• |
ide | kryesore

Pse Ismail Qemali i shkroi kujtimet ne anglisht

Arkiva, Dossier
5924706-M.jpg



Në kujtesën kolektive të popullit shqiptar, ai njihet kryesisht si kryeministri i parë shqiptar, apo si njeriu që drejtoi punimet e Kuvendit të Vlorës, ditën që u shpall pavarësia e Shqipërisë më 28 nëntor 1912

Por përtej kësaj, Ismail Qemali ishte një burrështetas dhe burokrat i regjur për shumë vite, i cili gjatë karrierës së tij të gjatë politike kishte pasur pozita të larta si sekretar i Kryeministrit liberal osman, Mid'hat Pashës, guvernator i Varnës, guvernator i Kretës, guvernator i Tripolit, Kryetar i Parlamentit Osman, Kryetar i Komisionit të Danubit, Kryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Shqipërisë etj.

Përveçse një politikan i shquar, Ismail Qemal Bej Vlora (1844-1919), ishte edhe një poliglot. Pos shqipes, ai njihte edhe greqishten, osmanishten, bullgarishten, arabishten, persishten, frëngjishten dhe anglishten. Madje edhe vetë kujtimet e tij, ai nuk i shkroi në shqip por në anglisht. Por, përse Ismail Qemali i shkroi kujtimet në anglisht?!

Në të vërtetë, kujtimet e Ismail Qemalit, kanë një histori mjaft interesante, aq më tepër kur kihet parasysh që praktikisht, ato nuk i shkroi vetë Qemali. Këto kujtime u shkruan me iniciativën dhe këmbënguljen e dy gazetarëve të gazetës "Times", Sommervile Story dhe William Morton Fullerton. Për disa muaj rresht mes viteve 1917 dhe 1918, ata të dy u takuan me Ismail Beun në Paris, i cili ua diktoi kujtimet e tij atyre, shkruan Koha.net. Dhe meqë gjatë këtyre takimeve bisedat bëheshin në anglisht, që ishte edhe gjuha e dy gazetarëve, edhe këto kujtime u shkruan po në anglisht. Më saktësisht, kujtimet e kreut të qeverisë së parë shqiptare, u regjistruan dhe u shkruan nga Fullerton kurse u redaktuan nga Story.

Ndërkaq, këto kujtime u botuan në Londër më 1920, nga Constable and Company LTD, me titullin: "The Memoirs of Ismail Kemal Bey".

Sipas botimit të këtij viti, kujtimet e Ismail Qemalit janë të ndara në dy pjesë, të shoqëruara me një shtojcë. Pjesa e parë është titulluar "Në shërbim të Perandorisë Osmane", kurse e dyta "Shqipëria dhe shqiptarët”. Shtojca përfshin një përkujtesë që Qemali ia kishte paraqitur më 1897 Sulltanit./express/