• |
ide | kryesore

Holbrooke, filmi i paplotësuar i djalit për babain

Arkiva, Ide
bato.jpg



David Holbrooke, biri i diplomatit të madh amerikan Richard Holbrooke, kishte sjellë në Prishtinë, në një rreth shumë të ngushtë njerëzish, brenda Ambasadës Amerikane, filmin e tij dokumentar “Diplomati”. I kushtohej babait të tij. Dokumentari ishte një pasion. I guximshëm, në njërën anë. Dhe i frikshëm në anën tjetër. I guximshëm, sepse dokumentari ishte bërë nga i biri për babanë, që mund të paragjykohet që në fillim për subjektivizëm dhe të jetë i keqkuptuar. I frikshëm, sepse me një dokumentar, me një rrëfim të pakujdesshëm, (për shkak se i biri gjithmonë e do babanë më shumë sesa jetën reale që ka bërë) mund ta lëndojë lehtë të kaluarën e tij prej një diplomati me nam. David ishte i kujdesshëm dhe elegant në rrëfimin për babanë. Mirëpo, kishte harruar pjesën kryesore të jetës së Richard Holbrooke. Vitin 1999, 23 mars. Vrasjen politike të kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviç.
Diplomacia amerikane dikur e kishte emrin e madh të Kissinger. E gjithë vepra e tij përqendrohej tek sukseset e diplomacisë, që koha dhe emri i tij kanë shënuar pikën më të ndritshme në politikën e jashtme amerikane. Kështu e thonë, e shkruajnë, e konstatojnë dhe e kanë si referencë Henry Kissingerin. Ai merret si referencë dhe model i ashpërsisë dhe i drejtpërdrejtshmërisë në takimet dhe në zgjidhjet e problemeve të rënda dhe gati të pazgjidhshme. Kjo referencë diplomatike mund të jetë e vazhdueshme për shkak të konjukturave dhe librave të shkruara. 
E vërteta është se Richard Holbrooke ka vendosur paqe në krejt një rajon dhe ka vrarë një politikan gjenocidal: Millosheviçin. Ai ka bërë shumë edhe në Vietnam e Kamboxha dhe ka mbetur i papërfunduar misioni i tij në Afganistan. E ndali vdekja.
Të kthehemi të rrëfimi i dokumentarit. David Holbrooke, përmes pesë tipareve, kishte vendosur jetën diplomatike të babait. Një gjë mbetej e parealizuar, gjithmonë sipas filmit, në jetën e Holbrooke, dëshira që të ishte Sekretar i Shtetit Amerikan, post që shihej se e kishte dashur shumë dhe nuk kishte arritur ta fitonte për shkak të konjukturave.
E dyta, dokumentari, kishte një dobësi të madhe. Kosovën. Në dokumentar nuk ishte përfaqësuar diplomacia e Holbrooke në luftën e Kosovës dhe takimi me Millosheviçin. Nuk ishte përfaqësuar kulmi i diplomacisë së Holbrooke dhe diplomacisë amerikane: “vrasja” politike dhe njerëzore e Hitlerit të Dytë në Europë, Millosheviçit. Kosova në dokumentar ka një rrëfim të pakryer, si mish i huaj, pa përmbajtje, pa narracion. Thënë edhe më keq, Kosova shihej si një aksesor fjalish, sa për të thënë, në dokumentarin e Davidit. Jo për shkak të sasisë dhe kohës së paktë që i kushtohej. Por, për mungesën e informacionit. Kosova është kulmi i një projekti dhe fillimi i një paqeje në rajon.
Nuk jam nga ata që them se Kosova meriton më shumë kohë dhe hapësirë në filma dhe dokumentarë. Ndonjëherë, një fjali dhe një minutë janë të mjaftueshme për ta thënë një të vërtetë të madhe. Kjo e vërtetë mungonte ndjeshëm në rrëfimin e djalit për babanë. Mungonte kulmi i shijes së pavdekësisë së një diplomati. Dokumentari ishte pa majën e karrierës së këtij diplomati- datën 23 mars dhe thënien e famshme në konferencën për shtyp në Bruksel:
“Iu drejtova Millosheviçit. Kam dy grushte të mbyllura. Në njërën anë kam paqen dhe në tjetrën bombat. Zgjidh cilën e do. Kjo është oferta jonë”, thoshte Holbrooke.
Pastaj, kishte vazhduar para Solanës, duke thënë fjalinë shpëtimtare për dy milionë shqiptarë dhe fillimin e fundit për rrëzimin e vrasësit të Ballkanit: “Zoti Solana, ai u përcaktua për bomba dhe bombardim. Po ua dorëzoj dëshirën e Millosheviçit në duart tuaja. Ai do bomba dhe jo paqe”. Kjo fjali epokale e tij në Bruksel ka shpëtuar miliona jetë. Ka vendosur Holbrookun në pavdekësinë e tij si njeri dhe si diplomat.
Ky ka qenë kulmi i njeriut që ka shënuar pavdekësinë e tij në diplomaci. Vetëm një Holbrooke, në karrierën e tij, ishte i pjekur për vdekjen, sepse e kishte të sigurt pavdekësinë. Është ndër të paktët diplomatë amerikanë që njohu pavdekësinë e tij në karrierën që bëri. E njohu pavdekësinë e tij në tempullin e lavdisë për miliona njerëz të shpëtuar me 1995 dhe me urdhrin e tij të datës 23 mars të vitit 1999.
 
P.S.
Më erdhi keq që në dokumentar nuk ishte Blerim Shala, kolegu im që ka qenë afër tij. Që ia shpëtoi jetën nga milicët dhe ushtria serbe. Moment dramatik ky i pashënuar në rrëfimin e Davidit.