjegjëse për këtë administratën paralele të LSI. Këto pëshpërima kanë rënë edhe në veshin e Ilir Metës, prandaj ai ka nxituar nëpërmjet njerëzve të tij për të treguar me gisht se nga anon përgjegjësia për dështimet e qeverisë.

Ndonëse Edi Rama e la për pak Zahon e vogël në Dhërmi, për t’i çuar selam publik Ilir Metës në Jalë, se mes tyre gjërat duhet të funksionojnë, ky i fundit e di se në prapaskenë kryeminstri ka çuar edhe mesazhe të tjera. Mesazhe që shkojnë deri tek zgjedhjet e parakohshme dhe ndarja me LSI. Ka shumë që mendojnë se kryeministrit i mungon guximi për të bërë akte të tilla (nuk e bëri as Berisha pas “bllokut” dhe “darkës së ngjalave”) por nëse qeverisja vazhdon me këto ritme, në 2017  Edi Rama nuk ka se çfarë t’u thotë shqiptarëve. Dhe ndryshe nga Berisha që u tërhoq zvarrë deri ditën e fundit të pushtetit, Rama është i aftë të bëjë kurban. Distancimi nga LSI do të ishte një kartë e re elektorale. Ai do ta paraqiste atë si të keqen më të madhe, që nuk e lejoi ta rilindë Shqipërinë.

Ilir Meta nuk është lloji i politikanit që pret t’i ndodhë diçka e pastaj të reagojë. Ai i ka perceptuar si shenjat ashtu edhe informacionet se qëndrimi i Ramës ndaj tij nuk është më i pari dhe se ai nuk e ka problem ta përdorë LSI si kurban për pushtet. Prandaj, ndryshe nga sa duan mbështetësit e unionit Rama- Meta, krisja këtë herë është shumë më serioze. Ajo nuk është provokuar nga një interes konkret të cilit i gjendet një zgjidhje varësisht nga çmimi, por sepse interesi i Ramës për t’u ndarë nga Meta në një moment të caktuar do të jetë i vetmi çmim për të tentuar të mbetet në pushtet.

Kjo e ka larguar Metën nga Edi Rama, si e vetmja mundësi presioni që ka në dorë tani për tani. Kjo shpjegon se përse Rama në gjithë atë intervistë të gjatë nuk flet në asnjë rresht për marrëdhënien e tij personale me Metën por për partneritetin strategjik. Meta sot, pavarësisht rritjes elektorale, nuk është jetik për Ramën siç ishte para 23 qershorit 2013. Dhe ai e ka provuar në lëkurë se si sillet Rama në raste të tilla. Në çastin e parë që Metës mund t’i rrëshkasë këmba, Edi Rama nuk është si Berisha që i shkonte për vizitë në shtëpi një ditë përpara seancës gjyqësore. Çdo pajtim i mundshëm, edhe pas kësaj “ëndërre vere”, nuk ia zgjidh Ilir Metës këtë ngërç politik. Prandaj ka ende kohë për të bërë parashikime./Mapo/